1. Prokurori/gjykata në procesin e vlerësimit të të miturit mbështetet në nivelin e zhvillimit, mënyrën e jetesës, edukimin dhe kushtet e zhvillimit, arsimimin, gjendjen shëndetësore, mjedisin familjar dhe kushtet e tjera të të miturit, të cilat e lejojnë për të vlerësuar karakteristikat e personalitetit të të miturit, të sjelljes dhe të nevojave të tij, përfshirë edhe nevojat e veçanta.
2. Në raportin e vlerësimit individual pasqyrohen karakteristikat individuale të të miturit, të parashikuar në nenin 22 të këtij Kodi.
3. Raporti i vlerësimit individual përshkruan nevojat e veçanta të të miturit, rrezikun e kryerjes së veprës penale, si dhe elemente të tjera në varësi të rastit dhe rekomandon masat e duhura për të nxitur zhvillimin dhe integrimin e tij në shoqëri.
4. Prokurori/gjykata kërkojnë në mënyrë të detyrueshme përgatitjen dhe mbajtjen parasysh të raportit të vlerësimit individual kur:
a. përcaktohet masa alternative e shmangies;
b. caktohet lloji i dënimit;
c. ekzekutohet vendimi i dënimit; si dhe
ç. shqyrtohet kërkesa për lirimin me kusht.
5. Prokurori/gjykata bën kujdes që afati i përgatitjes së raportit të mos bëhet pengesë për ecurinë dhe afatet e çështjes penale konkrete.
6. Në fazat e parashikuara nga shkronja “a” dhe “b”, të pikës 4, të këtij neni, raporti i vlerësimit individual përgatitet nga eksperti/grupi i ekspertëve ose nga Shërbimi i Provës, sipas parashikimeve të nenit 22 të këtij Kodi. Në rastet e parashikuara nga shkronja “c” dhe “ç”, të pikës 4, të këtij neni, ky raport përgatitet nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) për të miturit dhe/ose Shërbimi i Provës. Sipas rastit, organet e mësipërme, në përgatitjen e raportit të vlerësimit individual marrin edhe mendimin e Njësisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës.
7. Gjatë kryerjes së vlerësimit individual të të miturit, eksperti ose grupi i ekspertëve, përfaqësuesi i Shërbimit të Provës, Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale ose, sipas rastit, Njësia për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës, takohet lirisht me të pandehurin e mitur dhe merr të gjithë informacionin e nevojshëm nga çdo person fizik ose/dhe juridik publik ose/dhe privat që e konsideron si ndihmës në këtë proces.
8. Raporti i vlerësimit individual merret parasysh në çdo fazë të procedimit penal. Informacioni i dhënë në një raport të mëparshëm merret parasysh në procesin e përgatitjes së një raporti tjetër të vlerësimit individual në çdo fazë të mëtejshme të procedimit penal.
9. Metodologjia, rregullat dhe standardet e përgatitjes së raportit të vlerësimit individual, të parashikuara nga ky nen, përcaktohen sipas legjislacionit në fushat përkatëse.