1Përfaqësuesi ligjor i të miturit ka të drejtë të zgjedhë dhe të caktojë, në mënyrë të pavarur, një mbrojtës, duke marrë parasysh interesin më të lartë të të miturit.
2Nëse një i mitur në konflikt me ligjin nuk ka zgjedhur mbrojtës, organi kompetent që kryen veprimin përkatës procedural, cakton menjëherë mbrojtësin sipas parashikimeve të këtij Kodi dhe ligjeve të posaçme për ndihmën juridike, për aq sa nuk bien ndesh me këtë Kod.
3Kërkesa për caktimin e mbrojtësit, marrja dijeni e të miturit dhe dhënia e pëlqimit të të miturit dhe, në mungesë të këtij pëlqimi, të përfaqësuesit ligjor ose procedural të të miturit, shënohet në një procesverbal të veçantë. Sipas rastit, procesverbali nënshkruhet prej të miturit ose përfaqësuesit ligjor/procedural të të miturit dhe mbrojtësit.
4Në çdo rast pjesëmarrja e mbrojtësit është e detyrueshme.
5Thëniet e të miturit të dyshuar, të bëra jo në prani të mbrojtësit, nuk mund të përdoren si provë.