1. Gjykimi i të miturit në konflikt me ligjin bëhet duke mbajtur në konsideratë respektimin e parimit të parashikuar në nenin 17, të këtij Kodi, mbi shqyrtimin pa vonesë dhe me përparësi.
2. Çështja e një të mituri në konflikt me ligjin dërgohet në gjykatë jo më vonë se 3 muaj nga dita e regjistrimit të emrit në regjistër, me përjashtim të rasteve kur gjatë kësaj periudhe ai është akuzuar për një vepër tjetër penale ose në rastet e veprave penale që gjykohen nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në këto raste zbatohen afatet e parashikuara në Kodin e Procedurës Penale.
3. Gjykata e shkallës së parë përfundon shqyrtimin e çështjes në një kohë sa më të shpejtë, por jo më vonë se 6 muaj nga data e depozitimit të akteve në gjykatë.
4. Gjykata e apelit përfundon shqyrtimin e çështjes në një kohë sa më të shpejtë, por jo më vonë se 2 muaj nga data e dërgimit të akteve në gjykatë.
5. Gjykata e Lartë shqyrton pranueshmërinë e rekursit, si dhe gjykon çështjen sa më shpejt të jetë e mundur.