1Me kërkesën e prokurorit, për rastet e lejuara në paragrafin 1, të nenit 221, gjykata autorizon përgjimin me vendim të arsyetuar, kur ai është i domosdoshëm për vazhdimin e hetimeve të filluara dhe kur në ngarkim të personit ekziston një dyshim i arsyeshëm dhe i bazuar në prova se ka kryer një vepër penale.
2Kur ka arsye të bazuara për të menduar se nga vonesa mund t’i vijë një dëm i rëndë hetimeve dhe plotësohen kushtet e paragrafit 1, të këtij neni, prokurori vendos përgjimin me akt të motivuar dhe njofton gjykatën menjëherë, por jo më vonë se njëzet e katër orë nga marrja e vendimit. Kur vleftësimi nuk bëhet në afatin e caktuar, përgjimi nuk mund të vazhdojë dhe rezultatet e tij nuk mund të përdoren.
3Kur njëri nga dy personat që do të përgjohen është i gatshëm të kryejë dhe të regjistrojë veprimin përkatës, sipas marrëveshjes me oficerin e policisë gjyqësore, veprimi lejohet me autorizim të prokurorit.
4Në rastet e parashikuara në paragrafët 1, 2 dhe 3, të këtij neni, gjykata merr vendim të arsyetuar në dhomë këshillimi, brenda 24 orëve nga paraqitja e kërkesës së prokurorit. Kundër vendimit që refuzon kërkesën për përgjim mund të bëhet ankim i veçantë në gjykatën e apelit brenda 24 orëve. Gjykata e apelit shqyrton ankimin brenda 48 orëve nga marrja e akteve. Paraqitja e kërkesës për vleftësimin e përgjimit nuk shkakton ndërprerjen e tij.
5Vendimi për përgjimin tregon mënyrën e kryerjes dhe kohëzgjatjen e veprimeve, e cila nuk mund t’i kalojë pesëmbëdhjetë ditët. Ky afat, me kërkesë të arsyetuar të prokurorit, mund të zgjatet nga gjykata sa herë është e nevojshme, për një periudhë prej 15 ditësh, kur ekzistojnë kushtet e parashikuara në paragrafin 1, të këtij neni, dhe rezultatet e përgjimit diktojnë nevojën e zgjatjes së afatit.
6Në vendimin e gjykatës për përgjimin e fshehtë, fotografik ose me video, ose për përgjimin e bisedave në vende private mund të autorizohet oficeri i policisë gjyqësore ose specialisti i kualifikuar për të hyrë në këto vende, në mënyrë të fshehtë, duke vepruar në përputhje me vendimin. Ky autorizim duhet të zbatohet brenda 15 ditëve.
7Në regjistrin që mbahet në prokurori shënohen aktet që urdhërojnë, autorizojnë, vleftësojnë ose zgjasin përgjimet, si dhe fillimin e mbarimin e veprimeve të çdo përgjimi.
8Në rastet e parashikuara nga neni 221, paragrafi 2, veprimi autorizohet nga prokurori.