1Kur është caktuar masa e sigurimit arrest në burg ose arrest në shtëpi, për shkak të ekzistencës së rrezikut të ikjes, gjykata mund të vendosë zëvendësimin e saj, duke urdhëruar lirimin e personit, nëse është ofruar garanci pasurore nga ai vetë ose një person tjetër për moslargimin e tij deri në përfundimin e gjykimit.
2Gjykata pranon garancinë pasurore në të njëjtat kushte si në paragrafin e mësipërm edhe kur ndaj personit duhet të caktohet masa e sigurimit arrest në burg ose arrest në shtëpi, për shkak të ekzistencës së rrezikut të ikjes, duke lejuar qëndrimin e tij në gjendje të lirë.
3Shuma e garancisë pasurore përcaktohet nga gjykata, pasi merr mendimin e palëve, bazuar në nevojat reale të sigurimit, rrethanat personale dhe familjare të të pandehurit, si dhe gjendjen e tij financiare.
4Kur pranon kërkesën për garanci pasurore gjykata përcakton shumën që duhet të depozitohet dhe afatin brenda të cilit duhet të kryhet depozitimi dhe, nëse e çmon të përshtatshme, përcakton edhe një nga masat shtrënguese të parashikuara nga shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të nenit 232, të këtij Kodi. I pandehuri qëndron në masë sigurimi arrest në burg ose në shtëpi deri në depozitimin e garancisë pasurore. Për depozitimin njoftohet menjëherë prokurori.
5Menjëherë pas njoftimit të depozitimit, në çdo rast jo më vonë se 24 orë nga njoftimi për depozitimin e shumës së garancisë pasurore, prokurori verifikon dokumentacionin përkatës, duke urdhëruar, sipas rastit, lirimin e menjëhershëm të të pandehurit ose konfirmimin e masës së sigurimit arrest në burg ose në shtëpi.
6Kur i pandehuri shkel kushtet e garancisë pasurore, gjykata urdhëron konfiskimin e shumës së vendosur si garanci dhe caktimin e masës së sigurimit arrest në burg.