KODI I PROCEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   7905

Neni 373: Akuza për një vepër tjetër

1Kur gjatë shqyrtimit gjyqësor del një vepër penale tjetër që ka lidhje me atë që gjykohet, sipas nenit 79 gërma “b”, ose një rrethanë rënduese që nuk është përmendur në kërkesën për gjykim, prokurori i komunikon të pandehurit veprën penale ose rrethanën, por me kusht që gjykimi të mos jetë në kompetencë të një gjykate më të lartë.

Përmbajtja

      1. Qëllimi i komentit të kësaj dispozite është përcaktimi dhe interpretimi i mekanizmit të akuzës për një vepër penale tjetër gjatë fazës së shqyrtimit gjyqësor, si pjesë e së drejtës procedurale të prokurorit për të ushtruar ndjekjen penale në gjykim ndaj veprës së dytë penale që ka lidhje me atë që është në gjykim.
      1. Objekti i kësaj dispozite procedurale penale i referohetevidentimit të elementeve përbërës të veprës tjetër penale e cila i komunikohet të pandehurit nga prokurori gjatë procesit gjyqësor si dhe përcaktimi i lidhjes që të dy veprat penale duhet të kenë me njëra – tjetrën për të lejuar prokurorin që të procedojë me njoftimin e akuzës së dytë gjatë gjykimit.
      1. Neni 373 i Kodit të Procedurës Penale paraqet dy situata qëi referohen rasteve kur prokurori ndërhyn në procesin gjyqësor duke i njoftuar në seancë gjyqësore të pandehurit akuzën për një vepër penale që ka lidhje me atë që gjykohet, si dhe rasti i njoftimit të rrethanës rënduese të papërmendur në kërkesën për gjykim.
      2. Rasti i parë lidhet me njoftimin prej prokurorit të veprës tjetër penale që ka lidhje me atë që gjykohet. Neni 373 i Kodit të Procedurës Penaleparashikon dy kushte të cilat duhet të plotësohen në gjykim në mënyrë që prokurori të ndërhyjë për t’i njoftuar të pandehurit akuzën për një vepër tjetër penale. Kushti i parë kërkon që gjatë shqyrtimit gjyqësor të evidentohet një vepër penale tjetër e cila nuk ka qenë e përfshirë në kërkesën për dërgimin e çështjes në gjyq. Kushti i dytë kërkon që vepra tjetër penale e dalë në shqyrtimin gjyqësor, duhet të ketë lidhje me atë që gjykohet sipas nenit 79 germa “b” të Kodit të Procedurës Penale. Më poshtë po analizojmë me radhë kushtet e kërkuara nga neni 373 i Kodit tëProcedurës Penalepër veprën tjetër penale.
      3. Po të shihen me kujdes, termat e përdorur nga neni 373 i Kodit të Procedurës Penalevërejmë se legjislatori në këtë rast ka përdorur fjalët “vepër tjetër penale që ka lidhje me atë që gjykohet”, për të identifikuar me qartësi situatën në të cilën duhet të ndërhyjë prokurori. Pra legjislatori nuk ka përmendur shprehjen “fakt i ri penal” i zbuluar në gjykim që zakonisht i referohen situatës së zbulimit në gjykim të disa të dhënave të reja për prokurorin, të cilat kanë nevojë ti nënshtrohen verifikimit dhe hetimit të mëtejshëm sipas rregullave të përgjithshme.
      4. Midis faktit penal dhe veprës penale në kuptimin e kërkuar nga neni 373 i Kodit të Procedurës Penale ekziston një ndryshim thelbësor, i cili lidhet me procesin e verifikimit dhe identifikimit të ngjarjes kriminale të ndodhur dhe lidhjes që duhet të ekzistojë midis veprave penale në diskutim. Siç e përmendëm edhe më lart, fakti ri penal në përgjithësi ka nevojë t’i nënshtrohet hetimit paraprak, me qëllim mbledhjen e të dhënave të nevojshme për të konkluduar në ekzistencën ose jo të veprës penale, elementëve përbërës të saj, autorin ose autorët pjesëmarrës në kryerjen e veprës penale. Ndërkohë në rastin e veprës penale tjetër të dalë në gjykim që duhet të ketë lidhje me atë që po gjykohet, themi se hetimi paraprak është kryer dhe janë mbledhur të gjitha të dhënat e nevojshme që e identifikojnë faktin penal në një vepër penale konkrete. Kur prokurori procedon me njoftimin e veprës tjetër penale tek i pandehuri në gjykim, fakti penal i përfshirë në veprën penale të re është i verifikuar dhe i identifikuar qartësisht, pasi jo vetëm që nuk ndodhemi përpara njëfakti të ri penal, në kuptimin që ai duhet të jetë zbuluar gjatë procesit gjyqësor, por edhe fakti penal i përmendur nuk ka nevojë që t’i nënshtrohet hetimit paraprak, pasi ai plotëson të gjitha kushtet për t’u identifikuar si vepër penale.
      5. Neni 373 i Kodit të Procedurës Penale parashikon situatën kur gjatë gjykimit prokurori evidenton një vepër të re penale e cila nuk ka nevojë për hetim pasi për shkak të lidhjes së ngushtë që ajo ka me veprën penale të sjellë tashmë për gjykim, hetimi për veprën penale të re është i përfshirë në hetimin e përfunduar nga prokurori për veprën e parë penale. Mungesa e hetimit për veprën penale të re që ka lidhje me veprën penale të sjellë për gjykim është parashikuar në mënyrë implicite nga neni 373 i Kodit të Procedurës Penale. Kjo dispozitë e lejon prokurorin të njoftojë akuzën në seancë gjyqësore për veprën penale të evidentuar në gjykim dhe të vijojë më tej gjykimin për të dy veprat penale që duhet ta theksojmë se kanë lidhje me njëra – tjetrën.
      6. Si rrjedhim referuar kushtit të dytë të përmendur më lart, për shkak të lidhjes së ngushtë që duhet të ekzistojë midis veprës penale të hetuar e asaj të dalë në gjykim sipas parashikimit të nenit 373 të K. Pr. Penale, elementët thelbësorë të veprës penale të hetuar, janë elementë përbërës dhe të veprës tjetër penale të konstatuar në gjykim. Kështu që vepra penale tjetër e shoqëruar me akuzën e re në gjykim nuk është vepër penale që përfaqëson një fakt të ri, pasi elementët përbërës të saj janë mbledhur gjatë fazë së hetimeve paraprake e për rrjedhim këto elementë janë të njohura për prokurorin dhe të pandehurin përpara fillimit të shqyrtimit gjyqësor të çështjes. Kështu që akuza për një vepër tjetër penale në gjykim, nuk duhet kuptuar si akuzë për një vepër penale që në përmbajtjen e saj ka elementë të panjohur në fazën e hetimit, por duhet kuptuar si akuzë për një vepër tjetër penale, fakti përbërës i së cilës megjithëse jo i plotë, është hetuar që në fazën e hetimit paraprak.
      7. Në rastin e akuzës për një vepër tjetër penale në gjykim, i pandehuri tashmë ndodhet në një situatë tjetër që realisht i rëndon pozitën e tij procedurale. Me komunikimin e akuzës për një vepër tjetër penale nga prokurori në gjykim, i pandehuri duhet të përgjigjet së paku për dy vepra penale të dyshuara si të kryera prej tij. Ai duhet të përgjigjet për veprën e parë penale që është sjellë për gjykim nga prokurori si dhe për veprën tjetër penale që ka lidhje me të parën, të cilën prokurori ja njofton të pandehurit në seancën gjyqësore ku po gjykohet vepra e parë. Pra të pandehurit në gjykim i shtohet edhe një vepër tjetër penale. Në këto kushte i pandehuri në gjykim duhet të përgatisë mbrojtjen e tij për dy vepra penale. Në këtë rast ndodhemi përpara situatës juridike të shtimit të akuzës së prokurorit në gjykim ndaj të pandehurit.
      8. Në teorinë e së drejtës penale si dhe në praktikë gjyqësore janë të njohura rastet kur një i pandehur kryen dy ose më shumë vepra penale për të cilat ai i nënshtrohet gjykimit të tyre. Gjykimi i dy ose më shumë veprave penale të kryera nga i pandehuri, sipas situatës mund të hetohen dhe gjykohen në një procedim të vetëm penal ose në procedime të ndryshme penale.
      9. Neni 373 i Kodit të Procedurës Penale parashikon situatën kur i pandehuri dyshohet se ka kryer dy ose më shumë vepra penale dhe këto vepra penale duhet t’i nënshtrohen gjykimit brenda një procesi gjyqësor.
      10. Rastet kur një person kryen dy ose më shumë vepra penale, janë raste që trajtohen nga teoria e së drejtës penale për caktimin e dënimeve. Në teorinë e së drejtës penale secila nga veprat penale përmban një dënim të parashikuar nga ligji penal dhe si rrjedhim ligji penal i ka dhënë si zgjidhje të vetme kësaj situate duke parashikuar një dispozitë të përgjithshme penale që përfshin rastet kur dhe si duhet të zbatohen dispozitat penale të bashkimit të dënimeve kur autori i tyre duhet të përgjigjet penalisht për kryerjen e dy ose më shumë veprave penale[1].
      11. Në teorinë e së drejtës penale rastet e bashkimit të veprave penale të kryera nga një autor i saj, njihen ndryshe si rastet e konkurrimit të veprave penale. Kryerja e dy ose më shumë veprave do të thotë shkelje nga ana e autorit të më shumë se një herë të një ose më shumë dispozitave që parashikojnë figura të veprave penale të veçanta për të cilat ligji penal parashikon dënime të ndryshme. Referuar nenit 55 të Kodit Penal vërejmë se parashikohen dy raste të bashkimit (konkurrimit) të veprave penale të cilat janë bashkimi real dhe bashkimi ideal i veprave penale.
      12. Bashkim ideal kemi në rastet kur autori me një veprim ose mosveprim ka kryer dy ose më shumë vepra penale. Bashkim real kemi në rastet kur autori me akte të veçanta kryen dy ose më shumë vepra penale të ndryshme nga njëra – tjetra. Në bashkimin ideal ose real veprat mund të kryhen me dashje ose nga pakujdesia me veprim ose mosveprim. Ato parashikohen nga dispozita të ndryshme penale e përbëjnë figura të veçanta të veprës penale. Në bashkimin e veprave penale gjykata cakton përfundimisht një dënim të vetëm për autorin për të gjitha veprimet e tij por ajo është e detyruar që për çdo vepër të caktojë më parë dënime të veçanta[2]. Më lart përmendëm llojet e bashkimit të veprave penale për shkak se shtjellimi i mësipërm do të na nevojitet për të trajtuar lidhjen që duhet të ekzistojë midis veprës penale në gjykim dhe veprës tjetër penale.
      13. Për të identifikuar lidhjen dhe natyrën midis dy veprave penale duhet më parë t’i referohemi nenit 79/b të Kodit të Procedurës Penale. Kjo dispozitë parashikon situatën e bashkimit të procedimit penal kur një person akuzohet për disa vepra penale. Duke ju referuar striktgermës “b” të nenit 79 të Kodittë Procedurës Penale mund të themi se lidhja midis dy veprave penale është e përgjithshme. Kjo do të thotë se personi i akuzuar mund t’i ketë kryer veprat penale në të njëjtën kohë e më një veprim të vetëm, ose ai mund të ketë kryer veprat penale në të njëjtën kohë por me veprime të ndryshme apo të ketë kryer veprat penale në kohë të ndryshme. Pra mënyra sesi paraqitet lidhja e veprave penale sipas nenit 79/b të Kodit të Procedurës Penale nuk na jep zgjidhjen e duhur që kërkon neni 373 i Kodit të Procedurës Penale.
      14. Lidhja e parashikuar nga neni 79/b i Kodit të Procedurës Penale mund të konfondojë në gjykim situatat e akuzës për një vepër tjetër penale, me atë të akuzës për një fakti të ri penal kur dihet se këto situata janë krejtësisht të ndryshme. Nga mënyra sesi është parashikuar lidhja e veprave penale në nenin 79/b të Kodit të Procedurës Penale, mund të themi se dhe në rastin e akuzës për një fakti ri ekziston lidhja e faktit të ri penal me akuzën në gjykim, për shkak se në bazë të nenin 79/b të Kodit të Procedurës Penale, për të pasur një lidhje mes dy veprave penale mjafton që ato t’i ketë kryer një person. Kështu që prokurori mundet gabimisht (duke ju referuar nenit 79/b të Kodit të Procedurës Penale) të procedojë në gjykim sipas nenit 373 të Kodit të Procedurës Penale duke i njoftuar akuzën të pandehurit për një vepër tjetër penale, në vend që të procedojë sipas nenit 374 të Kodit të Procedurës Penale që bën fjalë për rastin e njoftimit të akuzës për një fakt të ri penal. Mosrespektimi me saktësi i secilës prej këtyre situatave mund të shkaktojnë probleme të cilat lidhen me procesin e rregullt ligjor si dhe me respektimin e së drejtës së mbrojtjes së të pandehurit përballë institutit të akuzave të reja.
      15. Për mënyrën sesi është ndërtuar neni 373 i Kodit të Procedurës Penale themi se vepra penale që i njoftohet të pandehurit në gjykim nuk është vepër penale e panjohur në tërësinë e elementeve të saj nga prokurori dhe i pandehuri pasi veprat penale kanë lidhje me njëra – tjetrën, pra kanë elementë të përbashkët. Kjo dispozitë procedurale nuk përshtatet mirë me nenin 79/b të Kodit të Procedurës Penale. Në fakt midis këtyre dy dispozitave duhet të ekzistojë një lidhje logjike. Sipas nenit 373 të Kodit të Procedurës Penale, siç thamë më sipër, vepra penale e sjellë për gjykim e identifikuar nga prokurori si vepra penale kryesore për të cilën janë bërë hetimet dhe vepra penale e evidentuar gjatë shqyrtimit gjyqësor kanë elementë të përbashkët me njëra tjetrën. Kushti që të dy veprat penale duhet të kenë elemente të përbashkëta është përmendur në nenin 373 të Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit vepra penale tjetër (jo e re) që del gjatë gjykimit duhet të ketë lidhje me atë që gjykohet. Lidhja në këtë rast midis dy veprave penale është një lidhje që i referohet objektit të procedimit penal të sjellë për gjykim, pra lidhja i referohet vetëm elementeve objektive të procedimit penal[3].
      16. Elementët objektivë të cilat janë evidentuar në hetim për njërën vepër penale të sjellë në gjykim nga prokurori janë të përfshira në veprën tjetër penale që prokurori i njofton të pandehurit në gjykim. Në ndryshim nga elementët subjektiv të veprave penale që nënkupton kryerjen e disa veprave penale nga një person dhe këto vepra penale lidhen me njëra - tjetrën vetëm për shkak të subjektit të saj si autor i veprave penale, në rastin e elementëve objektivë të veprave penale lidhja midis tyre realizohet për shkak të elementëve materialë të përbashkët që ato kanë me njëra tjetrën, si dhe për shkak të kryerjes së tyre nga i njëjti autor.
      17. Njëkohësisht për sa kohë i pandehuri në gjykim do të përgjigjet për dy ose shumë vepra penale, atëherë në këtë rast ndodhemi përpara situatës procedurale të bashkimit të procedimeve të lidhura dhe situatës së konkurrimit të veprave penale të cilat u trajtuan më sipër.
      18. Veprat penale të lidhura nga elementët objektiv, janë veprat penale që realizohen nga një veprim i vetëm unik ose nga veprime të ngjashme që i paraprin i njëjti mendim kriminal. Ndodhemi në situatën e parashikuar neni 373 i Kodittë Procedurës Penale kur autori (i pandehuri) me një veprim ka realizuar figurat ligjore të më shumë veprave penale. Karakteristikë e bashkimit ideal të veprave penale është uniteti i veprimit (pra i një veprimi të vetëm) dhe realizimi i më shumë padrejtësive (pasojave) për shkak të këtij veprimi. Kjo është arsyeja se pse neni 373 i Kodit të Procedurës Penale kërkon që veprat penale në gjykim të kenë lidhje në drejtim të elementeve objektivë me njëra – tjetrën. Uniteti i veprimit të vetëm tek të dy veprat penale i lidh ato me njëra – tjetrën në drejtim të elementeve të anës objektive.
      19. Referuar karakteristikave të përmendura më lart, mund të themi se konkurrimi ideal i veprave penaleështë njëra prej situatave që parashikon neni 373 i Kodittë Procedurës Penale. Konkurrimi ideal i veprave penale ekziston kur me një veprim të vetëm janë realizuar të gjitha tiparet objektive e subjektive kriminale të disa figurave të veprave penale ose disa herë është realizuar padrejtësia e një figure të njëjtë e me atë janë lënduar më shumë të mira materiale[4].
      20. Me një veprim është e mundur të ketë realizim disa herësh të figurës ligjore të të njëjtës vepër (p.sh. vrasje e shumëfishtë me bombë) ose të jenë realizuar figurat ligjore të veprave të ndryshme (p.sh. si pasojë e shpërthimit të lëndës plasëse të jetë shkaktuar vrasja e një personi, plagosja e rëndë e një personi tjetër dhe shkatërrim i pronës në pronësi të një personi të tretë).
      21. Në rastin e parë bëhet fjalë për bashkim ideal homogjen, kurse në rastin e dytë për bashkim ideal heterogjen. Në të dy rastet bëhet fjalë për vepra penale te të cilat veprimi i autorit është identik (i njëjtë dhe i vetëm). Me të drejtë bëhet fjalë për vepër, veprimi i vetëm i të cilës nuk është specifikuar, por përshkrimi ligjor e përcakton veprimin kryerës përmes përcaktimit të pasojave që duke ju referuar shembullit të mësipërm janë vrasje, plagosje e rëndë, shkatërrim prone[5].
      22. Për këtë arsye themi se elementët përbërës tek të dy veprat penale janë të njëjtë në nenin 373 të Kodit të Procedurës Penale pasi në rastin e konkurrimit ideal, qoftë në formën homogjene apo heterogjene të tij, veprimi kriminal i vetëm i realizuar prej autorit është i evidentuar që në fazën e hetimit paraprak. Për një veprim kriminal të evidentuar në hetim, prokurori ka sjellë në gjykim të pandehurin për një vepër penale, por gjatë shqyrtimit gjyqësor mund të rezultojë se i njëjti veprim kriminal të ketë sjellë edhe një pasojë tjetër penale që në gjykim identifikohet me një vepër tjetër penale, elementet e së cilës (në këtë rast veprimi kriminal) janë të njohura për prokurorin e të pandehurin. Kjo pasi të njëjtat elementë të veprimit kriminal janë hetuar më parë dhe prokurori ka sjellë për gjykim veprën e parë penale të kryer nga autori i saj.
      23. Në seancë gjyqësore prokurori ka mundësi të njoftojë akuzën tjetër penale ndaj të pandehurit për pasojën e dytë penale të shkaktuar nga i njëjti veprim kriminal i dyshuar prej të pandehurit. Në këtë rast prokurori nuk duhet të veprojë sipas rregullit të përgjithshëm, të tërheq dosjen për figurën e dytë të veprës penale e të rinis dhe një herë hetimin për shkak se fakti penal është i hetuar tashmë. Veprimi kriminal i cili përfshihet në elementët e anës objektive të të dy veprave penale është i njëjtë e i evidentuar tashmë gjatë fazës së hetimit paraprak për veprën e parë penale dhe për të nuk ka nevojë të kryhen hetime të tjera.
      24. Në gjykim prokurori identifikon vetëm pasojën e dytë penale të shkaktuar nga i njëjti veprim kriminal. Elementët e identifikimit të pasojës së dytë penale prej të njëjtit veprim kriminal mund të jenë evidentuar si në fazën e veprimeve paraprake, ashtu dhe gjatë gjykimit. Pasoja e dytë penale e shkaktuar nga i njëjti veprim kriminal, që duhet të shoqërohet me njoftimin e akuzës për veprën penale tjetër në gjykim, nuk përmban elementët e një fakti të ri penal, pasi pasoja e dytë penale ka ardhur që në kohën kur autori i saj ka realizuar veprimin kriminal. Në këtë rast i njëjti veprim kriminal ka shkaktuar në të njëjtën kohë dy pasoja penale të cilat përfaqësojnë dy figura të ndryshme të veprave penale. I pandehuri fillimisht është sjellë për gjykim prej prokurorit vetëm për njërën prej figurave të veprave penale, ndërkohë në gjykim prokurori ka mundësinë t’i njoftojë akuzën të pandehurit edhe për figurën e dytë të veprës penale. Të dy figurat e veprave penale burojnë nga i njëjti veprim kriminal.
      25. Kur prokurori i njofton të pandehurit akuzën për një vepër penale tjetër në gjykim (neni 373 i Kodit të Procedurës Penale), ai paraprakisht duhet të sigurohet se vepra e dytë penale konkurron me veprën e parë në bazë të kritereve mbi konkurrimin ideal të veprave penale. Kështu neni 373 i Kodit të Procedurës Penale që bën fjalë për akuzën në lidhje me një vepër tjetër penale, i lidh ato me njëra - tjetrën sipas modelit të konkurrimit ideal të veprave penale.
      26. Kujtojmë se të njëjtat zgjidhje ofron edhe neni 517 i Kodit të Procedurës Penale të Italisë kur i referohet lidhjes së veprave penale sipas kritereve të parashikuara nga neni 12/1 germa “b” i Kodittë Procedurës Penale të Italisë[6], për shkak të ngjashmërisë që kanë dispozitat procedurale në rastin e njoftimit të veprës tjetër penale në gjykim.
      27. Për sa kohë sistemi ynë procedural penal në përgjithësi dhe kapitulli i akuzave të reja në veçanti ngjason me atë Italian, për shkak se Kodi i Procedurës Penale së Italisë është përzgjedhur si një model vlerësues për hartimin e Kodit tonë të Procedurës Penale, atëherë edhe elementet e rëndësishëm të instituteve të së drejtës procedurale, që në rastin tonë është përcaktimi i lidhjes midis veprave penale sipas nenit 373 të Kodit të Procedurës Penale mund të merren dhe të interpretohen ngjashmërish siç ato janë parashikuar në modelin e origjinës. Vetëm në këtë mënyrë situata juridike e parashikuar nga neni 373 i Kodit të Procedurës Penale bëhet më e qartë për palët në proces dhe për gjykatën, kur ndodhemi përpara rastit të përcaktimit të lidhjes midis dy veprave penale.
      28. Duhet të theksojmë se elementet e veprës penale në konkurrimin ideal duhet të shfaqen si të dhëna të reja të panjohura më parë nga prokurori përgjatë fazës së shqyrtimit gjyqësor. Në shqyrtimin gjyqësor të akuzës së sjellë për gjykim nga prokurori, nëse gjatë debatit gjyqësor për provat në shqyrtim, zbulohen elemente shtesë që mundësojnë ngritjen e një akuze për një vepër tjetër penale konkurruese me atë që është sjellë në gjykim, atëherë prokurori ka detyrimin ligjor për të proceduar sipas nenit 373 të Kodit të Procedurës Penale. Pra ai i njofton të pandehurit akuzën për një vepër tjetër penale kur të dy veprat penale ndodhen në raportin e konkurrimit ideal mes njëra – tjetrës. Të dhënat e reja të shfaqura për herë të parë në gjykim, duhet të integrohen me të gjitha provat e mbledhura nga prokuroria gjatë fazës së hetimit paraprak. Së bashku ato duhet ti krijojnë mundësinë prokurorit për të proceduar në gjykim me ngritjen e një akuze të re që ka lidhje me atë që është sjellë më parë në gjykim për të pandehurin.

       

      1. Elementet e reja shtesë, nuk duhet të kenë qenë të njohura nga prokurori gjatë fazës së hetimeve paraprake. Nëse prokurori ka qenë në dijeni të këtyre elementeve gjatë fazës së hetimit paraprak, ose nëse ai nuk i ka përfshirë këto elemente në hetim me qëllim që ato ti shmangen kontrollit të mbrojtjes, atëherë prezantimi i këtyre elemente shtesë në gjykim nga prokurori që sjellin njoftimin e akuzës për një vepër tjetër penale që ka lidhje me akuzën e parë, përbën shkelje të ushtrimit të ndjekjes penale nga ana e prokurorit.

       

      1. Përfundimet e mësipërme janë në përputhje edhe me jurisprudencën e gjykatave italiane të cilat në disa raste kanë trajtuar situatën ligjore të përmendur në këtë punim.[7]

       

      1. Më sipër theksuam se situata juridike e parashikuar nga neni 373 i Kodit të Procedurës Penale përkon me rastin e konkurrimit ideal të veprave penale. Në përcaktimin në mënyrë korrekte të lidhjes që duhet të ekzistojë midis veprës penale të parë dhe asaj që duhet t’i njoftohet të pandehurit në gjykim është dhe rasti i dytë, i cili lidhet me veprën penale vazhduese.

       

      1. Në praktikë gjyqësore janë evidentuar raste kur një person brenda një afati të shkurtër kohor kryen një mori veprimesh në seri (të ngjashme me njëra – tjetrën) të cilat mund t’i identifikojmë si shumë vepra penale të të njëjtit lloj, të cilat kryhen në më shumë se një akt apo veprim njerëzor. Kjo situatë i përgjigjet një rasti specifik që ka të bëjë me konkurrimin real homogjen të veprave penale[8]. Në veprën penale vazhduese dënimi i autorit nuk përllogaritet sipas formulës bazë që përcakton dënimin në rastin e konkurrimit real të veprave penale, por supozohet se autori i saj ka kryer një vepër penale të vetme në mënyrë të vazhduar[9]. Rastet tipike të veprës penale vazhduese të përmendura edhe nga doktrina janë rastet e arkëtarëve në një supermarket që çdo ditë për një vit rresht vjedhin një sasi të jo të madhe parash (p.sh. 500 lekë të reja) nga xhiroja ditore, apo rastet e vjedhjes së energjisë elektrike çdo ditë në orare të veçanta nga një subjekt kontraktor i lidhur me OSHEE-në etj.[10]

       

      1. Në doktrinë është përcaktuar se vepra penale vazhduese ndër të tjera është pjesë e nevojshme e praktikës gjyqësore edhe për arsye procedurale juridike, pasi ndihmon në thjeshtimin e zbatimit të procedurës penale në rastin e evidentimit të saj në praktikë. Nëse nuk do të ekzistonte në teorinë e së drejtës penale vepra penale vazhduese, atëherë në praktikë do të krijoheshin probleme të mëdha për shkak të numrit të madh të veprave penale të kryera që duhet të shoqërohen me një numër të madh akuzash për secilën prej veprave. Gjithashtu më pas në gjykim, do të duhet të vërtetoheshin të gjitha veprat penale si pjesë e akuzave dhe në fund do të duhet të caktohej dënim i posaçëm për secilën vepër penale, duke bërë në përfundim edhe bashkimin e dënimit për secilën prej tyre. Pra vepra penale vazhduese në aspektin procedural, shmang vështirësitë e mëdha me të cilat do të përballej gjykata gjatë gjykimit të një numri të madh të veprave penale homogjene.

       

      1. Për këtë arsye vepra penale vazhduese trajtohet si një vepër penale e vetme, pavarësisht numrit të madh të veprave penale homogjene që përfshihen në veprën penale vazhduese. Në veprën penale vazhduese nuk ka rëndësi hollësia dhe detaji i rrethanave në të cilat është kryer çdo vepër veç e veç si pjesë përbërëse e veprës penale vazhduese. Në shqyrtimin gjyqësor mjafton të provohet se janë kryer një seri veprash homogjene që plotësojnë elementët e anës objektive dhe subjektive të veprës penale vazhduese, pa u ndalur në aspektin e provueshmërisë së të njëjtëve elementë për secilën prej veprave veç e veç.

       

      1. Në këtë aspekt themi se procesi gjyqësor për gjykimin e një vepre penale vazhduese përfshin të gjitha veprat penale homogjene që janë pjesë përbërëse e veprës penale vazhduese. Vepra penale të marra në veçanti nuk përfaqësojnë një entitet të vetin të tyre. Ato janë pjesë e të njëjtit qëllim kriminal të parashikuar prej autorit të tyre e për pasojë nuk mund të qëndrojnë më vete. Si rrjedhim gjatë procesit gjyqësor vendimi përfundimtar që mund të marrë gjykata, në raport me veprën penale vazhduese është një vendim i vetëm penal në të cilin do të gjejnë pasqyrim të gjitha veprat penale seriale që janë pjesë përbërëse e veprës penale vazhduese.

       

      1. Nisur nga sa u trajtua më sipër, referuar nenit 373 të Kodit të Procedurës Penale themi se edhe për rastin e veprës penale vazhduese vlen i njëjti rregull si për rastin e konkurrimit ideal të veprave penale. Në gjykimin e veprës penale vazhduese nëse prokurori evidenton në gjykim edhe ndonjë vepër të veçantë që është pjesë e serisë së veprave penale që formojnë veprën penale vazhduese, ai në këtë rast plotëson akuzën në bazë të nenit 373 të Kodit të Procedurës Penale, duke shtuar veprën penale të identifikuar në gjykim (e cila nuk është vepër penale e re) si pjesë të akuzës së veprës penale vazhduese dhe rrjedhimisht shtimin e akuzës duhet t` ja njoftojë në gjykim të pandehurit.

       

      1. Në praktikë mund të ndeshemi me rastet kur prokurori ose gjykata ndodhen përpara dilemës së identifikimit të rastit të konkurrimit ideal të veprës penale me rastin e veprës penale vazhduese. Për të qartësuar këtë situatë na vjen në ndihmë jurisprudenca e gjykatave shqiptare.

       

      1. Më konkretisht në vendimin nr. 618 datë 10.12.2003 të Gjykatës së Lartë, janë konstatuar faktet e mëposhtme[11]:

       

      “Më datë 03.05.2002 rreth orës 0300,në marrëveshje me njëri tjetrin të gjykuarit I. F., I, D., dhe E.A., kanë dalë me fugonin e këtij të fundit tek vendi ku nisen fugonat me qëllim që të gjenin ndonjë refugjat që kishte nevojë për transport për ta marrë dhe për ta vjedhur gjatë rrugës. Aty kanë gjetur të dëmtuarit, shtetasit Y.B dhe L.B, të cilët po prisnin ndonjë automjet për të shkuar njëri në Tiranë dhe tjetri në Elbasan. Pasi i kanë marrë në fugon, rrugës pranë Libonikut i gjykuari E. A., i ka thënë se do të kthehej për në fshatin Sheqiras, për shkak se do të ndërronte punëtorin. Në afërsi të Urës së Drithasit ka ndaluar me pretekstin për nevoja personale. Pasi kanë zbritur të gjithë nga makina, të gjykuarit kanë filluar të godasin dy të dëmtuarit, duke përdorur edhe levë hekuri e duke i rrëzuar ata pa ndjenja në tokë. Kanë marrë paratë dhe sendet që ata kishin me vete në trup, si dhe çantat e janë larguar. Pas kallëzimit të bërë prej te dëmtuarve, policia ka mundur të arrestojë në shtëpinë e tij të gjykuarin I. F, ndërsa dy të gjykuarit e tjerë menjëherë pas ngjarjes janë larguar në drejtim të paditur, duke iu fshehur hetimit dhe gjykimit.   

      Megjithëse është vërtetuar dhe pranuar se të gjykuarit kanë vjedhur me dhunë në bashkëpunim dy shtetas, të dëmtuarit e lartpërmendur, gjykatat kanë lejuar gabime në cilësimin ligjor të kësaj vepre penale.

      Kështu të gjykuarit janë deklaruar fajtorë dhe dënuar vetëm një herë për veprën penale të mësipërme të parashikuar nga nenet 139 dhe 25 të K.P., në vend që të deklaroheshin fajtor dhe të dënoheshin dy herë për kryerjen e kësaj vepre, për arsye se vjedhja është kryer në dëm të dy personave.

      Gjykata e apelit ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë me arsyetimin se, vërtet vepra është kryer në dëm të dy personave, por jo në momente të veçanta, prandaj ajo do të quhet si e kryer një herë.

      Ky arsyetim bie ndesh me kuptimin dhe zbatimin e drejtë të nenit 139 të K. Penal, i cili parashikon se, vjedhja e shoqëruar më përdorimin e dhunës dënohet. 

      Kjo nënkupton se, personi që e ka kryer vjedhjen do të përgjigjet penalisht aq herë për të, sa të jetë numri i personave të dëmtuar, pavarësisht nga fakti se vjedhja është bërë në të njëjtën kohë apo me shkëputje ndaj personave të dëmtuar. Pra, në këtë rast nuk mund të bëhet fjalë për zbatimin e teorisë së krimit vazhdues.

       

      Një qëndrim analog kanë mbajtur Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë me vendimin nr.284, datë 06.10.2000, kur kanë interpretuar nenin 143 të K.P. që bën fjalë për veprën penale të vjedhjes nëpërmjet mashtrimit.

      Në këto rrethana, pavarësisht nga fakti se në rekursin e paraqitur nga prokurori kërkohet që, ndryshimi i cilësimit ligjor të veprës penale të bëhet nga ky Kolegj, ky i fundit gjykon se, meqenëse në këtë rast bëhet fjalë për shtimin e një akuze të re dhe të rëndë në ngarkim të të gjykuarve, atë të vjedhjes me dhunë në bashkëpunim, parashikuar nga neni 139 & 25 i K.P., kjo akuzë duhet t’i bëhet e njohur atyre në gjykimin e shkallës së parë, me qëllim që të respektohen të drejtat që u garanton ligji procedural penal dhe pikërisht neni 376 i K. Pr. Penale”.

      1. Referuar fakteve të përmendura më lart themi se që në fillim akuza nuk është ngritur drejt nga prokurori. Veprimet e të pandehurve janë drejtuar në cenimin e dy marrëdhënieve shoqërore (të mirave juridike) që janë pasuritë e veçanta të secilit prej të dëmtuarve. Në përfundim të hetimit prokurori gabimisht ka ngritur një akuzë të vetme për tre të pandehurit, në vend që të ngrinte dy akuza për veprën penale të “Vjedhjes me dhunë” pasi nga kjo ngjarje ka pasur të dëmtuar në pasuri dy persona prej veprimit të përbashkët të të pandehurve. Në këtë rast nuk ndodhemi përpara veprës penale vazhduese për shkak se nga veprimi i koordinuar i të pandehurve nuk është dëmtuar vetëm një e mirë materiale (element që kërkohet nga vepra penale vazhduese) por janë dëmtuar dy të mira materiale (shëndeti dhe pasuritë e veçanta të secilit prej të dëmtuarve), që nuk kanë asnjë lidhje me njëra – tjetrën.
      2. Pyetja që ngrihet lidhet me faktin nëse në gjykim a mund të procedonte prokurori me njoftimin e akuzës të të pandehurve për veprën penale të “Vjedhjes me dhunë” në rastin e të dëmtuarit të dytë sipas parashikimit të nenit 373 të Kodit të Procedurës Penale?
      3. Mendojmë se në këtë rast prokurori duhet të procedonte sipas nenit 373 të Kodit të Procedurës Penale që bën fjalë për njoftimin e akuzës për një vepër penale të lidhur me atë që gjykohet. Referuar argumenteve që dhamë më lart mbi lidhjen objektive që duhet të ekzistojë midis dy veprave penale, në rastin konkret themi se të dy veprat penale të “Vjedhjes me dhunë” konkurrojnë me njëra – tjetrën në kuadrin e konkurrimit ideal të veprave penale.
      4. Dhuna që është elementi i përbashkët i të dy veprave penale të “Vjedhjes me dhunë” përfaqëson një veprim të vetëm, të realizuar në bashkëpunim prej tre të pandehurve që është ushtruar prej tyre në të njëjtën kohë ndaj dy të dëmtuarve.
      5. Në këto kushte mënyra e vetme për të proceduar me njoftimin edhe të akuzës së dytë prej prokurorit është zbatimi i nenit 373 të Kodit të Procedurës Penale. Në këtë kuptim vlerësojmë se Gjykata e Lartë, në mënyrë korrekte ka prishur vendimet e dhëna nga dy gjykatat më ulëta, për shkak të mosrespektimit të dispozitave procedurale që lidhen me zbatimin e akuzave të reja, duke identifikuar në mënyrë të qartë situatën juridike.
      6. Nenit 373 të Kodit të Procedurës Penale parashikon dhe rastin e njoftimit të të pandehurit prej prokurorit mbi rrethanën rënduese që ka lidhje me veprën penale të sjellë për gjykim, por që nuk është përmendur prej prokurorit në kërkesën për gjykim. Ashtu siç e përmendëm më sipër, midis veprës penale të sjellë për gjykim dhe rrethanës rënduese duhet të ekzistojë një lidhje natyrore. Lidhja duhet të jetë e tillë që në momentin e kryerjes së veprës penale të jetë e pranishme edhe rrethana ose rrethanat rënduese të parashikuara nga Kodi Penal.

       

      1. Neni 51 i Kodit Penal parashikon rrethanat rënduese të cilat rëndojnë pozitën e autorit të veprës penale kur ato kanë qenë të pranishme në kohën e kryerjes së veprës penale. Për këtë arsye njoftimi i rrethanës rënduese sipas nenit 373 të Kodit të Procedurës Penale të pandehurit në gjykim merr rëndësi për shkak se atij duhet t’i jepet koha dhe mundësia për të përgatitur mbrojtjen edhe kundër rrethanës rënduese të njoftuar në gjykim e cila vlen për shkak të rëndimit të pozitës procedurale të të pandehurit.

       

      1. Çështja e fundit që duhet të marrim në analizë është ajo që lidhet me përcaktimin e kompetencës për të gjykuar akuzën e re që lidhet me veprën penale të evidentuar në gjykim. Llojet e kompetencave procedurale i kemi trajtuar në komentin e bërë për nenin 372 të Kodit të Procedurës Penale. Neni 373 i Kodit të Procedurës Penale siç e përmendëm edhe më lart na referon në rastin e bashkimit të procedimit të lidhur (neni 79 paragrafi i parë germa “b” i Kodit të Procedurës Penale) për shkak të gjykimit të dy ose më shumë veprave penale të dyshuara si të kryera nga i pandehurit në të njëjtin proces gjyqësor. Pra në këtë rast ndodhemi përpara kompetencës për shkak të procedimeve të lidhura të parashikuara nga neni 79 e vijues i Kodit të Procedurës Penale.

       

      1. Neni 373 i Kodit të Procedurës Penale i jep mundësi prokurorit që të procedojë në të njëjtin gjykim me komunikimin e akuzës për veprën penale të evidentuar në gjykim që ka lidhje me veprën penale që është sjellë më parë në gjykim dhe vijimin më tej të gjykimit për të dy veprat penale, me kushtin që vepra e dytë penale të mos jetë në kompetencë gjykimi nga një gjykatë më e lartë. “Hierarkinë” e gjykatave të shkallës së parë në rastin e gjykimit të veprave penale në procedim të lidhur kur veprat penale të veçuara nga njëra – tjetra u takon për tu gjykuar dy gjykatave të ndryshme e përcakton neni 80 paragrafi i parë i Kodit të Procedurës Penale. Në rastin e procedimeve të lidhura që nuk mund të ndahen nga njëra – tjetra (rasti i parashikuar nga neni 373 i Kodit të Procedurës Penale) kur një pjesë e veprave penale u përkasin për gjykim gjykatës së posaçme të shkallës së parë “Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar” dhe një pjesë u përkasin për gjykim gjykatës penale të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm, kompetente për gjykimin e të gjithë procedimit të lidhur është gjykata e posaçme e shkallës së parë “Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”.

                                                           

       

      [1] Neni 55 paragrafi 1 i Kodit Penal mbi caktimin e dënimeve për disa vepra penale parashikon se: “Kur veprimet ose mosveprimet përmbajnë elementët e disa veprave penale, si dhe kur personi ka kryer disa vepra penale për të cilat nuk është dhënë akoma vendim, gjykata më parë cakton dënimin për çdo vepër penale dhe në përfundim jep një dënim të vetëm, që përbëhet nga dënimi më i rëndë i shtuar.”

      [2] Kaçupi Skënder, Cikël leksionesh për të Drejtën Penale, Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, Viti akademik 1995 – 1996

      [3] Conso Giovanni, Grevi Vittorio., “Compiendo di Procedura Penale” Seconda edizione, CEDAM 2003, faqe 703.

      [4]KambovksiVllado, “E Drejta Penale Pjesa e Përgjithshme”, Shtëpia Botuese “FURKAM ISM” Shkup 2007, faqe 416

      [5]KambovksiVllado, po aty

      [6] Neni 12/1 germa “b” i Kodit të Procedurës Penale Italiane për rastet e bashkimit të procedimeve parashikon se:

      1. Ka bashkim procedimesh:… b) kur një person akuzohet për disa vepra penale të kryera me një veprim apo mosveprim të vetëm, ose me disa veprime a mosveprime të kryera për arritjen e të njëjtit mendim kriminal”.

      [7] Vendim i Gjykatës së Kasacionit Penal në Itali, seksioni i tretë, datë 29 prill 1998, nr. 5072 (seanca e zhvilluar më datë 17 mars 1998), “Picchioni G.” [RV210745], i pasqyruar në vëllimin e botuar nga autori CorsoPiermaria, “Codice di Procedura Penale e Processo Penale Minorile”, “La Tribuna,  43a Edizione, 2018”, faqe 1618.  

      Vendim i Gjykatës së Kasacionit Penal në Itali, seksioni i gjashtë, datë 15 janar 2002, nr. 1431 (seanca e zhvilluar më datë 10 dhjetor 2001), “Porricelli” [RV210970], i pasqyruar në vëllimin e botuar nga autori CorsoPiermaria, “Codice di Procedura Penale e Processo Penale Minorile”, “La Tribuna,  43a Edizione, 2018”, faqe 1618.  

      [8] Mëngjesi Sokol, “Bazat e doktrinës së të drejtës penale”, “Botimet Morava” Tiranë 2016, faqe 405

      [9] Mëngjesi Sokol, po aty

      [10] OSHEE – Operatori i shpërndarjes së energjisë elektrike

      [11] Vendim i Gjykatës së Lartë nr. 618 datë 10.12.2003

      1. Përtej elementeve përbërës të nenit 373 të Kodit të Procedurës Penale të cilat ishin pjesë e analizës në komentin e mësipërm, mekanizmi i akuzës për një vepër tjetër penale në fazën e shqyrtimit gjyqësor merr rëndësi në aspektin e së drejtës së procedurës penale.Akuza për një vepër tjetër penale sipas nenit 373 të Kodit të Procedurës Penale është pjesë e institutit të akuzave të reja. Duke qenë pjesë përbërëse e këtij instituti, ajo mbart disa karakteristika të përbashkëta me të gjitha dispozitat e tjera që përfshihen seksionin e “Akuzave të reja”.
      2. Akuza për një vepër penale tjetër në fazën e shqyrtimit gjyqësor ndihmon në tërësi procesin gjyqësor që zhvillohet përpara gjykatës duke mos lejuar që ky proces të pësojë një regres procedural. Në këtë drejtim, akuza për një vepër penale tjetër, kur veprat penale kanë lidhje të përbashkëta me njëra – tjetrën, i vjen në ndihmë prokurorit pasi atij nuk do ti duhet që për veprën e dytë penale të konstatuar në fazën e shqyrtimit gjyqësor, të procedojë sipas rregullit të përgjithshëm që është regjistrimi i veprës së dytë penale në regjistrin e njoftimit të veprave penale në prokurori dhe nisja e hetimeve paraprake.
      3. Njëkohësisht, akuza për veprën tjetër penale në gjykim, i vjen në ndihmë edhe të pandehurit. I pandehuri nuk do të duhet ti nënshtrohet nga e para një procesi hetimor dhe më pas gjyqësor për veprën e dytë penale që ka lidhje me të parën. Akuza për një vepër tjetër penale në fazën e gjykimit përjashton mundësinë e procedimit penal të të pandehurit për të dy veprat penale të ndara nga njëra – tjetra. Kështu që me ndihmën e mekanizmit të akuzë për një vepër tjetër penale në gjykim, të pandehurit i jepet mundësia që në të njëjtin procedim penal që është në fazën e shqyrtimit gjyqësor, të mbrohet për të dy veprat penale që kanë lidhje me njëra – tjetërn. Elementët objektiv të veprës penale të dytë të konstatuar në gjykim kanë qenë të njohura nga i pandehuri që në fazën e hetimeve paraprake kur ai është hetuar për veprën e parë penale të sjellë për gjykim.
      4. Akuza për një vepër penale tjetër është miratuar nga ligjvënësi me qëllim shmangien e një procesi të dytë ndaj të akuzuarit. Duke pasur si qëllim efikasitetin e procesit gjyqësor, gjykimin brenda një afati të arsyeshëm kohor të çështjes, garantimin e së drejtës së mbrojtjes për të pandehurin, është krijuar mundësia e integrimit të akuzës për një vepër tjetër penale në gjykim, duke vazhduar më tej gjykimin në të njëjtin proces gjyqësor për të dy akuzat. Në të vërtetë, në lidhje me dispozitat që rregullojnë institutin e akuzave të reja, në shikim të parë vërejmë që ligjvënësi ka vendosur të kufizojë iniciativën e modifikimit vetëm në lidhje me rastet kur shqyrtimi gjyqësor krijon siguri rreth elementëve të rinj të vlerësuar si të tillë nga prokurori gjatë fazës së shqyrtimit gjyqësor të çështjes penale.[1]
      5. Për arsyet e përmendura më lart mendojmë se mekanizmi i akuzës për një vepër tjetër penale në gjykim është i rëndësishëm për procedimin penal.

       

       

      [1]KurushiKlodian “Akuzat e Reja në Procesin Penal” Disertacion për mbrojtjen e gradës shkencore “Doktor i Shkencave”, viti 2018, faqe 105.  

    • Kodi i Procedurës Penale Italiane

      Neni 12/1 germa “b” për rastet e bashkimit të procedimeve parashikon se:

      “1. Ka bashkim procedimesh:…

      1. b) kur një person akuzohet për disa vepra penale të kryera me një veprim apo mosveprim të vetëm, ose me disa veprime a mosveprime të kryera për arritjen e të njëjtit mendim kriminal”.

      Neni 517 paragrafi i parë parashikon se:

      1. Nëse gjatë shqyrtimit gjyqësor del një vepër tjetër penale që ka lidhje me atë që po gjykohet sipas nenit 12 paragrafi i parë germa “b” ose një rrethanë rënduese që nuk janë përmendur në dekretin për dërgimin e çështjes në gjyq, prokurori i njofton të pandehurit veprën penale ose rrethanën rënduese me kushtin që gjykimi të mos jetë në kompetencën e një gjykate më të lartë.
  • Vendime të Gjykatës së Kasacionit Seksioni Penal Itali

    Seksioni i tretë, “Picchioni G.” [RV210745], Vendim i datës 29 prill 1998, nr. 5072 (seanca e zhvilluar më datë 17 mars 1998).

    Seksioni i gjashtë, “Porricelli” [RV210970], Vendim i datës 15 janar 2002, nr. 1431 (seanca e zhvilluar më datë 10 dhjetor 2001).

               

  • Asnjë koment
  • Kodi i Procedurës Penale miratuar me ligjin nr. 7905 datë 21. 03. 1995, ndryshuar me ligjet nr. 7977, datë 26.7.1995, 8027, datë 15.11.1995, nr. 8180, datë 23.12.1996, nr. 8460, datë 11.2.1999, nr. 8570, datë 20.1.2000, nr.8602, datë 10.4.2000, nr. 8813, datë 13.6.2002, nr.9085, datë 19.6.2003, nr. 9187, datë 12.2.2004, nr. 9276, datë 16.9.2004, nr. 9911, datë 5.5.2008, nr. 10 054, datë 29.12.2008, nr. 145/2013, datë 2.5.2013, nr. 21/2014, datë 10.3.2014, nr.99/2014, datë 31.7.2014, nr. 35/2017, datë 30.3.2017;

    Neni 79 germa “b”, 373, 374.

    Kodi Penal miratuar me ligjin nr. 7895 datë 21. 1. 1995, ndryshuar me ligjet nr. ligjet nr. 8175, datë 23.12.1996; nr. 8204, datë 10.4.1997; nr. 8279, datë 15.1.1998; nr.8733, datë 24.1.2001; nr. 9017, datë 6.3.2003; nr. 9030, datë 13.3.2003; nr. 9086, datë 19.6.2003; nr. 9188, datë 12.2.2004; nr. 9275, datë 16.9.2004; nr. 9686, datë 26.2.2007; nr. 9859, datë 21.1.2008; nr. 10 023, datë 27.11.2008; nr. 23/2012, datë 1.3.2012; nr. 144, datë 2.5.2013; nr. 98, datë 31.7.2014; nr. 176/2014, datë 18.12.2014; nr. 135/ 2015, datë 5.12.2015; nr. 82/2016, datë 25.7.2016; nr. 36/2017, datë 30.3.2017; nr. 89/ 2017, datë 22.5.2017vendimet e Gjykatës Kushtetuese: nr. 13, datë 29.5.1997; nr. 46, datë 28.8.1997; nr. 58, datë 5.12.1997; nr. 65, datë 10.12.1999; nr. 11, datë 2.4.2008; nr. 19, datë 1.6.2011; nr. 47, datë 26.7.2012 dhe nr. 9, datë 26.2.2016;

    Nenet51, 55.

  • Asnjë koment
  • Vendime të Gjykatës së Lartë

    Vendim i Gjykatës së Lartë me nr.618 datë 10.12.2003.

  • Conso Giovanni, Grevi Vittorio., “Compiendo di Procedura Penale” Seconda edizione, CEDAM 2003.

    Corso Piermaria, “Codice di Procedura Penale e Processo Penale Minorile”, “La Tribuna,  43a Edizione, 2018”.  

    Kaçupi Skënder, Cikël leksionesh për të Drejtën Penale, Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, Viti akademik 1995 – 1996.

    KambovksiVllado, “E Drejta Penale Pjesa e Përgjithshme”, Shtëpia Botuese “FURKAM ISM” Shkup 2007.

    KurushiKlodian,Disertacioni për mbrojtjen e gradës shkencore “Doktori i Shkencave” me temën “Akuzat e reja në procesin penal”, dorëzuar në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti Tiranë në korrik 2017.

    Mëngjesi Sokol, “Bazat e doktrinës së të drejtës penale”, “Botimet Morava” Tiranë 2016.

  • Asnjë koment
Klodian Kurushi
Klodian Kurushi