KODI I PROCEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   7905

Neni 374: Akuza për një fakt të ri

1Kur gjatë shqyrtimit gjyqësor del një fakt i ri në ngarkim të të pandehurit që nuk është përmendur në kërkesën për gjykim dhe për të cilin duhet proceduar kryesisht, prokurori procedon në format e zakonshme, duke tërhequr dosjen për të vazhduar hetimet paraprake. Megjithatë, në qoftë se prokurori kërkon, gjykata mund të lejojë shqyrtimin në të njëjtën seancë kur i pandehuri jep pëlqimin dhe nuk dëmtohet shpejtësia e procedimit.

Përmbajtja

      1. Qëllimi i komentit të kësaj dispozite është përcaktimi dhe interpretimi i mekanizmit të akuzës për një fakt të ri penal dalëgjatë fazës së shqyrtimit gjyqësor, si pjesë e së drejtës procedurale të prokurorit për të ushtruar ndjekjen penale si dhe garancia që i ofrohet të pandehurit për të realizuar të drejtën e mbrojtjes së tij në raport me faktin e ri penal.
      1. Objekti i kësaj dispozite procedurale penale i referohetevidentimit të elementeve përbërës të akuzës për faktin e ri penalkushtet ligjore në bazë të të cilave procedon prokurori si dhe përcaktimi i raportit që ekziston midis faktit të ri penal dhe veprës penale të sjellë për gjykim më parë nga prokurori ndaj të pandehurit.
      1. Duke ju referuar përmbajtjes së nenit 374 të Kodit të Procedurës Penale konstatojmë këto elementë: së pari, evidentimi i një fakti të ri në gjykim, për të cilin procedohet kryesisht; së dyti tërheqja e dosjes për vazhdimin e hetimit, e së treti akordi midis prokurorit dhe të pandehurit për të lejuar shqyrtimin në të njëjtën seancë gjyqësore edhe të faktit të ri penal, i cili duhet të marrë në fund edhe pëlqimin e gjykatës.

       

      1. Elementi i parë i analizës i referohet faktit të ri penal të konstatuar gjatë gjykimit. Gjatë shqyrtimit gjyqësor të çështjes penale të sjellë për gjykim duhet të dalë një fakt i ri i cili nuk është përmendur në kërkesën për gjykim. Një fakt i ri në gjykim do të thotë që në shqyrtimin gjyqësor të çështjes penale, prokurori konstaton një ngjarje të kundërligjshme, krejtësisht të ndryshme dhe autonome nga ajo që ai ka hetuar dhe e ka sjellë për gjykim e cila nuk ka asnjë lidhje në elementet e saj objektiv me ndonjë vepër penale të lidhur me atë që është sjellë për gjykim.

       

      1. Fakti i ri si kusht ligjor duhet të jetë zbuluar në gjykim dhe deri në këtë moment ai ka qenë i panjohur për prokurorin dhe rrjedhimisht nuk i është nënshtruar hetimit paraprak si fakt penal[1]. Ndodhemi përpara fakti të ri në gjykim kur p.sh., i pandehuri në gjykim pohon autorësinë e tij për një tjetër vepër penale që nuk ka asnjë lidhje në elementët e saj me atë që gjykohet. Në këtë rast bëhet fjalë për një fakti të ri që është i ndryshëm prej veprës penale të sjellë për gjykim, për të cilin prokurori duhet të ushtrojë në mënyrë autonome ndjekjen penale. Në vijim të mendimit, mund të themi se fakti i ri është qartësisht i dallueshëm prej atij që po shqyrtohet në procesin gjyqësor. Pra fakti i ri penal është autonom nga pikëpamja strukturore në raport me faktin penal që është sjellë për gjykim nga prokurori.

       

      1. Në ndryshim nga neni 373 i Kodit të Procedurës Penale në të cilin prokurori në gjykim konstaton një vepër tjetër penale që ka lidhje në elementet e saj objektiv me veprën penale të sjellë për gjykim, në situatën e parashikuar nga neni 374 i Kodittë ProcedurësPenale prokurori konstaton në gjykim ekzistencën e një fakti të ri penal të panjohur dhe të pa hetuar prej tij. Midis situatave të parashikuara nga dispozitat e mësipërme vërehet një ndryshim, i cili në terma ligjorë përfaqëson veprën penale në nenin 373 të Kodittë Procedurës Penale dhe faktin e ri në nenin 374 të Kodit të Procedurës Penale.

       

      1. Situata e nenit 373 të Kodit të Procedurës Penale i referohet akuzës së ngritur në gjykim për veprën penale të lidhur për shkak se të dy veprat penale, si ajo e hetuar ashtu edhe ajo e konstatuar në gjykim kanë si elemente të përbashkët veprimin e vetëm të kundërligjshëm të kryer prej të pandehurit i cili ka sjellë dy ose më shumë pasoja penale të parashikuara si vepra të ndryshme penale. Mund të themi gjithashtu se në të njëjtën situatë ligjore përfshihet edhe rasti kur veprat penale janë veprime serike të kundërligjshme të cilat lidhen me njëra – tjetrën për shkak të të njëjtit qëllim kriminal të planifikuar prej autorit të tyre. Në këtë rast hetimi në përgjithësi është i plotë për shkak se hetimi i përfunduar për veprën e parë penale të sjellë për gjykim, ka integruar në përmbajtjen e tij edhe hetimin për veprën penale të lidhur, të konstatuar në gjykim sipas nenit 373 të Kodit të Procedurës Penale.

       

      1. Për këtë arsye neni 373 i Kodit të Procedurës Penale përdor termin ligjor vepër penale kur prokurori do t’i duhet të procedojë me njoftimin e akuzës në gjykim të pandehurit, pasi elementet e veprës penale të dalë në gjykim janë të evidentuara për shkak të hetimit të kryer për veprën e parë penale.

       

      1. Ndërkohë në nenin 374 të Kodit të Procedurës Penale përdoret termi “fakt i ri” për shkak se si fillim ky fakt nuk i është nënshtruar tërësisht hetimit paraprak, pasi ai nuk dihej dhe nuk ka rezultuar nga të dhënat e mbledhura prej prokurorisë gjatë hetimit të veprës së parë penale. Kjo do të thotë se elementët përbërës të faktit të ri penal, nuk kanë asnjë lidhje me ato elementë që përbëjnë veprën penale të sjellë për gjykim. Fakti i ri normalisht duhet t’i nënshtrohet hetimit paraprak duke respektuar parimin e ushtrimit të ndjekjes penale, sipas së cilës vetëm nëpërmjet hetimit të plotë prokurori duhet të konkludojë nëse fakti i ri përbën apo jo vepër penale e nëse është vepër penale, a është apo jo autor i saj i pandehuri që gjykohet për veprën e parë penale.

       

      1. Në vija të përgjithshme themi se situata e parashikuar nga neni 374 i Kodit të Procedurës Penale i përgjigjet rasteve kur i pandehuri dyshohet se ka kryer dy ose më shumë vepra penale me veprime të ndryshme të kryera prej tij në të njëjtën kohë ose në kohë të ndryshme, prej të cilave janë cenuar apo dëmtuar marrëdhënie të ndryshme shoqërore që mbrohen posaçërisht nga ligji penal. Pra neni 374 i Kodit të Procedurës Penale parashikon situatën e konkurrimit real të veprave penale.

       

      1. Ndodhemi përpara rastit të konkurrimit real të veprave penale, kur autori i tyre ka kryer më shumë se një vepër penale. Kjo situatë paraqet formën më të thjeshtë të konkurrimit të veprave penale. Në konkurrimin real dallohet pluraliteti i veprimeve të autorit që do të thotë se çdo vepër penale realizohet me veprime të veçanta. Në konkurrimin real është e mundur që me më shumë veprime të autorit të jenë realizuar shumë figura ligjore të të njëjtës vepër penale (p.sh. rasti i kryerjes së shumë vjedhjeve) ose me shumë veprime të jenë realizuar figura të ndryshme ligjore (p.sh. në një rast vrasja, në një rast tjetër vjedhja, në një rast tjetër plagosja e rëndë). Në shembullin e parë bëhet fjalë për konkurrimin homogjen të veprave penale, ndërsa në shembullin e dytë bëhet fjalë për konkurrimin heterogjen të veprave penale[2].

       

      1. Në konkurrimin real të veprave penale ekziston një autor për disa vepra penale të kryera prej tij, të cilat janë të dallueshme dhe autonome ndaj njëra - tjetrës. I vetmi komponent i përbashkët për veprat penale të kryera në konkurrimin real të tyre është subjekti (autori) i njëjtë i veprave penale. Kjo është edhe arsyeja pse neni 374 i Kodit të Procedurës Penale i jep mundësinë prokurorit që t’i atribuojë të pandehurit në seancë gjyqësore, akuzën për një fakti të ri e cila përfaqëson një akuzë shtesë.

       

      1. Në kushtet e parashikuara nga neni 374 i Kodit të Procedurës Penale fakti i ri penal mund të jetë objekt i përfshirjes në akuzën e re që prokurori mund t’ ja komunikojë të pandehurit drejtpërdrejtë në seancë gjyqësore. Prokurori mund t’i njoftojë të pandehurit akuzën për faktin e ri penal në gjykim në rastin kur vepra penale e cila përfshihet në faktin e ri penal të dalë në gjykim ndiqet kryesisht prej prokurorisë. Në rast se fakti i ri penal i konstatuar në gjykim përfshin një vepër penale për të cilën ndjekja penale nuk mund të realizohet kryesisht prej prokurorit, në këtë rast prokurori nuk mund të procedojë më tej me njoftimin e akuzës.

       

      1. Elementi i dytë i parashikuar nga neni 374 i Kodit të Procedurës Penale lidhet me përcaktimin e mënyrës së vijimit të procedimit penal për faktin e ri të zbuluar në gjykim nga ana e prokurorit.Në këtë rast veprimi që duhet të ndjekë prokurori në rastin e konstatimit të një fakti të ri në gjykim, është i ndryshme nga ai i ndjekur prej tij, kur njofton akuzën për një vepër penale të lidhur me atë që gjykohet.

       

      1. Në rastin e konstatimit të faktit të ri në gjykim, prokurori duhet të veprojë sipas rregullave të përgjithshme. Fakti i ri ka nevojë për hetim për të identifikuar elementët e veprës penale, lidhjes së saj me të pandehurin, përfshirjen e mundshme të personave të tjerë pjesëmarrës në vepër penale etj. Për faktin e ri penal të konstatuar në gjykim, prokurori nuk ka nevojë të bëjë kërkesë në gjykatë për të tërhequr dosjen penale. Madje vlerësojmë se edhe termi “duke tërhequr dosjen” i parashikuar nga neni 374 i Kodit të Procedurës Penale është i tepërt e mendojmë se nuk duhet të jetë pjesë integrale e kësaj dispozite procedurale.

       

      1. Në këtë rast prokurori vlerëson se në gjykim ka dalë një fakt i ri në ngarkim të të pandehurit për të cilin është e nevojshme të kryhen hetime ose verifikimet e duhura.Ai duhet të fillojë procedimin penal me regjistrimin e faktit penal kur ekzistojnë kushtet ligjore në regjistrin e veprave penalenë Prokurori. Prokurori duhet t’a ushtrojë këtë veprim në funksionin e tij kushtetues të ushtrimit të ndjekjes penale për çdo fakt penal të parashikuar si të tillë nga ligji penal, kur ndjekja penale duhet të nis kryesisht. Edhe pse ndodhet në gjykim, prokurori nuk kufizohet nga gjykata për të nisur hetimin penal ndaj një fakti të ri penal.

       

      1. Në ndryshim nga situatat e tjera të zakonshme të regjistrimit të një procedimi penal të ri në prokurori, në rastin e parashikuar nga neni 374 i Kodit të Procedurës Penale, fakti i ri penal zbulohet gjatë shqyrtimit gjyqësor. Në këtë rast fakti i ri penal nuk vjen prej burimeve të ndryshme të njoftimit, por ai zbulohet drejtpërdrejtë në gjykimin e një çështjeje penale, në prani të prokurorit.

       

      1. Me zbulimin e faktit të ri penal ndaj të pandehurit për të cilin procedohet kryesisht, prokurori vepron sipas rregullave të përgjithshme. Ai merr kopje të të gjitha akteve procedurale të shqyrtuara në gjykim, prej të cilave është zbuluar fakti i ri penal në ngarkim të të pandehurit dhe me këto akte fillon hetimin duke regjistruar procedimin e ri penal. Aktet procedurale të shqyrtuara në gjykatë shërbejnë si pikënisje për regjistrimin e procedimit penal në prokurori dhe fillimin e hetimeve paraprake, ku personi të cilit i atribuohet fakti penal i ri, është i pandehuri në gjykim për veprën e parë penale.

       

      1. Në këtë rast ndodhemi përpara dy procedimeve penale, njëri prej të cilëve është në shqyrtim gjyqësor dhe procedimi i dytë penal i nisur për shkak të faktit penal të zbuluar në gjykim ndaj të pandehurit. Pas zbulimit të faktit të ri penal në gjykim, prokurori nuk tërheq të gjithë dosjen penale. Në këtë rast prokurori tërheq vetëm aktet procedurale që lidhen me faktin e ri penal të zbuluar në gjykim.

       

      1. Vepra e parë penale e sjellë për gjykim duhet të përfundojë së gjykuari pavarësisht se në shqyrtimin e saj është zbuluar një fakt i ri penal në ngarkim të të pandehurit. Siç e përmendëm edhe më sipër, fakti i ri penal nuk ka lidhje me veprën penale që po gjykohet. Rrjedhimisht vepra e parë penale e sjellë për gjykim ndjek procesin e zakonshëm të gjykimit dhe përfundimit të tij, pa u ndërprerë prej zbulimit të fakti të ri penal në gjykim e pa u ndikuar prej mënyrës sesi prokurori do të procedojë për faktin e ri penal.

       

      1. Për këtë arsye themi se shprehja që përcakton veprimin e prokurorit “duke tërhequr dosjen” është një shprehje që sipas mendimit tonë nuk duhet të jetë pjesë e formulimit të neni 374 të Kodit të Procedurës Penale, për shkak se përdorimi i saj mund të shkaktojë gabimisht tërheqjen e të gjithë dosjes penale të sjellë për gjykim, duke përfshirë edhe veprën penale që është në gjykim. Vepra penale e sjellë për gjykim nuk kalon për hetim me tërheqjen e dosjes penale prej prokurorit. Në situatën e parashikuar nga neni 374 i Kodit të Procedurës Penale, nëse prokurori tërheq dosjen për të vazhduar hetimet paraprake, tërheqja e dosjes nga prokurori bëhet vetëm për të filluar hetimin e faktit të ri penal të zbuluar në gjykim. Në këtë rast gjykata vazhdon gjykimin për veprën penale të sjellë më parë për gjykim nga prokurori.

       

      1. Elementi i tretë shtesë i parashikuar nga neni 374 i Kodit të Procedurës Penale lidhet me mundësinë që i jepet prokurorit për të proceduar në të njëjtën seancë gjyqësore edhe me faktin e ri penal. Në këtë rast prokurori nuk është krejtësisht i lirë të procedojë në të njëjtën seancë gjyqësore, në njoftimin e akuzës dhe përfaqësimin e saj në të njëjtin gjykim me akuzën e parë. Procedimi i faktit të ri penal në gjykim varet nga vullneti dhe pëlqimi që duhet të jap i pandehuri në seancë si dhe nga elementë të tjerë që lidhen me shpejtësinë e gjykimit që janë në vlerësim të gjykatës. E thënë me fjalë të tjera, akuza për një fakt të ri penal kushtëzohet nga pëlqimi i të pandehurit si dhe nga vlerësimi i gjykatës.[3]

       

      1. Në ndryshim nga neni 373 i Kodit të Procedurës Penale sipas të cilit prokurori ishte krejtësisht i lirë për të proceduar në të njëjtën seancë gjyqësore edhe me njoftimin dhe gjykimin e akuzës për një vepër penale të lidhur me atë që është sjellë për gjykim pa u ndikuar nga sjellja e të pandehurit apo gjykatës për këtë veprim, në rastin e parashikuar nga neni 374 të Kodit të Procedurës Penale prokurori është i kufizuar në kërkimin e tij për të proceduar në të njëjtën seancë gjyqësore edhe me faktin e ri penal.

       

      1. Në këtë rast themi se kufizimi i përcaktuar nga neni 374 i Kodit të Procedurës Penale është i arsyeshëm për shkak të respektimi të së drejtës së mbrojtjes që duhet të sigurojë i pandehuri ndaj faktit të ri penal që ai mëson në gjykim, si dhe për shkak të respektimit të afatit kohor të arsyeshëm brenda të cilit duhet të gjykohet një çështje penale që është një detyrim të cilin duhet ta realizojë gjykata. Kështu që për të realizuar gjykimin në të njëjtën seancë gjyqësore edhe të faktit të ri penal, prokurori duhet të marrë pëlqimin e të pandehurit dhe aprovimin e gjykatës.

       

      1. Pëlqimi i të pandehurit për të proceduar me gjykimin e faktit të ri penal është element i rëndësishëm me pasojë cenimin e vendimit nga gjykata më të larta. Për një fakt të ri penal të zbuluar në gjykim i pandehuri duhet të jap pëlqimin e tij të shprehur qartësisht për tu gjykuar në të njëjtin proces gjyqësor sepse ai pas dhënies së pëlqimit do ti duhet të përgatisë mbrojtjen e tij si për veprën penale të sjellë për gjykim ashtu edhe për faktin e ri penal. Madje mbrojtje për faktin e ri penal do të thotë njohje paraprake me elementet e shkakut dhe të natyrës së akuzës që i referohet fakti të ri penal si dhe me njohjen e të gjitha provave të mbledhura nga prokurori të cilat duhet të shqyrtohen për faktin e ri penal. Për këtë arsye themi se pëlqimi i të pandehurit është i rëndësishëm për të vijuar më tej procedimin edhe me gjykimin e faktit të ri penal në të njëjtën proces gjyqësor.

       

      1. Gjithsesi edhe pëlqimi i të pandehurit për të proceduar në të njëjtin proces gjyqësor me faktin e ri penal nuk është i mjaftueshëm për prokurorin. Në këtë rast ligji i jep mundësi gjykatës të verifikojë akordin e arritur midis prokurorit dhe të pandehurit për gjykimin e faktit të ri penal në funksion të shpejtësisë së gjykimit.

       

      1. Për gjykatën nëse fakti i ri penal është kompleks që do të thotë se shqyrtimi i tij e vështirëson gjykimin e veprës së parë penale atëherë gjykata mund të mos lejojë gjykimin në të njëjtën proces gjyqësor të faktit të ri penal pavarësisht marrëveshjes së arritur midis prokurorit edhe të pandehurit. Fakti i ri penal mund të jetë një fakt kompleks kur për të provuar ekzistencën e tij në gjykim prokurorit do ti duhet të kërkojë për shqyrtim një numër i madh provash, si dëshmitarë, akte ekspertimit, prova të kërkuara me letërporosi nga autoritetet e huaja gjyqësore etj. Përballë kësaj situate normalisht gjykata me shumë mundësi mund të refuzojë kërkesën për gjykimin e faktit të ri në të njëjtën seancë gjyqësore për shkak të vështirësisë dhe zvarritjes që ai mund ti shkaktojë procesit gjyqësor në tërësi.

       

      1. Duke përfunduar trajtimin për faktin e ri themi se gjatë shqyrtimit gjyqësor nëse zbulohet një fakt i ri penal prokurori duhet të veprojë sipas rregullave të përgjithshme që parashikojnë fillimin e hetimit paraprak. Fakti i ri penal duhet ti nënshtrohet verifikimit të tij në fazën e hetimit paraprak dhe më pas nëse rezulton se fakti penal është një vepër penale atëherë prokurori e dërgon të pandehurin për herë të dytë në gjykim, tashmë për tu gjykuar për një vepër të re penale.

       

      1. Përjashtim nga rregulli i përmendur më lart është rasti kur fakti i ri penal gjykohet në të njëjtin proces gjyqësor me veprën penale të sjellë më parë për gjykim. Prokurori mund të kërkojë gjykimin e faktit të ri penal në të njëjtin gjykim, kur në vlerësimin e tij fakti i ri është i qartë, madje ai mund të jetë pjesërisht i hetuar por hetimi i tij nuk ka përfunduar, provueshmëria e tij mund të realizohet edhe gjatë gjykimit pa qenë e nevojshme konsumimi i fazës së hetimeve paraprake. Gjithsesi në rastin e fundit, prokurori duhet të kërkojë gjykimin e faktit të ri, kërkesë për të cilën duhet të japë pëlqimin edhe i pandehuri dhe më pas akordi i arritur duhet të aprovohet nga gjykata.

       

      1. Në rastin e akuzës për një fakt të ri penal gjykata luan një rol aktiv në drejtim të përcaktimit gjykimit në të njëjtin proces gjyqësor edhe të faktit të ri penal së bashku me akuzën e parë. Akordi i arritur midis prokurorit dhe të pandehurit për gjykimin e faktit të ri penal në të njëjtin proces gjyqësor, gjithashtu i nënshtrohet vlerësimit të gjykatës. Nëse gjykata çmon se fakti i ri penal shkakton vështirësi për gjykimin e veprës së parë penale duke zvarritur procesin gjyqësor atëherë fakti i ri penal nuk gjykohet në të njëjtën seancë me veprën penale. Marrëveshja nuk është e detyrueshme për tu zbatuar nga gjykata. Nëse marrëveshja nuk arrihet, atëherë prokurori procedon sipas rregullit të zakonshëm të përmendur më lart.

       

      [1]Mercone Mario, “Diritto Processuale Penale”, XI Edizione, “Edizione Giuridiche Simone” 2003, faqe 368.

      [2]Kambovksi V., “E Drejta Penale Pjesa e Përgjithshme”, Shtëpia Botuese “FURKAM ISM” Shkup 2007, faqe 417

      [3]Tonini Paolo, Manuale di procedura penale, 16a edizione, Giuffrè Editore, Milano 2015, faqe 764.

      1. Siç e përmendëm edhe në komentin e mësipërm, akuza për një fakt të ri është një mjet tjetër procedural mbi bazën e së cilës prokurori ndërhyn në procedimin penal që është në gjykim duke i njoftuar të pandehurin një akuzë të re. Në pamje të parë rezulton se midis akuzës për një vepër penale tjetër të lidhur me atë që po gjykohet dhe akuzës për një fakt të ri ekzistojnë ngjashmëri me njëra tjetrën, ngjashmëri të cilat mund të çojnë në përfundimin se qenia e dy dispozitave procedurale të ngjashme do të përbënte një rast të tepërt që nuk do t’i sillte dobi procedimit penal.
      2. Gjithsesi mund të themi se ngjashmëria midis këtyre dy dispozitave është një ngjashmëri periferike e cila lidhet vetëm me faktin se i pandehuri në gjykim, në të dy situatat duhet të përballet dhe me një akuzë shtesë. Gjykimi i dy akuzave në të njëjtin proces gjyqësor i referohet rasteve të kompetencës së gjykatës për shkak të bashkimit të procedimeve të lidhura. Në këtë pikë mund të themi se ekziston një element i përbashkët i mekanizmit të akuzës për një vepër tjetër penale me mekanizmin e akuzës për një fakt të ri penal. Ky element gjithsesi nuk duhet të na konfondojë në përcaktimin e dy situatave të ndryshme që janë të parashikuar nga nenet 373 dhe 374 të Kodit të Procedurës Penale.[1]
      3. Pavarësisht këtij elementi të përbashkët të dy depozitat procedurale kanë ndryshime të rëndësishme të cilat i dallojnë nga njëra – tjetra. Dallimet midis dy situatave të parashikuara nga dy dispozitat e mësipërme i trajtuam në këtë koment. Dallimet e mësipërme jo vetëm marrin rëndësi në aspektin doktrinar, por ato më së shumti mendojmë se do ti shërbejnë rasteve të praktikës gjyqësore. Mosrespektimi i duhur i situatave të ndryshme që parashikohen në nenet 373 dhe 374 të Kodit të Procedurës Penale, mund të sjellë cenimin e të gjithë procesit gjyqësor të zhvilluar në gjykatën e shkallës së parë, nga gjykata e apelit referuar shkakut ligjor që lidhet me shkeljen e dispozitave për paraqitjen e akuzave të reja parashikuar nga neni 428 paragrafi i parë i Kodit të Procedurës Penale. Për shkak të pasojës që ato shkaktojnë, mund të themi se njohja e plotë e dispozitave të mësipërme dhe dallimi i tyre në elementet konstituiv marrin një rëndësi të madhe në drejtim të procesit gjyqësor.
      4. Përtej elementeve përbërës të nenit 374 të Kodit të Procedurës Penale të cilat ishin pjesë e analizës në komentin e mësipërm, mekanizmi i akuzës për një fakt të ri penalnë fazën e shqyrtimit gjyqësor merr rëndësi në aspektin e së drejtës së procedurës penale.Akuza për një fakt të ri sipas nenit 374 të Kodit të Procedurës Penale është pjesë e institutit të akuzave të reja. Duke qenë pjesë përbërëse e këtij instituti, ajo mbart disa karakteristika të përbashkëta me të gjitha dispozitat e tjera që përfshihen seksionin e “Akuzave të reja”.
      5. Akuza për një fakt të ri në fazën e shqyrtimit gjyqësor ndihmon në tërësi procesin gjyqësor që zhvillohet përpara gjykatës duke mos lejuar që ky proces të pësojë një regres procedural, nëse plotësohen të gjitha kushtet ligjore të parashikuar nga neni 374 i Kodit të Procedurës Penale. Nësenë procesin gjyqësor arrihet pëlqimi i përbashkët i prokurorit dhe të pandehurit pëlqim i cili duhet të aprovohet nga gjykata, fakti i ri penal që sipas mendimit tonë nuk duhet të jetë kompleks dhe i ndërlikuar, mund të shqyrtohet në të njëjtin proces gjyqësor së bashku me akuzën e parë të sjellë për gjykim. Në këtë rast përfitimi është i ndërsjellët për gjithë subjektet e përmendura më lart.

       

      [1]Kurushi Klodian,Disertacioni për mbrojtjen e gradës shkencore “Doktori i Shkencave” me temën “Akuzat e reja në procesin penal”, dorëzuar në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti Tiranë në korrik 2017, faqe 142.

    • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Kodi i Procedurës Penale miratuar me ligjin nr. 7905 datë 21. 03. 1995, ndryshuar me ligjet nr. 7977, datë 26.7.1995, 8027, datë 15.11.1995, nr. 8180, datë 23.12.1996, nr. 8460, datë 11.2.1999, nr. 8570, datë 20.1.2000, nr.8602, datë 10.4.2000, nr. 8813, datë 13.6.2002, nr.9085, datë 19.6.2003, nr. 9187, datë 12.2.2004, nr. 9276, datë 16.9.2004, nr. 9911, datë 5.5.2008, nr. 10 054, datë 29.12.2008, nr. 145/2013, datë 2.5.2013, nr. 21/2014, datë 10.3.2014, nr.99/2014, datë 31.7.2014, nr. 35/2017, datë 30.3.2017;

     

    Neni 373, 374, 428.

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • KambovksiVllado, “E Drejta Penale Pjesa e Përgjithshme”, Shtëpia Botuese “FURKAM ISM” Shkup 2007.

    KurushiKlodian,Disertacioni për mbrojtjen e gradës shkencore “Doktori i Shkencave” me temën “Akuzat e reja në procesin penal”, dorëzuar në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti Tiranë në korrik 2017.

    Mercone Mario, “Diritto Processuale Penale”, XI Edizione, “Edizione Giuridiche Simone” 2003.

    Tonini Paolo, Manuale di procedura penale, 16a edizione, Giuffrè Editore, Milano 2015.

  • Asnjë koment
Klodian Kurushi
Klodian Kurushi