KODI I PROCEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   7905

Neni 375: Ndryshimi i cilësimit juridik të veprës

1Me vendimin përfundimtar gjykata mund t’i japë faktit një përcaktim të ndryshëm nga ai që ka bërë prokurori ose viktima akuzuese, me kusht që vepra penale të jetë në kompetencën e saj.

2Kur në përfundim të shqyrtimit gjyqësor gjykata vlerëson se fakti për të cilin akuzohet i pandehuri mund të ketë cilësim juridik më të rëndë se ai që ka bërë prokurori ose viktima akuzuese, njofton palët mbi këtë mundësi dhe u jep kohën e nevojshme për t’u mbrojtur. Palët kanë të drejtë të paraqesin prova të reja.

3Kur gjykimi zhvillohet në mungesë të të pandehurit, sipas nenit 352, të këtij Kodi, gjykata zbaton rregullat e përcaktuara në paragrafët 1 dhe 2 të tij.

Përmbajtja

      1. Neni 375 i K.Pr.P ndjek qëllim të dyfishtë, nga njëra anë synon garantimin e dhënies së drejtësisë dhe zbatimit të ligjit nëpërmjet përcaktimit të saktë të cilësimit juridik të veprës penale nga gjykata, dhe nga ana tjetër synon garantimin e të drejtës së të pandehurit për mbrojtje dhe kontradiktoritetin. Kjo dispozitë është në përputhje me nenet 31 dhe 42 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ.
      1. Neni 375 i K.Pr.P në paragrafin e parë rregullon kushtet ligjore që duhet të përmbushen për ndryshimin e cilësimit juridik të veprës nga gjykata. Në paragrafin e dytë dhe të tretë, dispozita përcakton rregullat procedurale për garantimin e të drejtës së mbrojtjes së të pandehurit dhe respektimin e kontradiktoritetit, edhe për të pandehurin në mungesë, vetëm në rastin kur gjykata vlerëson se fakti mund të ketë cilësim juridik më të rëndë.
      1. Ndryshimi i cilësimit juridik të veprës penale nga gjykata, i përcaktuar në nenin 375 të K.Pr.P buron nga detyrimi i saj kushtetues për të zgjidhur drejt çështjen dhe për zbatimin e ligjit. Sipas Gjykatës Kushtetuese[1], kur mbi bazën e faktit të paraqitur, gjykata bën cilësimin e duhur ligjor të veprës, duke i dhënë faktit një përcaktim tjetër, ajo bën një interpretim të ligjit që zbaton dhe që është në kompetencë të saj dhe nuk cënon aspak kompetencat e prokurorit. Gjykata nuk është organ akuze, nuk formulon akuzë të re dhe as e ndryshon atë. Në këtë aspekt, neni 375 i K.Pr.P nuk vjen në kundërshtim me nenin 148 të Kushtetutës, që përcakton kompetencat e prokurorit. E drejta që i njihet gjykatës për t’i dhënë faktit një përcaktim të ndryshëm nga ai që ka bërë prokurori, nuk është veprim antikushtetues, por është detyrë funksionale e saj.

       

      1. Gjykata Kushtetuese[2] ka mbajtur qëndrimin se gjykata, duke i dhënë faktit një përcaktim juridik të ndryshëm nga ai i prokurorit, mund të bëjë që cilësimi i ri të jetë një vepër më e lehtë ose më e rëndë, por kjo nuk do të thotë se në rastin e fundit rëndohet pozita e të pandehurit. Rëndimi i pozitës trajtohet në raport me shkallën më të lartë të gjykimit. E vetmja garanci e parashikuar për të pandehurin lidhur me mosrëndimin e pozitës së tij është ajo që parashikohet në pikat 2 dhe 3 të nenit 425 të K.Pr.P, kur çështja në gjykatën e apelit shqyrtohet mbi ankimin e të pandehurit.[3] Kur apelues është vetëm i pandehuri, gjykata nuk mund të caktojë një dënim më të rëndë, të zbatojë një masë sigurimi më të rëndë, t’i japë pafajësisë një shkak më pak të favorshëm nga ai i vendimit të apeluar dhe as t’i japë faktit një cilësim juridik më të rëndë.

       

      1. Ndryshimi i cilësimit juridik bëhet nga gjykata mbi bazën e faktit të paraqitur. Por, edhe kur prokurori gjatë shqyrtimit gjyqësor ndryshon akuzën ose ngre akuza të tjera në bazë të neneve 372, 373, 374 të K.Pr.P, gjykata nuk ka asnjë pengesë ligjore që të ndryshojë cilësimin juridik të veprës penale. Vlerësimi i gjykatës në këtë rast, në lidhje me cilësimin e veprës penale do të bazohet në akuzën e re të parashtruar nga prokurori gjatë shqyrtimit gjyqësor.

       

      1. Ndryshimi i cilësimit juridik të veprës mund të kryhet nga gjykata kur përmbushen tre kushte ligjore: së pari, ndryshimi i cilësimit të kryhet me vendim përfundimtar, së dyti, të rezultojë i njëjti fakt penal dhe së treti, që vepra e re të jetë në kompetencën e saj.

       

      1. Lidhur me kushtin e parë, edhe me ndryshimet e bëra me ligjin nr.35/2017 në nenin 375, gjykata vetëm me vendimin përfundimtar mund të bëjë ndryshimin e cilësimit juridik të veprës. Për rrjedhim, gjykata edhe kur krijon bindjen gjatë gjykimit për cilësimin jo të duhur të veprës penale, duhet të garantojë përfundimin e shqyrtimit gjyqësor dhe të bëjë vlerësimin lidhur me cilësimin juridik vetëm në vendimin përfundimtar.

       

      1. Njoftimi i palëve lidhur me mundësinë e dhënies së faktit të një cilësimi juridik më të rëndë në zbatim të paragrafit 2 të nenit 375 të K.Pr.P nuk vjen në kundërshtim me paragrafin 1 të këtij neni sipas të cilit ndryshimi i cilësimit bëhet me vendim përfundimtar. Edhe në këtë rast, gjykata edhe pse në përfundim të shqyrtimit gjyqësor njofton palët mbi mundësinë e ndryshimit të cilësimit, vetëm me vendim përfundimtar shprehet lidhur me cilësimin e duhur juridik të veprës.

       

      1. Kushti i dytë ligjor për ndryshimin e cilësimit juridik të veprës është që të bëhet fjalë për të njëjtin fakt penal, me atë të paraqitur nga prokurori në kërkesën për gjykim. Neni 375 i K.Pr.Penale, parashikon rastin kur fakti që i atribuohet të pandehurit nuk ndryshon dhe mbetet i njëjtë deri në momentin e tërheqjes së gjykatës në dhomën e këshillimit, në ndryshim nga nenet 372, 373, 374 të K.Pr.P. Në një rast të tillë, është gjykata ajo që çmon dhe vendos kryesisht për t’i dhënë këtij fakti një përcaktim tjetër, të ndryshëm nga ai që ka bërë prokurori.[4] 

       

      1. Sipas interpretimit të nenit 375 të K.Pr.P, me vendimin përfundimtar gjykata nuk mund të ndryshojë cilësimin e veprës penale duke i shtuar veprës penale një fakt të ri apo një akuzë të re. Gjykata vlerëson cilësimin e veprës penale në raport me të njëjtin fakt që ka paraqitur prokurori, prandaj nuk mund të vendosë ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale dhe për fakte të reja ose të ndryshme nga ato të prokurorit. Neni 375 lidhet me vlerësimin e ndryshëm që i bëhet të njëjtit fakt penal nën dritën e dispozitave ligjore, duke rezultuar në një cilësim juridik të ndryshëm nga ai që ka bërë prokurori në akuzën e ngritur. Lidhur me kuptimin e të njëjtit fakt penal, GJEDNj në rastet e “ne bis in idem” ka mbajtur qëndrimin se duhet të kuptohet si një ndalim për të gjykuar ose dënuar të njëjtin person për një vepër të dytë, për aq kohë sa akuza për këtë vepër bazohet në fakte identike ose fakte që janë të njëjta në substancë me ato të veprës së parë për të cilën ai është gjykuar ose dënuar.[5] Pra termi “të njëjtit fakt penal” i referohet të njëjtit veprim, sjellje, fakt, të cilat formojnë bazën e veprës penale për të cilën personi akuzohet.

       

      1. Duhet bërë dallimi i nenit 375 nga ndryshimi i akuzës apo akuza për një fakt të ri (kur fakti del ndryshe nga sa është përshkruar apo kur kemi një fakt të ri që nuk është përmendur), raste që rregullohen nga nenet 372 dhe 374 të K.Pr.P. Kur fakti del ndryshe nga ç’është paraqitur nga prokurori në kërkesën për gjykim, gjykata nëse ndryshon cilësimin juridik të veprës, atëherë praktikisht ka ngritur një akuzë të re, e cila nuk i është komunikuar të pandehurit nga organi kompetent, prokuroria. Kur nuk jemi përpara të njëjtit fakt penal, atëherë gjykata nuk mund t’i japë faktit një cilësim të ndryshëm nga ai i përshkruar nga prokuroria në kërkesën për gjykim. Në të kundërt, gjykata do të merrte kompetencat e prokurorisë duke ngritur akuzë. Ndryshimi i akuzës është kompetencë ekskluzive vetëm e prokurorit. Nenet 372-374 të K.Pr.P kanë parashikuar mënyrën se si procedohet nga prokurori kur kemi një akuze të re për një vepër penale tjetër, një rrethanë rënduese, një fakt të ri, ndryshim akuze si dhe rolin e gjykatës në lidhje me disponimin që iu bën këtyre kërkesave.

       

      1. Kushti i tretë për ndryshimin e cilësimit juridik është që gjykimi i veprës penale sipas cilësimit juridik të ri të jetë në kompetencën e gjykatës. Në kompetencën e gjykatës përfshihet si kompetenca tokësore ashtu edhe ajo lëndore sipas parashikimeve të neneve 74 dhe 76 të K.Pr.P. Por, në praktikën gjyqësore[6] pranohet edhe e ashtuquajtura kompetenca funksionale, e cila lidhet me përbërjen e trupit gjykues, me një ose me tre gjyqtarë referuar sanksionit të parashikuar për veprën, sipas nenit 13 të K.Pr.P.

       

      1. Në rast se gjykata konstaton se vepra penale sipas cilësimit të ri juridik nuk është në kompetencën e saj, por është në kompetencën e një gjykate tjetër, ajo nuk mund ta bëjë ndryshimin e cilësimit juridik, por ia dërgon çështjen gjykatës kompetente.[7] Gjykata me vendim të ndërmjetëm, shpall moskompetencën lëndore në bazë të neneve 83 dhe 85 të K.Pr.P, dhe urdhëron dërgimin e akteve gjykatës kompetente.

       

      1. Mosrespektimi i kompetencës lëndore, e bën vendimin gjyqësor absolutisht të pavlefshëm në kuadër të mosrespektimit të kriterit të “gjykatës së krijuar me ligj” dhe pretendimi për respektimin e kësaj kompetence, mund të ngrihet si nga i pandehuri/i gjykuari, ashtu edhe kryesisht në çdo fazë të procesit.[8] Në ndryshim nga kompetenca lëndore, akti i dhënë në mungesë të kompetencës tokësore është një akt relativisht i pavlefshëm dhe deklarohet si i tillë nga gjykata mbi kërkesën e palëve, bërë para se të fillojë shqyrtimi gjyqësor.[9]

       

      1. Në praktikë ka patur qëndrime të ndryshme për rastin kur vepra penale për të cilën akuzohet i pandehuri gjykohet me trup gjykues me një gjyqtar dhe kur gjyqtari tërhiqet në dhomën e këshillimit për marrjen e vendimit përfundimtar vlerëson se faktit i duhet dhënë një cilësim juridik më i rëndë për një vepër që gjykohet me tre gjyqtarë. Sipas qëndrimit të parë,[10] trupi gjykues me një gjyqtar nuk mund të ndryshojë cilësimin juridik të veprës, e cila nuk është në kompetencë funksionale të saj por të një trupi gjykues me përbërje tjetër, me tre gjyqtarë. Edhe pse K.Pr.P rregullon shprehimisht dy lloj kompetencash, lëndore dhe tokësore, që kanë lidhje me natyrën e veprës penale dhe territorin në të cilën ushtrojnë veprimtarinë gjykatat, në praktikën gjyqësore njihet edhe kompetenca funksionale që lidhet me përbërjen e trupit gjykues. Nëse gjyqtari i vetëm do të shpallte moskompetencën dhe do t’ia dërgonte aktet gjykatës kompetente, një trupi gjykues me tre gjyqtarë, atëherë ky trup konsiderohet si gjykatë kompetente edhe në mundësinë e vlerësimit se cilësimi juridik i bërë në kërkesën për gjykim nga prokurori është ai i duhur. Gjykimi me tre gjyqtarë është garanci më e lartë që i njihet të pandehurit nga neni 13 i K.Pr.P. Vendimi i ndërmjetëm për deklarimin e moskompetencës i marrë nga gjyqtari i vetëm përsa i përket vlerësimit të cilësimit juridik nuk është detyrues për trupin gjykues me tre gjyqtarë. Në këtë rast, ky trup gjykues ka detyrimin ligjor që të vlerësojë faktin në përputhje me provat e shqyrtuara në gjykim dhe sipas bindjes së saj të brendshme. Sipas qëndrimit tjetër,[11] gjyqtari i vetëm ka të drejtë dhe mund të disponojë me ndryshimin e cilësimit të veprës penale edhe sikur vepra penale sipas cilësimit të ri gjykohet nga një trup gjykues me tre gjyqtarë. Për shkak të qëndrimeve të ndryshme të praktikës gjyqësore lind nevoja e unifikimit të kësaj praktike nga Gjykata e Lartë.

       

      1. Edhe rasti kur gjykata me vendimin përfundimtar vlerëson se duhet bërë ndryshimi i cilësimit juridik të veprës në një vepër penale që ndiqet me kërkesën e viktimës akuzuese sipas nenit 59 të K.Pr.P ka sjellë qëndrime të ndryshme në praktikë. Ekziston qëndrimi se gjykata duhet të pushojë gjykimin e çështjes penale për arsye se e drejta për të kërkuar gjykimin e veprës penale i takon vetëm viktimës akuzuese. Vendimi i pushimit të gjykimit të çështjes nuk e pengon viktimën akuzuese që të paraqesë kërkesë për gjykim sipas nenit 59 të K.Pr.P. Sipas qëndrimit tjetër,[12] gjykata nuk duhet të paragjykojë të dëmtuarin por duhet t’i japë të drejtë që të shprehet në lidhje me vazhdimin ose jo të gjykimit. Në rast se i dëmtuari shprehet se dëshiron që gjykimi të vazhdojë, atëherë gjykata jep vendimin përfundimtar duke e deklaruar të pandehurin fajtor ose të pafajshëm. Në rast të kundërt, nëse i dëmtuari nuk dëshiron që gjykimi të vazhdojë, gjykata pushon çështjen. Për këtë rast, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë[13] është shprehur se vazhdimi i mëtejshëm i gjykimit nga gjykata pa marrë pëlqimin e të dëmtuarit është në përputhje me ligjin. I dëmtuari akuzues nuk ka të drejtë të tërheqë ankimin, kur procedimi ka nisur, sepse kjo e drejtë i njihet në mënyrë të shprehur vetëm të dëmtuarit sipas parashikimit të nenit 286 të K.Pr.P.

       

      1. Në paragrafin 2 të nenit 375 të K.Pr.P përcaktohen rregullat procedurale mbi njoftimin e mundësisë së ndryshimit të cilësimit juridik, në rastin kur në përfundim të shqyrtimit gjyqësor gjykata vlerëson se fakti për të cilin akuzohet i pandehuri mund të ketë cilësim juridik më të rëndë se ai që ka bërë prokurori ose viktima akuzuese.

       

      1. Përpara ndryshimeve me ligjin Nr. 8813, datë 13.06.2002, në nenin 375 të K.Pr.P, parashikohej se ndryshimi i cilësimit juridik kryhej “duke vënë në dijeni palët”. Dispozita parashikonte detyrimin e gjykatës që të vinte në dijeni palët kur konstatonte në seancë gjyqësore ose në përfundim të gjykimit se vepra penale duhej të cilësohej sipas një neni tjetër.

       

      1. Në formulimin e dispozitës pas ndryshimeve të vitit 2002, u hoqën fjalët “duke vënë në dijeni palët”. Lidhur me njoftimin e palëve, Gjykata Kushtetuese,[14] pas ndryshimeve me ligjin Nr. 8813, datë 13.06.2002 ka arsyetuar se dalja e gjykatës në seancë gjyqësore dhe vënia në dijeni e palëve për mënyrën e zgjidhjes së këtij problemi ligjor, pa u shprehur kjo më parë me vendim përfundimtar, mund t’iu krijojë atyre dyshime për paragjykimin e çështjes nga ana e saj. Kjo mund të shoqërohet me një shkelje tjetër kushtetuese që lidhet me mosrespektimin e së drejtës themelore të individit për një gjykim të drejtë nga një gjykatë e paanëshme. Ky arsyetim nuk është në përputhje me qëndrimin e mbajtur nga GJEDNJ[15] se është thelbësor fakti që vepra penale për të cilën dënohet një person, është ajo për të cilën ai është akuzuar.

       

      1. Gjykata në këtë rast garanton të drejtën e mbrojtjes së të pandehurit dhe njoftimi i palëve mbi këtë mundësi nuk përbën paragjykim të çështjes nga ana e saj, megjithëse mund të ngrejë dyshim mbi paanshmërinë. Në referim të paragrafit 2 të nenit 375 ky dyshim nuk duhet të konsiderohet i përligjur. Detyrimi i gjykatës për t'u dhënë mundësinë palëve të mbrohen mbi eventualitetin e cilësimit juridik me të rëndë të veprës penale nuk do të thotë detyrimisht se gjykata në përfundim të gjykimit do të arrijë në atë konkluzion. Përkundrazi, pikërisht për këtë aryse u jepet mundësi palëve të paraqesin edhe pretendimet e tyre mbi mundësinë e parashtruar nga gjykata, në mënyrë që në përfundim të shqyrtimit gjyqësor gjykata të marrë vendim përfundimtar mbi çështjen, pasi të ketë dëgjuar edhe argumentat përkatës.

       

      1. Me ndryshimet e bëra me ligjin nr.35/2017, në pikën 2 të nenit 375 të K.Pr.P, parashikohet se në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, kur gjykata vlerëson se fakti për të cilin akuzohet i pandehuri mund të ketë cilësim juridik më të rëndë, njofton palët mbi këtë mundësi dhe u jep kohën e nevojshme për t’u mbrojtur. Një garanci e tillë nuk parashikohet për rastin kur vlerësohet se fakti mund të ketë cilësim juridik më të lehtë.

       

      1. Ky ndryshim ligjor dhe njoftimi i palëve nga gjykata lidhur me mundësinë e ndryshimit të cilësimit juridik në më të rëndë, në kushtet kur kjo e drejtë i është njohur në nenin 375 pika 2 e K.Pr.P është në përputhje me standartet e përcaktuara nga GJEDNJ[16]. Nëse gjyqtarët e themelit disponojnë, kur kjo e drejtë i është njohur në të drejtën e brendshme, mundësinë për të rikualifikuar faktet, ata duhet të sigurohen që të pandehurit kanë pasur oportunitetin të ushtrojnë të drejtën e tyre të mbrojtjes në mënyrë korrekte dhe efektive. Sipas GJEDNJ, kjo do të thotë që të pandehurit duhet të informohen në kohë të përshtatshme dhe në mënyrë të detajuar, edhe me kualifikimin juridik të dhënë këtyre fakteve. Neni 6 § 3 (a) i KEDNJ nuk përcakton ndonjë kërkesë të veçantë formale për mënyrën e informimit të të pandehurit për natyrën dhe shkakun e akuzës në ngarkim të tij. Prandaj GJEDNJ vlerëson faktin nëse i pandehuri ka patur mundësinë e parashtrimit të mbrojtjes ndaj rikualifikimit të akuzws përpara gjykatës më të lartë, dhe nëse kjo e fundit ka riparuar mangësitë e mëparshme në gjykim.[17]

       

      1. Në kontekstin e gjykimit të shkurtuar, para ndryshimeve me ligjin nr.35/2017 në nenin 375, Gjykata Kushtetuese[18] ka mbajtur qëndrimin se nuk ekziston mundësia e realizimit të së drejtës së mbrojtjes efektive nga i pandehuri, dhe ndryshimi i cilësimit juridik të veprës penale nga ana e gjykatës, është në kundërshtim me qëllimin e këtij gjykimi. Kjo duke qenë se gjykata merr në konsideratë vetëm dosjen e prokurorit. Në vijim, në jurisprudencën e saj, Gjykata Kushtetuese[19] ka qartësuar ndryshimin e cilësimit juridik në kuadrin e gjykimit të shkurtuar, kur ai është në disfavor të të pandehurit, duke u shprehur se i pandehuri, do të sakrifikonte të drejtat e tij kushtetuese jo vetëm pa pasur asnjë lloj përfitimi, por edhe duke marrë një dënim më të lartë nga ai që priste. Në këtë mënyrë, kur nga gjykatat e juridiksionit të zakonshëm procedohej me gjykim të shkurtuar, ndryshimi i cilësimit juridik të veprës penale nga ana e gjykatës në disfavor të të pandehurit, është konsideruar në kundërshtim me qëllimin e këtij gjykimi. Pas ndryshimeve me ligjin nr.35/2017 në nenin 375, dhe parashikimit të njoftimit nga gjykata për mundësinë e ndryshimit të cilësimit juridik të veprës në më të rëndë, në praktikën gjyqësore[20] është proceduar me njoftimin e të pandehurit për këtë mundësi edhe në gjykimin e shkurtuar, sepse vlerësohet se çështja mund të zgjidhet në gjendjen që janë aktet. Në këtë mënyrë, të pandehurit i garantohet e drejta e mbrojtjes sipas jurisprudencës së mësipërme të Gjykatës Kushtetuese pa u cënuar nga përfitimi që lind për shkak të gjykimit të shkurtuar. Por, në rastin e kërkesës së të pandehurit për prova të reja në funksion të të drejtës së mbrojtjes ndaj mundësisë së cilësimit juridik të veprës në më të rëndë dhe kur këto prova janë të nevojshme, gjykata duhet të revokojë vendimin për gjykimin e shkurtuar.

       

      1. Njoftimi i palëve mbi mundësinë e dhënies së faktit të një cilësimi juridik më të rëndë, sipas formulimit të paragrafit 2 të nenit 375 të K.Pr.P duhet parë ngushtë me ndryshimet dhe formulimin e neneve 378 dhe 379 të K.Pr.P. Në interpretim sistematik të dispozitave, Gjykata në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, në fazën e konkluzioneve përfundimtare, njofton palët lidhur me mundësinë që fakti për të cilin akuzohet i pandehuri të ketë cilësim juridik më të rëndë. Në këtë rast, gjykata u jep kohën e nevojshme për t’u mbrojtur dhe palët kanë të drejtë të paraqesin prova të reja. Edhe pse riçelja e hetimit gjyqësor për këtë arsye nuk parashikohet shprehimisht në nenin 378 shkronja “a” të K.Pr.P, kjo dispozitë interpretohet ngushtë me nenin 375 paragrafi 2. Nisur nga faza e gjykimit në të cilën bëhet njoftimi i mundësisë së ndryshimit të cilësimit juridik, gjykata kur pranon kërkesat për prova të reja, riçel hetimin gjyqësor.

       

      1. Kur gjykimi zhvillohet në mungesë të të pandehurit, sipas nenit 352 të K.Pr.P[21], gjykata zbaton rregullat e përcaktuara në paragrafët 1 dhe 2 të tij. Këto rregulla aplikohen për aq sa janë të pajtueshme me qëllimin dhe kërkesat e nenit 375 paragrafi 3 të K.Pr.P. Kështu, Gjykata nuk vendos përsëri pezullimin e gjykimit për një vit për vazhdimin e kërkimit të të pandehurit. Gjykata procedon me njoftimin e të pandehurit si për seancën e parë gjyqësore.[22] Gjykata fillimisht do të kryejë të gjitha veprimet për njoftimin e të pandehurit, sipas neneve 140, 141, 142 të K.Pr.P. Kur edhe pas kërkimeve të kryera rishtazi i pandehuri nuk gjendet, apo provohet se i fshihet drejtësisë, gjykata i komunikon mundësinë e ndryshimit të cilësimit juridik të veprës në më të rëndë, mbrojtësit të tij. Neni 375 pika 3 i K.Pr.P nuk referon edhe në zbatimin e paragrafit 3 të nenit 352 të K.Pr.P. Prandaj, kur deklarimi i mungesës në gjykim është bërë për shkak se provohet se i pandehuri ndodhet jashtë vendit dhe ekstradimi i tij nuk është i mundur, gjykata kryen verifikime vetëm lidhur me ndryshimin e këtyre kushteve. Kur edhe pas verifikimeve të kryera rezulton se i pandehuri ndodhet jashtë vendit dhe ekstradimi i tij nuk është i mundur, gjykata i komunikon ekstraktin e procesverbalit mbrojtësit të tij.

       

      1. Respektimi i kërkesave të paragrafit 2 dhe 3 të nenit 375 të K.Pr.P paraqet rëndësi të veçantë për respektimin e të drejtës së mbrojtjes dhe parimin e kontradiktoritetit, si elementë të procesit të rregullt ligjor. Një informacion i saktë dhe i plotë i akuzave në ngarkim të një të pandehuri pra dhe i kualifikimit juridik të veprës penale që autoritetet mund të konsiderojnë në ngarkim të tij, sipas standarteve të GJEDNJ[23] është një kusht i rëndësishëm për procesin e rregullt ligjor.

       

      [1] Vendim nr.50, datë 30.07.1999, Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Rrethit Shkodër, Papajtueshmëria e nenit 375 të K.Pr.P me nenin 148 të Kushtetutës.

      [2] Vendim nr.50, datë 30.07.1999, Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Rrethit Shkodër, Papajtueshmëria e nenit 375 të K.Pr.P me nenin 148 të Kushtetutës.

      [3] Vendim nr.2, datë 19.04.2001, Altin Luzi, Agron Hajdari, Gazmir Xhaferri, (KBGJL).

      [4] Vendim nr.24, datë 30.07.2003, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mirditë, Shfuqizimi si antikushtetues i nenit 375 të ligjit nr.7905, datë 21.03.1995 “Kodi i Procedurës Penale””.

      [5] Sergey Zolotukhin kundër Rusisë, kërkesa nr.14939/03, datë 10.2.2009, § 82.

      [6] Vendim nr.22-2015-332 akti datë 06.10.2015 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Përmet dhe vendim nr.157 akti datë 29.05.2017 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë. Në pikën 15 jepet qëndrimi i praktikës gjyqësore për kompetencën funksionale.

      [7] Vendim nr.50, datë 30.07.1999, Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Rrethit Shkodër, Papajtueshmëria e nenit 375 të K.Pr.P me nenin 148 të Kushtetutës.

      [8] Vendim nr.11, datë 23.04.2009, Elton Bazelli, Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën i vendimeve nr.23, datë 11.04.2005 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, nr.30, datë 15.06.2005 të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda dhe nr.247, datë 28.04.2006 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

      [9] Vendim nr.11, datë 23.04.2009, Elton Bazelli, Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën i vendimeve nr.23, datë 11.04.2005 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, nr.30, datë 15.06.2005 të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda dhe nr.247, datë 28.04.2006 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

      [10] Vendim nr.22-2015-332 akti datë 06.10.2015 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Përmet dhe vendim nr.157 akti datë 29.05.2017 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë.

      [11] Marsida Frashëri, Akuzat e reja sipas legjislacionit tonë procedural në fuqi, Mbi disa çështje të së drejtës penale dhe procedurale penale, Shkolla e Magjistraturës, nr.1, viti 2010, faqe 185. Me “gjykatë kompetente” duhet kuptuar si gjykata që gjykon akuzën me trup gjykues dhe në vendimin përfundimtar e cilëson atë sipas një vepre penale që gjykohet me një gjyqtar të vetëm ashtu edhe anasjelltas.

      [12] Marsida Frashëri, Akuzat e reja sipas legjislacionit tonë procedural në fuqi, Mbi disa çështje të së drejtës penale dhe procedurale penale, Shkolla e Magjistraturës, nr.1, viti 2010, faqe 187.

      [13] Marsida Frashëri, Akuzat e reja sipas legjislacionit tonë procedural në fuqi, Mbi disa çështje të së drejtës penale dhe procedurale penale, Shkolla e Magjistraturës, nr.1, viti 2010, faqe 186.

      [14] Vendim nr.24, datë 30.07.2003, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mirditë, Shfuqizimi si antikushtetues i nenit 375 të ligjit nr.7905, datë 21.03.1995 “Kodi i Procedurës Penale””.

      [15] Pélissier dhe Sassi kundër Francës, kërkesa 25444/94, datë 25.03.1989.

      [16] Drassich kundër Italisë, kërkesa nr. 25575/04, datë 11.03.2008.

      [17] Dallos kundër Hungarisë, kërkesa nr.29082/95, datë 01 Mars 2001, §47, §52.

      [18] Vendimi nr.4 datë 10.02.2012, Leonard Luzi, Shfuqizimi, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, i vendimit nr.72, datë 4.12.2009 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda; vendimit nr.14, datë 15.2.2010 të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda; vendimit nr.00-2010-1356 (971), datë 8.11.2010 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë (Dhomë Këshillimi).

      [19] Vendimi nr.24 datë 30.04.2012, Bekim Murati, Shfuqizimi, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, i vendimit nr.1341, datë 20.11.2007, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë; i vendimit nr.174, datë 21.03.2008, të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe i vendimit nr.00-2010-321 (288), datë 18.03.2010, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë (Dhomë Këshillimi).

      [20] Qëndrim i mbajtur nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë.

      [21] Kur i pandehuri në gjendje të lirë nuk gjendet, provohet se i fshihet drejtësisë, apo i pandehuri ndodhet jashtë vendit dhe ekstradimi i tij nuk është i mundur.

      [22] Relacioni për projekt-ligjin “Për disa shtesa e ndryshime në Kodin e Procedurës Penale”, https://www.parlament.al/wp-content/uploads/2017/01/RELACION-SHTESA-E-NDRYSHIME-7905-KODI-I-PROCEDURES-PENALE-Resized.pdf, faqe 30, aksesuar për herë të fundit në datë 24.07.2017.

      [23] Drassich kundër Italisë, kërkesa nr. 25575/04, datë 11.03.2008.

      1. Problematika e hasur gjatë zbatimit të nenit 375, qëndrimet e ndryshme të mbajtura në praktikën gjyqësore dhe ndryshimi i legjislacionit të BE për përcaktimin e standarteve ndërkombëtare[1] kanë sjellë nevojën e ndryshimit të nenit 375 të K.Pr.P mbi të drejtën e gjykatës për t'i dhënë faktit një cilësim juridik më të rëndë se ai i propozuar nga prokurori. Në relacionin për projekt-ligjin[2] për disa shtesa dhe ndryshime në K.Pr.P dhe në Analizën e Sistemit të Drejtësisë,[3] të hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë është pasqyruar problematika që lidhet me parashikimin e nenit 375 të K.Pr.P dhe që konsiston në mospërcaktimin e procedurës dhe llojin e vendimmarrjes së gjykatës në rastin e ndryshimit të cilësimit juridik të veprës, çka ka vënë në diskutim të drejtën e të pandehurit për t’u njohur me akuzën, për të pasur kohën dhe lehtësitë e përshtatshme për mbrojtje, sipas jurisprudencës së GJEDNJ.[4]

       

      1. Me qëllim për të garantuar të drejtën e të pandehurit për t'u mbrojtur ndaj akuzave ndaj tij, e cila nuk realizohej nga mënyra e formulimit të dispozitës përpara ndryshimeve me ligjin 35/2017, në nenin 375 të K.Pr.P, janë shtuar paragrafët 2 dhe 3. Në këtë mënyrë është parashikuar detyrimi i gjykatës që të njoftojë palët, t’u japë kohën e nevojshme për t'u mbrojtur dhe të paraqesin edhe prova të reja, mbi cilësimin e mundshëm juridik më të rëndë. Të njëjtat garanci i njihen edhe të pandehurit që gjykohet në mungesë.

       

      [1] Direktiva 2012/13/UE e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit të Bashkimit Evropian, datë 22.5.2012, për të drejtën e informimit të të hetuarit në procesin penal, pika 28 dhe 29.

      [2] Relacioni për projekt-ligjin “Për disa shtesa e ndryshime në Kodin e Procedurës Penale”, https://www.parlament.al/wp-content/uploads/2017/01/RELACION-SHTESA-E-NDRYSHIME-7905-KODI-I-PROCEDURES-PENALE-Resized.pdf, faqe 30, aksesuar për herë të fundit në datë 24.07.2017.

      [3] Shih Analizën e Sistemit të Drejtësisë, Qershor 2015, në

      http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf vizituar për herë të fundit më 23.07.2017, faqe 146, 171, 181.

      [4] Drassich kundër Italisë, kërkesa nr. 25575/04, datë 11.03.2008.

    • Direktiva 2012/13/UE e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit të Bashkimit Evropian, datë 22.5.2012, për të drejtën e informimit të të hetuarit në procesin penal, pika 28 dhe 29, lidhur me informimin e të pandehurit sa më shpejt dhe gjithsesi para pyetjes për herë të parë, për faktet objekt akuze dhe cilësimin juridik, si dhe me rikualifikimin juridik të dhënë këtyre fakteve në vazhdimësi të procedimit penal, në mënyrë që të ushtrojë të drejtën e mbrojtjes. Neni 375 i K.Pr.P në garantimin e njoftimit të të pandehurit për mundësinë e ndryshimit të cilwsimit juridik të veprës në më të rëndë është në përputhje me direktivën.

  • Vendime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut 

    Pélissier dhe Sassi kundër Francës, kërkesa 25444/94, datë 25.03.1989, lidhur me njoftimin e të pandehurit për kualifikimin e fakteve dhe garancinë që vepra penale për të cilën dënohet një person, është ajo për të cilën ai është akuzuar; 

    Drassich kundër Italisë, kërkesa nr. 25575/04, datë 11.03.2008, lidhur me njoftimin e të pandehurit për kualifikimin juridik të dhënë fakteve dhe dhënien e mundësisë për të ushtruar mbrojtjen; 

    Dallos kundër Hungarisë, kërkesa nr.29082/95, datë 01 Mars 2001, lidhur me mënyrën e informimit të të pandehurit për natyrën dhe shkakun e akuzës në ngarkim të tij dhe garantimin e të drejtës së mbrojtjes ndaj rikualifikimit të akuzës para gjykatës më të lartë; 

    Sergey Zolotukhin kundër Rusisë, kërkesa nr.14939/03, datë 10.2.2009, § 82, lidhur me kuptimin e të njëjtit fakt penal, referuar qwndrimit të mbajtur nga GJEDNj në rastet e “ne bis in idem”.

  • Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, Qershor 2015, faqe 146, 171, 181, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf, aksesuar për herë të fundit më 26.08.2017; 

    Strategjia për reformën në sistemin e drejtësisë https://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/draft_strategjia_versioni_shqip.pdf, aksesuar për here të fundit në datën 26.08.2017; 

    Relacioni për projekt-ligjin “Për disa shtesa e ndryshime në Kodin e Procedurës Penale”, https://www.parlament.al/wp-content/uploads/2017/01/RELACION-SHTESA-E-NDRYSHIME-7905-KODI-I-PROCEDURES-PENALE-Resized.pdf, aksesuar për herë të fundit në datë 26.08.2017.

  • Nenet 59, 74, 76, 83, 85, 352, 372-374, 378, 379 të ligj nr.35/2017 Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.7905, datë 21.03.1995 “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë”, ndryshuar me ligjin nr. 35/2017; 

    Kushtetuta: 

    Nenet 31, 42 dhe 148 të Kushtetutës, ndryshuar me ligjin nr. 76/2016; 

    Ligji: 

    Ligji nr.7905, datë 21.03.1995 “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar me ligjin nr. 35/2017. 

  • Asnjë koment
  • Vendime të Gjykatës Kushtetuese 

    Vendim nr.50, datë 30.07.1999, Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Rrethit Shkodër, Papajtueshmëria e nenit 375 të K.Pr.P me nenin 148 të Kushtetutës, lidhur me pajtueshmërinë me Kushtetutën të ndryshimit të cilësimit juridik nga gjykata; 

    Vendim nr.24, datë 30.07.2003, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mirditë, Shfuqizimi si antikushtetues i nenit 375 të ligjit nr.7905, datë 21.03.1995 “Kodi i Procedurës Penale””, lidhur me pajtueshmërinë me Kushtetutën të ndryshimit të cilësimit juridik nga gjykata; 

    Vendim nr.11, datë 23.04.2009, Elton Bazelli, Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën i vendimeve nr.23, datë 11.04.2005 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, nr.30, datë 15.06.2005 të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda dhe nr.247, datë 28.04.2006 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, lidhur me ndryshimin e cilësimit juridik nga gjykata jokompetente; 

    Vendimi nr.4 datë 10.02.2012, Leonard Luzi, Shfuqizimi, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, i vendimit nr.72, datë 4.12.2009 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda; vendimit nr.14, datë 15.2.2010 të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda; vendimit nr.00-2010-1356 (971), datë 8.11.2010 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë (Dhomë Këshillimi), lidhur me ndryshimin e cilësimit juridik në gjykimin e shkurtuar; 

    Vendimi nr.24 datë 30.04.2012, Bekim Murati, Shfuqizimi, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, i vendimit nr.1341, datë 20.11.2007, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë; i vendimit nr.174, datë 21.03.2008, të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe i vendimit nr.00-2010-321 (288), datë 18.03.2010, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë (Dhomë Këshillimi), lidhur me ndryshimin e cilësimit juridik në gjykimin e shkurtuar.

    Vendime të Gjykatës së Lartë 

    Vendim nr.2, datë 19.04.2001 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, me kërkues Altin Luzi, Agron Hajdari, Gazmir Xhaferri për garancitë e parashikuara për të pandehurin lidhur me mosrëndimin e pozitës së tij.

  • Marsida Frashëri, Akuzat e reja sipas legjislacionit tonë procedural në fuqi, Mbi disa çështje të së drejtës penale dhe procedurale penale, Shkolla e Magjistraturës, nr.1, viti 2010; 

    Ledi Bianku, Jurisprudenca e Gjykatës së Strasburgut, Tiranë, 2007; 

    Halim Islami, Artan Hoxha, Ilir Panda, Procedura penale Komentar, Tiranë 2003.

  • Neni 375 i K.Pr.P para ndryshimit me ligjin nr. 35/2017; 

    Ligji Nr. 8813, datë 13.06.2002 për disa ndryshime në Ligjin nr.7905, datë 21.03.1995 “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë”.

Ornela Naqellari
Idlir Peçi