KODI I PROCEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   7905

Neni 406-a: Kërkesa për miratimin e urdhërit penal

1Kur i pandehuri akuzohet për kryerjen e një kundërvajtjeje penale, brenda tre muajve nga regjistrimi i emrit të personit që i atribuohet vepra penale, prokurori nxjerr urdhër penal të arsyetuar për caktimin e dënimit dhe i kërkon gjykatës miratimin e tij, në rastet kur çmon se nuk duhet të zbatohet dënimi me burgim.

2Në urdhrin penal prokurori cakton dënimin kryesor me gjobë. Sipas rastit, mund të caktojë edhe një ose më shumë dënime plotësuese. Në varësi të gjendjes ekonomike të të pandehurit, prokurori mund të urdhërojë që gjoba të paguhet me këste, duke caktuar edhe afatet e pagimit të tyre.

3Dënimi me gjobë nuk mund të kalojë gjysmën e maksimumit që parashikon Kodi Penal për këtë lloj dënimi.

4Në përfundim të hetimeve, kërkesa për miratimin e urdhrit penal depozitohet në sekretarinë e gjykatës, së bashku me të gjitha aktet e fashikullit të hetimeve paraprake. Kërkesa për miratimin e urdhrit penal i njoftohet të pandehurit. Nuk gjejnë zbatim rregullimet e paragrafëve 2 e vijues, të nenit 327, të këtij Kodi.

Përmbajtja

      1. Neni 406/a “Urdhri penal” – është një nen i shtuar rishtas në Kodin e Procedurës Penale. Ky nen parashikon një gjykim të ri e të posaçëm, atë të kërkesës për udhërin penal të dënimit. Qëllimi i legjislatorit për parashikimin në lidhje me Urdhrin penal synon arritjen e këtyre qëllimeve: 1) Ekonominë gjyqësore nëpërmjet shkurtimit të shpenzimeve gjyqësore; 2) uljen e ngarkesës në punë të gjykatave dhe prokurorive, që lidhet me veprat penale me rrezikshmëri të ulët shoqërore dhe 3) uljen e numrit të të burgosurve në institucionet e vuajtjes së dënimeve penale në vendin tonë. Urdhri penal është një gjykim i posaçëm sepse kërkesa e prokurorit i nënshtrohet shqyrtimit nga gjykata, ndërsa vendimi për urdhrin e ndëshkimit merret nga gjykata në bazë të rregullave procedurale që dallojnë nga rregullat e gjykimit të zakonshëm.
      1. Neni 406/a ka parashikuar në mënyrë të detajuar procedurën që duhet të ndiqet nga ana e prokurorit dhe gjyktës me qëllim zbatimin e urdhërimeve të dispozitave të nenit 406/a të Kodit të Procedurës, si edhe rastet se kur zbatohet kjo dispozitë. Zbatimin e urdhrimeve të nenit 406/a të Kodit të Procedurës Penale, ligjvënësi e lidh në mënyrë të posaçme me rastet kur i pandehuri akuzohet për kryerjen e një kundërvajtjeje penale si edhe kur çmon se nuk duhet të zbatohet dënimi me burgim.
      1. Paragrafi i parë i nenit 406/a të Kodit të Procedurës Penale parashikon shprehimisht ekzistencën e tre kritereve që kushti penal të mund të zbatohet. Kështu, për aplikimin e urdhrit penal duhet të plotësohen njëkohësisht këto kushte: a) i pandehuri të akuzohet për një kundërvajtje penale; b) prokurori të çmojë se dënimi ndaj të pandehurit duhet të jetë me gjobë; c) ky përcaktim i prokurorit të kryhet brenda 3 muajve nga data e regjistrimit të emrit të personit që i atribuohet vepra penale. Në këtë rast prokurori nxjerr urdhërin penal të arsyetuar për caktimin e dënimit dhe i kërkon gjykatës miratimin e tij. Gjithashtu, ligjvënësi është kujdesur në mënyrë të posaçme edhe në lidhe me parashikimin e periudhës brenda së cilës prokurori nxjerr urdhrin penal të arsyetuar për caktimin e dënimit. Vetëm brenda tre muajve nga regjistrimi i emrit të personit që i atribuohet vepra penale, prokurori përkatës mund të aplikojë urdhërimet e nenit 406/a të KPrP.

       

      1. Sipas parashikimeve të paragrafit të dytë të nenit 406/a të Kodit të Procedurës Penale, në urdhrin penal prokurori mund të caktojë edhe një ose më shumë dënime plotësuese veç dënimit kryesor me gjobë, si dhe mund të kërkojë pagimin e gjobës me këste në rastet kur ka informacion se i pandehuri mund të ketë vështirësi ekonomike në pagimin e saj. Në çdo rast kërkesa e prokurorit nuk mund të përmbajë një masë dënimi me gjobë më të lartë se gjysma e maksimumit të parashikuar nga neni 34 i Kodit Penal për dënimin me gjobë, kjo si shpërblim për të pandehurin nëse nuk ka kundërshtim ndaj këtij lloji gjykimi.

       

      1. Paragrafi i katërt i nenit 406/a të KPrP kërkon që në përfundim të hetimeve, kërkesa për miratimin e urdhrit penal depozitohet në sekretarinë e gjykatës, së bashku me të gjitha aktet e fashikullit të hetimeve paraprake. Është gjykata ajo që vlerëson kërkesën e prokurorit në lidhje me aplikimin e e urdhrit penal të kërkuar nga ana e prokurorit. Një parashikim i tillë është një garanci proceduriale e cila synon shmangien e abuzimeve të mundshme nga ana e prokurorëve në aplikimin e këtij mekanizmi të ri. Kjo përforëcohet edhe nga fakti që gjykata mund të rrefuzojë kërkesën për miratim të urdhërit penal për arsyet e renditura në nenin 406/c KPrP.

       

      1. Urdhëri penal i prokurorit është një vendim i marrë prej tij pasi ky i fundit ka vlerësuar ekzistencën e kritereve dhe kushteve ligjore të parashikuara nga paragrafi i parë i nenit 406/a i Kodit të Procedurës Penale dhe pa u konsultuar më parë me të pandehurin. Në këto kushte, ligjvënësi ka çmuar se kërkesa për miratimin e urdhrit penal duhet t’i njoftohet të pandehurit. Ky kusht lidhet ngushtë dhe me dispozitat e neneve qe vijojnë në lidhje me urdhërin penal dhe sidomos me të drejën për të kundërshtuar vendimin e gjykatës për miratimin e urdhërit penal.[1] Në këtë mënyrë, i pandehuri ka mundësinë për të përgatitur mbrojtjen e tij në një stad të hershëm.

       

      1. Paragrafi i pestë i nenit 406/a të Kodit të Procedurës Penale ka parashikuar se rregullat e parashikuara në KPrP në lidhje me njoftimet që bën prokurori me përfundimin e hetimeve paraprake për të pandehurin, mbrojtësin e tij, si dhe viktimën ose trashëgimtarët e saj, kur identiteti dhe vendbanimi i tyre rezultojnë nga aktet e procedimit, nuk vlejnë në rastet e aplikimit të parashikimeve të nenit 406/a të Kodit të Procedurës Penale. Ky parashikim është i kuptueshëm pasi në vetvete urdhëri penal nuk vendoset në bazë të një vendimi gjyqësor të marrë në një seancë ku dëgjohen palët. Gjithashtu ekonomia gjyqësore, që përbën edhe një nga qëllimet kryesore të urdhërit penal, dikton që çështje me rrezikshmëri të ulet të zgjidhen shpejt dhe pa vonesa të panevojshme. Për më tepër, miratimi i urdhërit penal mund të kundërshtohet vetëm nga i pandehuri sipas parashikimeve të nenit 406/ç KPrP.

       

      [1] Nenet 406/b, 406/c dhe 406/ç K.Pr.Penale.

      1. Dokumentin Strategjia e Reformës në Sistemin e Drejtësisë, miratuar me vendimin nr. 15, datë 30.07.2015 të Komisionit të Posaçëm, ndër objektivat e parashikuara në fushën e drejtësisë penale janë: (1) Rritja e efiçiencës dhe efektivitetit të drejtësisë penale nëpërmjet konsolidimit të misionit dhe funksioneve të prokurorisë, si dhe përmes riorganizimit të strukturave të saj dhe rishpërndarjes së përgjegjësive mes tyre (2) Forcimi i garancive procedurale në fazën e hetimeve paraprake dhe gjatë gjykimit në shkallë të parë dhe në apel; (3) Forcimi dhe përmirësimi i statusit dhe pozitës juridike të viktimës në procesin penal. Këto objektiva u konkretizuan në Planin e Veprimit për zhvillimin e strategjisë, duke përcaktuar rishikimin e Kodit të Procedurës Penale edhe në pjesën e gjykimeve të posaçme.
      1. Me rritjen e kriminalitetit dhe me procedurat gjithmonë e më të kushtueshme, në terma fianciare por edhe të ngarkesës së punës, që kërkohen nga nocionet moderne të procesit të rregullt ligjor, ligjvënësit por dhe vetë gjykatat, në juridiksione të ndryshme, po i japin gjithmonë e më tepër prioritet ekonomisë proceduriale duke prezantuar forma të reja konsesuale apo procedura penale të shkurtuara. Një nga këto procedura është dhe urdhëri penal. Qëllimi është shmangia e hetimeve paraprake të komplikuara dhe shteruese apo seancave gjyqesore publike me garancitë e tyre proceduriale ose te dyja bashke.[1] Urdhëri penal është një procedurë e kontrolluar nga prokurori. Një e përbashkët e mesme në të gjitha juridiskoinet që parashikojnë urdhërin penal, është fakti që prokurori vendos për cilësimin ligjor si dhe propozon dënimin që normalisht nuk mund të përmbajë dënim me heqje lirie. Ligji i jep të pandehurit një periudhë të caktuar kohe për të kundërshtuar urdhërin. Nëse urdhëri nuk kundërshtohet, atëherë ai merr formën e prerë. Nëse ka kundërshtim të urdhërit atëherë çeshjta shkon në gjykimin të zakonshëm ose mund t’i kthehet prokurorit për hetime të mëtejshme. Në Gjermani çështjet e zgjidhura me urdhër penal përbëjnë rreth dy të tretën e të gjithë denimeve, në Norvegji dhe Hollandë më shumë se gjysmën e denimeve, ndërsa në Itali rreth 15%.[2] 

       

      1. Karakteristikat kryesore të urdhërit penal modern në juridiksionet Europiane janë: 
      • Normalisht zbatohet për krime të lehta ose kundravajtje dhe si rregull nuk mund të çojë në dënim me heqje lirie;
      • Është kompetencë eksluzive e prokurorit të procedojë me urdhër penal;
      • Nuk ka procedurë kontradiktore, përveç rasteve kur i pandehuri kundërshton urdhërin;
      • Prokurori vendos për cilësimin ligjor dhe denimin;
      • Gjyqtari nuk mund të ndryshojë kushtet e urdhërit penal dhe ashtu sikurse dhe i pandehuri mund “ta marrë ose ta lejë” urdhërin.[3] 

       

      1. Në rastin e urdhërit penal i pandehuri ka relativish një kohë të shkurtër për të vendosur nëse do të kundërshtojë ose jo mënyrën e zgjidhjes së çështjes përpara se urdhëri penal të marrë formë të prerë. Kjo e bën të rëndësishme nevojën e negociatave para këtij momenti. Edhe pse shumica e kodeve ku është kodifikuar urdhëri penal nuk parashikojnë negociata mes prokurorit dhe të pandehurit para lëshimit të urdhërit penal, praktika tregon që negociatat ndodhin ose të paktën nuk mund të përjashtohet mundësia e tyre.[4] Një nga karakteristikat kryesore të sistemit gjerman është fakti që prokurori mund të lëshojë një urdhër penal mbasi ka filluar shqyrtimi gyqësor. Kjo gjë, sipas kritikëve i hap dyert negociatave për të arritur në një marrëveshje për fajësine apo për dënimin në kontekst të urdhërit penal.[5] 

       

      1. Një i pandehur që nuk ka patur avokat mund të rrezikojë të pranojë urdhërin penal pa kuptuar se për çfarë bëhet fjalë. Gjithashtu pa një avokat do të ishte e vështirë të përdoreshin mundësitë e negociimit. Në ato raste kur ka negociata qoftë të sanksionuara në sistem ose të toleruara prej tij, prania e avokatit mund t’a ‘zbusi’ pak karakterin “merre ose leje’ që ka urdhëri penal dhe mund t’a kthejë procedurën në atë tipike amerikane të plea bargaining, pra të marrëveshjes së fajit. Përshembull në Francë, shumë pak të pandehur e kudërshtojnë urdhërin penal, gjë që të bën të mendosh nëse kjo vjen pasi u leverdis urdhëri për shkak të fleksibilitetit dhe dënimeve të buta, apo sepse shumica e të pandehurve nuk kanë avokat në këtë procedurë.[6] Në Itali prokurori mund të ezaurojë afatin 6 mujor të hetimeve përpara se të vendosi për lëshimin e urdhërit penal.[7] Në Gjermani lëshimi i urdhërit penal presupozon hetime të përfunduara.[8] Në këto raste mbrojtja e di që hetimet janë përfunduar ose janë duke u kryer dhe normalisht ka mundësinë të kontaktojë prokurorin për negocimin e termave të urdhërit penal, duke përfshirë cilësimin ligjor dhe dënimin.[9] Siç u përmënd dhe më sipër, kjo është një praktikë e pranueshme. Natyrisht kjo nuk do të thotë që negociatat të çojnë në afera korruptive. Ajo që duam të theksojmë këtu është që, filozofia e urdhërit penal e pranon një marrëveshje paraprake për termat e urdhërit, në mënyrë që ai të mos kundërshtohet në gjykatë dhe gjithashtu që ai të mos ketë karakterin e një procedure “merre ose leje”. Për më tepër, kjo përputhet edhe me qëllimin kryesor të urdhërit që është ekonomia proceduriale dhe gjyqësore. 

       

      1. Në shumicën e vendeve që e njohin këtë insitut, gjyqtari ruan kompentencen për të refuzuar urdhërin penal nëse e gjen të pabazuar në pova të mjaftueshme ose nëse mendon se çështja duhet të shkojë në gjyq.[10] Në Gjermani përshembull gjyqtari duhet të vendosë nëse ka një probabilitet për dënim për të pranuar urdhërin penal dhe ai ose ajo duhet t’a rrefuzojë urdhërin nëse është e qartë që provat në dosje nuk janë të mjaftueshme për të justifikuar fajësinë.[11] Mundësitë e gjyqtarit janë pra të pranojë urdhërin, t’a rrefuzojë atë dhe të çojë çështjen në gjykim ose t’a kthejë te prokurori për hetime të mëtejshme ose pushim të çështjes. Ne disa jurdiksione prokurori mund ta anashkaloje gjyqtarin si përshembull në Hollandë,[12] Norvegji, Skoci dhe Lituani.[13] Gjithësesi, në këto vende urdhëri penal merr formën e prerë vetëm nëse ai nuk kundërshtohet nga i pandehuri ose kur kundërshtimi nuk pranohet ose rrëzohet. Kundërshtimi bëhet para gjykatës, e cila shikon pak a shumë të njëjtët faktorë që u përmëndën më sipër në rastin e Gjermanisë. Gjithësesi, pavarësisht sistemit, urdhëri penal ka si të mesme të përbashkët faktin që gjyqtari nuk mund të ndryshojë kushtet e urdhërit penal të vendosura nga prokurori.

       

      [1] Shih Stephen C Thaman, The Penal Order: Prosecutorial Sentencing as a Model for Criminal Jusice Reform, në Erik Luna and Marianne L. Wade, “The Prosecutor in Transnational Perspective”, Oxford University Press 2012, f. 156.

      [2] Ibid, f.158-159.

      [3] Ibid, f. 161.

      [4] Shih Stephen Thaman, World Plea Bargaining: Consesual Procedures and the Avoindance of Full Ciminal Trials, Carolina Academic Press 2010, f. 341.

      [5] Shih Alexander Vivell, Das Strafbefehlsverfahren nach Eröffnung des Hauptverfahrens (§ 408a StPO): Eine kritische Untersuchung und Analyse, Peter Lang GmbH, Internationaler Verlag der Wissenschaften 2010, f. 226-227.

      [6] Shih Jean Pradel, Handbook of Criminal Procedure, Cujas 2006, f. 683.

      [7] Shih Giacomo Nicolucci, Il Procedmento per Decreto Penale, Giuffré 2008, f. 67. 

      [8] Shih Alexander Vivell, Das Strafbefehlsverfahren nach Eröffnung des Hauptverfahrens (§ 408a StPO): Eine kritische Untersuchung und Analyse, Peter Lang GmbH, Internationaler Verlag der Wissenschaften 2010, f. 71.

      [9] Shih Stephen C Thaman, The Penal Order: Prosecutorial Sentencing as a Model for Criminal Jusice Reform, në Erik Luna and Marianne L.Wade, “The Prosecutor in Transnational Perspective”, Oxford University Press 2012, f. 164.

      [10] Vende si Kroacia, Italia, Estonia, Gjermania dhe Franca e kanë këtë system. Shih Shih Stephen Thaman, World Plea Bargaining: Consesual Procedures and the Avoindance of Full Ciminal Trials, Carolina Academic Press 2010, f. 340.

      [11] Shih Alexander Vivell, Das Strafbefehlsverfahren nach Eröffnung des Hauptverfahrens (§ 408a StPO): Eine kritische Untersuchung und Analyse, Peter Lang GmbH, Internationaler Verlag der Wissenschaften 2010, f. 87.

      [12] Shih Chrisje Brants, Consensual, Abbreviated and Simplified Procedures in the Netherlands, në Erik Luna and Marianne L. Wade, “The Prosecutor in Transnational Perspective”, Oxford University Press 2012, f. 211.   

      [13] Shih Stephen C Thaman, The Penal Order: Prosecutorial Sentencing as a Model for Criminal Jusice Reform, në Erik Luna and Marianne L.Wade, “The Prosecutor in Transnational Perspective”, Oxford University Press 2012, f. 169.

  • Asnjë koment
  • ANALIZË E SISTEMIT TË DREJTËSISË NË SHQIPËRI Qershor, 2015.

  • Kodi i Procedurës Penale:

    Neni 406/b;

    Neni 406/c;

    Neni 406/ç

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Stephen C Thaman, The Penal Order: Prosecutorial Sentencing as a Model for Criminal Jusice Reform, në Erik Luna and Marianne L.Wade, “The Prosecutor in Transnational Perspective”, Oxford University Press 2012; 

    Stephen Thaman, World Plea Bargaining: Consesual Procedures and the Avoindance of Full Ciminal Trials, Carolina Academic Press 2010; 

    Alexander Vivell, Das Strafbefehlsverfahren nach Eröffnung des Hauptverfahrens (§ 408a StPO): Eine kritische Untersuchung und Analyse, Peter Lang GmbH, Internationaler Verlag der Wissenschaften 2010; 

    Jean Pradel, Handbook of Criminal Procedure, Cujas 2006; 

    Giacomo Nicolucci, Il Procedmento per Decreto Penale, Giuffré 2008; 

    Chrisje Brants, Consensual, Abbreviated and Simplified Procedures in the Netherlands, në Erik Luna and Marianne L.Wade, “The Prosecutor in Transnational Perspective”, Oxford University Press 2012.

  • Asnjë koment
Idlir Peçi
Idlir Peçi, Koraljka Bumči