"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 138: Fillimi i procedurës disiplinore

1. Nëse ka dyshime të arsyeshme që magjistrati ka kryer shkelje disiplinore, Inspektori i Lartë i Drejtësisë fillon procedimin disiplinor, duke paraqitur raportin e hetimit së bashku me dosjen hetimore.

2. Këshilli:

a. përcakton datën për seancën dëgjimore, e cila duhet të jetë brenda një muaji nga dita e marrjes së dosjes nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë;

b. njofton palët për datën e seancës dëgjimore të paktën 15 ditë para saj.

3. Këshilli mund të zgjasë afatin e parashikuar në pikën 2, shkronja “a”, të këtij neni, deri në dy muaj, për shkaqe të rëndësishme, të cilat duhet të bëhen publike.

4. Këshilli:

a. shqyrton të gjithë faktorët që kanë rëndësi për çështjen;

b. merr prova shtesë, duke përfshirë edhe thirrjen e dëshmitarëve;

c. kur e konsideron të përshtatshme, thërret ekspertë ose i kërkon Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të thërrasë ekspertë.

5. Këshilli mund t’i kërkojë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë kryerjen e hetimeve të mëtejshme, duke specifikuar elementet që mungojnë dhe afatin. Inspektori i Lartë i Drejtësisë kryen veprimet hetimore sipas kërkesës së Këshillit.

Përmbajtja

      1. Neni 138 rregullon fillimin e procedimit disiplinor të magjistratit, pas përfundimit të hetimit disiplinor të shkeljes disiplinore të tij. Kjo dispozitë vjen në zbatim të neneve 140 dhe 148/d të Kushtetutës. Sipas këtyre normave kushtetuese, gjyqtari/prokurori mban përgjegjësi disiplinore sipas ligjit dhe shkarkohet nga detyra kur kryen shkelje të rënda profesionale ose etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit/prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës apo kur është dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi. Gjithashtu, kjo dispozitë vjen në bazë edhe të nenit 147/d pika 1 e Kushtetutës, sipas të cilës Inspektori i Lartë i Drejtësisë është përgjegjës për fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të KLGj, anëtarëve të KLP dhe Prokurorit të Përgjithshëm, sipas procedurës së përcaktuar me ligj.

       

      1. Neni 138, në radhë të parë, synon të përcaktojë mënyrën e sjelljes së ILD-së dhe të Këshillave në fillimin e procedimit disiplinor të magjistratit. Nga ana tjetër, kjo dispozitë synon të ofrojë një listë garancish për vetë magjistratin, ndaj të cilit fillon procedimi disiplinor. Rrjedhimisht, përmbajtja e nenit 138 frymëzohet nga parimi i procesit të rregullt ligjor (neni 100 pika 1 shkronja ‘a’), si dhe parimi i ligjshmërisë (neni 100 pika 1 shkronja ‘b’) në procedimin disiplinor.
      1. Neni 138 është dispozita e parë tek Kreu III “Fillimi i Procedimit Disiplinor”, që i përket Pjesës V të Ligjit për Statusin për Përgjegjësinë Disiplinore, Civile dhe Penale të magjistratit. Si? e tregon edhe emërtimi “Fillimi i procedurës disiplinore”, neni 138 nga njëra anë jep konceptin e “fillimit të procedimit disiplinor dhe nga ana tjetër, ka në përmbajtje rregullat fillestare të procedimit disiplinor, pas përfundimit të hetimit disiplinor nga ILD.

       

      1. Rregullat e nenit 138 strukturohen në 5 pika dhe përmbajtja e tyre ka natyrë procedurale. Ato mbulojnë: momentin kur fillon procedimi disiplinor (pika 1); veprimet e para të Këshillit dhe afatet për kryerjen e tyre (pika 2); zgjatjen e afateve të veprimeve të Këshillit (pika 3); kufijtë e shqyrtimit të ?ështjes nga Këshilli dhe provat që ai mund të marrë (pika 4); dhe kryerjen e hetimit disiplinor shtesë (pika 5).
      1. Lidhur me subjektet, neni 138 pika 1 i kundrejtohet në mënyrë të shprehur ILD-së si autoriteti dërgues i akteve të hetimit disiplinor dhe Këshillave, si autoritetet pritëse të këtyre akteve. Në vijim, në pikat 2 – 4, rregullat janë të zbatueshme për Këshillat, por që sjellin pasoja për ILD-në dhe magjistratin, si dhe për të tretët (ekspertë dhe dëshmitarë), nëse Këshilli ?mon t’i bëjë pjesë të seancës dëgjimore. Rregullat e nenit 138 janë të detyrueshme për ILD-në dhe për Këshillat, në kuptimin që në eventualitetin e shkeljes së tyre dhe në varësi të shkallës së shkeljes së tyre, procedimi disiplinor mund të pësojë të meta dhe parregullsi, me pasojë gjer në mbylljen e tij.

       

      1. Lidhur me termin “Këshillat” duhet zbatuar përkufizimi i dhënë në nenin 2 shkronja ë) të Ligjit për Statusin, sipas të cilit “Këshillat” janë Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Megjithatë, për zbatimin e kësaj dispozite, duhet mbajtur në konsideratë se secili nga Këshillat organizohet dhe funksionon në Mbledhje Plenare, si dhe në komisione vendimmarrëse (neni 147/a pika 2 dhe neni 149/a pika 2 të Kushtetutës), një prej të cilave është edhe Komisioni Disiplinor (nenet 62 dhe 160 të Ligjit për Qeverisjen).

       

      1. Fillimi i procedimit disiplinor është momenti kur raporti i hetimit disiplinor i hartuar sipas nenit 133 pika 3 të Ligjit për Statusin, me propozimin e shprehur për fillimin e procedimit disiplinor dhe që ka identifikuar kërkimin e një mase disiplinore, depozitohet nga ILD pranë KLGj-së në rastin e gjyqtarit apo pranë KLP-së në rastin e prokurorit. Dokumentimi i këtij momenti paraqet rëndësi të ve?antë, pasi ai përbën një institut të ve?antë procedural, të cilit ligji i referohet shprehimisht me pasoja të ndryshme. Për ilustrim, disa nga këto pasoja janë: (i) neni 140 pika 3 e Kushtetutës, e lidh momentin e fillimit të procedimit disiplinor me mundësinë e pezullimit nga detyra të magjistratit, duke ia deleguar këtë ?ështje për rregullim ligjit[1]; (ii) vetë neni 138 në pikën 2, cakton afate për Këshillin që fillojnë të ecin nga momenti i fillimit të procedimit disiplinor; (iii) në nenin 118 pika 2 e Ligjit për Statusin, ky moment përcakton ditën e fundit të kohëzgjatjes së hetimit disiplinor nga ILD; (iv) në nenin 141 pika 2 të Ligjit për Statusin, ky është momenti që magjistratit duhet t’i bëhen të ditura të drejtat e tij gjatë procedimit disiplinor; (v) sipas neneve 137 pika 2 shkronja ‘d’ dhe 150 pika 1, procedura ndaj magjistratit merr statusin e ?ështjes së filluar disiplinore dhe regjistrohet si e tillë në Sistemin e Menaxhimit të Çështjeve, që administrohet nga ILD, si dhe në Regjistrin Disiplinor, që administrohet nga Këshilli.

       

      1. Neni 138 pika 1 thekson kushtin “nëse ka dyshime të arsyeshme që magjistrati ka kryer shkelje disiplinore” si detyrim për ILD në momentin kur depoziton raportin për fillimin e procedimit disiplinor. Ky theks nuk është i rastit, pasi lidhet me detyrimin e paraqitjes së raportit të arsyetuar nga ILD, që detajohet nga neni 133 pika 3 e Ligjit për Statusin, shkelja e të cilit passjell mbylljen e procedimit disiplinor pa seancë dëgjimore nga Këshilli sipas nenit 139 pika 1 shkronja ‘?’ të Ligjit për Statusin, me argumentin se raporti i hetimit është depozituar i paarsyetuar. Këto rregulla, që disiplinojnë veprimtarinë e autoriteteve publike, janë garantuese për magjistratin, si pjesë e procesit të rregullt ligjor që duhet të zhvillohet ndaj tij (neni 100 pika 1 shkronja ‘a’) dhe tentojnë të shmangin rastet e abuzimit apo të ndikimit të papërshtatshëm ndaj magjistratit dhe sistemit gjyqësor e të prokurorisë në përgjithësi.

       

      1. Neni 138 pika 1 u kundërshtua në Gjykatën Kushtetuese nga Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Unioni i Gjyqtarëve, me pretendimin se përmbajtja e saj cenonte parimin e prezumimit të pafajësisë të parashikuar nga neni 30 i Kushtetutës. Ky pretendim u prapësua nga subjektet e interesuara, të cilat vunë në dukje se Ligji për Statusin ia jep Këshillit vendimmarrjen mbi procedimin disiplinor që zbaton procedurën e përcaktuar në ligj. Në përfundim, Gjykata Kushtetuese nuk e pranoi këtë kërkim me arsyetimin se ai nuk ishte ngritur në nivel kushtetues[2]. ILD ka detyrimin që së bashku me raportin e hetimit të depozitojë në Këshill edhe dosjen hetimore. Ligji për Statusin nuk e përkufizon “dosjen hetimore”, por duket që ajo është një koncept më i gjerë se sa ai i dokumentacionit të hetimit të përcaktuar nga neni  133 pika 2 të Ligjit për Statusin, që përbëhet nga procesverbalet e veprimeve hetimore dhe raporti i hetimit. Ky konkluzion buron nga fakti, që nga njëra anë ILD përgjatë gjithë hetimit disiplinor vepron me akte formalë të llojit vendime dhe urdhra që disiplinojnë procedurën e hetimit disiplinor, sidomos në drejtim të afateve të procedimit sipas nenit 118 të Ligjit për Statusin. Nga ana tjetër, Këshilli, sipas pikës 4 të nenit 138 ka detyrimin të shqyrtojë të gjithë faktorët që kanë rëndësi për ?ështjen, detyrim ky që tejkalon shqyrtimin vetëm të dokumentacionit të hetimit në formatin e procesverbalit për veprimet hetimore. Ky raport shoqërohet me dosjen hetimore, që përmban të gjitha aktet e nxjerra dhe të mbledhura gjatë hetimit disiplinor (ankesën, rezultatet e vlerësimit paraprak të saj, vendimet e nxjerra nga ILD, provat e mbledhura dhe ?do veprim hetimor të dokumentuar me procesverbal sipas nenit 133 pika 2 të Ligjit për Statusin).

       

      1. Në pikën 2 të tij, neni 138 përshkruan veprimet paraprake që duhet të kryejë Këshilli, që janë caktimi i seancës dëgjimore dhe njoftimi i palëve. Caktimi i seancës dëgjimore nuk duhet të jetë më larg se 1 muaj nga momenti që është depozituar dosja nga ILD, ndërsa palët (ILD dhe magjistrati) duhet të njoftohen të paktën 15 ditë para saj. Është e qartë që, ndonëse ligji nuk ka caktuar afat të shprehur për këto veprime të Këshillit, në fakt ato duhet të kryhen pa asnjë vonesë, me qëllim respektimin e këtyre afateve. Caktimi i seancës dëgjimore nuk është një veprim formal për identifikimin e një date dhe ore të caktuar, por kërkon një proces vlerësimi paraprak nga Këshilli. Ky konkluzion del nga përmbajtja e nenit 139 të Ligjit për Statusin, që parashikon se Këshilli vendos mbylljen e procedimit disiplinor pa seancë dëgjimore [shih komentet e nenit 139] nëse konstaton se: a) shkelja disiplinore është parashkruar në kohën kur ka filluar hetimi; b) magjistratit i mbaron statusi; ?) magjistrati ka vdekur; apo ç) raporti i hetimit është depozituar pa u arsyetuar. Për këtë qëllim, pika 5 e nenit 138 parashikon që Këshilli mund t’i kërkojë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë kryerjen e hetimeve të mëtejshme, duke specifikuar elementet që mungojnë dhe afatin. Është e qartë, që këto konstatime Këshilli i nxjerr nga analiza e raportit dhe e dosjes hetimore përgjatë vlerësimit paraprak. Sigurisht që bëhet fjalë për një kontroll prima facie të akteve, bazuar vetëm mbi shqyrtimin e dokumenteve të paraqitura që synon të identifikojë pengesat e dukshme për procedimin disiplinor të magjistratit. Thënë ndryshe, Këshilli kryen një vlerësim paraprak të raportit dhe të dosjes hetimore të depozituar nga ILD, përjashton mundësinë që procedimi të shqyrtohet pa seancë dëgjimore pasi nuk ka shkaqe të dukshme për mbylljen e procedimit dhe cakton seancën dëgjimore.

       

      1. Duhet saktësuar se në pikën 4 të nenit 138 përcaktohet se Këshilli shqyrton të gjithë faktorët që kanë rëndësi për ?ështjen, që nënkupton se shqyrtimi i ?ështjes disiplinore nga Këshilli nuk ka kufizim në drejtim të shkaqeve procedurale apo materiale, në pikëpamje të përcaktimit të faktit apo të zbatimit të ligjit. Për këtë arsye, sipas pikës 4 të nenit 138, Këshilli duhet të identifikojë përgjatë vlerësimit paraprak edhe faktin nëse ka nevojë për prova shtesë, duke përfshirë edhe thirrjen e dëshmitarëve apo të ekspertëve. Lidhur me ekspertët, Këshilli mund të procedojë vetë me thirrjen e tyre, ose mund t’i kërkojë ILD-së t’i thërrasë ata. Në funksion të të njëjtit qëllim, Këshilli sërish mund t’i kërkojë ILD-së kryerjen e hetimeve të mëtejshme, duke specifikuar elementët që mungojnë dhe afatin për kryerjen e këtyre veprimeve. Ky urdhër i Këshillit është i detyrueshëm për t’u zbatuar nga ILD (pika 5 e nenit 138).

       

      1. Duke i përmbledhur të gjitha këto detyra fillestare që kryen Këshilli sapo paraqitet raporti i hetimit nga ILD, konstatohet se procesi i vlerësimit paraprak është delikat dhe shumë i rëndësishëm për ecurinë e mëtejshme të procedimit disiplinor. Nga ana tjetër, ky proces vlerësimi paraprak ka edhe afat. Në interpretim të pikës 2 të nenit 138, ai nis nga momenti i fillimit të procedimit disiplinor dhe si rregull, duhet të përfundojë jo më vonë se 15 ditë, me qëllim që të caktojë seancën dëgjimore në afatin “jo më vonë se 1 muaj nga fillimi i procedimit disiplinor” dhe njëherazi të njoftojë palët (ILD dhe magjistratin) në afatin “jo më vonë se 15 ditë përpara seancës dëgjimore. Megjithatë, duhet evidentuar se ky afat i zakonshëm mund të zgjatet nga Këshilli. Pika 3 e nenit 138 parashikon se Këshilli mund të zgjasë afatin e seancës dëgjimore gjer në 2 muaj, që automatikisht zgjat afatin e vlerësimit paraprak të tij, për shkaqe të rëndësishme të cilat duhet të bëhen publike. Në këtë pikëpamje, është e rëndësishme që zgjatja e afatit të jetë e arsyetuar, që shkaqet e përdorura për zgjatjen e afatit të kenë rëndësi dhe vendimi i Këshillit për zgjatjen e afatit, që tregon edhe rëndësinë e shkaqeve, duhet të publikohet.

       

      [1] Duhet mbajtur në konsideratë, që Ligji për Statusin në formën e vet fillestare parashikonte në nenin 152 të tij pezullimin mbi bazë diskrecioni të gjyqtarit, që, ndër të tjera, rregullonte rastin e pezullimit të magjistratit nga Këshilli përgjatë procedurës disiplinore. Kjo dispozitë u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese me vendimin nr. 34, datë 10.04.2017, me arsyetimin se neni 152 parashikonte raste të tjera pezullimi për magjistratin, në mungesë të delegimit të shprehur të nenit 140 të Kushtetutës, duke cenuar kështu nenin 116 të Kushtetutës.

      [2] Shih paragrafët 3.3.5.5, 4.9.9 dhe 102-103 të vendimit nr. 34, datë 10.04.2017 të Gjykatës Kushtetuese, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Unioni i Gjyqtarëve, për kushtetutshmërinë e Ligjit për Statusin.

      1. Në Shqipëri, përpara miratimit të Ligjit për Statusin, procedimi disiplinor për gjyqtarët e shkallës së parë dhe të apelit konsiderohej se fillonte me paraqitjen e kërkesës së Ministrit të Drejtësisë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Neni 34 i ligjit nr. 9877/2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në RSh”, i ndryshuar, parashikonte se të drejtën e fillimit të procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve e kishte vetëm Ministri i Drejtësisë. Ndërsa sipas pikave 3 dhe 4 të nenit 31 të ligjit nr. 8811/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e KLD-së”, i ndryshuar, në përfundim të inspektimit, Ministri i Drejtësisë propozonte procedimin disiplinor të gjyqtarit dhe llojin e masës disiplinore para KLD-së, duke depozituar dokumentacionin me të dhënat përkatëse, që provonin shkeljen e bërë nga gjyqtari.

       

      1. Ndërsa në rastin e prokurorëve, kompetenca për fillimin e procedimit disiplinor dhe për dhënien e masave disiplinore i përkiste të njëjtit autoritet – Prokurorit të Përgjithshëm (neni 8, pika 1 shkronja ‘h’ dhe neni 28 i ligjit nr. 8737/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në RSh”, i ndryshuar). Prokurori i Përgjithshëm për ?ështjet me natyrë disiplinore merrte mendimin e Këshillit të Prokurorisë (neni 10 pika 3 shkronja ‘a’ e ligjit nr. 8737/2001). Prokurori i Përgjithshëm, në fillimin e një procedimi disiplinor ndaj prokurorit mund të bazohej edhe në rekomandimin e Ministrit të Drejtësisë (neni 56 pika 5 e ligjit nr. 8737/2001), i cili kishte kompetencë për kontrollin e organit të prokurorisë (neni 6 pika 10 e ligjit nr. 8678/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar).

       

      1. Për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, si dhe për Prokurorin e Përgjithshëm parashikohej vetëm masa e shkarkimit nga detyra përmes një procedure të ngurtë parlamentare, nëse verifikohej shkelje e Kushtetutës, kryerja e një krimi, paaftësia mendore a fizike ose akte e sjellje që diskreditonin figurën e gjyqtarit/prokurorit[1].

       

      1. Me Reformën në Drejtësi të vitit 2016, mekanizmat inspektues të veprimtarisë së gjyqtarëve dhe të prokurorëve u ndryshuan rrënjësisht. Në Analizën e Sistemit të Drejtësisë, Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë kritikonte ndikimin e papërshtatshëm politik në KLD, mbivendosjen e inspektimeve dhe ekskluzivitetin e nismës së procedimit disiplinor që kishte Ministri[2]. Në vijim, ky Grup ka vërejtur se “hetimi disiplinor është pjesërisht nën ombrellën e ekzekutivit dhe pjesërisht në ombrellën e Inspektoratit të KLD-së, i cili ushtron funksionin e tij nën mbikëqyrjen e nënkryetarit të KLD-së. Rregullat procedurale janë të dobëta dhe nuk përkojnë plotësisht me standardet ndërkombëtare”[3]. Ndërsa për prokurorët konstatohej “Masat disiplinore në ngarkim të prokurorëve merren vetëm nga Prokurori i Përgjithshëm. Roli i Këshillit të Prokurorisë është vetëm këshillues dhe nuk korrespondon me rolin e KLD-së në gjyqësor. Ligji nuk përcakton sanksionet konkrete që zbatohen në rastin e mosdeklarimit të gjendjes së konfliktit të interesit nga ana e drejtuesit në konflikt. Kontrolli i jashtëm nga MD-ja është konsideruar si i papërshtatshëm, jo vetëm sepse në disa raste është provuar si i motivuar politikisht, por edhe sepse ky inspektim nuk mund të hyjë dot në themelin e çështjes. Efektiviteti dhe cilësia e kontrollit të veprimtarisë së prokurorëve ka mangësi” [4].

       

      1. Ndryshimet kushtetuese të miratuara në gusht 2016, krijuan Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, të cilit iu dha kompetenca për hetimin dhe fillimin disiplinor të gjyqtarëve dhe të prokurorëve të të gjitha niveleve (neni 147/d i Kushtetutës). Ndryshimet kushtetuese u reflektuan tek Ligji për Statusin, i cili nga njëra anë përmblodhi në një ligj të vetëm rregullat e karrierës së gjyqtarëve dhe të prokurorëve, si dhe nga ana tjetër, përcaktoi dhe reformoi procedurën disiplinore, duke përcaktuar rregulla të detajuara për ?do hap të procedurës disiplinore. Në relacionin shpjegues të Ligjit për Statusin është evidentuar se: “Procedimi disiplinor rikonceptohet si një sistem garantues ku janë të ndara përgjegjësitë e institucionit që kryen hetimin, institucionit që merr vendimin dhe institucionit që shqyrton ankimin e ushtruar ndaj vendimeve për masa disiplinore, duke i garantuar magjistratit në të gjitha hallkat e kësaj procedure, të drejtën për një proces të rregullt” [5] dhe se: “Në projektligj, përcaktohet gjithashtu fillimi i procedurës disiplinore që realizohet nga Këshilli përkatës (Gjyqësor ose i Prokurorisë). Nëse Inspektori i Lartë i Drejtësisë është i bindur që ka shkaqe të arsyeshme për të besuar që një magjistrat ka patur sjellje të papërshtatshme, depoziton pranë Këshillit kërkesën për të filluar procedimin disiplinor së bashku me dosjen hetimore” [6].

       

      1. Në vijim, në relacionin shpjegues parashtrohet se “bazuar në standartet ndërkombëtare, projektligji përcakton në mënyrë të qartë dhe objektive dispozitat materiale dhe proceduriale lidhur me procedimin disiplinor ndaj magjistratëve. Standardet ndërkombëtare rekomandojnë që parashikimet normative të mos lenë hapësirë për paqartësi ose dykuptueshmëri, pasi në të kundërtën masat disiplinore nuk i shërbejnë qëllimit të tyre në funksion të llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë së magjistratëve, por mund të përdoren në mënyrë abuzive si një mjet për të cënuar pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqësorit”[7].

       

      [1] Shih nenet 140 dhe 149 pika 2 të Kushtetutës, përpara ndryshimit me ligjin nr. 76/2016

      [2] Shih Analizën e Sistemit të Drejtësisë, Qershor 2015, në

      http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf vizituar për herë të fundit më 30.01.2018, faqe 105

      [3] Shih Analizën (nr. 4), faqe 73

      [4] Shih Analizën (nr. 4), faqe 169

      [5] Shih faqen 5 të këtij relacioni në https://www.parlament.al/wp-content/uploads/2016/07/Relacioni-1.pdf, , vizituar për herë të fundit më 22.02.2018

      [6] Shih faqen 13 të Relacionit (nr.7)

      [7] Shih  faqet 7-8 të Relacionit (nr. 7)

      1. Dokumentet bazë ndërkombëtare të përdorura për konceptimin dhe përfshirjen e rregullave për përgjegjësinë disiplinore tek Ligji për Statusin, siç citohet edhe në relacionin shpjegues, janë Raporti i ENCJ “Standardet Minimale Gjyqësore V, Procedimet disiplinore dhe përgjegjësia e gjyqtarëve”, dhe Opinionin nr. 3(2002) i Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropianë, mbi rregullat dhe parimet që normojnë sjelljen profesionale të gjyqtarëve, në veçanti etikën, paanshmërinë dhe papajtueshmërinë me detyrën. Këto dokumente vendosin theksin kryesor tek parimi i ligjshmërisë së procedimit disiplinor, duke kërkuar që organi hetimor i përgjegjësisë disiplinore dhe procedurat e veprimit e të vendimmarrjes së tij, duhet të përcaktohen me ligj.

       

      1. Këshilli Konsultativ i Gjyqtarëve Evropianë në Opinionin nr. 3(2002) ka sjellë në vëmendje të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës parimet dhe rregullat që udhëheqin sjelljen profesionale të gjyqtarëve, në ve?anti ato për etikën, sjelljen e papajtueshme dhe të paanësisë. Në paragrafin 77 të këtij Opinioni thuhet “ii) Lidhur me përgjegjësisë disiplinore, KKGjE (CCJE) vlerëson se përsa i takon fillimit të procedimit disiplinor, shtetet duhet të parashikojnë një person ose organ specifik me përgjegjësinë për pritjen e ankesave, për të siguruar përfaqësimin e gjyqtarit dhe për të shqyrtuar nëse ka apo jo shkaqe të mjaftueshme kundër gjyqtarit për të filluar një procedim të tillë; iii) mbi ?do procedim disiplinor i filluar duhet të vendosë një tribunal ose autoritet i pavarur, që zbaton një procedurë që garanton të drejta të plota të mbrojtjes”.

       

      1. Raporti i ENCJ “Standardet Minimale Gjyqësore V, Procedimet disiplinore dhe përgjegjësia e gjyqtarëve”, i miratuar në Hagë 5 Qershor 2015 është në të njëjtën linjë për këtë ?ështje, kur përcakton standardet 6 dhe 7[1].

       

      [1] Shih Raportin e ENCJ “Standardet Minimale Gjyqësore V, Procedimet disiplinore dhe përgjegjësia e gjyqtarëve”, 5 Qershor 2015, në

      https://www.encj.eu/images/stories/pdf/GA/Hague/encj_report_minimum_standards_v_adopted_ga_june_2015.pdf, versioni në gjuhën angleze vizituar për herë të fundit më 30.01.2018, faqe 40.

  • Raporte, opinione, rekomandime dhe deklarata 

    Rrjeti Evropian i Këshillave të Gjyqësorit, Standardet Minimale Gjyqësore V: Procedimet disiplinore dhe përgjegjësia e gjyqtarëve, 5 Qershor 2015 (Versioni në gjuhën angleze https://www.encj.eu/images/stories/pdf/GA/Hague/encj_report_minimum_standards_v_adopted_ga_june_2015.pdf, vizituar për herë të fundit në datën 30.01.2018); 

    Këshilli Konsultativ i Gjyqtarëve Evropianë, Opinioni Nr. 3(2002) për rregullat dhe parimet e qeverisjes së sjelljes profesionale të gjyqtarëve, veçanërisht etikës, paanshmërisë dhe papajtueshmërisë me detyrën i Këshillit (Versioni në gjuhën angleze https://wcd.coe.int/ViewDoc.jsp?p=&Ref=CCJE=FEF2E0&BackColorIntranet=FEF2E0&BackColorLogged=c3c3c3&direct=true, vizituar për herë të fundit më 30.01.2018);

  • Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, Qershor 2015, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf, vizituar për herë të fundit më 30.01.2018; 

    Relacioni për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/relacioni-1.pdf , vizituar për herë të fundit më 30.01.2018.

  • Kushtetuta: 

    Neni 140 pikat 1, 2 dhe 3 “gjyqtari mban përgjegjësi disiplinore, sipas ligjit”; “gjyqtari shkarkohet kur” dhe “gjyqtari pezullohet nga detyra me vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor kur fillon procedimi disiplinor, sipas ligjit”; 

    Neni 148/d pikat 1, 2 dhe 3 “prokurori mban përgjegjësi disiplinore, sipas ligjit” dhe “prokurori shkarkohet kur” dhe “prokurori pezullohet nga detyra me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë kur fillon procedimi disiplinor, sipas ligjit”;

     Neni 147/a pika 1 shkronja b) dhe pika 2 “KLGj ... vendos për masat disiplinore ndaj gjyqtarëve të të gjitha niveleve” dhe “Ligji mund të parashikojë krijimin e komisioneve vendimmarrëse pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor” 

    Neni 149/a pika 1 shkronja b) dhe pika 2 “KLP ... vendos për masat disiplinore ndaj prokurorëve të të gjitha niveleve” dhe “Ligji mund të parashikojë krijimin e komisioneve vendimmarrëse pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë”; dhe

     Neni 147/d pika 1 “ILD është përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin me nismë  të shkeljeve dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve”. 

     

    Ligji: 

    Neni 2 shkronja ë), neni 100, neni 133, neni 134, neni 137, neni 139, neni 141, neni 142 dhe neni 172 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në RSh”; 

    Neni 62 dhe neni 162 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

  • Asnjë koment
  • Vendime të Gjykatës Kushtetuese 

    Vendimi nr. 34, datë 10.04.2017 të Gjykatës Kushtetuese, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Unioni i Gjyqtarëve, për kushtetutshmërinë e Ligjit për Statusin.

  • Asnjë koment
  • Ligje 

    Nenet 140 dhe 149 pika 2 të Kushtetutës, përpara ndryshimit me ligjin nr. 76/2016; 

    Neni 34 i ligjit nr. 9877/2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në RSh”, i ndryshuar; 

    Neni 31 pika 3 dhe 4 të nenit 31 të ligjit nr. 8811/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e KLD-së”, i ndryshuar; 

    Neni 8, pika 1 shkronja ‘h’, neni 10 pika 3 shkronja ‘a’, neni 28 dhe neni 56 pika 5 të ligjit nr. 8737/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në RSh”, i ndryshuar; 

    Neni 6 pika 10 e ligjit nr. 8678/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar.

Marsida Xhaferllari
Marsida Xhaferllari, Arta Vorpsi, Gent Ibrahimi, Alma Faskaj (Vokopola)