1. Ekzekutimi i vendimit të dënimit jo me burgim, të parashikuar prej këtij Kodi, zbatohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Provës.
2. I mituri vazhdon të vuajë dënimin jo me burgim ose me kusht të përcaktuar në vendimin e dënimit si i mitur edhe nëse ka mbushur moshën 18 vjeç para fillimit të ekzekutimit ose gjatë ekzekutimit të këtij vendimi. Në këtë rast, zbatohen dispozitat përkatëse të këtij Kodi.
3. Në rast të shkeljes së regjimit të përcaktuar për ekzekutimin e vendimit të dënimit jo me burgim nga një i mitur, Shërbimi i Provës harton një procesverbal paralajmërimi, i cili, sipas rastit, i dorëzohet ose i dërgohet me postë të dënuarit kundrejt vërtetimit të marrjes.
4. Nëse i mituri i shmanget vuajtjes së dënimit jo me burgim, dënimit me kusht ose kryerjes së një detyrimi, Shërbimi i Provës, pasi të ketë verifikuar faktet dhe rrethanat, i raporton prokurorit dhe, sipas rastit, i propozon ndryshimin e vendimit.
5. Prokurori, sipas rastit, mund t’i kërkojë gjykatës ndryshimin e vendimit.
6. Gjykata, gjatë shqyrtimit të kërkesës, dëgjon prokurorin, të miturin, mbrojtësin e tij dhe merr mendimin e përfaqësuesit të Shërbimit të Provës dhe përfaqësuesit ligjor të të miturit.
7. Me kërkesë të palës/ve, gjykata mund të shqyrtojë edhe prova të tjera.
8. Në këtë rast gjykata shprehet brenda një jave nga paraqitja e kërkesës.