KODI I PROCEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   7905

Neni 140: Njoftimi për herë të parë i të pandehurit të lirë

1Njoftimi për herë të parë i të pandehurit në gjendje të lirë bëhet duke i dorëzuar atij personalisht kopjen e aktit, së bashku me letrën e të drejtave, sipas nenit 34/a, të këtij Kodi. Kur nuk mund t’i dorëzohet personalisht, njoftimi bëhet në banesën e tij ose në vendin e punës, duke ia dorëzuar aktin një personi që bashkëjeton me të ose një fqinji, ose një personi që punon me të. Në aktin e njoftimit tregohen gjenealitetet e personit që merr përsipër njoftimin dhe lidhja e tij me të pandehurin.

2Kur vendet e treguara në paragrafin 1 nuk dihen, njoftimi bëhet në vendin ku i pandehuri ka banimin e përkohshëm ose vendin ku qëndron më shpesh, duke ia dorëzuar atë njërit prej personave të treguar në paragrafin 1.

3Kopja e njoftimit nuk mund t’i dorëzohet një të mituri nën 14 vjeç ose një personi me paaftësi të dukshme intelektuale.

4Nëse i pandehuri është i mitur, si rregull, ai njoftohet, nëpërmjet prindërve ose kujdestarit të tij, si dhe sipas legjislacionit të posaçëm për të miturit.

5Kur personat e treguar në paragrafin 1 mungojnë ose nuk janë të përshtatshëm, ose refuzojnë të marrin aktin atëherë procedohet me kërkimin e të pandehurit në vende të tjera. Në rast se edhe në këtë mënyrë nuk mund të bëhet njoftimi, akti depozitohet në qendrën administrative të lagjes ose të fshatit ku i pandehuri banon ose punon. Lajmërimi i depozitimit afishohet në portën e shtëpisë së të pandehurit ose të vendit ku punon, këndin e afishimit dhe në faqen e internetit të gjykatës. Ftuesi gjyqësor e lajmëron atë për depozitimin me letër rekomande me lajmërim marrje. Efektet e njoftimit rrjedhin që nga marrja e rekomandesë.

6Njoftimi i të pandehurit që kryen shërbimin ushtarak bëhet duke i dorëzuar aktin atij vetë dhe kur nuk mund të bëhet dorëzimi, akti i njoftohet komandës e cila detyrohet të lajmërojë menjëherë të interesuarin.

7Me aktin e njoftimit për herë të parë, organi procedues e fton të pandehurin të deklarojë ose të zgjedhë banesën apo vendin dhe mënyrën e njoftimeve të mëtejshme për efekte të procedimit. Për çdo ndryshim të tyre i pandehuri është i detyruar të njoftojë me shkrim ose të deklarojë përpara organit procedues.

Përmbajtja

      1. Nëpërmjet parashikimit të Nenit 140 të Kodit të Procedurës Penale, legjislatori ka synuar të ndërtojë një aspekt të veçantë të disiplinës së njoftimeve për herë të parë të të pandehurit në gjendje të lirë duke u mbështetur mbi bazën e statusit të tij personal. Neni 140 i Kodit të Procedurës Penale synon të garantojë praninë e të pandehurit në gjykim për të siguruar të drejtën e të pandehurit në gjendje të lirë për t’u informuar dhe për t’u njohur me akte të lëshuara në ngarkim të tij, me qëllim garantimin e plotë të të drejtave të tij procedurale në përgjithësi dhe të drejtës së tij për t’u mbrojtur dhe për të qenë i pranishëm në veçanti. E drejta e të pandehurit për t’u mbrojtur garantohet edhe nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, neni 31 i saj si edhe nga legjislacioni ndërkombëtar, si Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut (këtej e tutje KEDNJ) dhe konkretisht neni 6 i saj, si edhe nga Konventa Ndërkombëtare e të Drejtave Civile dhe Politike (këtej e tutje KNDCP), neni 14 i saj.
      1. Neni 140 rregullon veprimet që duhet të ndërmarrë organi procedues për të njoftuar për herë të parë të pandehurin në gjendje të lirë, duke pasur në konsideratë se njoftimi është instrumenti që përdor legjislatori për t’i bërë të njohur të pandehurit në gjendje të lirë, një akt apo një veprim që ka lidhje me procesin penal në ngarkim të tij.  
      1. Dispozita e re e nenit 140 ndryshon nga dispozita e vjetër në disa aspekte. Titulli i ri i nenit është “Njoftimi për herë të parë i të pandehurit të lirë” ndërsa i titulli i dispozitës së vjetër ishte “Njoftimi i të pandehurit të lirë”. Ky ndryshim në terminologji, duke futur konceptet “për herë të parë” dhe “gjendje” si edhe duke parë dhe ndryshimet e tjera në dispozitë, të cilat do të diskutohen më poshtë, reflekton qëllimin e ligjvënësit për të garantuar të drejtat proceduriale të të pandehurit[1] që në njoftimin e parë të tij, pra që në momentet e para që organi procedues disponon në lidhje me njoftimin e të pandehurit në gjendje të lirë. Ky qëllim reflektohet gjithashtu në parashikimin që njoftimi i kopjes së aktit të bëhet personalisht tek i pandehuri së bashku me letrën e të drejtave sipas parashikimeve të nenit 34/a të K.Pr.P.

       

      1. Në rastin e njoftimit të të pandehurit i cili ndodhet në gjëndje të lirë, dispozita parashikon në mënyrë të shprehur vendin se ku bëhet njoftimi (bansesa apo vendi i punës) në rastin kur dorëzimi personalisht është i pamundur si edhe një rend preferencial të personave të cilëve duhet t’iu dorëzohet kopja e aktit që njoftohet. Kjo do të thotë se, në rast se, organi i ngarkuar me realizimin e njoftimit i dorëzon kopjen e aktit një personi pa respektuar këtë rend preferencial (rend zbritës përjashtues), apo pa respektuar radhën e veprimeve të parashikuara në nenin 140, pika 1, njoftimi konsiderohet sikur nuk është kryer. Gjithashtu, në këto kushte gjykata nuk mund të deklarojë mungesën e të pandehurit dhe të vazhdojë me gjykimin në mungesë sipas dispozitave të nenit 352 K.Pr.Penale. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe Gjykata Kushtetuese e cila është shprehur se: “Dispozitat procedurale për njoftimet vendosin një rend të caktuar për mënyrën e njoftimit të akteve për të pandehurin, prandaj duhet respektuar rendi sipas preferencës ligjore për këtë qëllim. Me këtë detyrim të organeve përkatëse shtetërore, për të njoftuar në mënyrë rigoroze të pandehurin dhe për të provuar se ai i fshihet drejtësisë, është e lidhur e drejta e tij për të marrë pjesë në gjykim, si dhe e drejta e gjykatës për të vendosur për gjykimin e tij në mungesë kur janë respektuar në mënyrë rigoroze dispozitat për njoftimin”.[2] Me të njëjtën llogjikë, Gjykata Kushtetuese ka theksuar se shkelja e rregullave të parashikuara në nenin 140 të K.Pr.Penale e bëjnë procesin të parregullt, në kuptim të nenit 42/1 të Kushtetutës dhe në shkelje të garancive të parashikuar në nenin 6 KEDNJ.[3]

       

      1. Në ndryshim nga dispozita e mëparshme, neni 140 i Kodit të Procedurës Penale në fuqi, pika 1, parashikon edhe se çfarë duhet të përmbajë akti i njoftimit dhe konkretisht, gjenealitetet e personit që merr përsipër njoftimin dhe lidhjen e tij me të pandehurin. Nëpëmjet këtij parashikimi, legjislatori synon të disiplinojë procesin e njoftimit të të pandehurit në gjendje të lirë, në rastet kur njoftimi nuk është i mundur të bëhet personalisht. Dispozita kërkon respektimin e disa elementëve që kanë lidhje me saktësinë e aktit që do të njoftohet dhe respektimin i rregullave për njoftimin e tij, elementë të cilët janë kusht i domosdoshëm për vlefshmërinë e njoftimit. Shkelja e tyre sjell pavlefshmërinë e njoftimit dhe kosiderohet sikuar ai nuk është bërë.[4]

       

      1. Sipas parashikimeve të pikës 3 të nenit 140 të Kodit të Procedurës Penale, kopja e njoftimit nuk mund t’i dorëzohet një të mituri nën 14 vjeç ose një personi me paaftësi të dukshme intelektuale. Kjo do të thotë se, në rast se organi që procedon me njoftimin, i dorëzon kopjen e aktit një personi pa u siguruar dhe pa verifikuar moshën e tij, apo një personi që sipas vlerësimit të tij ka paaftësi të dukshme intelektuale, përsëri njoftimi do të konsiderohet sikur nuk është kryer.[5]

       

      1. Pika 4 e nenit 140 të Kodit të Procedurës Penale ka parashikuar të drejtën e të pandehurit të mitur, si rregull, për t’u njoftuar nëpërmjet prindërve ose kujdestarit të tij, si dhe sipas legjislacionit të posaçëm për të miturit. Ky parashikim i ri i ligjvënësit është një garanci më shumë në raport me të pandehurin të mitur, parashikim i cili mungonte në nenin 140 të mëparshëm. Pavarësisht parashikimit të përgjithshëm të nenit 2 të K.Pr.Penale, ligjvënësi në rastin konkret ka preferuar t’i sigurojë një mbrojtje të posaçme të pandehurit të mitur edhe në lidhje me rregullat procedurale, përsa i takon njoftimit sipas kushteve dhe parashikimeve të nenit 140 të tij si edhe sipas legjislacionit të posacëm për të miturit. Parashikimi është në përputhje me Kushtetutën,   dhe standardet e normat e tjera ndërkombëtare që kanë për qëllim mbrojtjen e të miturit dhe mbrojtjen efektive të interesit më të lartë të të miturit. Ky parashikim është në përputhje të plotë me parashikimet e nenit 19 të ligjit nr. 37/2017 “Kodi i Drejtësësë Penale për të Mitur”.

       

      1. Pika 5 e nenit 140 rregullon rastet kur personat e treguar në paragrafin 1, mungojnë ose nuk janë të përshtatshëm, ose refuzojnë të marrin aktin. Në këto kushte procedohet me kërkimin e të pandehurit në vende të tjera. Qëllimi edhe në këtë rast ka lidhje me bërjen e normës të zbatueshme në praktikë. Gjithësesi, zbatimi në praktikë i dispozitës në fjalë, duhet të bëhet nga organi procedues duke shmangur abuzimet e mundshme në lidhje me termin “në vende të tjera”. Organi që procedon me këtë terminologji duhet të ketë në konsideratë orientimin që ka dhënë ligjvënësi në vetë nenin 140 në tërësi, që do të thotë se organi procedues duhet të ndjekë në mënyrë rigoroze rregullat për njoftimin të parashikuara nga neni 140 sipas një rendi zbritës përjashtues dhe jo tej parashikimeve të tij.

       

      1. Në rast se kërkimi i të pandehurit në vende të tjera rezulton i pasuksesshëm, atëherë ligji parashikon që akti të depozitohet në qendrën administrative të lagjes ose të fshatit ku i pandehuri banon ose punon. Lajmërimi i depozitimit afishohet në portën e shtëpisë së të pandehurit ose të vendit ku punon, këndin e afishimit dhe në faqen e internetit të gjykatës, i cili përbën një element të ri në krahasim me dispozitën e vjetër. Ky parashikim reflekton zhvillimin e teknologjisë dhe qëllimin për të përdorur atë edhe në rastet e njoftimeve. Edhe në këtë rast, organi zbatues i dispozitës duhet të mbajë në konsideratë se lajmërimi i depozitimit duhet të afishohet në faqen e internetit të gjykatës që procedon rastin konkret.

       

      1. Përveç kushteve të vlefshmërisë së njoftimit, të diskutuara më sipër, vlen të përmenden edhe disa kushte të tjera të parashikuara në pikën 5 të nenit 140. Mungesa e afishimit në portën e shtëpisë së të pandehurit ose të vendit ku punon, këndin e afishimit dhe në faqen e internetit të gjykatës, të lajmërimit të depozitimit të aktit në qendrën administrative të lagjes ose të fshatit ku i pandehuri në gjëndje të lire banon ose punon, e bën njoftimin të pavlefshëm. Edhe nënshkrimi i personit që merr përsipër të bëjë njoftimin kur, akti që do të njoftohet, nuk i është dorëzuar personalisht të pandehurit, pasi nuk ka qenë e mundur, është element vlefshmërie. Ligji e ka bërë këtë parashikim për dy arsye: Së pari, nënshkrimi është element tregues i vullnetit dhe përgjegjësisë që merr përsipër personi, të cilit i dorëzohet kopja e aktit që do të njoftohet, se ai me vullnetin e tij do ta realizojë njoftimin e personit që duhet të njoftohet. Së dyti, nënshkrimi i personit që merr përsipër njoftimin është edhe një tregues më shumë, se i pandehuri ka marrë dijeni për aktin apo veprimin që duhej t’i njoftohet. Evidentimi i këtij nënshkrimi përveç sigurisë ka edhe një efekt tjetër sepse e lehtëson punën e gjykatës në këtë drejtim duke ia bërë më të thjeshtë verifikimin nëse i pandehuri ka marrë dijeni për një akt apo veprim të caktuar ose jo.[6] Megjithatë, siç bëhet e qartë edhe nga jurisprudenca e GJEDNJ-së, e diskutuar më poshtë,[7] gjykata nuk duhet të ketë një përqasje formale në këtë aspekt, sidomos sa i përket gjykimit në mungesë. Kjo do të thotë se nënshkrimi i personit që merr përsipër njoftimin e të pandehurit, nuk duhet të çojë në nxerrjen e një përfundimi automatik nga gjykata, se i pandehuri është njoftuar.

       

      1. Edhe praktika gjyqësore shqiptare[1] kërkon që mosrespektimi i rregullave të njoftimit sjell pavlefshmëri absolute të procesit dhe të vendimit përfundimtar në bazë të nenit 128/1 germa “c” të Kodit të Procedurës Penale dhe në pamundësi të riparimit të pasojës që shkakton kjo lloj pavlefshmërie sipas paragrafit të dytë të nenit të sipërcituar, çështja do të rigjykohet. 

       

      1. Sipas pikës 7 të nenit 140 të Kodit të Procedurës Penale, me aktin e njoftimit për herë të parë, organi procedues e fton të pandehurin të deklarojë ose të zgjedhë banesën apo vendin dhe mënyrën e njoftimeve të mëtejshme për efekte të procedimit. Për çdo ndryshim të tyre i pandehuri është i detyruar të njoftojë me shkrim ose të deklarojë përpara organit procedues. Në këtë mënyrë ligjvënësi ka parashikuar edhe një rol aktiv të organit procedues të njoftimit për të ftuar të pandehurin që të deklarojë banesën e tij për efekt të procedimit në tërësi dhe të njoftimeve në veçanti.

       

      [1] Vendim Nr. 58, datë 27.1.2010, i pandehur  Islam Karemani, Mirjeta Bregu (KPGJL)

       

      [1] Shih paragrafin 2 me sipër.

      [2] Vendim nr. 30, date 17.06.2010, Shfuqizimi i nenit 48, paragrafi i tretë dhe i nenit 410, paragrafi i dytë i Kodit të Procedurës Penale si të papajtueshëm me nenin 43 të Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë, para. 34.   

      [3] Vendimi nr. 9, datë 22.02.2001 të Gjykatës Kushtetuese, “Shfuqizimi si antikushtetues i vendimeve penale nr.97, datë 02.04.1999 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe nr.670, datë 01.11.1999 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”, para. i fundit

      [4] Komentar i K.Pr.Penale, Halim Islami, Artan Hoxha, Ilir Panda, Tiranë, botim i vitit 2010, faqe 191

      [5] Komentar i Kodit të Procedurës Penale Halim Islami, Ata Hoxha, Ilir Panda, Tiranë, Botim i vitit 2010, faqe 191.

      [6] Vendim nr. 30, date 17.06.2010, Shfuqizimi i nenit 48, paragrafi i tretë dhe i nenit 410, paragrafi i dytë i Kodit të Procedurës Penale si të papajtueshëm me nenin 43 të Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë, para. 34.   

      [7] Shih rubrikën “Vendime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”. 

      [8] Vendim Nr. 58, datë 27.1.2010, i pandehur  Islam Karemani, Mirjeta Bregu (KPGJL)

      1. Grupi i ekspertëve[1] i angazhuar nga Kuvendi në kuadër të reformës në drejtësi konstatoi, se dispozitat që rregullonin njoftimin për herë të parë i të pandehurit të lirë, nuk ishin në përputhje të plotë me standardet e jurisprudencës së Gjykatës Evopiane për të Drejtat e Njeriut. Në këtë kuadër u konsiderua i nevojshëm edhe ndryshimi i nenit 140 të Kodit të Procedurës Penale.

       

      [1] Dokumenti Analizë e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, Qershor 2015, faqe 87, paragrafi 4.2.5

      “Efikasiteti nëpërmjet së drejtës procedurale Problemet në lidhje me njoftimin e dokumenteve vazhdojnë të ekzistojnë dhe kanë nevojë për zgjidhje. Në Shqipëri njoftimi i besueshëm i dokumenteve ende është problem në një numër të konsiderueshëm rastesh, në qoftë se i padituri nuk është i regjistruar ose nuk gjendet ose nuk ka një adresë postare. Ky nuk është vetëm një problem i regjistrimit të qytetarëve. Në Kodet e Procedurës mungojnë dispozita specifike që të mundësojnë një gamë të gjerë të njoftimit të vlefshëm”.

    • Asnjë koment
    1. Çështjet e trajtuara më sipër nga parashikimet e nenit 140 të K.Pr.Penale kanë marrë edhe vëmëndjen e GJEDNJ-së në një sërë rastesh. Kështu, GJEDNJ është shprehur se është detyrë e gjykatës (që procedon) për t’i garantuar të pandehurit, përfshirë edhe të pandehurin në gjendje të lirë, praninë në seancë, si gjatë procedurës për herë të parë ashtu edhe gjatë procesit në ngarkim të tij (Sejdovic)[1]. Në të njëjtën linjë arsyetimi, GJEDNJ, ka theksuar se autoriteti që procedon, nuk duhet të shpallë të pandehurin në mungesë thjesht duke u nisur nga fakti që ai nuk është gjendur në një adresë të caktuar, (Colozza).[2] Pra, përqasja formale ndaj njoftimit është e papranueshme për GJEDNJ dhe autoriteti që procedon duhet të ndërmarrë të gjithë hapat e arsyeshëm për të njoftuar të pandehurin.

     

    [1] Sejdovic k. Italisë, 24.03.2005, Nr. i aplikimit 9808/02, para. 84.

    [2] Colozza k. Italisë, 12.02.1985, Nr. i aplikimit 9024/80, para 48.

  • ANALIZË E SISTEMIT TË DREJTËSISË NË SHQIPËRI Qershor, 2015

  • Kodi i Procedurës Penale:

    Neni 128

    Neni 128/a

    Neni 137

    Neni 138

    Neni 143

    Neni 352.

  • Asnjë koment
  • Vendime të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë

    Vendimi nr. 9, datë 22.02.2001;

    Vendimi nr. 17, datë 4.4.2001;

    Vendimi nr. 23, datë 23.4.2001.

    Vendime të Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë

    Vendim nr. 58, datë 27.1.2010, I pandehur: Islam Karemani, Mirjeta Bregu (KPGJL);

    Vendime të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut

    Colozza k. Italisë, 12.02.1985, Nr. i aplikimit 9024/80;

    Sejdovic k. Italisë, 24.03.2005, Nr. i aplikimit 9808/02;

  • Komentar i Kodit të Procedurës Penale Halim Islami, Ata Hoxha, Ilir Panda, Tiranë, Botim i vitit 2010.

  • Asnjë koment
Idlir Peçi
Idlir Peçi, Koraljka Bumči