1Kur i pandehuri në gjendje të lirë, me gjithë kërkimet, sipas neneve 140 -142, të këtij Kodi, nuk paraqitet në seancë dhe rezulton se nuk ka marrë dijeni personalisht për gjykimin, gjykata vendos pezullimin e tij dhe urdhëron policinë gjyqësore të vazhdojë kërkimin e të pandehurit. Me kalimin e një viti nga data e pezullimit të gjykimit për këtë shkak, si dhe në çdo moment kur ka informacione për vendndodhjen e të pandehurit, gjykata rifillon gjykimin, duke urdhëruar përsëritjen e njoftimit. Kur edhe pas kërkimeve të kryera rishtazi i pandehuri nuk gjendet, gjykata deklaron mungesën. Në këtë rast gjykimi zhvillohet në praninë e mbrojtësit.
2Kur provohet se i pandehuri i fshihet drejtësisë, gjykata deklaron mungesën. Në këtë rast gjykimi zhvillohet në praninë e mbrojtësit.
3Gjykata deklaron mungesën edhe kur provohet se i pandehuri ndodhet jashtë vendit dhe ekstradimi i tij nuk është i mundur.
4Vendimi që deklaron mungesën është i pavlefshëm kur provohet se ajo ka ardhur nga pamundësia absolute për t’u paraqitur.
5Kur i pandehuri paraqitet pas shpalljes së vendimit të mungesës, gjykata e revokon atë. Kur i pandehuri paraqitet pasi shqyrtimi gjyqësor është deklaruar i mbyllur, ai mund të kërkojë të pyetet. Mbeten të vlefshme veprimet e kryera më parë, por kur i pandehuri e kërkon dhe gjykata e çmon të nevojshme për marrjen e vendimit, mund të vendosë riçeljen e shqyrtimit gjyqësor dhe marrjen e provave të kërkuara nga i pandehuri ose përsëritjen e veprimeve procedurale.
6Gjykimi në mungesë nuk zhvillohet për të pandehurin e mitur. Në këtë rast, pasi ka bërë kërkimet, sipas neneve 140 – 142, të këtij Kodi, gjykata, vendos pezullimin e gjykimit. Zbatohen për aq sa janë të pajtueshme rregullat e paragrafit 1 të këtij neni.