KODI I PROCEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   7905

Neni 247: Kërkimi i personit që nuk gjendet

1Kur personi ndaj të cilit është marrë masa nuk gjendet, oficeri ose agjenti i policisë gjyqësore mban procesverbal, në të cilin tregon kërkimet e bëra dhe ia dërgon atë gjykatës që ka dhënë vendimin.

2Kur gjykata çmon se kërkimet janë bërë të plota, deklaron ikjen e personit.

3Me aktin që deklaron ikjen, gjykata i cakton personit që ka ikur një mbrojtës dhe urdhëron që të depozitohet në sekretari kopja e vendimit me të cilin është caktuar masa e zbatuar.

3-1I ikur konsiderohet personi që megjithëse ka dijeni, i shmanget me vullnet zbatimit të masave të sigurimit, të parashikuara nga nenet 233, 235, 237 dhe 238 të këtij Kodi, ose dënimit me burgim.

3-2Pasojat procedurale të ikjes veprojnë vetëm brenda procedimit për të cilin ajo është deklaruar. Gjendja e ikjes ruhet derisa masa e sigurimit ekzekutohet, revokohet, humbet fuqinë, ose kur shuhet vepra penale apo dënimi për të cilin është vendosur masa.

4Me të ikurin barazohet, për çdo efekt, i larguari nga vendi ku ruhet.

5Për të lehtësuar kërkimin e personit të ikur, gjykata mund të urdhërojë përgjimin e bisedave telefonike dhe të formave të tjera të komunikimit.

Përmbajtja

      1. Neni 247 i Kodit të Procedurës Penale kanë për qëllim saktësimin e rasteve kur personi ndaj të cilit është marrë një masë sigurie deklarohet i ikur.
      1. Neni 247 i Kodit të Procedurës Penale rregullon veprimet që duhet të ndërmarrë oficeri apo agjenti i policisë gjyqësore dhe më pas gjykata për të deklaruar si të ikuronform ligjit të pandehurin. Ligjvënësi kujdeset që edhe në këtë aspekt të jetë gjykata ajo që pasi i ka çmuar kërkimet e bëra të plota, me të drejtë do të duhet të deklarojë ikjen e të pandehurit duke i ngarkuar detyrën e mbrojtjes avokatit të caktuar. Dispozitat e nenit 247 të K.Pr.Penale janë sa materiale apo aq edhe procedurale.
      1. Paragrafi i parë i nenit 247 i Kodit të Procedurës Penale kërkon që kur personi ndaj të cilit është marrë masa nuk gjendet, oficeri ose agjenti i policisë gjyqësore mban procesverbal, në të cilin tregon kërkimet e bëra dhe ia dërgon atë gjykatës që ka dhënë vendimin. Nëpërmjet këtij parashikimi ligjvënësi ka parashikuar detyrimin ligjor për oficerin apo agjentin e policisë gjyqesore që do të ekzekutojë urdhërimin e gjykatës në lidhje me masën e sigurisë të dhënë prej saj duke e pasqyruar këtë fakt në procesverbalin përkatës në të cilin do të duhet të përshkruajë të gjitha veprimet e bëra në lidhje me kërkimin e personit ndaj të cilit është marrë masa.

       

      1. Të gjitha veprimet e kryera nga ana e oficerit apo agjentit të policisë gjyqësore në lidhje me kërkimin e personit ndaj të cilit gjykata përkatëse ka dhënë një masë, sipas parashkimeve të paragrafit të dytë të nenit 247 të K.Pr.Penale do të duhet të vlerësohen nga gjykata nëse këto kërkime janë bërë të plota apo jo. Në rast se gjykata çmon se kërkimet janë kryer të plota atëherë gjykata deklaron ikjen e personit dhe cakton mbrojtës si dhe urdhëron që të depozitohet në sekretari kopja e vendimit me të cilin është caktuar masa e zbatuar. Detyrimi i mësipërm për gjykatën është një garanci më shumë për të pandehurin të deklaruar si të ikur që të mbrohet. E drejta për t’ u mbrojtur është një e drejtë kushtetuese e parashikuar në nenin 31 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë si edhe në nenin 6 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Sa më sipër është në përputhje edhe me parashikimet e nenit 14 të Konventës Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike. Kjo çështje ka marrë vëmendje të posaçme edhe nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë e cila në vendimin[1] e saj nr. 37, datë 24.12.2010 është shprehur se: “që e drejta e mbrojtjes të jetë reale, efektive dhe jo vetëm teorike ushtrimi i saj nuk duhet të pengohet, por përkundrazi gjykata duhet të marrë të gjitha masat ligjore që në funksion të procesit të drejtë, […] duhet t’i japë atij mundësinë të bëjë mbrojtje reale, duke respektuar barazinë e armëve”.

       

      1. Në jurisprudencën e saj Gjykata Kushtetuese ka theksuar se veçanërisht në procesin penal, barazia e armëve, kontradiktoriteti dhe, lidhur ngushtë me këto, realizimi i mbrojtjes së të pandehurit, garatuar shprehimisht nga neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6 i Konventës Evropiane i të Drejtave të Njeriut, përbëjnë në vetvete elementet më thelbësorë të procesit të rregullt ligjor në kuptimin kushtetues.

       

      1. Jemi në fazën e hetimeve paraprake, pra kur është dhënë masa e sigurisë. Kjo do të thotë që deklarimi i ikjes nuk barazohet me gjykimin në mungesë. Për më tepër, duke ndjekur parashikimet e nenit 141 paragrafet 2 dhe 3 të Kodit të Procedurës Penale rezulton se efektet e mungesës në hetimet paraprake shuhen me mbylljen e hetimeve. Gjithashtu, parashikimet e nenit 332/b e përforcojnë këtë intepretim. Sipas kësaj dispozite, gjykata ka për detyrë të verifikojë paraqitjen e palëve dhe të urdhërojë ripërsëritjen e njoftimeve në rastet e parashikuara në dispozitë. E njëjta gjë mund thuhet dhe për nenet 350-352 të Kodit të Procedurës Penale, te cilët në frymën e tyre të përgjithshme kërkojnë një qasje jo formale ndaj pranisë së të pandehurit.

       

      1. Me ligjin nr. 35/2017, në nenin 247, pas paragrafit të tretë është shtuar paragrafi 3/1 nëpërmjet të cilit ligjvënësi jep përkufizimin e personit të ikur duke u konsideruar si të tillë personi që megjithëse ka dijeni, i shmanget me vullnet zbatimit të masave të sigurimit, të parashikuara nga nenet 233 (Ndalimi i daljes jashtë shtetit), 235 (Ndalimi dhe detyrimi i qëndrimit në një vend të caktuar), 237 (Arresti në shtëpi) dhe 238 (Arresti në burg) të Kodit të Procedurës Penale, ose dënimit me burgim. Synimi i ligjvënësit npërmjet këtij parashikimi është të disiplinojë fushën e zbatimit të konceptit të të ikurit duke e shtrirë atë vetëm brenda rasteve të parashikuara nga vetë dispozita dhe jo më tej.

       

      1. Elementi “ka dijeni” në këtë dispozitë ka të bëjë më doktrinën e heqjes dorë në përgjithësi. Pra prezumohet se i pandehuri ka marrë dijeni në lidhje me vendimin për caktimin e masës së sigurisë apo të dënimit. Marrja dijeni e të pandehurit do të duhet të bëhet në përpuhtje me parashikimet e nenit 246 të Kodit të Procedurës Penale.

       

      1. “Me vullnet” do të thotë që e ka kuptuar se cfarë detyrimi ka si dhe pasojat e shmangies me vullnet të plotë të zbatimit të masës. Në këtë kontekst, është detyrë e gjykatës që të çmojë si përmbushjen e detyrimeve dhe urdhërimeve ligjore të kësaj dispozite nga ana e oficerit apo agjentit të policisë gjyqësore ashtu sikurse edhe të kujdeset që po gjykata të caktojë avokatin mbrojtës që do të përfaqësojë interesat e të pandehurit të deklaruar tashmë me vendim gjykate si “i ikur”.

       

      1. Sipas parashikimit të paragrafit 3/2, i shtuar pas paragrafit 3/1 me ligjin nr, 35/2017, pasojat procedurale të ikjes veprojnë vetëm brenda procedimit për të cilin ajo është deklaruar. Gjithashtu, ligjvënësi është kujdesur të parashikojë edhe afatin brenda të cilit ruhet gjendja e ikjes duke parashikuar se gjendja e ikjes ruhet derisa masa e sigurimit ekzekutohet, revokohet, humbet fuqinë, ose kur shuhet vepra penale apo dënimi për të cilin është vendosur masa. Parashikimi i mësipërm ka për qëllim shmangjen e abuzimeve në praktikën e zbatimit të masave të sigurimit të urdhëruara nga gjykata. Gjendja e ikjes natyrshëm përfundon në momentin kur masa e sigurimit ekzekutohet. Revokimi i masës së sigurimit nga ana e gjykatës do të thotë se masa e sigurimit nuk ekziston më. Në përputhje me parashikimet e nenit 260 të Kodit të Procedurës Penale gjykata mund të revokojë masën shtrënguese apo ndaluese kur del se mungojnë kushtet dhe kriteret e zbatimit të tyre. Në këto kushte bie edhe koncepti i gjendjes së ikjes i deklaruar nga gjykata pikërisht për efekt të zbatimit të masës së sigurisë. Shuarja e veprës penale është parashikuar në Kodin e Procedurës Penale në nenin 290 të tij si një ndër shkaqet që nuk lejojnë fillimin e procedimit dhe nëse ai ka filluar duhet të pushohet në çdo gjendje të tij nëse verifikohet kjo rrethanë. Nën këtë parashikim, natyrshëm gjendja e ikjes e deklaruar nga ana e gjykatës për një vepër penale të caktuar nuk mund të vazhdojë më përderisa vepra penale për të cilën ajo është vendosur nuk ekziston më.

           

      1. Paragrafi i katërt i nenit 247 të Kodit të Procedurës Penale barazon juridikisht për çdo efekt të ikurin me të larguarin nga vendi ku ruhet. Kjo do të thotë që ikja deklarohet edhe në rastet kur personi i cili vuan masën e sigurisë, i shmanget asaj me vullnet.

       

      1. Paragrafi i pestë i nenit 247 të Kodit të Procedurës Penale parashikon mundësinë për gjykatën që për të lehtësuar kërkimin e personit të ikur, të urdhërojë përgjimin e bisedave telefonike dhe të formave të tjera të komunikimit. Përgjimi si mjet i kërkimit të provës është parashikuar në nenet 221 deri 226 të Kodit të Procedurës Penale. E drejta e fshehtësisë së bisedimeve dhe komunikimeve mund të kufizohet vetëm në rastet dhe në mënyrën e parashikuar me ligj. Parashikimi i paragrafit të pestë të nenit 247 është përfshirë nga vetë ligjvënësi si një ndër rastet e kufizimit të kësaj të drejte.

       

      [1] Vendim nr. 37, datë 24.12.2010, Ilmir Hajdari, Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën i vendimit nr.279, datë 04.06.2008 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë; Nr.1515/741/112 i Regj. Themeltar Nr.279 i Vendimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. 

      1. Dokumentin Strategjia e Reformës në Sistemin e Drejtësisë, miratuar me vendimin nr.15, datë 30.07.2015 të Komisionit të Posaçëm, ndër objektivat e parashikuara në fushën e drejtësisë penale janë: (1) Rritja e efiçiencës dhe efektivitetit të drejtësisë penale nëpërmjet konsolidimit të misionit dhe funksioneve të prokurorisë, si dhe përmes riorganizimit të strukturave të saj dhe rishpërndarjes së përgjegjësive mes tyre (2) Forcimi i garancive procedurale në fazën e hetimeve paraprake dhe gjatë gjykimit në shkallë të parë dhe në apel; (3) Forcimi dhe përmirësimi i statusit dhe pozitës juridike të viktimës në procesin penal. Këto objektiva u konkretizuan në Planin e Veprimit për zhvillimin e strategjisë, duke përcaktuar rishikimin e Kodit të Procedurës Penale edhe në nenin 247 (Kërkimi i personit që nuk gjendet), në kreun “Caktimi dhe zbatimi i masave të sigurimit”.
      1. Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut parashikon në nenin 6 (3) (c) të drejtën e personit nën hetim ose të pandehurit për t’u mbrojtur vetë ose nëpërmjet një mbrojtësi ligjor të zgjedhur prej tij. KEDNJ nuk shkon aq larg sa të kerkojë praninë e të pandehurit në shqyrtimin gjyqësor, siç është rasti i Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike.
  • Vendime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut

    1. Qëllimi i parashikimeve të nenit 247 të Kodit të Procedurës Penale është në përputhje me jurisprudencën e GJEDNJ e cila ka theksuar se autoriteti që procedon, nuk duhet të shpallë të pandehurin në mungesë thjesht duke u nisur nga fakti që ai nuk është gjendur në një adresë të caktuar, (Colozza)[1]. Pra përqasja formale ndaj njoftimit është e papranueshme për GJEDNJ dhe autoriteti që procedon duhet të ndërmarrë të gjithë hapat e arsyeshëm për të njoftuar të pandehuri.

     

    1. Gjithashtu, GJEDNJ është shprehur se është detyrë e gjykatës (që procedon) për t’i garantuar të pandehurit, përfshirë edhe të pandehurin në gjendje të lirë, praninë në seancë, si gjatë procedurës për herë të parë ashtu edhe gjatë procesit në ngarkim të tij (Sejdovic)[2]

     

    [1] Colozza k. Italisë, 12.02.1985, Nr. i aplikimit 9024/80.

    [2] Sejdovic k. Italisë, 24.03.2005, Nr. i aplikimit 9808/02, para. 84.

  • Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, Qershor 2015.

  • Kodi i Procedurës Penale:

    Neni 233

    Neni 235

    Neni 237

    Neni 238

  • Asnjë koment
  • Vendime të Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë

    Vendimit nr.279, datë 04.06.2008 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë; Nr.1515/741/112 i Regj. Themeltar Nr.279 i Vendimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

    Vendime të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë

    Vendim nr. 37, datë 24.12.2010, Ilmir Hajdari, Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën i vendimit nr.279, datë 04.06.2008 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë; Nr.1515/741/112 i Regj. Themeltar Nr.279 i Vendimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

    Vendime të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut 

    Sejdovic k. Italisë, 24 mars 2005, Nr. i aplikimit 9808/02;

    Colozza k. Italisë, 12 shkurt 1985, Nr. i aplikimit 9024/80.

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
Idlir Peçi
Idlir Peçi, Koraljka Bumči