KODI I PROCEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   7905

Neni 248: Marrja në pyetje e personit të arrestuar

1Jo më vonë se tri ditë nga zbatimi i masës, gjykata merr në pyetje personin për të cilin ka vendosur arrestin në burg ose në shtëpi. Për masat e tjera të sigurimit, shtrënguese ose ndaluese, gjykata procedon me marrjen në pyetje brenda pesë ditëve nga zbatimi i masës. Mbrojtja ka të drejtë të njihet me aktet dhe të marrë kopje të tyre.

2Nëpërmjet marrjes në pyetje, gjykata verifikon kushtet dhe kriteret e caktimit të masës dhe nevojat e sigurimit, të parashikuara nga nenet 228, 229 dhe 230 të këtij Kodi. Kur këto kushte nuk ekzistojnë, gjykata vendos revokimin ose zëvendësimin e masës. Në të kundërt, gjykata vendos vazhdimin e zbatimit të saj. Gjykata depoziton vendimin e arsyetuar brenda 48 orëve.

3Në pyetjen e të arrestuarit marrin pjesë prokurori dhe mbrojtësi, të cilët lajmërohen nga sekretaria e gjykatës.

4Gjatë debatit gjyqësor palët kanë të drejtë të paraqesin prova, me përjashtim të provave me dëshmitarë.

5Kur pyetja e të arrestuarit duhet të bëhet në gjykatën e një rrethi tjetër, gjykata kërkon që pyetja të bëhet nga një gjyqtar i asaj gjykate.

6Prokurori nuk mund të marrë në pyetje personin e arrestuar përpara se gjykata të procedojë, sipas paragrafit 1 të këtij neni.

Përmbajtja

      1. Norma synon të garantojë standartet e parashikuara nga Kushtetuta dhe KEDNJ-ja përsa i përket kontrollit gjyqësor të kufizimit të lirisë personale, kur ai vendoset në mënyrë të njëanshme, pa e dëgjuar personin ndaj të cilit është kërkuar masa.[1] Norma synon të rivendosë të drejtën e personit për t’u dëgjuar dhe për të paraqitur arsyet e tij, në kontradiktoritet të plotë me akuzën.[2]

       

      [1] Neni 244 para1 KPP

      [2] Parimi i kontradiktorialitetit, i cili shprehet në latinishte me lokucionin “audiatur et altera pars” (të dëgjohet edhe pala tjetër).

      1. Objekti i normës së parashikuar nga neni 248 është rregullimi i procedurës që kryen gjykata, në rastet kur ajo vendos një masë sigurimi personal, shtrënguese ose ndaluese, pa e dëgjuar paraprakisht personin e dyshuar. Dispozita normon detyrueshmërinë e marrjes në pyetje të personit nga gjykata, kohën e marrjes në pyetje, garantimin e mbrojtjes dhe mundësitë e ndryshimit të vendimmarrjes, pas marrjes së provave të parashtruara nga personi që i është kufizuar liria.
      1. Paragrafi 1 i nenit 248 vendos detyrimin e gjykatës që të procedojë me marrjen në pyetje të personit ndaj të cilit është caktuar çdo lloj mase sigurimi personal, shtënguese ose ndaluese, jo vetëm në rastin e arrestit në burg[1] ose arrestit në shtëpi,[2] sikundër normonte neni 248 para ndryshimeve. Parashikohen afate të ndryshme të marrjes në pyetje: në rastin e arrestit (në burg ose në shtëpi), për shkak të gjendjes së ngutshme që lidhet me heqjen e lirisë së personit, marrja në pyetje duhet të kryhet jo më vonë se tri ditë nga zbatimi i masës, kurse për masat e tjera të sigurimit personal – brenda pesë ditëve nga zbatimi i tyre. Në këtë afat duhet të llogaritet data e ekzekutimit të masës; në rast se dita e fundit bie ditë pushimi ose feste, afati shtyhet deri në ditën pasardhëse të punës ose jofestive.[3]

       

      1. Për të garantuar kontradiktoritetin dhe mbrojtjen efektive, norma e ndryshuar garanton mbrojtjen e detyrueshme,[4] nga një mbrojtës i zgjedhur ose i caktuar kryesisht nga gjykata. Shënojmë se për standartet e Konventës prania e mbrojtësit nuk është e detyrueshme,[5] ndonëse Gjykata e Strasburgut pranon se mungesa e tij në seancë mund të dëmtojë aftësinë e personit për të parashtruar argumentet e tij.[6] 

       

      1. Norma e re i garanton mbrojtjes, në mënyrë të shprehur, të drejtën të njihet me aktet dhe të marrë kopje të tyre. Është e kuptueshme se pa u njohur me përmbajtjen e akteve mbi të cilat gjykata ka vendosur masën e sigurimit, mbrojtja nuk do të ishte në gjendje të realizonte efektivisht të drejtën e saj[7]. Në çdo rast, njohja me aktet dhe sigurimi i një kopjeje të tyre për mbrojtjen, duhet të bëhet para se të procedohet me marrjen në pyetje. 

       

      1. Me marrjen në pyetje të personit dhe dëgjimit të argumenteve të tij dhe të mbrojtësit, gjykata synon të verifikojë ekzistencën e dyshimit të arsyeshëm se i dyshuari e ka kryer veprën penale dhe provave të drejtpërdrejta ose indicjeve ku mbështetet ky dyshim.[8] Gjithashtu, gjykata verifikon shkaqe të mundshme të padënueshmërisë (shkaqet që e përjashtojnë personin nga përgjegjësia penale, duke përfshirë edhe papërgjegjshmërinë për shkak të moshës ose gjendjes mendore), të shuarjes së veprës penale ose dënimit (shkaqe që lidhen me parashkrimin e veprës penale ose ekzekutimit të dënimit, amnisti, falje, ekzekutim i dënimit, etj.),[9] si dhe ekzistencën e të paktën njërit prej kushteve që lidhen me nevojat e sigurimit.[10] 

       

      1. Pas verifikimeve të mësipërme, kur nuk ka shkaqe nga ato që parashikon paragrafi 2 i nenit 228 dhe kur ekzistojnë dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e veprës penale, si dhe të paktën njëri prej kushteve që lidhen me nevojat e sigurimit, gjykata verifikon ekzistencën e kritereve të posaçme që duhen mbajtur parasysh në zgjedhjen e masës së sigurimit, duke i përqasur ato me rastin konkret (përshtatshmëria me shkallën e nevojave të sigurimit,[11] raporti përpjestimor i masës së zgjedhur me to, duke marrë parasysh personalitetin e autorit (vazhdimësinë, përsëritjen, si dhe rrethanat lehtësuese e rënduese),[12] interesin më të lartë të të miturit dhe nevojën për të mos ndërprerë procesin e tij edukativ.[13] 

       

      1. Kur gjykata ka caktuar masën e sigurimit arrest në burg, nëpërmjet marrjes në pyetje, verifikon edhe ekzistencën e kritereve të veçanta që mund të përligjin lënien në fuqi të saj,[14] duke mbajtur parasysh nevojën për mbrojtjen e disa subjekteve të dobëta (gruaja shtatzënë ose me fëmijë në gji, të moshuarit, toksikomanët ose alkoolistët kronikë) dhe parimin se arresti në burg duhet konsideruar si një rast përjashtimor, si një extrema ratio; ai duhet të zbatohet vetëm kur çdo masë tjetër nuk do t’i kënaqte nevojat e sigurimit, duke iu referuar rastit konkret.[15] 

       

      1. Përmendëm se verifikimin e kushteve dhe kritereve të caktimit të masës, si dhe nevojat e sigurimit, gjykata i kryen nëpërmjet marrjes në pyetje të personit ndaj të cilit është zbatuar masa, duke proceduar personalisht me pyetjen e tij. Zbatohen rregullat e marrjes në pyetje të normuara nga nenet 38 dhe 39 të KPP. Natyrisht, personi ka të drejtë të mos përgjigjet, si dhe të bëjë deklarimet që i çmon të nevojshme për mbrojtjen e tij. Në seancë duhet të marrin pjesë, me pasojë pavlefshmërinë absolute të aktit,[16] prokurori dhe mbrojtësi, të cilët njoftohen paraprakisht nga sekretaria e gjykatës.

       

      1. Pasi gjykata dëgjon personin ndaj të cilit është zbatuar masa, debati gjyqësor është i hapur për palët. Mbrojtja ka të drejtë të paraqesë prova dhe prokurori mund të paraqesë kundërshtimet e tij, si dhe të paraqesë prova të reja, në qoftë se ka. Provat që lejohen të paraqiten mund të jenë dokumente, prova materiale ose ndonjë akt ekspertimi, rezultatet e të cilit janë bërë të ditura ndërkohë; provat me dëshmitarë nuk lejohen, pasi marrja e tyre i takon fazave të mëtejshme të procedimit. 

       

      1. Ligji parashikon mundësinë që marrja në pyetje t’i delegohet gjykatës së një rrethi tjetër, ku ndodhet personi që ka pësuar ekzekutimin e masës, por vetëm në rastet kur personi është i arrestuar (neni 248, paragrafi 5). Gjyqtarit të deleguar për kryerjen e aktit detyrimisht i dërgohet kopja e vendimit që cakton masën e sigurimit. Vetëm për marrjen në pyetje, pasi e drejta për të vendosur konfirmimin, revokimin ose zëvendësimin e masës i përket vetëm gjyqtarit delegues.[17] 

       

      1. Prokurori pengohet të procedojë me pyetjen e personit të arrestuar, përpara se gjykata të ketë proceduar me marrjen në pyetje sipas paragrafit 1 të nenit 248. Nga teksti i normës kuptohet se ky ndalim vepron vetëm në rastin kur masa e sigurimit e ekzekutuar është arresti (në burg ose në shtëpi). Norma synon të garantojë të drejtat e personit të arrestuar, duke e penguar prokurorin që të sigurojë provën e pyetjes së tij (pra, nuk i lejon një mundësi të dytë pas propozimit për arrestim), para se gjykata të ketë proceduar personalisht. 

       

      1. Pasi dëgjon pretendimet përfundimtare të palëve dhe e deklaron të mbyllur debatin, gjykata ka tri alternativa vendimmarrjeje (neni 248.2): 
      1. të vendosë vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit të vendosur prej saj;
      2. të vendosë revokimin[18] e saj;
      3. të vendosë zëvendësimin[19] e saj, me një masë më të përshtatshme, por duke përjashtuar mundësinë e ashpërsimit[20]

       

      1. Ligji kërkon që vendimi i arsyetuar të depozitohet brenda 48 orëve nga çasti i shqiptimit të tij, për t’i dhënë mundësi palëve që të parashtrojnë arsyet në rast ankimi[21]. Lidhur me mundësinë e ankimit edhe në rastin kur vendimi që cakton masën e sigurimit nuk është ekzekutuar ende, mendojmë se zgjidhja e dhënë nga Kolegjet e Bashkuara nuk është zgjidhje e drejtë dhe e argumentuar.[22] 

       

      1. Në vijim, vlen të diskutohet cila do të jetë gjykata kompetente që procedon me marrjen në pyetje, kur aktet ndodhen para gjyqtarit të seancës paraprake ose kur çështja është dërguar për gjykim, por ende nuk është çelur shqyrtimi gjyqësor. Në rastin e parë, gjykata kompetente për të proceduar me pyetjen e personit është gjyqtari i hetimeve paraprake që ka vendosur masën; gjyqtari i seancës paraprake ka papajtueshmëri për shkak të pjesëmarrjes në procedim për kryerjen e këtij akti.[23] E njëjta zgjidhje do të ishte edhe për rastin kur çështja është dërguar për gjykim, por shqyrtimi gjyqësor nuk është çelur ende,[24] sepse marrja në pyetje nga gjykata (pas caktimit të saj me short), do ta bënte atë gjykatë të njëanshme në kuptimin objektiv.[25] Në rastin kur masa e sigurimit ekzekutohet ndërkohë që ka filluar shqyrtimi gjyqësor, marrja në pyetje e personit, sipas procedurës që parashikon neni 248, është një akt i panevojshëm.[26] Para gjykatës që shqyrton çështjen në themel, personi ndaj të cilit zbatohet masa, tashmë i pandehur, ka të drejtë të paraqesë çdo lloj pretendimi, për çështje të ligjit ose të faktit, duke përfshirë këtu edhe pretendimet lidhur me masën e sigurimit të zbatuar ndaj tij. Seanca gjyqësore debatuese e garanton kontradiktoritetin që synon të krijojë marrja në pyetje sipas nenit 248 të KPP[27]

       

      1. Problem i dytë që shtrohet për diskutim është përcaktimi i sferës së pushtetit të gjykatës për kryerjen e verifikimeve, në rastin e procedurës së parashikuar nga neni 248. Shtrohet pyetja: a mundet që gjykata t’i japë një cilësim të ri faktit penal, të ndryshëm nga ai që i ka bërë prokurori? Përgjigja është pozitive; është detyrë e gjykatës që, në bazë të provave të ofruara nga palët, të përcaktojë se cila është vepra penale e kryer nga i dyshuari. Kjo normë e ligjit do të ishte e pakuptimtë nëse gjykata nuk do të vlerësonte, njëherësh, se cili është cilësimi i drejtë juridik i këtij fakti. Theksojmë se masa e sigurimit e caktuar duhet të jetë në përpjestim të drejtë me rëndësinë e faktit penal[28] dhe është afërmendsh që gjykata do të gabonte në caktimin e masës më të përshtatshme të sigurimit, nëse këtij fakti nuk do t’i jepte një cilësim juridik të drejtë. Kjo e drejtë e gjykatës nuk duhet të kuptohet si pushtet i saj për të ndryshuar akuzën në fazën e hetimeve paraprake. Kjo është e drejtë ekskluzive e prokurorit në përfundim të hetimeve. Gjykata, në vendimin e saj, arsyeton se për çfarë vepre penale dyshohet personi ndaj të cilit propozohet masa, duke u mbështetur në provat e paraqitura prej palëve, në këtë fazë të procedurës. Kjo mundësi e gjykatës është një garanci e shtuar për të mbrojtur personin nga akuzat e tepruara, të pambështetura nga gjendja e provave që shoqërojnë kërkesën e prokurorit për caktimin e masës së sigurimit personal. Në jurisprudencën e saj, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka theksuar se kontrolli i gjykatës mbi arrestimet shtrihet si mbi elementet e përmbajtjes,[29] ashtu edhe mbi ato të formës së ligjit kombëtar, si garanci e mbrojtjes së individit nga arbitrariteti. 

       

      1. Mosmarrja në pyetje e personit të arrestuar, brenda afatit që përcakton neni 248, sjell pasojën e humbjes së fuqisë së paraburgimit.[30] Për rrjedhojë, personi ndaj të cilit është zbatuar masa e sigurimit arrest në burg ose arrest në shtëpi, duhet të lirohet menjëherë. Ligjvënësi nuk parashikon pasoja lidhur me masat e tjera të sigurimit, të ndryshme nga paraburgimi, në rastin kur procedura e parashikuar nga neni 248 nuk kryhet brenda afatit që parashikon ligji. Në raste të tilla masat e sigurimit personal nuk e humbasin fuqinë, por moskryerja e procedurës mund të përbëjë shkak për përgjegjësi disiplinore.

       

      [1] Neni 238 KPP

      [2] Neni 237 KPP

      [3] Neni 144 KPP

      [4] Neni 49 para 1, shkronja e, KPP; Neni 248 paragrafi 3 KPP

      [5] Shih çështjen Schiesser kundër Zvicrës, 4 dhjetor 1979, para 36.

      [6] Shih çështjet Lebedev kundër Rusisë, 25 tetor 2007, para 83-91; Assenov, etj. kundër Bullgarisë, 28 tetor 1998, para. 107.

      [7] Shih çështjet Ovsjannikov kundër Estonisë, 20 shkurt 2014, para. 72; Fodale kundër Italisë, 1 qershor 2006, para. 68; Korneykova kundër Ukrainës, 19 janar 2012, § 68.

      [8] Neni 228 para 1 KPP

      [9] Neni 228 para. 2 KPP

      [10] Neni 228 para. 3, shkronjat a, b dhe c KPP

      [11] Neni 229 para.1 KPP

      [12] Neni 229 para.2 KPP

      [13] Neni 229 para.3 KPP

      [14] Neni 230 KPP

      [15] Shih çështjet Lelièvre kundër Belgjikës, 8 nëntor 2007, para. 97; Vafiadis kundër Greqisë, 2 korrik 2009, para. 50.

      [16] Neni 128/a, paragrafi 1, shkronjat b) dhe c) KPP

      [17] Të njëjtën zgjidhje mbështet edhe doktrina italiane, të cilës i referohemi për shkak se instituti në fjalë është huazuar nga ligji italian i procedurës: Spangher G., Pratica del processo penale, E-pub, Vol. III, CEDAM 2014, faqe 574.

      [18] Neni 260, paragrafët 1 dhe 4 KPP

      [19] Neni 260, paragrafët 2 dhe 4 KPP

      [20] Neni 244 para. 3 KPP

      [21] Neni 249, paragrafi 1/1 KPP

      [22] Shih vendimin unifikues Nr.4, datë 24.6.2009, Dulaj (KBGJL), i paracituar. Më e drejtë na duket zgjidhja që mbështetet nga mendimi i pakicës.

      [23] Neni 15 para. 2 KPP

      [24] Shih edhe jurisprudencën e Gjykatës së Kasacionit të Italisë: Di Stefano P., Gatti G., Izzo F., Marino R. (a cura di), Codice di procedura penale anotato con la giurisprudenza, XXIII Edizione, Simone, ottobre 2015, faqe 715; Corso Piermaria (a cura di), Codice di procedura penale anotato con la giurisprudenza, Terza edizione, CELT, 2004, faqe 811.

      [25] Për paanësinë e gjykatës në kuptimin objektiv, shih jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese: vendim Nr.8, datë 27.2.2014, kërkues Dhima, §17, etj.

      [26] Ibidem, përkatësisht në faqet 715 dhe 799. Po ashtu mund të shihni: Spangher G., vep. e cit., faqe 573.

      [27] Praktika jonë gjyqësore ka pranuar kryerjen e procedurës së parashikuar nga neni 248, edhe në rastin kur masa ekzekutohet gjatë shqyrtimit gjyqësor të çështjes; shih vendimin e kolegjit penal të Gjykatës së Lartë Nr.00-2013-1124 i Vendimit (223), datë 10.7.2013, Ymeri (KPGJL), paragrafi 24.

      [28] Neni 229 i KPP

      [29] Shih Koendjbiharie kundër Holandës, 25 tetor 1990, para. 27.

      [30] Neni 261, paragrafi 2

      1. Shtesat dhe saktësimet në tekstin e kësaj dispozite u diktuan nga paqartësitë dhe zbatimi gabuar i normës në praktikën hetimore dhe gjyqësore. Në praktikë, më së shumti, norma u interpretua thjesht si një detyrim formal i gjykatës për t’u siguruar lidhur me identitetin e personit të arrestuar pas ekzekutimit të masës dhe jo si një verifikim në themel, përmes marrjes në pyetje, të ekzistencës së kushteve dhe kritereve për caktimin e masës dhe nevojave të sigurmit për vazhdimin e saj, duke i dhënë mundësi personit të arrestuar për të kundërshtuar arsyet dhe provat e paraqitura nga prokurori dhe për të vënë në dyshim nevojat e sigurimit të pretenduara prej akuzës[1]

       

      1. Në vendimet e gjykatave u shfaqën paqartësi edhe lidhur me problemet e mëposhtme: verifikimi i kushteve do të bëhet vetëm gjatë hetimeve paraprake apo edhe kur çështja është dërguar në gjyq[2], cili është gjyqtari kompetent për kryerjen e aktit[3], cili është vendimi që lejohet të apelohet[4], procedura e verifikimit kryhet për ekzekutimin e masës së sigurimit apo edhe për ekzekutimin e vendimit të dënimit të dhënë në mungesë[5], a mund të apelohet vendimi për caktimin e masës së sigurimit kur ai ende nuk është ekzekutuar[6], etj. 

       

      1. Për këtë arsye, lindi nevoja që dispozita të ndryshohet dhe plotësohet, duke bërë disa shtesa dhe saktësime të nevojshme, të cilat ndihmojnë në kuptimin e drejtë të saj dhe në respektimin e standarteve që vendos Kushtetuta[7] dhe Konventa e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore[8], në rastet kur gjatë procesit penal ndaj personit të dyshuar zbatohen masa të sigurimit personal, sipas procedurës që normon neni 244 i KPP.

       

      2 Nr.00-2014-393 i Vendimit (20), datë 29.1.2014, Tushaj (KPGJL); Shih edhe: Nr.00-2013-1124 i Vendimit (223), datë 10.7.2013, Ymeri (KPGJL).

      [2] Nr.00-2013-1124 i Vendimit (223), datë 10.7.2013, Ymeri (KPGJL), para. 26, i sipërcituar.

      [3] Nr. 135 i Vendimit, datë 27.5.2009, Kotri (KPGJL).

      [4] Ibidem

      [5] Nr.00-2013-1578 i Vendimit (289), datë 13.11.2013, Kaca (KPGJL).

      [6] Vendim Unifikues i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë Nr.4, datë 24.6.2009, Dulaj (KBGJL).

      [7] Nenet 27 para. 1, 27 para. 2, pika c dhe 28.

      [8] Neni 5, E drejta për liri dhe siguri

      1. Direktiva 2012/13/BE e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit të Bashkimit Evropian, datë 22.5.2012, për të drejtën e informimit të të hetuarit në procesin penal - http://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/?uri=celex:32012L0013 (vizita e fundit, 25.7.2017). Dispozita e nenit 248 përputhet me direktivën në fjalë, ngaqë para se të procedohet mbrojtja ka të drejtë të njihet me aktet dhe i hetuari të informohet për shkaqet e arrestimit.
  • Vendime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut 

    1. Procedura që parasheh paragrafi 1 i nenit 248 KPrP është në përputhje me standartet që vendos neni 5 paragrafi 3 i KEDNJ-së, sipas të cilave personi të cilit i hiqet liria duhet të paraqitet, brenda një afati të arsyeshëm para një gjyqtari, i cili duhet të vendosë për lirinë e tij (Aquilina kundër Maltës, 29 prill 1999, paragrafët 47, 500). Kontrolli mbi masën kufizuese të lirisë duhet të jetë automatik dhe jo detyrimisht në vijim të një kërkese të bërë nga pala (McKay kundër Mbretërisë së Bashkuar, 3 tetor 2006, paragrafi 34, Varga kundër Rumanisë, 1 prill 2008, paragrafi 52, Viorel Burzo kundër Rumanisë, 30 qershor 2009, paragrafi 107). 

     

    1. Marrja në pyetje e personit ndaj të cilit është marrë masa e sigurimit nga ana e gjykatës është e rëndësishme, pasi mundësia për t’u dëgjuar personalisht është element i rëndësishëm i garancive që ofron neni 5 paragrafi 3 i Konventës (Kampanis kundër Greqisë, 13 korrik 1995, paragrafi 47). Nëpërmjet kësaj procedure sigurohet “barazia e armëve” kur vihet në diskutim liria vetjake e të dyshuarit, që është element i rëndësishëm për të gjykuar mbi ekzistencën e dyshimit të arsyeshëm, në rastet e caktimit të masave të sigurimit personal (Reinprecht kundër Austrisë, 15 nëntor 2005, paragrafi 31; A. dhe të tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar, Dhoma e Madhe, 19 shkurt 2009, paragrafi 204).

     

    Raporte, opinione, rekomandime dhe deklarata 

    1. Rekomandimi i Këshillit të Ministrave të KiE Rec (2006)13, datë 27 shtator 2006, për arrestimin e përkohshëm, kushtet e ekzekutimit të tij dhe zbatimin e garancive kundër abuzimit https://search.coe.int/cm/Pages/result_details.aspx?ObjectID=09000016805d743f (vizita e fundit, 25.8.2017) Ndër kushtet e rekomandimit, neni 248 duket se përputhet me kontrollin e gjyqtarit mbi arrestimin e përkohshëm dhe garantimin e të drejtës së mbrojtjes. Gjithashtu, mekanizmi i kontrollit që garanton neni 248 dhe hapësirat alternative të vendimmarrjes së gjykatës janë formuluar në përputhje me frymën e rekomandimit në fjalë.
  • Asnjë koment
  • Kushtetuta: nenet 27, 28.

    Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore: neni 5, E drejta për liri dhe siguri;

    Kodi i Procedurës Penale: nenet 15, 27, 28, 38, 39, 49, 144, 228-230, 233-235, 237-243, 244, 249, 260.

  • Asnjë koment
  • Vendime të Gjykatës Kushtetuese 

    Vendim  Nr.8, datë 27.2.2014, kërkues Dhima;

    [http://www.gjk.gov.al/templates/NEModules/kerkese_list/konsulto.php?id_kerkesa_vendimi=1523&language=Lng1];

     

    Vendime të Gjykatës së Lartë 

    Vendim i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë Nr.4, datë 24.6.2009, Dulaj (KBGJL);

    Vendim i kolegjit penal të Gjykatës së Lartë, Nr.00-2013-1124 i Vendimit (223), datë 10.7.2013, Ymeri (KPGJL);

    Vendim i kolegjit penal të Gjykatës së Lartë, Nr.00-2014-393 i Vendimit (20), datë 29.1.2014, Tushaj (KPGJL);

    Vendim i kolegjit penal të Gjykatës së Lartë, Nr.00-2013-1578 i Vendimit (289), datë 13.11.2013, Kaca (KPGJL);

    Vendim i kolegjit penal të Gjykatës së Lartë, Nr. 135 i Vendimit, datë 27.5.2009, Kotri (KPGJL).

     

    Vendime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut 

    A. etj kundër Mbretërisë së Bashkuar, Aplikimi no 3455/05, Dhoma e Madhe, vendim i datës 19 shkurt 2009; http://hudoc.echr.coe.int/fre?i=001-91406 (vizita e fundit 24.8.2017);

    Aquilina kundër Maltës, Aplikimi no 25642/94, vendim i datës 20 prill 1999; http://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-62797 (vizita e fundit 24.8.2017); etj. k

    Assenov etj. kundër Bullgarisë, Aplikimi no 90/1997/874/1086, vendim i datës 28 tetor 1998; http://hudoc.echr.coe.int/fre?i=001-62813 (vizita e fundit 24.8.2017);

    Fodale kundër Italisë, Aplikimi no 70148/01, vendim i datës 1 qershor 2006; http://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-75436 (vizita e fundit 24.8.2017);

    Górski kundër Polonisë, Aplikimi no 28904/02, vendim i datës 4 tetor 2005; http://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-70366 (vizita e fundit 24.8.2017);

    Idalov kundër Rusisë, Aplikimi no 5826/03, Dhoma e Madhe, vendim i datës 22 maj 2012; http://hudoc.echr.coe.int/fre?i=001-110985  (vizita e fundit 24.8.2017);

    Kampanis kundër Greqisë, Aplikimi no 17977/91, vendim i datës 13 korrik 1995; http://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-62485 (vizita e fundit 24.8.2017);

    Koendjbiharie kundër Holandës, Aplikimi no 11487/85, vendim i datës 25 tetor 1990; http://hudoc.echr.coe.int/fre?i=001-62193 (vizita e fundit 24.8.2017);

    Korneykova kundër Ukrainës, Aplikimi no 39884/05, vendim i datës 19 janar 2012; http://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-108654 (vizita e fundit 24.8.2017);

    Lebedev kundër Rusisë, Aplikimi no 4493/04, vendim i datës 25 tetor 2007; http://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-82973 (vizita e fundit 24.8.2017);

    Lelièvre kundër Belgjikës, Aplikimi no 11287/03, vendim i datës 8 nëntor 2007; http://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-83174 (vizita e fundit 24.8.2017);

    McKay kundër Mbretërisë së Bashkuar, Aplikimi no 543/03, Dhoma e Madhe, vendim i datës 3 tetor 2006; http://hudoc.echr.coe.int/fre?i=001-77178 (vizita e fundit 24.8.2017);

    Ovsjannikov kundër Estonisë, Aplikimi no 1346/12, vendim i datës 20 shkurt 2014; http://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-140915 (vizita e fundit 24.8.2017);

    Reinprecht kundër Austrisë, Aplikimi no 67175/01, vendim i datës 15 nëntor 2005; http://hudoc.echr.coe.int/fre?i=001-71043 (vizita e fundit 24.8.2017);

    Schiesser kundër Zvicrës, Aplikimi no 7710/76, vendim i datës 14 dhjetor 1979; http://hudoc.echr.coe.int/fre?i=001-62130 (vizita e fundit 24.8.2017);

    Vafiadis kundër Greqisë, Aplikimi no 24981/07, vendim i datës 2 korrik 2009; http://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-93280 (vizita e fundit 24.8.2017);

    Varga kundër Rumanisë, Aplikimi no 73957/01, vendim i datës 1 prill 2008; http://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-85642 (vizita e fundit 24.8.2017);

    Viorel Burzo kundër Rumanisë, Aplikimet no 75109/01 et 12639/02, vendim i datës 30 qershor 2009; http://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-93282 (vizita e fundit 24.8.2017).

  • Alfredo Gaito, Procedura penale, E-pub, Itinera, Guide giuridiche Ipsoa, Ëolters Kluëer, 2015, faqe 536-540.

    Giorgio Spangher, Pratica del processo penale, E-pub, Vol. III, CEDAM 2014, faqe 571-574.

    Piermaria Corso (a cura di), Codice di procedura penale anotato con la giurisprudenza, Terza edizione, CELT, 2004.

    P. Di Stefano, G. Gatti, F. Izzo, R. Marino (a cura di), Codice di procedura penale anotato con la giurisprudenza, XXIII Edizione, Simone, ottobre 2015.

  • Asnjë koment
Henrik Ligori
Idlir Peçi, Koraljka Bumči