KODI I PROCEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   7905

Neni 58-b: Të drejtat e viktimës së abuzuar seksualisht dhe viktimës së trafikimit të qenieve njerëzore

1Veç të drejtave të parashikuara në nenet 58 dhe 58/a të këtij Kodi, viktima e abuzuar seksualisht dhe viktima e trafikimit të qenieve njerëzore kanë gjithashtu të drejtë:

atë pyeten pa vonesë nga një oficer i policisë gjyqësore ose prokuror i të njëjtës gjini;

btë refuzojnë t’u përgjigjen pyetjeve në lidhje me jetën private e cila qartësisht nuk ka lidhje me veprën penale;

ctë kërkojnë të dëgjohen nëpërmjet mjeteve audiovizive, sipas parashikimeve të këtij Kodi.

Përmbajtja

      1. Qëllimi i kësaj dispozite është të përcaktojë pozitën e viktimës së abuzuar seksualisht dhe viktimës së trafikimit të qënieve njerëzore në procesin penal, si dhe përafrimin e legjislacionit të brendshëm me atë ndërkombëtar sa i përket të drejtave të posaçme të këtyre kategorive të viktimave.
      1. Objekti i këtij neni është të përcaktojë: 
      1. Mbrojtjen e veçantë që ligjvënësi garanton për viktimën e abuzuar seksualisht dhe viktimën e trafikimit të qënieve njerëzore;
      2. Të drejtat e veçanta në raport me viktimën e veprës penale;
      3. Mënyrën e ushtrimit të këtyre të drejtave.
      1. Ky nen thekson rëndësinë e dhënë ndaj viktimave të abuzuara seksualisht dhe viktimave të trafikut të qënieve njerëzore. Shqipëria është e detyruar t’i zbatojë nevojat e veçanta, jo vetëm sipas acquis communautaire, por edhe për shkak të ratifikimit të Konventës së Këshillit të Europës për Masat Kundër Trafikimi të Qënieve Njërëzore (për Shqipërinë, në forcë që prej 2008).

       

      1. Neni 58/b është një dispozitë plotësuese e neneve 58 dhe 58/a të K.Pr.P. sa i përket listës së të drejtave të viktimave të veprës penale, duke evidentuar ato të drejta që janë specifike për viktimën e abuzuar seksualisht dhe viktimën e trafikimit të qënieve njerëzore. Vlen të theksohet se ndërsa gëzojnë të gjitha të drejtat e parashikuara në nenin 58 të K.Pr.P., dhe në rast se është i mitur edhe të drejtat e parashikuara edhe në nenin 58/a të K.Pr.P., por edhe për të dalluar viktimën e abuzuar seksualisht, si dhe personat e trafikuar të cilët janë burimi kryesor i provave të nevojshme për të siguaruar dënimin e trafikantëve. Për më tepër që ata kanë vuajtur edhe abuzimin e rëndë psikologjik, fizik dhe seksual, të cilin e përdorin autorët e këtyre veprave ndaj viktimave. Përkatësisht, ligjbërësi ka njohur mbrojtje të vecantë për këto kategori të viktimave, të trafikimit dhe abuzimit seksual, të cilat shpesh nuk kanë vullnetin të bashkëpunojnë në hetimet penale prej frikës se ata apo familjet e dyre mund të dëmtohen. Prandaj, është shumë e rëndësishme që këto viktima të njihen siç duhet me të gjitha të drejtat e tyre në proçesin penal, dhe autoritetet proçeduese dhe gjykatat të sigurojnë implementimin e saktë të këtyre të drejtave që janë dhënë prej legjislatorit.

       

      1. Në shkronjën a) të paragrafit të parë të dispozitës ligjvënësi ka parashikuar të drejtën e viktimës së abuzuar seksualisht dhe viktimës së trafikimit të qënieve njerëzore për të kërkuar të pyetet në një kohë sa më të shpejtë, nga një person i të njëjtit seks nëse viktima shpreh një dëshirë të tillë. Kjo do të thotë se viktima duhet të pyetet në kontaktin e parë, nëse ai/ajo dëshiron të merret në pyetje prej një personi të së njëjtës gjini[1]. Arsyeja pse legjislatori ka parashikuar këtë të drejtë për këto kategori viktimash është se, suksesi në të tilla intervista reflektohet pjesërisht prej mënyrës se si dëshmitari/ viktima dhe intervistuesi ndërveprojnë me njëri tjetrin. Në një situatë ideale, intervistuesi duhet të fitojë besimin e dëshmitarit, dhe të shihet si një person i interesuar për mirëqënien e tij dhe jo vetëm si mbledhësi i provave. Ndonjëherë, për viktimat e intimiduara ky qëllim arrihet më lehtë në rast se viktima merret në pyetje prej një personi të së njëjtës gjini me të.

       

      1. Për të garantuar mos riviktivizimin e viktimës së abuzuar seksualisht dhe viktimës së trafikimit të qënieve njerëzore, në shkronjën b), ligjvënësi ka parashikuar si të drejtë ekskluzive të saj të drejtën për të refuzuar përgjigjen mbi pyetjet që kanë të bëjnë me jetën e saj private, në rastin kur ato nuk kanë lidhje të hapur me veprën penale. Kjo garanci përbën shmangie nga detyrimi për të dëshmuar dhe në këtë rast personi nuk mund të ngarkohet me përgjegjësi ligjore në rast se ai/ajo refuzon të dëshmojë. Gjithësesi, sjellja e mëparshme seksuale, “karakteri” i dyshuar apo angazhimi aktual apo i mëparshëm i viktimës, duhet, në përgjithësi, të mos jenë të rëndësishme si prova, kur është kryer apo jo ndaj tyre vepra e trafikimi apo dhunës seksuale. Gjatë pyetjes së viktimës nuk duhet të shtrohen pyetje të cilat sugjerojnë vënien në dyshim të integritetit të viktimës, e vendosin para përgjegjësisë apo fajësojnë për veprën e kryer ndaj tyre Shkurtimisht, kjo do të thotë se viktima e cila pretendon se është përdhunuar nuk duhet të përgjigjet, i.e.: sa partnerë seksualë ajo/ai ka pasur apo nëse ka qënë një prostitutë aktive. Në rast se një pyetje e tillë shtrohet , gjyqtari duhet të ndërhyjë dhe ta ndalojë, si dhe të paralajmërojë viktimën për të drejtat e tij/saj[2]. Qëllimi i këtij neni është parandalimi i ri-viktimizimit të viktimës. Ri – Viktimizimi i përfshin edhe shmangien e marrjeve të përsëritura në pyetje, në mënyrë të panevojshme, shmangien e kontaktit viziv ndërmjet viktimës dhe të akuzuarit, dhënien e provave në seancë të hapur, dhe pyetjen e panevojshme të viktimës për jetën private. Është e rëndësishme të theksohet se, nevoja për të mbrojtur viktimat nga ri-viktimizimi dhe traumat e mëtejshme, bazohet edhe në një vlerësim të nevojave të tyre personale, duke përfshirë faktorë të tillë si mosha, gjinia, shëndeti, pa-aftësitë, çrregullime fizike apo mendore, si dhe abuzime apo dhunime të vuajtura, si tortura, përdhunimi, ose forma të tjera të dhunës seksuale apo gjinore.

       

      1. Në shkronjën c) të dispozitës parashikohet e drejta e viktimës së abuzuar seksualisht dhe viktimës së trafikimit të qënieve njerëzore për të kërkuar që të merret në pyetje me anë të pajisjeve audio-vizuale për të shmangur kontaktin e drjtëpërdrejtë të viktimës me të pandehurin. [3], Kjo e drejtë e viktimës së abuzuar seksualisht dhe viktimës së trafikimit të qenieve njerëzore është parashikuar shprehimisht edhe nga neni 361, pika 8 e K.Pr.P. Pyetja e viktimës me mjete audio-vizuale kryhet sipas parashikimeve të nenit 361, pika 7 të K.Pr.P.

       

      [1] Ky parashikim është në përputhje me parashikimet e nenit 23, paragrafi 1, gërma d e Direktivës 2012/29/BEdhe Direktivës 2011/36/EU.

      [2] Ky parashikim bazohet në nenin 23, paragrafi 1, gërma c e Direktivës 2012/29/BE dhe në nenin 12, paragrafi 4, gërma d e Direktivës 2011/36/ BE.

      [3] Ky parashikim është në përputhj me nenin 23, paragrafi 3, gërma b e Dirëktivës 2012/29/BE dhe nenin 12, paragrafi 4, gërma a, b, dhe c e Direktivës 2011/36/BE.

      1. Për kontekstin historik, shih komentet për nenin 58
      1. Neni 58/b është shtuar në K.Pr.P. pikërisht për të evidentuar mbrojtjen e posaçme që ligjvënësi garanton për viktimën e abuzuar seksualisht dhe viktimën e trafikimit të qënieve njerëzore. Kjo dispozitë është bazuar në standardet ndërkombëtare të vendosura nga Direktiva 2011/36/BE e Parlamentit dhe Komisionit Europian datë 05.04.2011 “Mbi parandalimin dhe luftën kundër trafikimit të qënieve njerëzore dhe mbrojtjes së viktimave dhe zëvendësimin e Vendimit Kuadër të Komisionit 2002/629/JHA” (Direktiva 2011/36/BE) dhe Direktiva 2012/29/BE e Parlamentit dhe Komisionit Europian datë 25.10.2012 “Për përcaktimin e standardeve minimum për të drejtat, mbështetjen dhe mbrojtjen e viktimës së veprave penale dhe zëvendësimin e Vendimit Kuadër të Komisionit 2001/220/JHA” (Direktiva 2012/29/BE). Gjithashtu, edhe Konventa e Këshillit të Europës për Masat Kundër Trafikimit të Qënieve Njerëzore.
    • Direktiva 2011/36/BE e Parlamentit dhe Komisionit Europian datë 05.04.2011 “Mbi parandalimin dhe luftën kundër trafikimit të qënieve njerëzore dhe mbrojtjes së viktimave dhe zëvendësimin e Vendimit Kuadër të Komisionit 2002/629/JHA”; 

      Direktiva 2012/29/BE e Parlamentit dhe Komisionit Europian datë 25.10.2012 “Për përcaktimin e standardeve minimum për të drejtat, mbështetjen dhe mbrojtjen e viktimës së veprave penale dhe zëvendësimin e Vendimit Kuadër të Komisionit 2001/220/JHA”; 

      Konventa e Këshillit të Europës për Masat Kundër Trafikimit të Qënieve Njerëzore.

  • Asnjë koment
  • Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, Qershor 2015, faqe 177, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë; http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf, vizituar për herë të fundit më 28.08.2017; 

    Strategjia për reformën në sistemin e drejtësisë https://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/draft_strategjia_versioni_shqip.pdf, vizituar për here të fundit në datën 28.08.2017; 

    Relacioni për projekt-ligjin “Për disa shtesa e ndryshime në Kodin e Procedurës Penale”, https://www.parlament.al/ëp-content/uploads/KODI-I-PROCEDURES-PENALE-Resized.pdf, vizituar për herë të fundit në datë 28.08.2017; 

    Ligji Nr.9642, datë 20.12.2006 “Për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Europës për masat kundër trafikimit të qenieve njerëzore”.

  • Ligji:

    Nenet 58, 58/a, 361, 361/a, pika 4 të K.Pr.P.

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
Joana Qeleshi
Koraljka Bumči