KODI I PROCEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   7905

Neni 59: Viktima akuzuese

1Ai që është dëmtuar nga veprat penale të parashikuara nga nenet 90, 91, 92, 112 paragrafi i parë, 119, 119/b, 120, 121, 122, 125, 127 dhe 254 të Kodit Penal ka të drejtë të paraqesë kërkesë në gjykatë dhe të marrë pjesë në gjykim si palë për të vërtetuar akuzën dhe për të kërkuar shpërblimin e dëmit.

2Prokurori merr pjesë në gjykimin e këtyre çështjeve dhe, sipas rastit, kërkon dënimin e të pandehurit ose pafajësinë e tij.

3Nëse viktima akuzuese ose mbrojtësi i caktuar prej saj nuk paraqitet në seancë pa shkaqe të arsyeshme, gjykata vendos pushimin e çështjes.

4Viktima akuzuese që nuk ka zotësi juridike për të vepruar i ushtron të drejtat që i janë njohur me ligj nëpërmjet përfaqësuesit ligjor.

5Kur disa viktima të së njëjtës çështje paraqesin kërkesë në gjykatë sipas nenit 59 të këtij Kodi, kërkesat e tyre bashkohen në një gjykim të vetëm.

Përmbajtja

      1. Neni 59 i K.Pr.P ka për qëllim t’i krijojë mundësi individit të çmojë në mënyrë të pavarur shkallën e cënimit të interesave të tij dhe hapat që duhet të ndërmarrë ose jo për mbrojtjen juridike penale ose civile të tyre. Ligjvënësi me parashikimin e institutit të akuzës private është përpjekur të vendosë një balancë sa më të drejtë midis interesave publikë, nga njëra anë, të përfaqësuara dhe të mbrojtura nga prokuroria dhe interesave privatë nga ana tjetër, që lidhen ngushtë me individin dhe që për këtë arsye mund të mbrohen drejtpërdrejt prej tij.
      1. Neni 59 i K.Pr.P përcakton rregullat procedurale për gjykimin e kërkesës së viktimës akuzuese dhe rolin e prokurorit në këtë gjykim.
      1. Neni 59 i K.Pr.P zbatohet vetëm për veprat penale[1] që parashikohen nga nenet 90, 91, 92, 112 paragrafi i parë, 119, 119/b, 120, 121, 122, 125, 127, dhe 254 të Kodit Penal, të cilat përmenden në mënyrë taksative në paragrafin e parë të nenit 59. Këto vepra penale karakterizohen nga mungesa e rrezikshmërisë së lartë shoqërore dhe interesi i vogël publik në çështjen konkrete. Sa më serioze të jetë vepra penale ose sa më i madh të jetë rreziku për vepra penale të përshkallëzuara, aq më tepër duhet që ndjekja penale të vazhdojë kryesisht, në interes publik, edhe sikur viktimat t’i kenë tërhequr kallëzimet e tyre.[2] Me ligjin 35/2017, në nenin 59§1 të K.Pr.P janë hequr nga lista e veprave penale për të cilat ushtrohet akuza private veprat penale “Botimi i veprës së tjetrit me emrin e vet” dhe “Riprodhimi pa të drejtë i veprës së tjetrit” të parashikuara nga nenet 148 dhe 149 të Kodit Penal.

       

      1. Me ligjin 35/2017, në nenin 59§1 të K.Pr.P është bërë ndryshimi i terminologjisë nga “i dëmtuari akuzues” në “viktima akuzuese” duke e harmonizuar me standardet evropiane[3]. Kusht i domosdoshëm për të ngritur akuzën private është që viktima akuzuese të jetë i dëmtuar prej njërës prej atyre veprave të parashikuara për këtë qëllim në nenin 59§1 të K.Pr.P.[4] Personi i dëmtuar është personi fizik i cili është i lënduar në trupin e tij, i dëmtuar në shëndetin e tij, i dëmtuar për shkak të cënimit të së drejtave dhe lirive themelore, prekja dhe kufizimi i të cilave, mbrohet nga norma penale, i cënuar në moralin e tij dhe të familjes, etj.[5] Viktimë akuzuese mund të jetë jo vetëm individi por edhe personi juridik, të cilit vepra penale i ka cënuar interesa pasurore të drejtpërdrejta në raport me veprimtarinë që ai ushtron, për veprat penale të parashikuara shprehimisht nga neni 59 i K.Pr.P.[6]

       

      1. Viktima akuzuese ka të drejtë të paraqesë kërkesë në gjykatë dhe të marrë pjesë në gjykim si palë për të vërtetuar akuzën dhe për të kërkuar shpërblimin e dëmit. Gjykata Kushtetuese[7] ka theksuar se ngritja e akuzës nga viktima akuzuese, nuk varet nga vendimmarrja e prokurorisë. Viktima akuzuese i drejtohet direkt gjykatës me akuzën e saj dhe merr pjesë aktivisht në proces për ta bindur gjykatën me anë të provave dhe fakteve që të marrë një vendim në favor të tij. Disponimin mbi akuzën penale e ka viktima akuzuese dhe jo prokurori. Kërkesa për ndjekjen penale dhe deklarimin fajtor e dënimin e të akuzuarit është e domosdoshme për akuzën private. Ndërsa kërkimi civil për shpërblimin e dëmit edhe mund të mos kërkohet nga viktima akuzuese ose mund të paraqitet në gjykatën civile. Viktima akuzuese ka të drejtën që të paraqesë kërkesë për shpërblimin e dëmit në gjykimin penal sipas nenit 59 të K.Pr.P ose padi në gjykatën civile.

       

      1. Praktika gjyqësore ka qënë e unifikuar në qëndrimin se me anë të kërkimit civil, viktima akuzuese mund të kërkojë shpërblimin e dëmit pasuror dhe jopasuror. Kjo për shkak të natyrës së veprave penale të parashikuara në nenin 59 të K.Pr.P[8] të cilat janë vepra penale kundër moralit dhe dinjitetit, fëmijës dhe familjes, etj. dhe si të tilla shkaktojnë dëm pasuror dhe jopasuror.

       

      1. Gjykata e rrethit gjyqësor është kompetente për gjykimin e kërkesës së viktimës akuzuese me përjashtim të akuzave penale kundër funksionarëve dhe ish-funksionarëve për të cilët në nenin 135 të Kushtetutës[9] dhe nenin 75/a të K.Pr.P[10] parashikohet se janë në kompetencë të Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Përpara ndryshimeve me ligjin nr.76/2016 dhe nr.35/2017 këto kërkesa ishin në kompetencë të Gjykatës së Lartë e cila sipas nenit 75/b të K.Pr.P kishte juridiksion fillestar. Gjykata e Lartë ka mbajtur qëndrimin[11] se kjo gjykatë ka juridiksion vetëm për akuzën penale ndërkohë që ka vendosur veçimin e padisë civile dhe kalimin e saj ne gjykatën civile, me argumentin se juridiksioni fillestar i njihet kësaj gjykate vetëm për akuzat penale të ngritura ndaj subjekteve të posaçme dhe jo për paditë civile të ngritura ndaj tyre. Edhe pse nenet 135 të Kushtetutës dhe 75/a të K.Pr.P në mënyrë literale parashikojnë kompetencën për akuzën penale kundër funksionarëve, nga interpretimi sistematik në përputhje me nenin 59 të K.Pr.P, viktima akuzuese bashkë me kërkesën për të vërtetuar akuzën penale kërkon edhe shpërblimin e dëmit. Për rrjedhim gjykata është kompetente për shqyrtimin në të njëjtin gjykim edhe të kërkesës për të kërkuar shpërblimin e dëmit.

       

      1. Akuza private mund të përfundojë edhe me marrëveshje kur viktima akuzuese pranon të marrë një dëmshpërblim nga i akuzuari duke tërhequr kështu akuzën në çdo fazë të proçesit. Neni 338 i K.Pr.P parashikon një procedurë pajtimi midis palëve në rastet e veprave penale që ndiqen me kërkesën e viktimës akuzuese, e cila është e detyrueshme. Gjykata thërret viktimën dhe atë kundër të cilit është bërë kërkesa për gjykim dhe u propozon zgjidhjen e çështjes me pajtim. Në qoftë se viktima e tërheq kërkesën dhe ai që akuzohet e pranon tërheqjen, gjykata vendos pushimin e çështjes. Kjo dispozitë i referohet arritjes së zgjidhjes së konfliktit me pajtim, por nuk do të thotë se vullneti i të dëmtuarit akuzues për procedimin penalisht të të pandehurit varet nga vullneti i këtij të fundit.[12] Në këtë rast viktima akuzuese nuk mund ta paraqesë përsëri këtë kërkesë. Kur pajtimi nuk arrihet, gjykata cakton seancën gjyqësore dhe u bën të njohur palëve se mund të mbrohen nga mbrojtës. Në raste të tilla, Gjykata e Lartë, në çështjet me juridiksion fillestar, ka vendosur thirrjen e Prokurorisë për të marrë pjesë në gjykim.[13] Viktima akuzuese mund të heqë dorë nga akuza penale në çdo fazë të gjykimit dhe gjykata në një rast të tillë pasi verifikon vullnetin e viktimës akuzuese vendos pushimin e çështjes penale.

       

      1. Mosmarrëveshjet që shqyrtohen nga gjykata me kërkesën e viktimës akuzuese mund të zgjidhen nëpërmjet ndërmjetësimit si procedurë alternative jashtëgjyqësore e zgjidhjes së mosmarrëveshjes. Gjykata në zbatim të neneve 2§3 dhe 14 të ligjit Nr.10385, datë 24.02.2011 “Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve” fton palët për zgjidhjen me ndërmjetësim të mosmarrëveshjes, dhe kur ato japin pëlqimin cakton një afat për zgjidhjen e mosmarrëveshjes. Secila nga palët ka të drejtë të kërkojë në çdo kohë rifillimin e gjykimit.

       

      1. Gjykata Kushtetuese[14] është shprehur fillimisht se: “prokurori është i përjashtuar nga pjesëmarrja gjatë fazës së hetimit paraprak të këtyre çështjeve. Këto vihen në lëvizje vetëm mbi kërkesën e të dëmtuarit akuzues dhe çdo veprim procedural që ka lidhje me këtë fazë, kryhet nga vetë gjykata.”, duke pranuar ekzistencën e fazës së hetimeve paraprake në këto procedime. Ndërsa në një vendim të dytë, Gjykata Kushtetuese[15] pranon se nuk ka një fazë të hetimit paraprak duke u shprehur se: “Përjashtimi i hetimit paraprak nga këto çështje dhe lejimi i të dëmtuarit akuzues për të ngritur akuzë nuk është marrje e kompetencave të prokurorit, por thjesht dhënie e mundësisë të dëmtuarit për të qenë aktiv në një proces ku ai është i interesuar drejtpërdrejt”. Në gjykimin e akuzës private nuk ka ndjekje penale dhe as hetime paraprake, siç ndodh në rastin e akuzës publike por ka vetëm hetim gjyqësor, i cili shërben për të vërtetuar bazueshmërinë e kërkesës së viktimës akuzuese. Nuk është prokurori subjekti që ka për detyrë të vërtetojë akuzën por viktima akuzuese gjatë hetimit gjyqësor.

       

      1. Me marrjen dijeni për kryerjen e një vepre penale, policia gjyqësore dhe prokuroria fillojnë veprimet e para verifikuese. Në rast se gjatë hetimit rezulton se faktet kanë të bëjnë me një vepër penale, e cila ndiqet me kërkesën e viktimës akuzuese, prokurori i çështjes vendos mosfillimin e procedimit penal apo pushimin e çështjes penale në varësi të stadit në të cilin ndodhen hetimet. Kjo për faktin se subjekti që kërkon ushtrimin e ndjekjes penale nuk është prokuroria por viktima akuzuese e cila paraqet kërkesë drejtpërdrejtë në gjykatë në përputhje me nenet 59 dhe 69 të K.Pr.P dhe dërgimi i akteve nga prokurori në gjykatë vjen në kundërshtim me këto dispozita. [16]

       

      1. Neni 59§2 i K.Pr.P përcakton rolin e prokurorit duke parashikuar se prokurori merr pjesë në gjykimin e këtyre çështjeve dhe, sipas rastit, kërkon dënimin e të pandehurit ose pafajësinë e tij. Gjykata Kushtetuese[17] fillimisht është shprehur se prokurori nuk është palë në debatin gjyqësor që zhvillohet midis të pandehurit dhe të dëmtuarit akuzues. Për këtë kategori veprash penale ai është i përjashtuar me ligj nga roli i tij si përfaqësues i akuzës dhe si autoritet që ushtron ndjekjen penale. Ky vendim ka shkaktuar diskutime[18]. Sipas qëndrimit tjetër të mbajtur nga doktrina[19], nuk është e drejtë të thuhet se prokurori nuk është palë në gjykimin e çështjeve të kërkuara nga i dëmtuari akuzues, me arsyetimin se është i përjashtuar nga pjesëmarrja e fazës së hetimit paraprak të këtyre çështjeve. Në jurisprudencën e mëvonshme Gjykata Kushtetuese[20] ka reflektuar këto diskutime duke qartësuar disi rolin dhe pozitën e prokurorit në gjykimin e këtyre çështjeve, të cilën e ka konsideruar të një lloji të veçantë. Akuza publike nuk mund të shmanget dhe ajo ushtrohet nga prokuroria edhe duke ndërhyrë në procesin e iniciuar nga i dëmtuari akuzues. Mungesa e prokurorit në gjykim, në proçesin e vënë në lëvizje nga i dëmtuari akuzues, passjell pavlefshmërinë absolute të proçesit, pa e lënë këtë pjesëmarrje në vlerësimin e këtij të fundit ose gjykatës.[21]

       

      1. Si përfundim edhe pse inicimin dhe disponimin e akuzës ligji ia ka dhënë shprehmisht viktimës akuzuese, gjithsesi neni 59 i K.Pr.P nuk e shmang pjesëmarrjen e prokurorit në gjykimin e këtyre çështjeve. Si pasojë e zhvillimeve në praktikë dhe doktrinë, pranohet se prokurori jo vetëm merr pjesë si palë në debatin gjyqësor në gjykimin e kërkesës së viktimës akuzuese, por sipas rastit, kërkon dënimin ose pafajësinë e të akuzuarit. Prokurori luan rol aktiv në gjykim duke marrë pjesë në debatin gjyqësor dhe duke kërkuar marrjen e provave sidomos kur ato janë në dosjen e prokurorit gjatë fazës së kryerjes së veprimeve verifikuese për të njëjtën ngjarje. Prokurori jep mendimin e tij dhe konkluzionet përfundimtare lidhur me cilësimin juridik të veprës penale, fajësinë dhe dënimin e të akuzuarit.

       

      1. Në nenin 59§3 të K.Pr.P përcaktohet se nëse viktima akuzuese ose mbrojtësi i caktuar prej tij nuk paraqitet në seancë pa shkaqe të arsyeshme, gjykata vendos pushimin e gjykimit. Ekziston qëndrimi[22] se nëse viktima akuzuese nuk paraqitet në seancë pajtimi, gjykata nuk duhet të pushojë çështjen, por të vlerësojë se pajtimi nuk mund të arrihet duke kaluar çështjen në seancë gjyqësore pasi në seancë përgatitore nuk mund të marrë një vendim përfundimtar. Ndërsa Gjykata e Lartë[23] ka mbajtur qëndrim tjetër lidhur me mosparaqitjen e viktimës akuzuese pa shkaqe të arsyeshme në seancën e pajtimit duke vendosur pushimin e çështjes për këtë shkak.

       

      1. Nisur nga formulimi i nenit 59§3 të K.Pr.P, ekziston qëndrimi se pushimi i gjykimit nuk do të thotë pushim i çështjes penale, pra zgjidhje përfundimtare e saj. Sipas këtij qëndrimi[24], në rast të pushimit të gjykimit për shkak të mosparaqitjes pa shkaqe të arsyeshme të të dëmtuarit akuzues, i dëmtuari ka të drejtë të kërkojë rifillimin e çështjes, kur provon se nuk është njoftuar rregullisht për ditën e gjykimit. Po ashtu, ai mund të paraqesë kërkesë të re për gjykimin e çështjes. Termi “pa shkaqe të arsyeshme” i përcaktuar në nenin 59§3 të K.Pr.P interpretohet në përputhje me komentin e nenit 350§1 dhe 351 të K.Pr.P që trajton kuptimin dhe rastet kur mungesa është shkaktuar nga forca madhore ose ndonjë pengesë tjetër që e përjashton personin nga përgjegjësia.

       

      1. Me ndryshimet e bëra me ligjin nr.35/2017 në nenin 59§4 të K.Pr.P parashikohet se viktima akuzuese që nuk ka zotësi për të vepruar i ushtron të drejtat që i janë njohur me ligj nëpërmjet përfaqësuesit ligjor. Kjo dispozitë duhet parë ngushtë me nenin 58§3 të K.Pr.P dhe nenet 6-11 të Kodit Civil lidhur me rastet e heqjes së zotësisë për të vepruar dhe caktimin e përfaqësuesit ligjor. Po ashtu neni 59§4 i K.Pr.P zbatohet në përputhje me dispozitat e Kodit të Familjes që rregullojnë përfaqësimin ligjor të të miturit nga prindi që ushtron përgjegjësinë prindërore apo kujdestari. Neni 59§4 i K.Pr.P është në përputhje me jurisprudencën e GJEDNJ[25] e cila ka konstatuar në një rast se në lidhje me këta persona vënia në jetë e legjislacionit has në pengesa të karakterit procedural dhe ekzistonte një boshllëk në ligj, përsa kohë që pretendimi i të atit të personit që nuk kishte zotësi për të vepruar nuk e zëvëndësonte atë që ky person duhet të kishte bërë dhe nuk e kishte bërë.

       

      1. Në nenin 59§5 të K.Pr.P përcaktohet se kur disa viktima të së njëjtës çështje paraqesin kërkesë në gjykatë, sipas nenit 59, të këtij Kodi, kërkesat e tyre bashkohen në një gjykim të vetëm. Ky përcaktim duhet parë ngushtë me rregullat procedurale të bashkimit të çështjeve të parashikuara nga nenet 79 dhe 92§1 të K.Pr.P. Në këtë rast gjykata vlerëson nëse çështjet qëndrojnë në të njëjtën gjendje dhe shkallë para të njëjtës gjykatë, dhe nëse dëmtohet shpejtësia e zgjidhjes së tyre.

       

      1. Në K.Pr.P nuk parashikohet shprehimisht kundërakuza private por në praktikën gjyqësore dhe doktrinë[26] pranohet se i akuzuari mund të paraqesë në të njëjtin gjykim kundërakuzë ndaj të dëmtuarit akuzues para përfundimit të shqyrtimit gjyqësor. Gjykata në këtë rast vendos pranimin për gjykim të kundërakuzës duke zbatuar të njëjtat rregulla procedurale dhe vazhdon gjykimin e kundërakuzës edhe në rast se mund të ndodhë që të pushojë gjykimin për akuzën private. Një qëndrim i tillë gjen mbështetje në nenin 92§1/b të K.Pr.P që parashikon bashkimin e çështjeve që qëndrojnë në të njëjtën gjendje dhe shkallë para të njëjtës gjykatë, kur nuk dëmtohet shpejtësia e zgjidhjes së tyre edhe në rastet e veprave penale të kryera nga disa persona në dëm të njëri-tjetrit.

       

      1. Lidhur me bashkimin në të njëjtin gjykim të procedimeve të veprave penale që ndiqen kryesisht me ato që ndiqen nëpërmjet akuzës private ekziston qëndrimi se në parim bashkimi nuk duhet të pranohet nga gjykata sepse vështirëson gjykimin. Nga ana tjetër, pranohet[27] se në disa raste bashkimi do të ishte i lejueshëm dhe i pranueshëm për shkak të ekonomisë gjyqësore. Por, gjithsesi gjykata mund të vendosë ndarjen e çështjeve nëse bashkimi do të vështirësonte gjykimin.[28]

       

      1. Lidhur me mundësinë e aplikimit të gjykimeve të posaçme në rastet e veprave penale që ndiqen me kërkesë të viktimës akuzuese qëndrimi ka qënë i unifikuar përsa i përket pamundësisë së aplikimit të gjykimit të drejpërdrejtë sipas nenit 400 të K.Pr.P për shkak të mungesës së fazës së hetimeve paraprake. Ndërsa përsa i përket gjykimit të shkurtuar, ekziston qëndrimi[29] se kur gjykata vlerëson se çështja mund të zgjidhet në gjendjen që janë aktet e paraqitura nga i dëmtuari akuzues vendos të procedojë me gjykim të shkurtuar sipas nenit 403 të K.Pr.P. Argumenti në të cilin mbështetet ky qëndrim lidhet me diskriminimin e kundërligjshëm që do të kishte në rast të mosaplikimit të gjykimit të shkurtuar për këto vepra në raport me aplikimin e këtij gjykimi për veprat penale që ndiqen kryesisht nga prokurori[30]. Por, duke patur parasysh kuptimin dhe rregullat e gjykimit të shkurtuar si gjykim i posaçëm si dhe gjykimet e tjera të posaçme të parashikuara me ndryshimet me ligjin nr.35/2017 del se asnjë prej tyre nuk është i aplikueshëm në gjykimin e kërkesës së viktimës akuzuese.

       

      1. Me ndryshimin e neneve 288, 292[31] të K.Pr.P dhe nenit 73 të Kushtetutës[32], nuk përbën më kusht për ndjekjen penale kërkimi i autorizimit për personat që gëzojnë imunitet. Përpara këtyre ndryshimeve, sipas qëndrimit të mbajtur nga Gjykata Kushtetuese[33], për veprat penale që ndiqen me kërkesë të të dëmtuarit akuzues, gjykata ka të drejtë dhe është e detyruar me ligj, t’i drejtohet drejtpërsëdrejti, pa ndërmjetësinë e prokurorit, të gjitha organeve kompetente për të kërkuar autorizim për ndjekje penale të personave që gëzojnë imunitet. Për rrjedhim pas ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore, nuk nevojitet marrja e autorizimit për ndjekje penale për gjykimin e kërkesës së viktimës akuzuese.

       

      1. Edhe pse neni 59 i K.Pr.P nuk ka përcaktuar një afat për paraqitjen e kërkesës nga viktima akuzuese në gjykatë, në interpretim të ngushtë me nenin 66 të Kodit Penal do të zbatohet afati i parashkrimit të ndjekjes penale i parashikuar në këtë dispozitë. Momenti i paraqitjes në gjykatë të kërkesës nga ana e viktimës akuzuese konsiderohet si moment i fillimit të ndjekjes penale. Duke qënë se afati i parashkrimit nuk zgjatet apo ndërpritet[34], atëherë në rast të plotësimit të këtij afati, gjykata vendos pushimin e çështjes penale duke treguar dhe shkakun në përputhje me nenin 387 të K.Pr.P.

       

      1. Viktima akuzuese ka të drejtë të shfrytëzojë të gjitha mjetet juridike të njohura nga legjislacioni procedural, përfshirë këtu edhe të drejtën e ankimit apo rekursin.[35] Neni 409 i K.Pr.P parashikon se viktima akuzuese mund të bëjë ankim, vetë ose nëpërmjet përfaqësuesit të tij, si për efekte penale, ashtu dhe për ato civile. Ai mund ta tërheqë ankimin e bërë nga përfaqësuesi. Në një rast të tillë, Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë sipas rastit vendos mospranimin e ankimit ose mospranimin e rekursit. Në nenin 425 të K.Pr.P përcaktohen kufijtë e shqyrtimit të çështjes në apel kur apelues është viktima akuzuese ose kur është vetëm i pandehuri. Ndërsa në nenin 444 K.Pr.P përcaktohet se kur prish vetëm disponimet ose pikat që kanë të bëjnë me padinë civile ose kur pranon rekursin e paditësit civil kundër vendimit të pafajësisë së të pandehurit, Gjykata e Lartë ia dërgon aktet përkatëse gjykatës civile kompetente.

       

      [1] Dëmtime të tjera me dashje, Plagosja e rëndë nga pakujdesia, Plagosja e lehtë nga pakujdesia, Dhunimi i banesës (paragrafi 1), Fyerja, Fyerja me motive racizmi ose ksenofobie nëpërmjet sistemit kompjuterik, Shpifja, Ndërhyrje të padrejta në jetën private, Përhapja e sekreteve vetjake, Mosdhënia e mjeteve për jetesë, Marrja e padrejtë e fëmijës, Shkelja e paprekshmërisë së banesës.

      [2] Ledi Bianku, Odeta Kumbaro, Jurisprudenca e Gjykatës së Strasburgut, Botimi i IV, Tiranë 2017, faqe 101.

      [3] Direktiva 2012/29 e Parlamentit Europian dhe Këshillit e datës 25.10.2012 e Bashkimit Europian, që vendosi standartet minimale të të drejtave, mbështetjes dhe mbrojtjes së viktimave të krimit, duke zëvëndësuar Vendimin Kuadër të Këshillit 2001/220/JHA, (publikuar në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Europian në datën 14.11.2012, Rekomandimi (2000) 19 “Për rolin e prokurorit në sistemin e drejtësisë penale” dhe Memorandumi shpjegues, miratuar në datë 06 Tetor 2000, nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës, pika 34, lidhur me autorizimin e palëve për të ndërmarrë akuzën private, Rekomandimi (2006) 8 i Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare “Për asistimin e viktimave të krimit” datë 14 Qershor 2006, Rekomandimi (1985) 11 i Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare “Për pozitën e viktimës në kuadrin e të drejtës penale dhe procedurës penale” datë 28 Qershor 1985, Rekomandimi (1987) 21 i Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare “Për asistimin e viktimave dhe parandalimin e viktimizimit”, datë 17 Shtator 1987, Rekomandimi (1997) 13 i Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare “Për intimidimin e dëshmitarëve dhe të drejtën e mbrojtjes”, datë 10 Shtator 1997, Rekomandimi (1999) 19 i Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare “Për ndërmjetësimin në fushën penale”, datë 15 Shtator 1999, Rekomandimi (2003) 13 i Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare “Për rregullimin e informimit nëpërmjet medias në lidhje me procedimin penal”; datë 10 Korrik 2003, dhe Konventa Europiane “Për kompensimin e viktimave të veprave penale të dhunshme” e Këshillit të Europës, datë 24 Nëntor 1983.

      [4] Vendimi nr.27 datë 09.05.2012, Roxhers Durdaj, Alketa Hazizaj, Shoqata e Familjarëve të Viktimave të Shpërthimit të Gërdecit, Shfuqizimi, si i papajtueshëm me Kushtetutën i vendimit nr.5 datë 01.03.2010 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

      [5] Vendim nr.2, datë 20.06.2013, Gjergj Leka, (KBGJL), pikat 26 dhe 27.

      [6] Vendim nr.2, datë 20.06.2013, Gjergj Leka, (KBGJL), pikat 26 dhe 27 dhe Vendimi nr.721 datë 12.12.2001 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

      [7] Vendimi nr.3 datë 06.02.2008, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Bulqizë, Shfuqizimi, si i papajtueshëm me Kushtetutën i nenit 59/1 të Kodit të Procedurës Penale.

      [8] Fyerja, Fyerja me motive racizmi ose ksenofobie nëpërmjet sistemit kompjuterik, Shpifja, Ndërhyrje të padrejta në jetën private, Përhapja e sekreteve vetjake.

      [9] Ndryshuar me ligjin nr.76/2016, datë 22.7.2016.

      [10] Ndryshuar me ligjin nr.35/2017, datë 30.3.2017.

      [11] Vendimi Nr.8 i datës 05.06.2015 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.   

      [12] Artan Hoxha, Pozita procedurale e të dëmtuarit nga vepra penale. I dëmtuari akuzues, Revista “Jeta Juridike”, Nr.1, Tiranë, Mars 2009, faqe 67.

      [13] Vendim Nr. 13/1/1 datë 24.05.2017 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

      [14] Vendimi nr.39 datë 23.06.2000, Një grup deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë, Interpretimin e nenit 73/2 të Kushtetutës.

      [15] Vendimi nr.3 datë 06.02.2008, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Bulqizë, Shfuqizimi, si i papajtueshëm me Kushtetutën i nenit 59/1 të Kodit të Procedurës Penale.

      [16] Vendim nr.10 datë 11.02.2013 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Përmet. Alketa Nushi, Vendimet e pushimit në fazën e hetimeve paraprake, Shkolla e Magjistraturës Tiranë, viti 2009.

      [17] Vendimi nr.39 datë 23.06.2000, Një grup deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë, Interpretimin e nenit 73/2 të Kushtetutës.

      [18] Artan Hoxha, Pozita procedurale e të dëmtuarit nga vepra penale. I dëmtuari akuzues, Revista “Jeta Juridike”, Nr.1, Tiranë, Mars 2009, faqe 69.

      [19] Halim Islami, Artan Hoxha, Ilir Panda, Procedura penale Komentar, Tiranë 2003, faqe 143.

      [20] Vendimi nr.3 datë 06.02.2008, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Bulqizë, Shfuqizimi, si i papajtueshëm me Kushtetutën i nenit 59/1 të Kodit të Procedurës Penale.

      [21] Vendimi nr.27 datë 09.05.2012, Roxhers Durdaj, Alketa Hazizaj, Shoqata e Familjarëve të Viktimave të Shpërthimit të Gërdecit, Shfuqizimi, si i papajtueshëm me Kushtetutën i vendimit nr.5 datë 01.03.2010 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

      [22] Albert Murçaj, Gjykimi i akuzës private. Roli i prokurorit dhe pozita procedurale e të dëmtuarit akuzues, Mbi disa çështje të së drejtës penale dhe procedurale penale, Shkolla e Magjistraturës, nr.1, viti 2010, faqe 21.

      [23] Vendimi nr.1/2 datë 19.01.2015 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

      [24] Artan Hoxha, Pozita procedurale e të dëmtuarit nga vepra penale. I dëmtuari akuzues, Revista “Jeta Juridike”, Nr.1, Tiranë, Mars 2009, faqe 67.

      [25] X dhe Y kundër Holandës, kërkesa 8978/80, datë 26 Mars 1985. Në këtë çështje Prokuroria kishte vendosur të mos fillonte ndjekje penale sepse viktima e cila ishte 16 vjeç dhe me ç’rregullime mendore nuk kishte ngritur padi vetë brenda afatit të duhur dhe dispozita e Kodit Penal nuk gjente zbatim përveçse kur kishte vepruar vetë viktima.

      [26] Albert Murçaj, Gjykimi i akuzës private. Roli i prokurorit dhe pozita procedurale e të dëmtuarit akuzues, Mbi disa çështje të së drejtës penale dhe procedurale penale, Shkolla e Magjistraturës, nr.1, viti 2010, faqe 23.

      [27] Albert Murçaj, Gjykimi i akuzës private. Roli i prokurorit dhe pozita procedurale e të dëmtuarit akuzues, Mbi disa çështje të së drejtës penale dhe procedurale penale, Shkolla e Magjistraturës, nr.1, viti 2010, faqe 26.

      [28] Vendimi nr.553 datë 04.06.2003 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

      [29] Vendim nr.387 datë 16.04.2004 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

      [30] Albert Murçaj, Gjykimi i akuzës private. Roli i prokurorit dhe pozita procedurale e të dëmtuarit akuzues, Mbi disa çështje të së drejtës penale dhe procedurale penale, Shkolla e Magjistraturës, nr.1, viti 2010, faqe 25.

      [31] Ndryshuar me ligjin nr.35/2017.

      [32] Ndryshuar paragrafi 3, me ligjin nr.76/2016, datë 22.07.2016 dhe ndryshimet me ligjin Nr. 88/2012.

      [33] Vendimi nr.39 datë 23.06.2000, Një grup deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë, Interpretimin e nenit 73/2 të Kushtetutës.

      [34] Vendim nr.7, datë 11.10.2002, Blerim Llukani, (KBGJL).

      [35] Vendimi nr.3 datë 06.02.2008, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Bulqizë, Shfuqizimi, si i papajtueshëm me Kushtetutën i nenit 59/1 të Kodit të Procedurës Penale.

      1. Në relacionin për projekt-ligjin[1] për disa shtesa dhe ndryshime në K.Pr.P dhe në Analizën e Sistemit të Drejtësisë,[2] të hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë është pasqyruar problematika që lidhet me nenin 59 të K.Pr.P, që konsiston në terminologjinë dhe përcaktimin e rregullave më të qarta duke dhënë edhe rregullimet përkatëse për këto subjekte në përputhje me legjislacionin e BE[3].

       

      1. Problematika e konstatuar gjatë zbatimit të nenit 59 të K.Pr.P dhe qëndrimet e ndryshme të mbajtura në praktikën gjyqësore, për shkak të mënyrës së formulimit të dispozitës, kanë sjellë nevojën e ndryshimit të nenit 59 të K.Pr.P. Me qëllim zbatimin e standarteve ndërkombëtare për të drejtat e viktimës në proçesin penal, dhe standarteve të përcaktuara në jurisprudencën e GJEDNJ dhe nga legjislacioni i BE lidhur me akuzën private, me ligjin 35/2017, në nenin 59 të K.Pr.P, janë bërë ndryshime dhe shtesa. Këto shtesa kanë dhënë një përcaktim më të saktë dhe të qartë të rregullave procedurale.

       

      [1] Relacioni për projekt-ligjin “Për disa shtesa e ndryshime në Kodin e Procedurës Penale”, https://www.parlament.al/wp-content/uploads/7905-KODI-I-PROCEDURES-PENALE-Resized.pdf, faqe 11, aksesuar për herë të fundit në datë 29.12.2017.

      [2] Shih Analizën e Sistemit të Drejtësisë, Qershor 2015, në

      http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf vizituar për herë të fundit më 29.12.2017, faqe 150.

      [3] Rekomandimi (2000)19 “Për rolin e prokurorit në sistemin e drejtësisë penale” dhe Memorandumi shpjegues, miratuar në datë 06 Tetor 2000, nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës, pika 34.

    • Rekomandimi (2000) 19 “Për rolin e prokurorit në sistemin e drejtësisë penale” dhe Memorandumi shpjegues, miratuar në datë 06 Tetor 2000, nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës, pika 34, lidhur me autorizimin e palëve për të ndërmarrë akuzën private; 

      Direktiva 2012/29 e Parlamentit Europian dhe Këshillit e datës 25.10.2012 e Bashkimit Europian, që vendosi standartet minimale të të drejtave, mbështetjes dhe mbrojtjes së viktimave të krimit, duke zëvëndësuar Vendimin Kuadër të Këshillit 2001/220/JHA, (publikuar në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Europian në datën 14.11.2012; 

      Rekomandimi (2006) 8 i Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare “Për asistimin e viktimave të krimit” datë 14 Qershor 2006; 

      Rekomandimi (1985) 11 i Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare “Për pozitën e viktimës në kuadrin e të drejtës penale dhe procedurës penale” datë 28 Qershor 1985; 

      Rekomandimi (1987) 21 i Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare “Për asistimin e viktimave dhe parandalimin e viktimizimit”, datë 17 Shtator 1987; 

      Rekomandimi (1997) 13 i Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare “Për intimidimin e dëshmitarëve dhe të drejtën e mbrojtjes”, datë 10 Shtator 1997; 

      Rekomandimi (1999) 19 i Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare “Për ndërmjetësimin në fushën penale”, datë 15 Shtator 1999; 

      Rekomandimi (2003) 13 i Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare “Për rregullimin e informimit nëpërmjet medias në lidhje me procedimin penal”; datë 10 Korrik 2003; 

      Konventa Europiane “Për kompensimin e viktimave të veprave penale të dhunshme” e Këshillit të Europës, datë 24 Nëntor 1983.

  • Vendime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut 

    X dhe Y kundër Holandës, kërkesa 8978/80, datë 26 Mars 1985.

  • Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, Qershor 2015, faqe 146, 171, 181, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf, aksesuar për herë të fundit më 29.12.2017; 

    Relacioni për projekt-ligjin “Për disa shtesa e ndryshime në Kodin e Procedurës Penale”, https://www.parlament.al/wp-content/uploads/7905-KODI-I-PROCEDURES-PENALE-Resized.pdf, aksesuar për herë të fundit në datë 29.12.2017.

  • Nenet 58, 60, 75/a, 75/b, 79, 92§1/b, 288, 292, 338, 350§1, 351, 387, 400, 403, 409, 425, 444, të ligj nr.35/2017 Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.7905, datë 21.03.1995 “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar me ligjin nr. 35/2017. 

    Kushtetuta: 

    Nenet 73, 135, 148§1 të Kushtetutës, ndryshuar me ligjin nr. 76/2016. 

    Ligji: 

    Ligji nr.7905, datë 21.03.1995 “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar me ligjin nr. 35/2017; 

    Nenet 2§3 dhe 14 të ligjit Nr.10385, datë 24.02.2011 “Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”; 

    Nenet 66, 90, 91, 92, 112 paragrafi i parë, 119, 119/b, 120, 121, 122, 125, 127, dhe 254 të Kodit Penal; 

    Nenet 6-11 të Kodit Civil.

  • Asnjë koment
  • Vendime të Gjykatës Kushtetuese 

    Vendimi nr.39 datë 23.06.2000, Një grup deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë, Interpretimin e nenit 73/2 të Kushtetutës; 

    Vendimi nr.3 datë 06.02.2008, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Bulqizë, Shfuqizimi, si i papajtueshëm me Kushtetutën i nenit 59/1 të Kodit të Procedurës Penale; 

    Vendimi nr.27 datë 09.05.2012, Roxhers Durdaj, Alketa Hazizaj, Shoqata e Familjarëve të Viktimave të Shpërthimit të Gërdecit, Shfuqizimi, si i papajtueshëm me Kushtetutën i vendimit nr.5 datë 01.03.2010 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

     

    Vendime të Gjykatës së Lartë 

    Vendim nr.7, datë 11.10.2002, Blerim Llukani, (KBGJL); 

    Vendim nr.2, datë 20.06.2013, Gjergj Leka, (KBGJL), pikat 26 dhe 27; 

    Vendimi nr.1/2 datë 19.01.2015 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë; 

    Vendim Nr. 13/1/1 datë 24.05.2017 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë; 

    Vendimi Nr.8 i datës 05.06.2015 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë; 

    Vendimi nr.721 datë 12.12.2001 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

  • Albert Murçaj, Gjykimi i akuzës private. Roli i prokurorit dhe pozita procedurale e të dëmtuarit akuzues, Mbi disa çështje të së drejtës penale dhe procedurale penale, Shkolla e Magjistraturës, nr.1, viti 2010. 

    Artan Hoxha, Pozita procedurale e të dëmtuarit nga vepra penale. I dëmtuari akuzues, Revista “Jeta Juridike”, Nr.1, Tiranë, Mars 2009. 

    Dr.Jorgo Dhrami, Pozita procedurale e prokurorit në raport me të dëmtuarin akuzues, Revista “Tribunë Juridike” nr.51, Tiranë, viti 2004. 

    Ledi Bianku, Jurisprudenca e Gjykatës së Strasburgut, Tiranë, 2007. 

    Ledi Bianku, Odeta Kumbaro, Jurisprudenca e Gjykatës së Strasburgut, Botimi i IV, Tiranë 2017. 

    Halim Islami, Artan Hoxha, Ilir Panda, Procedura penale Komentar, Tiranë 2003. 

    Alketa Nushi, Vendimet e pushimit në fazën e hetimeve paraprake, Shkolla e Magjistraturës Tiranë, viti 2009.

  • Ligje 

    Neni 59 i K.Pr.P para ndryshimit me ligjin nr. 35/2017.

Ornela Naqellari
Idlir Peçi