1. Organi kompetent në çdo rast vlerëson marrjen e masës së shmangies ndaj të miturit në konflikt me ligjin.
2. Organi kompetent, në marrjen e vendimit për zbatimin e masës së shmangies nga ndjekja penale vlerëson interesin më të lartë të të miturit, rëndësinë e veprës penale të kryer dhe dënimin e parashikuar për atë vepër, moshën e të miturit, shkallën e fajësisë, dëmin e shkaktuar, efektin frikësues të ndjekjes penale, sjelljen e të miturit pas kryerjes së veprës penale, si dhe raportin e vlerësimit individual, të hartuar sipas nenit 47 të këtij Kodi.
3. Në mënyrë të veçantë masa e shmangies nga organi kompetent zbatohet nëse:
a. ka prova të mjaftueshme për një dyshim të arsyeshëm se i mituri ka kryer një vepër penale, për të cilën parashikohet dënim me burgim deri në 5 vjet në maksimum ose me gjobë;
b. i mituri pranon dhe shpjegon veprën penale në prani të mbrojtësit;
c. i mituri nuk është kallëzuar për kryerjen e një vepre penale ose nuk është përsëritës;
ç. i mituri dhe, sipas rastit, përfaqësuesi i tij ligjor ose procedural japin pëlqimin me shkrim për zbatimin e shmangies;
d. i mituri nuk ka marrë pjesë më parë në një program ku të jetë zbatuar masa e shmangies nga ndjekja penale dhe/ose e ndërmjetësimit;
dh. dënimi i të miturit për ato vepra nuk i shërben korrigjimit të sjelljes së tij;
e. duke mbajtur parasysh interesin më të lartë të të miturit, shihet nëse nuk ka një interes publik për fillimin e ndjekjes penale ose vazhdimin e ndjekjes penale të filluar.
4. Organi kompetent, para marrjes së vendimit për zbatimin e masës së shmangies, mund të kërkojë informacion nga prindërit, kujdestarët ligjorë, institucionet që kanë dijeni për veprimtarinë e të miturit, përfshirë, sipas rastit, edhe Njësinë për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës, si dhe mendimin e ekspertit, sipas nevojave të të miturit dhe të procesit.