1. Prokurori mund të vendosë zbatimin e masës së shmangies deri në momentin para se të ketë filluar shqyrtimi gjyqësor i çështjes.
2. Masa e shmangies ndaj të miturit në konflikt me ligjin mund të merret me iniciativën e prokurorit ose me kërkesë të të miturit në konflikt me ligjin ose përfaqësuesit të tij.
3. Në rastet kur masa e shmangies merret me iniciativën e prokurorit, ai i propozon të miturit në konflikt me ligjin masën e shmangies nga ndjekja penale dhe në rast se i mituri jep pëlqimin, prokurori vendos përfundimisht zbatimin e saj.
4. Në rast se kërkesa/propozimi i prokurorit për zbatimin e masës së shmangies nuk pranohet nga i mituri në konflikt me ligjin, mbahet një procesverbal, në të cilin pasqyrohen arsyet e mospranimit të saj nga i mituri. Procesverbali nënshkruhet nga prokurori dhe i mituri ose, sipas rastit, përfaqësuesi i tij ligjor ose procedural.
5. I mituri në konflikt me ligjin ose përfaqësuesi i tij, me kërkesë të arsyetuar, i kërkon prokurorit zbatimin e masës së shmangies. Në këtë rast prokurori vendos për zbatimin ose jo të masës së shmangies me vendim të arsyetuar.
6. Në rast se prokurori refuzon kërkesën për zbatimin e masës së shmangies, i mituri në konflikt me ligjin ose përfaqësuesi i tij ka të drejtë që të kërkojë zbatimin e masës së shmangies nga ndjekja penale në gjykatë brenda 15 ditëve nga marrja e njoftimit për vendimin e refuzimit.