1. Vendosja e të miturit në mbikëqyrje synon garantimin e paraqitjes së të miturit, sa herë kërkohet, përpara oficerit të policisë gjyqësore, prokurorit ose gjykatës. Kjo masë realizohet përmes marrjes përsipër nga ana e prindit, të afërmit, institucionit ose personit të specializuar që të garantojë sjelljen e të miturit dhe të mbikëqyrë nëse sjellja është e përshtatshme.
2. Vendosja në mbikëqyrje, sipas pikës 1, të këtij neni, bëhet vetëm me pëlqimin e të miturit dhe të personit që do ta mbikëqyrë atë.
3. Personi mbikëqyrës mund të tërhiqet nga ushtrimi i mbikëqyrjes së të miturit në çdo kohë, në rast se çmon se nuk mund të garantojë paraqitjen e të miturit sa herë kërkohet nga organi kompetent dhe nuk garanton sjelljen dinjitoze të të miturit. Personi mbikëqyrës, për këtë, njofton menjëherë gjykatën.
4. Personi mbikëqyrës mund të zëvendësohet në rastin e tërheqjes ose dështimit të mbikëqyrjes.
5. Në rast se mbikëqyrja e të miturit dështon për shkaqe objektive që nuk lidhen me personin mbikëqyrës, gjykata vendos zëvendësimin e tij.
6. Kur dështimi vjen nga veprime ose mosveprime të personit mbikëqyrës, gjykata urdhëron dënimin e tij me gjobë deri në 20 000 lekë.
7. Urdhri i gjykatës është i paankimueshëm.
8. Gjykata, sipas rastit, vendos zëvendësimin e personit mbikëqyrës ose të masës së sigurimit ndaj të miturit.