KODI I PROCEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   7905

Neni 138: Njoftimet nëpërmjet shpalljes publike për viktimat

1Kur njoftimi i viktimave është i vështirë për shkak të numrit të tyre, pamundësisë të identifikimit të disave prej tyre ose kur njoftimi është i pamundur për shkak se nuk dihen vendet e treguara në nenin 140, gjykata mund të urdhërojë që ai të bëhet nëpërmjet shpalljes publike në këndin e njoftimeve dhe faqen e internetit të saj. Njoftimi qëndron i publikuar për jo më pak se 10 ditë.

2Njoftimi quhet i bërë kur ftuesi i gjykatës depoziton në sekretari një kopje të aktit bashkë me dokumentet që vërtetojnë shpalljen publike.

Përmbajtja

      1. Neni 138 i K.Pr.P ka një qëllim të dyfishtë. Në njërën anë, ai synon garantimin e të drejtës të viktimave për t’u informuar dhe për rrjedhojë për t’u thirrur në seancë si dhe për t’u dëgjuar në proçesin penal nëpërmjet parashikimit të mënyrës së njoftimit të tyre nga organi procedues. Në anën tjetër njoftimi me shpallje publike ka qëllim moszvarritjen e gjykimit në rastet kur njoftimi i viktimave është i pamundur ose i vështirë.
      1. Neni 138 i K.Pr.P përcakton rastet dhe rregullat procedurale për njoftimin me shpallje publike për viktimat si dhe rregullat procedurale kur duhet të konsiderohet i kryer njoftimi me shpallje publike për viktimat.
      1. Në rastet kur njoftimi i viktimave është i vështirë për shkak të numrit të tyre, pamundësisë të identifikimit të disave prej tyre ose kur njoftimi është i pamundur për shkak se nuk dihen vendet e treguara në nenin 140 procedohet me njoftimin me shpallje publike sipas nenit 138 të K.Pr.P. Neni 138 i K.Pr.P zbatohet vetëm në këto tre raste të parashikuara në paragrafin e parë. Këto raste nuk janë kumulative. Mjafton edhe vetëm plotësimi i njërit prej këtyre rasteve në mënyrë që të procedohet me njoftimin me shpallje publike.

       

      1. Rasti i parë i parashikuar nga neni 138§1 i K.Pr.P është kur njoftimi i viktimave është i vështirë për shkak të numrit të tyre. Kjo nënkupton një numër shumë të lartë apo të konsiderueshëm viktimash të tillë që e bën të vështirë njoftimin në vendet e treguara në nenin 140 të K.Pr.P për secilin prej tyre njëkohësisht. Në këtë rast edhe pse banesa apo vendqëndrimi i viktimave dihen, procedohet me shpallje publike vetëm për shkak të vështirësisë së njoftimit në këto vende të shkaktuar nga numri i lartë i tyre.

       

      1. Rasti i dytë i parashikuar nga neni 138§1 i K.Pr.P për njoftimin me shpallje publike është ai i pamundësisë të identifikimit të disave prej viktimave. Në këtë rast gjykata procedon me shpallje publike duke njoftuar viktimat e veprës penale pa specifikuar në njoftim gjeneralitetet e tyre. Afishimi i njoftimit me shpallje bëhet në stendën e gjykatës dhe në faqen zyrtare në internet. Kjo mënyrë njoftimi bëhet për shkak të pamundësisë së identifikimit të tyre.

       

      1. Rasti i tretë i parashikuar nga neni 138§1 i K.Pr.P është kur njoftimi është i pamundur për shkak se nuk dihen vendet e treguara në nenin 140 të K.Pr.P si banesa, vendi i punës, vendi ku qëndron më shpesh apo banimi i përkohshëm i viktimës. Kjo nënkupton që nga aktet e procedimit penal nuk është e mundur që të përcaktohet banesa apo vendqëndrimi i viktimës. Njoftimi me shpallje publike nuk mund të aplikohet kur dihen këto vende. Në një rast të tillë gjykata duhet të procedojë me njoftimin e viktimës në këto vende nga ftuesi gjyqësor, policia gjyqësore ose nëpërmjet shërbimit postar në përputhje me nenet 132§1 dhe 137 të K.Pr.P.

       

      1. Normalisht duhet të synohet fillimisht njoftimi i viktimës sipas përcaktimeve të nenit 137 të K.Pr.P. Dispozitat e këtij neni parashikojnë se njoftimi për viktimat e veprës penale bëhet njëlloj si për rastet kur njoftohet për herë të parë i pandehuri i lirë sipas rregullave të përcaktuara në nenin 140 të K.Pr.P. Kjo do të thotë që prioritet ka dorëzimi i aktit të njoftimit personalisht viktimës. Nëse kjo është e pamundur, atëherë njoftimi bëhet në banesë ose në vendin e punës. Nëse njoftimi nuk mund të bëhet edhe në këto vende apo nëse ato nuk dihen atëherë procedohet në vendin ku viktima ka banimin e përkohshëm ose vendin ku qëndron më shpesh.[1] Gjykata nuk duhet të procedojë me kërkimin e viktimës në vende të tjera në rast se ky veprim shkakton zvarritjen e gjykimit dhe cënimin e interesave të të pandehurit.

       

      1. Për shpalljen publike zbatohen rregullat e përcaktuara në nenin 138 të K.Pr.P dhe ftuesi i gjykatës depoziton në sekretari një kopje të aktit bashkë me dokumentet që vërtetojnë shpalljen publike. Ndërsa kur adresa e viktimës dihet, por personat e treguar në nenin 140 të K.Pr.P mungojnë ose nuk janë të përshtatshëm, ose refuzojnë të marrin aktin atëherë njoftimi me shpallje përveç se në stendën dhe faqen zyrtare në internet të gjykatës afishohet edhe në banesën e viktimës.

       

      1. Kur nga aktet del se vendbanimi ose vendqëndrimi ndodhen jashtë shtetit, në përputhje me nenin 137 të K.Pr.P, viktima ftohet me anën e letrës rekomande me lajmërim marrje, me të cilën kërkohet të deklarojë ose të zgjedhë banesën në territorin e shtetit shqiptar. Në këtë rast adresa e viktimës jashtë shtetit duhet të jetë e plotë dhe e mjaftueshme në mënyrë që të procedohet me letër rekomande. Kur pas njëzet ditëve nga marrja e letrës rekomande nuk bëhet deklarimi ose zgjedhja e banesës, njoftimi bëhet me anën e depozitimit të aktit në sekretari. Edhe në këtë rast zbatohen rregullat e njoftimit me shpallje publike të përcaktuara në nenin 138 të K.Pr.P dhe ftuesi i gjykatës depoziton në sekretari një kopje të aktit bashkë me dokumentet që vërtetojnë shpalljen publike.

       

      1. Ndryshe nga rastet e aplikimit të nenit 138 të K.Pr.P, rregullat e përcaktuara në nenin 137 të K.Pr.P aplikohen kur viktimat janë të identifikuara dhe kur dihet një nga vendet e treguara në këtë dispozitë, si banesa, vendi i punës, vendi ku qëndron më shpesh apo banimi i përkohshëm. Gjithashtu kusht tjetër për aplikimin e nenit 137 është që numri i viktimave të jetë i tillë që të bëjë të mundur njoftimin sipas kësaj dispozite.

       

      1. Njoftimi me shpallje publike urdhërohet nga gjykata dhe kryhet nëpërmjet afishimit të njoftimit për seancën apo për aktin procedural në këndin e njoftimeve të gjykatës dhe faqen e internetit të saj. Në praktikë afishimi i njoftimit me shpallje publike në këndin e njoftimeve të gjykatës bëhet nga ftuesi i gjykatës ndërsa njoftimi në faqen e internetit bëhet nga nëpunësi IT i gjykatës.

       

      1. Njoftimi qëndron i publikuar për jo më pak se 10 ditë. Kjo nënkupton se afati i publikimit i përcaktuar në nenin 138 fillon nga data e afishimit në këndin e njoftimeve apo data e publikimit në faqen zyrtare në internet të njoftimit. Gjykata verifikon datën e publikimit të njoftimit si dhe faktin nëse njoftimi ka qëndruar i publikuar për jo më pak se 10 ditë. Ky afat është konsideruar i arsyeshëm nga ligjvënësi dhe është i detyrueshëm për zbatim nga gjykata. Por ky parashikim duhet të zbatohet në përputhje me standartet e përcaktuara nga GJEDNJ[2], që përcaktojnë se në interes të administrimit të duhur të drejtësisë, secila palë në procedurë do të njoftohet për seancën, jo vetëm që ta dijë kohën dhe vendin, por edhe që të ketë kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur dhe të jetë i pranishëm. GJEDNJ[3] në një sërë çështjesh lidhur me kohën e përshtatshme të të pandehurit për përgatitjen e mbrojtjes, ka përcaktuar disa kritere që gjykata duhet tu kushtojë vëmendje e veçantë. Këto kritere janë natyra e procedimit, kompleksiteti i çështjes si dhe faza në të cilën ndodhet gjykimi, po ashtu, edhe urgjenca specifike e një çështje të caktuar.[4] Prandaj, afati i përcaktuar në nenin 138 të K.Pr.P zbatohet si rregull edhe kur për shkak të elementëve të mësipërm të përcaktuar nga GJEDNJ, gjykata vlerëson se afati 10 ditë nuk është i mjaftueshëm për ushtrimin efektiv të të drejtave nga viktima. Në këto raste gjykata duhet të vendosë shtyrjen e seancës.[5]

       

      1. Në mënyrë që njoftimi të quhet i bërë sipas nenit 138 të K.Pr.P, ftuesi i gjykatës depoziton në sekretari një kopje të aktit bashkë me dokumentet që vërtetojnë shpalljen publike. Në praktikë, dokumentet që vërtetojnë shpalljen publike janë, procesverbali i mbajtur për dokumentimin e veprimeve të kryera për realizimin e njoftimit me shpallje publike nga ftuesi i gjykatës apo nëpunësi IT ose akti, në përmbajtje të të cilit, ndodhet shënimi për realizimin e njoftimit me shpallje publike nga ftuesi i gjykatës apo nëpunësi IT. Në këtë procesverbal duhet të shënohet veçanërisht data kur është publikuar apo afishuar njoftimi dhe koha e qëndrimit. Këto dokumente, së bashku me një kopje të aktit që do t’i njoftohet me shpallje publike viktimës, depozitohen në sekretari nga ftuesi i gjykatës.

       

      1. Respektimi i rregullave procedurale të parashikuara nga neni 138 i K.Pr.P paraqet një rëndësi të veçantë për respektimin e të drejtave të viktimës dhe në veçanti shkronjat “e”, “ë”, “f”, “h” dhe “i” të nenit 58 të K.Pr.P që parashikojnë se viktima ka të drejtë të informohet, të bëjë ankim, të thirret në seancën paraprake dhe në seancën e parë gjyqësore si dhe të dëgjohet. Ky ndryshim ligjor është në përputhje me standartet ndërkombëtare të përcaktuara nga legjislacioni i BE,[6] disa nga Konventat e ratifikuara nga Shqipëria[7] dhe jurisprudenca e GJEDNJ.[8] Sipas standarteve të GJEDNJ[9], shtetet duhet të organizojnë shërbim të sigurt të dokumenteve të proceseve, në mënyrë që marrësi të ketë njohuri për vendimin. GJEDNJ[10] ka theksuar se thjesht duke dërguar një njoftim formal pa ndonjë siguri të dorëzimit te paditësi nuk mund të konsiderohet nga gjykata si informim i duhur në bazë të procesit të drejtë ligjor.

       

      1. Por, nga ana tjetër garantimi i pjesëmarrjes së viktimës duhet të bëhet në një mënyrë të tillë që nuk e dëmton të pandehurin dhe nuk është e papajtueshme me të drejtat e tij. Ndaj dhe njoftimi i viktimës nuk mund të zgjasë përtej një afati të arsyeshëm mbasi në të kundërt të drejtat e të pandehurit do të cënoheshin.[11] Siç u theksua edhe me sipër, në rastet e parashikuara në nenin 138 të K.Pr.P procedohet me njoftimin me shpallje publike për viktimat kur njoftimi i tyre është i pamundur ose i vështirë, pikërisht me qëllim moszvarritjen e gjykimit. Pjesëmarrja e viktimës, që në mënyrë të paarsyeshme zgjat procesin dhe cënon të drejtat e të pandehurit, nuk mund të justifikohet nga faktin se pjesëmarrja e viktimës parashikohet në ligj.[12]

       

      [1] Shih për një shtjellim më të detajuar të njoftimit për herë të parë të të pandehurit komentin mbi nenin 140 K.Pr.P.

      [2] Trudov kundër Rusisë, kërkesa 43330/09, datë 13 Dhjetor 2011.

      [3] Gregacevic kundër Kroacisë, kërkesa 58331/09, datë 10 Korrik 2012, §51.

      [4] Mattick kundër Gjermanisë, kërkesa 62116/00, datë 31 Mars 2005.

      [5] Sadak and Others v. Turkey (no. 1), kërkesat 29900/96, 29901/96, 29902/96, 29903/96, datë 30 Prill 2002, § 57, dhe Sakhnovskiy v. Russia [GC], kërkesa 21273/03 datë 02 Nëntor 2010, §§ 103 dhe 106.

      [6] Direktiva 2012/29 e Parlamentit Europian dhe Këshillit e datës 25.10.2012 e Bashkimit Europian, që vendosi standartet minimale të të drejtave, mbështetjes dhe mbrojtjes së viktimave të krimit, duke zëvëndësuar Vendimin Kuadër të Këshillit 2001/220/JHA, (publikuar në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Europian në datën 14.11.2012, Rekomandimi (2000) 19 “Për rolin e prokurorit në sistemin e drejtësisë penale” dhe Memorandumi shpjegues, miratuar në datë 06 Tetor 2000, nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës, pika 34, lidhur me autorizimin e palëve për të ndërmarrë akuzën private, Rekomandimi (2006) 8 i Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare “Për asistimin e viktimave të krimit” datë 14 Qershor 2006, Rekomandimi (1985) 11 i Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare “Për pozitën e viktimës në kuadrin e të drejtës penale dhe procedurës penale” datë 28 Qershor 1985, Rekomandimi (1987) 21 i Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare “Për asistimin e viktimave dhe parandalimin e viktimizimit”, datë 17 Shtator 1987, Rekomandimi (1997) 13 i Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare “Për intimidimin e dëshmitarëve dhe të drejtën e mbrojtjes”, datë 10 Shtator 1997, Rekomandimi (1999) 19 i Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare “Për ndërmjetësimin në fushën penale”, datë 15 Shtator 1999, Rekomandimi (2003) 13 i Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare “Për rregullimin e informimit nëpërmjet medias në lidhje me procedimin penal”; datë 10 Korrik 2003, dhe Konventa Europiane “Për kompensimin e viktimave të veprave penale të dhunshme” e Këshillit të Europës, datë 24 Nëntor 1983.

      [7] Konventa e Këshillit të Europës “Për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje” ratifikuar me ligjin nr.104/2012, Konventa e Këshillit të Europës “Për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi dhe abuzimi seksual” ratifikuar me ligjin nr. 10071/2009, Konventa e Këshillit të Europës “Për masat kundër trafikimit të qënieve njerëzore” ratifikuar me ligjin nr.9642/2006 dhe Konventa Europiane “Për kompensimin e viktimave të krimeve të dhunshme” ratifikuar me ligjin nr.9265/2004.

      [8] Hugh Jordan kundër Mbretërisë së Bashkuar, kërkesa 24746/94, datë 4 Maj 2001, lidhur me mungesën e ofrimit të mundësisë së pjesëmarrjes efektive të të afërmve të viktimës në procesin hetimor, informimin e të afërmve në lidhje me hetimin.

      [9] Mater kundër Turqisë, kërkesa 54997/08, datë 16. Korrik 2013.

      [10] Trudov kundër Rusisë, kërkesa 43330/09, datë 13 Dhjetor 2011.

      [11] http://jicj.oxfordjournals.org/, Salvatore Zappalà, The Rights of Victims v. the Rights of the Accused, Journal of International Criminal Justice, Vol. 8, 1 Mars 2010, Faqe 137–164.

      [12] http://jicj.oxfordjournals.org/, Salvatore Zappalà, The Rights of Victims v. the Rights of the Accused, Journal of International Criminal Justice, Vol. 8, 1 Mars 2010, Faqe 137–164.

      1. Në relacionin për projekt-ligjin[1] për disa shtesa dhe ndryshime në K.Pr.P dhe në Analizën e Sistemit të Drejtësisë,[2] të hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë është pasqyruar problematika që konsiston në mosnjohjen e rolit të viktimës në procesin penal, dhe të drejtës për tu informuar lidhur me procedurat ligjore dhe të drejtat e tyre, si dhe lidhur me zhvillimet kryesore. Po ashtu është evidentuar se njoftimi i viktimës kur adresa e saj nuk njihet, ose kur numri i viktimave është i madh shkakton zvarritjen e gjykimit, duke bërë të domosdoshme procedimin nëpërmjet njoftimit me shpallje.

       

      1. Përcaktimi i rolit të viktimës dhe garantimi i disa të drejtave procedurale në procesin penal me ligjin nr.35/2017 dhe parashikimi i nenit 138 të K.Pr.P para ndryshimeve me ligjin nr.35/2017 vetëm për palët private dhe jo për viktimën, kanë sjellë nevojën e ndryshimit të kësaj dispozite. Me qëllim zbatimin e standarteve ndërkombëtare për të drejtat e viktimës të përcaktuara nga legjislacioni i BE,[3] disa nga Konventat e ratifikuara nga Shqipëria[4] dhe jurisprudenca e GJEDNJ, me ligjin 35/2017, në nenin 138 të K.Pr.P, janë bërë shtesa dhe ndryshime.

       

      [1] Relacioni për projekt-ligjin “Për disa shtesa e ndryshime në Kodin e Procedurës Penale”, https://.parlament.al/wp-content/uploads/7905-KODI-I-PROCEDURES-PENALE-Resized.pdf, faqe 5, 6, 11, 13, aksesuar për herë të fundit në datë 29.12.2017.

      [2] Shih Analizën e Sistemit të Drejtësisë, Qershor 2015, në

      http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf vizituar për herë të fundit më 29.12.2017, faqe 12 dhe 137.

      [3] Direktiva 2012/29 e Parlamentit Europian dhe Këshillit e datës 25.10.2012 e Bashkimit Europian, që vendosi standartet minimale të të drejtave, mbështetjes dhe mbrojtjes së viktimave të krimit, duke zëvëndësuar Vendimin Kuadër të Këshillit 2001/220/JHA, (publikuar në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Europian në datën 14.11.2012, Rekomandimi (2000) 19 “Për rolin e prokurorit në sistemin e drejtësisë penale” dhe Memorandumi shpjegues, miratuar në datë 06 Tetor 2000, nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës, pika 34, lidhur me autorizimin e palëve për të ndërmarrë akuzën private, Rekomandimi (2006) 8 i Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare “Për asistimin e viktimave të krimit” datë 14 Qershor 2006, Rekomandimi (1985) 11 i Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare “Për pozitën e viktimës në kuadrin e të drejtës penale dhe procedurës penale” datë 28 Qershor 1985, Rekomandimi (1987) 21 i Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare “Për asistimin e viktimave dhe parandalimin e viktimizimit”, datë 17 Shtator 1987, Rekomandimi (1997) 13 i Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare “Për intimidimin e dëshmitarëve dhe të drejtën e mbrojtjes”, datë 10 Shtator 1997, Rekomandimi (1999) 19 i Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare “Për ndërmjetësimin në fushën penale”, datë 15 Shtator 1999, Rekomandimi (2003) 13 i Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare “Për rregullimin e informimit nëpërmjet medias në lidhje me procedimin penal”; datë 10 Korrik 2003, dhe Konventa Europiane “Për kompensimin e viktimave të veprave penale të dhunshme” e Këshillit të Europës, datë 24 Nëntor 1983.

      [4] Konventa e Këshillit të Europës “Për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje” ratifikuar me ligjin nr.104/2012, Konventa e Këshillit të Europës “Për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi dhe abuzimi seksual” ratifikuar me ligjin nr. 10071/2009, Konventa e Këshillit të Europës “Për masat kundër trafikimit të qënieve njerëzore” ratifikuar me ligjin nr.9642/2006 dhe Konventa Europiane “Për kompensimin e viktimave të krimeve të dhunshme” ratifikuar me ligjin nr.9265/2004.

    • Konventa e Këshillit të Europës “Për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje” ratifikuar me ligjin nr.104/2012, e cila garanton mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të viktimave, në të gjitha fazat e procedimeve gjyqësore, në veçanti të drejtën e informimit dhe për tu dëgjuar. Neni 376 në garantimin e njoftimit të viktimës për akuzën e re apo ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale në më të rëndë është në përputhje me Konventën; 

      Konventa e Këshillit të Europës “Për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi dhe abuzimi seksual” ratifikuar me ligjin nr. 10071/2009, e cila garanton që viktimat e mitur në rastin e shfrytëzimit apo abuzimit seksual të informohen për akuzat, ecurinë e përgjithshme të hetimit ose të procedimit dhe rolin e tyre në to, si dhe rezultatin e çështjes së tyre; 

      Konventa e Këshillit të Europës “Për masat kundër trafikimit të qënieve njerëzore” ratifikuar me ligjin nr.9642/2006, e cila garanton mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të viktimave të trafikimit, në të gjitha fazat e procedimeve gjyqësore, në veçanti të drejtën e informimit dhe për tu dëgjuar; 

      Konventa Europiane “Për kompensimin e viktimave të krimeve të dhunshme” ratifikuar me ligjin nr.9265/2004, e cila garanton mbrojtjen të drejtën e informimit të viktimave për procedimin gjyqësor; 

      Direktiva 2012/29 e Parlamentit Europian dhe Këshillit e datës 25.10.2012 e Bashkimit Europian, që vendosi standartet minimale të të drejtave, mbështetjes dhe mbrojtjes së viktimave të krimit, duke zëvëndësuar Vendimin Kuadër të Këshillit 2001/220/JHA, (publikuar në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Europian në datën 14.11.2012; 

      Konventa Europiane “Për kompensimin e viktimave të veprave penale të dhunshme” e Këshillit të Europës, datë 24 Nëntor 1983.

  • Raporte, opinione, rekomandime dhe deklarata 

    Rekomandimi (2006) 8 i Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare “Për asistimin e viktimave të krimit” datë 14 Qershor 2006; 

    Rekomandimi (1985) 11 i Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare “Për pozitën e viktimës në kuadrin e të drejtës penale dhe procedurës penale” datë 28 Qershor 1985; 

    Rekomandimi (1987) 21 i Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare “Për asistimin e viktimave dhe parandalimin e viktimizimit”, datë 17 Shtator 1987; 

    Rekomandimi (1997) 13 i Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare “Për intimidimin e dëshmitarëve dhe të drejtën e mbrojtjes”, datë 10 Shtator 1997; 

    Rekomandimi (1999) 19 i Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare “Për ndërmjetësimin në fushën penale”, datë 15 Shtator 1999; 

    Rekomandimi (2003) 13 i Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare “Për rregullimin e informimit nëpërmjet medias në lidhje me procedimin penal”; datë 10 Korrik 2003; 

    Rekomandimi (2000) 19 “Për rolin e prokurorit në sistemin e drejtësisë penale” dhe Memorandumi shpjegues, miratuar në datë 06 Tetor 2000, nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës, pika 34, lidhur me autorizimin e palëve për të ndërmarrë akuzën private.

     

    Vendime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut 

    Mater kundër Turqisë, kërkesa 54997/08, datë 16. Korrik 2013; 

    Trudov kundër Rusisë, kërkesa 43330/09, datë 13 Dhjetor 2011; 

    Hugh Jordan kundër Mbretërisë së Bashkuar, kërkesa 24746/94, datë 4 Maj 2001, lidhur me mungesën e ofrimit të mundësisë së pjesëmarrjes efektive të të afërmve të viktimës në procesin hetimor, informimin e të afërmve në lidhje me hetimin; 

    Gregacevic kundër Kroacisë, kërkesa 58331/09, datë 10 Korrik 2012, lidhur me elementët që duhet të analizojë gjykata për të përcaktuar kohën e përshtatshme për përgatitjen e mbrojtjes; 

    Mattick kundër Gjermanisë, kërkesa 62116/00, datë 31 Mars 2005, lidhur me përcaktimin e ngarkesës së mbrojtësit në tërësi me urgjencën e çështjes si elementë që duhet të analizojë gjykata për të përcaktuar nëse i pandehuri ka patur kohën e përshtatshme për përgatitjen e mbrojtjes; 

    Sadak and Others v. Turkey (no. 1), kërkesat 29900/96, 29901/96, 29902/96, 29903/96, datë 30 Prill 2002, § 57, dhe Sakhnovskiy v. Russia [GC], kërkesa 21273/03 datë 02 Nëntor 2010, §§ 103 dhe 106, lidhur me detyrimin e gjykatës që në rrethana të caktuara të shtyjë seancën gjyqësore në mënyrë që të japë kohën e mjaftueshme për mbrojtjen.

  • Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, Qershor 2015, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf, aksesuar për herë të fundit më 29.12.2017; 

    Relacioni për projekt-ligjin “Për disa shtesa e ndryshime në Kodin e Procedurës Penale”, https://www.parlament.al/wp-content/uploads/7905-KODI-I-PROCEDURES-PENALE-Resized.pdf, aksesuar për herë të fundit në datë 29.12.2017.

  • Nenet 58, 132, 137, 140, 329/b§1, 332/a, të ligj nr.35/2017 Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.7905, datë 21.03.1995 “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar me ligjin nr. 35/2017. 

    Kushtetuta: 

    Nenet 31, 42 të Kushtetutës, ndryshuar me ligjin nr. 76/2016. 

    Ligji: 

    Konventa e Këshillit të Europës “Për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje” ratifikuar me ligjin nr.104/2012; 

    Konventa e Këshillit të Europës “Për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi dhe abuzimi seksual” ratifikuar me ligjin nr. 10071/2009; 

    Konventa e Këshillit të Europës “Për masat kundër trafikimit të qënieve njerëzore” ratifikuar me ligjin nr.9642/2006; 

    Konventa Europiane “Për kompensimin e viktimave të krimeve të dhunshme” ratifikuar me ligjin nr.9265/2004; 

    Ligji nr.7905, datë 21.03.1995 “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar me ligjin nr. 35/2017. 

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Ledi Bianku, Jurisprudenca e Gjykatës së Strasburgut, Tiranë, 2007; 

    Ledi Bianku, Odeta Kumbaro, Jurisprudenca e Gjykatës së Strasburgut, Botimi i IV, Tiranë 2017; 

    Halim Islami, Artan Hoxha, Ilir Panda, Procedura penale Komentar, Tiranë 2003; 

    Salvatore Zappalà, The Rights of Victims v. the Rights of the Accused, Journal of International Criminal Justice, Vol. 8, 1 Mars 2010.

  • Ligje 

    Neni 138 i K.Pr.P para ndryshimit me ligjin nr. 35/2017.

Ornela Naqellari
Idlir Peçi