PËR ORGANET E QEVERISJES SË SISTEMIT TË DREJTËSISË   |   115/2016

Neni 218: Funksioni dhe përgjegjësitë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi

1. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është organ i pavarur që verifikon përmbushjen e kushteve ligjore dhe vlerëson kriteret profesionale e morale të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë.

2. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i përmbush funksionet e tij duke respektuar standardet e procesit të rregullt ligjor dhe me qëllimin për të siguruar cilësi sa më të lartë profesionale dhe morale në përbërjen e organeve të përmendura në pikën 1 të këtij neni.

Përmbajtja

      1. Kjo dispozitë ka për qëllim ngritjen e një organi të posaçëm që do të kujdeset për të kryer një vlerësim paraprak të cilësive profesionale dhe morale të kandidatëve për anëtarë të GJK dhe ILD. Prezantimi i këtij organi është bërë në nenin 149/d të Kushtetutës, ndërsa në nenet përkatëse të ligjit nr. 96/2016 parashikohen detajet e funksionimit të tij. Përmbajtja e këtij nenin reflekton kryesisht parashikimin kushtetues duke dhënë disa elementë përbërës të këtij organi: a) pavarësinë e tij; b) misionin; c) parimet bazë mbi të cilat ushtron funksionin. Qëllimi final i kësaj norme është garantimi i kandidatëve më të mirë profesionalisht dhe moralisht për dy organe kushtetuese, GJK dhe ILD.
      1. Neni përmban dy paragrafë, i pari ka të bëjë me përcaktimin e rolit dhe misionit të KED, ndërsa paragrafi i dytë jep parimet mbi bazë të të cilit do të funksionojë KED, konkretisht të parimit të procesit të rregullt ligjor me qëllim sigurimin e cilësisë në përbërjen e organeve të parashikuara në paragrafin e parë të këtij neni. Këto standarde dhe parime janë parashikuar tek nenet në vijim konkretisht tek nenet 229, 235 dhe 236 të këtij ligji.

       

      1. Neni 218 i ligjit ka si objekt përcaktimin e funksionit që do të ketë KED, si një organ që do të kujdeset për vlerësimin profesional dhe moral të kandidatëve që do të konkurojnë për anëtarë të GJK dhe ILD. Vlerësimi që do të bëjë KED sipas procedurave të parashikuara në nenet vijuese të ligjit për statusin, konkretisht në nenet 234-240, do të jetë orientuese për organet e emërtesës për këto pozicione, konkretisht për anëtarët e GJK do të jetë Presidenti i Republikës, Kuvendi dhe GJL, secili sipas vakancave që do të krijohen.[1] Ndërsa renditja dhe vlerësimi për ILD do t’i shërbejë Kuvendit për të zgjedhur kandidatin më të vlerësuar.

       

      [1] Shih nenin 125 të Kushtetutës dhe nenin 7 të ligjit nr.8577/2000, të ndryshuar.

    • Shkaqet për riformatim në nivelin kushtetues

      1. Mbështetur në idenë e hedhur në këtë ligj, KED, tashmë e riformatuar si organ kushtetues, u prezantua fillimisht në ndryshimet kushtetuese të propozuara nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë, me qëllim që të bënte verifikimin e plotësimit të kritereve për kandidatët që do të konkurronin tashmë jo vetëm për anëtarë të GJL, por edhe për anëtarë të GJK por edhe për anëtarët e KLGJ, të KLP si dhe për PP dhe ILD.[1]Analizën e Sistemit të Drejtësisë ekspertët gjykuan se ky zgjerim i rrethit të organeve kushtetuese që do të kalonin në filtrin e KED do të ndikonte pozitivisht në depolitizimin e procesit të emërimeve në pozicionet e larta në drejtësi duke reduktuar diskrecionin e organeve politike të emërtesës dhe do të rriste cilësinë në përbërjen e institucioneve që drejtojnë sistemin e drejtësisë.

       

      1. Një arsye tjetër për zgjerimin e rrethit të organeve që do të kalonin nëpër filtrin e KED ishte edhe nevoja e pashmangshme për të gjetur një mekanizëm zhbllokues gjatë procesit të emërimeve, nëse organet e emërtesës nuk do të arrinin të zgjidhnin/emëronin anëtarët e organeve kushtetuese. Renditja e bërë nga KED, që u konceptua si “organ ekspertësh”, do të mund të merrte karakter detyrues nëse procesi i zgjedhjes nuk realizohej, duke shpallur automatikisht kandidatin të renditur më lart si të zgjedhur.[2] Në këtë mënyrë procesi i emërimit të këtyre organeve nuk do të gjendej përsëri para faktit të mos arritjes së shumicës ose të mos shprehjes së vullnetit të organit të emërtesës duke sjellë si pasojë në mënyrë të përsëritur tejkalimin e mandatit kushtetues për shkak të mungesës së mekanizmit zhbllokues në emërim/zgjedhje.

       

      Efektet e renditjes së KED 

      1. Parë në këtë këndvështrim, shtrohet pyetja: Deri ku duhet të shkojë vlerësimi i KED dhe a ka forcë detyruese renditja e kandidatëve për organet e emërtesës? Cili është raporti që duhet të mbahet midis një organi kushtetues që bën vlerësim profesional dhe moral dhe organeve të tjera kushtetuese (Kuvendi, Presidenti, Gjykata e Lartë) që kanë kompetencë vendimmarrëse? Sa hapësirë vlerësimi mbetet në thelb për këto organe dhe a rrezikon kjo që duke larguar ndikimin politik zgjedhja/emërimi të kalojë në një organ tjetër në thelb?

       

      1. Pikërisht këto çështje janë diskutuar gjatë procesit të hartimit të dispozitave kushtetuese dhe më tej edhe të ligjit 96/2016. Çështja nëse renditja e bërë nga KED është apo jo detyruese ka variuar në disa forma gjatë hartimit të dispozitave kushtetuese ose ligjore, por në të gjitha rastet është shprehur vullneti që të paktën renditja të jetë orientuese për organet e emërtesës. Megjithatë neni 149/d i Kushtetutës ka bërë një zgjidhje kompromisi, renditja e kandidatëve sipas vlerësimit të KED si rregull nuk është detyrues, por nëse organi i emërtesës nuk arrin të bëjë emërimin, atëherë kandidati i renditur më lart, konsiderohet i emëruar.[3] Në këtë frymë duhet parë edhe neni 125/1 i Kushtetutës, ku parashikohet se anëtari i ri përzgjidhet nga kandidatët e radhitur në 3 vendet e para dhe më tej në paragrafin 2 vendoset detyrimi që nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë anëtarin e ri, atëherë kandidati i renditur i pari në listë, konsiderohet i emëruar. E njëjta logjikë është ndjekur edhe për ILD.[4] Në këtë mënyrë organi i emërtesës në një farë mase është i detyruar të marrë në konsideratë vlerësimin paraprak ose renditjen e bërë nga KED dhe ta shprehë vullnetin e tij për pranimin ose jo të kandidaturës dhe jo ta lë në heshtje, sikundër mund të ketë pasur raste në të shkuarën, praktikë e cila është bërë pengesë për mirëfunksionimin e organeve kushtetuese duke mos i përtërirë ato në kohë dhe me cilësi.

       

      [1]  Neni 149/d i projekt amendamenteve kushtetuese pas opinionit ad interim te Komisionit te Venecias, është i ndryshëm nga ai që ka sot, pasi u riformulua bazuar në marrëveshjen e arritur midis grupeve parlamentare gjatë miratimit të amendamenteve kushtetuese në Kuvend.

      [2] Shih CDL-AD(2014)008, Opinion on the draft Law on the High Judicial and Prosecutorial Council of Bosnia and Herzegovina, §§47, 48

      [3] Neni 149/d, fjalia e fundit “Renditja e kandidatëve nuk është e detyrueshme, me përjashtim të rastit kur nuk arrihet të emërohet kandidati”.

      [4] Shih nenin 147/d pg.4 i Kushtetutës.

      1. KED, megjithëse u parashikua për herë të parë në dispozitat kushtetuese të miratuara në korrik të vitit 2016, nuk është një organ i ri, pavarësisht se nuk arriti të jetë funksional. Ai u prezantua për herë të parë me anë të ndryshimeve ligjore që iu bënë ligjit për GJL, me qëllim për të vlerësuar paraprakisht nëse kandidatët për anëtarë të GJL, plotësonin kriteret profesionale dhe sipas pikëzimit që do të merrnin, do të renditeshin duke shërbyer si orientim për Kuvendin gjatë procesit të zgjedhjes së tyre.[1] De facto, KED e krijuar me këtë ligj nuk arriti të jepte ndonjë impakt, pasi procesi i emërimit të gjyqtarëve të rinj në GJL nuk arriti të kryhej.

       

      [1] Ligji nr.177/2014 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8588/2000 Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë.”

    • Asnjë koment
    1. Standardet ndërkombëtare të ndjekura në hartimin e kësaj dispozite janë kryesisht ato të përcaktuara nga Komisioni i Venecias në opinionet e dhëna prej saj në lidhje me parashikime të ngjashme të vendeve anëtare të Këshillit të Europës. Këto standarde kanë pasur si qëllim që të përcaktojnë disa kritere minimale profesionale me qëllim për të orientuar organet politike në zgjedhjen/emërimin e organeve kushtetuese ose ligjore të sistemit të drejtësisë. Kryerja e një vlerësimi paraprak profesional dhe moral si dhe renditja në bazë të këtij vlerësimi është konsideruar si mundësi për të ulur rrezikun e ndikimit politik në zgjedhjen e organeve të gjyqësorit.[1]

     

    [1] Shih pg.16, 24, 38 të Opinionit CDL(2016)002, datë 26 shkurt 2016 të Komisionit të Venecias.

  • Shih procesverbalin e komisionit parlamentar ad hoc të datës 13.05.2016.

  • Nenet 149/d, 179/11 të Kushtetutës. Nenet 221 e në vijim të ligjit për qeverisjen

  • Asnjë koment
    1. Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, nga organet e ngarkuara me zbatimin e saj, GJK, KLD, KLP, u procedua me përzgjedhjen e anëtarëve të KED, proces i cili u zhvillua mbështetur në nenin 179 pika 11 (dispozitat tranzitore) për krijimin e KED deri në datën 31 dhjetor të vitit në të cilin hyjnë në fuqi ndryshimet kushtetuese, pra 2017. shih komentet e bëra për nenin 221.
  • Asnjë koment
  • Ligji nr.177/2014 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8588/2000 Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë.”

Arta Vorpsi
Marsida Xhaferllari, Arta Vorpsi, Gent Ibrahimi, Alma Faskaj (Vokopola)