"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 109: Ulja në detyrë

1. Ulja në detyrë e magjistratit nga një gjykatë më e lartë në një gjykatë më të ulët ose nga një pozicion në gjykatën e posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar ose në Prokurorinë e Posaçme në një gjykatë të juridiksionit të përgjithshëm ose në një prokurori tjetër, jepet në këto raste:

a. kur shkelja është e rëndë;

b. kur magjistrati shfaq sjellje që evidentojnë se aftësitë e tij nuk janë të përshtatshme për gjykatën më të lartë ose gjykatën e specializuar, ndërkohë që shkelja nuk e bën magjistratin të papërshtatshëm për të ushtruar funksionin e tij si magjistrat.

2. Në rast uljeje në detyrë, sipas pikës 1, të këtij neni, magjistrati merr pagën e pozicionit të ulur në detyrë.

Përmbajtja

      1. Neni 109 jep përmbajtjen e masës disiplinore “ulje në detyrë” që jepet ndaj magjistratit në përfundim të procedimit disiplinor. Edhe kjo masë disiplinore vjen në zbatim të neneve 140 dhe 148/d të Kushtetutës, sipas të cilave gjyqtari/prokurori mban përgjegjësi disiplinore sipas ligjit. Ulja në detyrë listohet në nenin 105 pika 1 shkronja ‘?’ e Ligjit për Statusin si një prej llojeve të masave disiplinore kryesore dhe qëllimi i nenit 109 është të përcaktojë përmbajtjen e saj.

       

      1. Qëllimi i nenit 109 është të garantojë zbatimin e parimit të ligjshmërisë në procedimin disiplinor, në aspektin e mosdënimit pa ligj [paragrafi 11 i komenteve të nenit 100]. Mosdënimi pa ligj në procedimin disiplinor të magjistratit kërkon që masa disiplinore të përcaktohet qartësisht nga ligji. Nga ana tjetër, në mënyrë të tërthortë rregullat e nenit 109 disiplinojnë veprimtarinë e Këshillave në procedimin disiplinor për dhënien e kësaj mase, si dhe ofrojnë garanci procedurale për magjistratin, ndaj të cilit fillon procedimi disiplinor.
      1. Neni 109 është një prej dispozitave që përshkruajnë llojet e masave disiplinore, të cilat janë vendosur tek dispozitat e përgjithshme të Pjesës V të Ligjit për Statusin për Përgjegjësinë Disiplinore, Civile dhe Penale të magjistratit. Ajo vjen e renditur e katërta tek llojet e masave disiplinore dhe renditja e saj është tregues edhe i rëndësisë së saj. Meqë neni 105, që tregon të gjitha llojet e masave disiplinore, i liston ato me rend ngjitës për nga ashpërsia, “ulja në detyrë” bën pjesë tek masat e mesme për nga rëndësia, midis masave të lehta dhe masave shumë të rënda.

       

      1. Struktura e vetë nenit 109 ka natyrë përshkruese. Ajo është e thjeshtë dhe e ngjashme me ato të dispozitave mbi masat disiplinore (nenet 106-111 të Ligjit për Statusin). Neni 109 përbëhet nga dy paragrafë, ku paragrafi i parë jep përmbajtjen masës disiplinore dhe dy rastet, në të cilat Këshilli mund të caktojnë këtë lloj mase. Ndërsa paragrafi i dytë tregon një pjesë të përmbajtjes së masës, që lidhet me reduktimin e pagës së magjistratit.
      1. Lidhur me subjektet, neni 109 i kundrejtohet në mënyrë të shprehur Këshillave që në përfundim të procedimit disiplinor të japin një prej sanksioneve disiplinore të listuara. Megjithatë, kjo normë është e zbatueshme në radhë të parë nga ILD, i cili në raportin përfundimtar të hetimit disiplinor që propozon fillimin e procedimit disiplinor është i detyruar të propozojë caktimin e masës disiplinore (neni 133 pika 3 shkronja ‘e’ e Ligjit për Statusin) dhe në vijim, në seancën dëgjimore disiplinore është i detyruar të propozojë masën disiplinore që duhet të merret ndaj magjistratit (neni 142 pika 3 shkronja ‘a’ e Ligjit për Statusin). Po ashtu, ILD dhe magjistrati mund ta zbatojnë këtë dispozitë në rast se dakordësojnë marrëveshjen e pranimit sipas nenit 135 të Ligjit për Statusin. Meqë kjo marrëveshje vlerësohet nga Këshilli respektiv, që mund të vendosë pranimin apo refuzimin e saj, është e qartë që Këshilli i referohet nenit 109 edhe në këtë lloj procedure. Nga ana tjetër, edhe vetë magjistrati, në zbatim të të drejtës për t’u mbrojtur përgjatë procedimit disiplinor, i referohet kësaj dispozite për të prapësuar mbi rregullshmërinë e procesit që zhvillohet ndaj tij (nenet 129 dhe 141 të Ligjit për Statusin).

       

      1. Ashtu si çdo lloj mase tjetër disiplinore, “ulja në detyrë” ka si qëllim thelbësor të deklarojë përgjegjësinë disiplinore të magjistratit për shkak të shkeljes disiplinore që ai ka kryer, si dhe ta nxisë magjistratin të mos kryejë shkelje në të ardhmen dhe të përmirësohet. Në përmbajtjen e saj, ajo ka dy komponentë: (i) caktimin në një pozicion më të ulët; dhe (ii) reduktimin e pagës.

       

      1. Veçantia e kësaj mase është që ajo përbën një përjashtim të parimit të palëvizshmërisë së gjyqtarit në detyrë. Pas ndryshimeve të Reformës në Drejtësi[1], ky parim është i përcaktuar në ligj përmes garancive të transferimit të magjistratit (shih nenin 42 të Ligjit për Statusin)

       

      1. Ulja në detyrë” përkufizohet nga neni 109 si një masë disiplinore, me të cilën magjistrati dërgohet të ushtrojë funksionin në një pozicion më të ulët. Pozicioni mund të jetë më i ulët në linjë vertikale - në rastin e gjyqtarit nga Gjykata e Lartë në gjykatën e apelit deri në gjykatën e shkallës së parë, ndërsa në rastin e prokurorit nga ulja në linjë vertikale njihet vetëm nga Prokuroria e Posaçme në shkallë të dytë tek një prokurori e shkallës së parë, që mund të jetë e posaçme ose e juridiksionit të përgjithshëm. Në çdo rast, ulja në detyrë nënkupton ndryshimin e institucionit, duke përjashtuar në këtë mënyrë nga kjo masë disiplinore uljen në detyrë të magjistratit nga pozicioni i kryetarit në pozicionin e magjistratit brenda të njëjtës gjykatë apo prokurori. Një situatë e tillë mund të zërë vend vetëm për uljen e magjistratit kryetar nga njëra gjykatë/prokurori në magjistrat të thjeshtë në një gjykatë/prokurori tjetër. Pozicioni mund të jetë edhe në linjë më të ulët të juridiksionit gjyqësor penal, të quajtur ndryshe të kompetencës lëndore penale - në rastin e gjyqtarit nga gjykata e posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar në një gjykatë të juridiksionit të përgjithshëm, ndërsa në rastin e prokurorit nga Prokuroria e Posaçme në një prokurori tjetër. Është e qartë që Këshilli në caktimin e kësaj mase duhet të tregojë me saktësi pozicionin e ri ku caktohet magjistrati për shkak të masës disiplinore.

       

      1. Pika 2 e nenit 109 përcakton se magjistrati, ndaj të cilit jepet kjo masë, jo vetëm që ushtron funksionin në një pozicion më të ulët, por edhe paguhet përgjatë gjithë kohës së zbatimit të masës, me pagën e pozicionit më të ulët. Për shkak të ndryshimeve kushtetuese të miratuara me ligjin nr. 76/2016, ulja e pagës së magjistratit, si element përbërës i masës disiplinore “ulje në detyrë” nuk passjell asnjë implikim kushtetues tek parimi i moscenimit të pagës dhe i privilegjeve të gjyqtarit. Tashmë, neni 138 i Kushtetutës për ndalimin e uljes së pagës së gjyqtarit përcakton edhe një përjashtim të shprehur – rastin kur ndaj gjyqtarit jepet një masë disiplinore sipas ligjit, që nënkupton se Kushtetuta e autorizon ligjin të përcaktojë një masë disiplinore me pasojë uljen e pagës së gjyqtarit. Ndryshimet kushtetuese në nenin 138 kanë parashikuar tre kritere që justifikojnë uljen e pagës dhe përfitimeve të tjera, ku kriteri i parë nuk lidhet me vullnetin apo sjelljen e gjyqtarit, kriteri i dytë është rrjedhojë e ligjit (mbarimi i mandatit ipso lege), kurse kriteri i tretë lidhet ngushtësisht me sjellje/situata të tilla që përbëjnë shkelje disiplinore apo me cilësitë profesionale të magjistratit (pamjaftueshmëria profesionale)[2].

       

      1. “Ulja në detyrë”, sipas nenit 109 të Ligjit për Statusin, vërteton përgjegjësinë disiplinore të magjistratit dhe jepet në dy rastet e mëposhtme: 
      1. kur shkelja disiplinore është e rëndë, që nënkupton një shkallë të mesme të saj midis shkeljes së lehtë dhe shkeljes shumë të rëndë;
      2. kur sjelljet e magjistratit tregojnë se aftësitë e tij nuk janë të përshtatshme, për pozicionin që ai mban, qoftë në linjë vertikale, qoftë në linjë të juridiksionit gjyqësor penal të specializuar.

       

      1. Rëndësia e shkeljes përcaktohet nga Këshilli duke zbatuar kriteret e pikës 1 të nenit 115 të Ligjit për Statusin. Për më shumë informacion mbi rëndësinë e shkeljeve disiplinore, referohu tek pika 9 e komenteve të nenit 106. Shkalla e rëndë e shkeljes nënkupton që edhe vetë masa disiplinore “ulje në detyrë” bën pjesë tek masat disiplinore të rënda. Kjo konfirmohet edhe nga përmbajtja e vetë masës “ulje në detyrë”, që penalizon në ekzekutim magjistratin.

       

      1. Rasti i dytë që Këshilli mund të japë masën disiplinore “ulje në detyrë” lidhet me aftësitë e papërshtatshme të magjistratit në raport me pozicionin që ai mban. Është e qartë që në këtë rast bëhet fjalë për aftësi profesionale, pasi respektimi i etikës dhe integriteti moral janë kushte të domosdoshme për çdo magjistrat dhe nuk i diferencojnë magjistratët nga njëri-tjetri për qëllime të ngritjes në detyrë të tyre. Rasti më i zakonshëm i verifikimit të aftësive profesionale të papërshtatshme për pozicionin ka lidhje me hetimin disiplinor të magjistratit nga ILD bazuar në raportin e vlerësimit profesional dhe etik të miratuar nga Këshilli për magjistratin. Kjo është arsyeja, që neni 95 pika 6 e Ligjit për Statusin, që përshkruan vendimin e Këshillit për vlerësimin profesional dhe etik të magjistratit, përcakton shprehimisht se kur magjistrati ose kryetari vlerësohet “i pamjaftueshëm” (që është niveli më i ulët i vlerësimit), atëherë Këshilli i dërgon raportin e vlerësimit ILD-së.

       

      1. Ndërkohë konstatohet se Ligji për Statusin, nuk e ka përcaktuar me afat “uljen në detyrë” si masë disiplinore, që nënkupton se ulja në detyrë nuk është e përkohshme. Nga ana tjetër, neni 150 pika 2 shkronja “c” e Ligjit për Statusin, përcakton se kjo masë shuhet dhe fshihet nga Regjistri Disiplinor pas kalimit të 4 vjetëve nga dita që kjo masë hyn në fuqi. Në këtë pikëpamje, konkludohet se kjo masë zgjat të paktën 4 vjet, sepse pikërisht pas kalimit të këtij afati, magjistratit i lind e drejta të ngrihet në detyrë – pra të fillojë procedurën normale të ngritjes në detyrë për të shkuar në atë pozicion që ka patur përpara marrjes së masës. Nën këtë analizë, duhet evidentuar se në vitin 2007, Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar pikën 5 të nenit 42 të ligjit nr. 8436/1998 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në RSH”, ndër të tjera me arsyetimin se masa disiplinore e lëvizjes së gjyqtarit nga detyra duhet të ketë karakter të përkohshëm, pasi nëse është e përhershme, atëherë e vendos gjyqtarin në një marrëdhënie të re pune me afat të pacaktuar, që mund të kuptohet edhe si largim nga puna[3]. Ndërsa në vijim, në vitin 2016, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se masa disiplinore e dërgimit të përkohshëm të gjyqtarit në një gjykatë tjetër të të njëjtit nivel apo në një nivel më të ulët nuk cenon parimin e palëvizshmërisë së gjyqtarit nga detyra. Në nxjerrjen e këtij konkluzioni, Gjykata Kushtetuese ka bërë edhe një analizë krahasimore të legjislacionit shqiptar në raport me Kartën Evropiane për Statusin e Gjyqtarëve, me Kartën Universale të Gjyqtarëve, si dhe me legjislacionin e disa vendeve evropiane, që e njohin një masë të tillë (Gjermani, Çeki, Slloveni, Poloni dhe Sllovaki)[4].

       

      1. Masa disiplinore “ulje në detyrë”, me marrjen formë të prerë, ekzekutohet nëpërmjet paraqitjes së magjistratit në pozicionin e ri të ulur të detyrës. Magjistrati ka marrëdhëniet e tij financiare pikërisht me këtë institucion dhe rrjedhimisht ekzekutimi i kësaj mase krijon marrëdhënien Këshill – kryetar i institucionit të ri – magjistrati me masë disiplinore. Në këtë drejtim, neni 148 pika 2 e Ligjit për Statusin ngarkon Këshillin që brenda dy javëve të marrë masat e duhura për të siguruar zbatimin e masës disiplinore “ulje në detyrë”, që nënkupton se Këshilli duhet të kontaktojë me institucionin e ri ku është dërguar magjistrati dhe të rakordojë me të marrjen e masave të duhura për t’i siguruar magjistratit kushtet e punës.

       

      1. “Ulja në detyrë”, përveç përmbajtjes që ka, sjell efekte edhe në karrierën e magjistratit. Konkretisht kufizon ngritjen në detyrë të magjistratit sipas Ligjit për Statusin apo emërimin e tij në funksione të larta të sistemit të drejtësisë sipas Ligjit për Qeverisjen. Gjithashtu, ajo ndikon edhe në rezultatin e vlerësimit të veprimtarisë profesionale dhe etike të magjistratit. Për më shumë informacion, referohu tek paragrafi 6 i komenteve të nenit 105 [paragrafi 6 i komenteve të nenit 105]. Kjo është arsyeja pse kjo masë përfshihet në dosjen personale të magjistratit të krijuar sipas nenit 38 të Ligjit për Statusin, si dhe shënohet në Regjistrin Disiplinor që mban Këshilli sipas nenit 150 të Ligjit për Statusin.

       

      1. Në raste të veçanta, neni 105 pika 2 lejon dhënien e masës disiplinore “ulje në detyrë” si masë konvertuese zbutëse. Bëhet fjalë për rastin kur procedimi disiplinor i magjistratit është zhvilluar me marrjen e masës së pezullimit të përkohshëm disiplinor nga detyra, si një masë siguruese për mbarëvajtjen e procedimit disiplinor. Në këto lloj rastesh, Këshillave iu është lënë në diskrecion të vlerësojnë këtë lloj pezullimi, si pjesë të sanksionit që duhet caktuar dhe për pasojë, Këshillat mund të vendosin të caktojnë masën disiplinore “ulje në detyrë” nëse e konsiderojnë atë më të lehtë në raport me masën që duhej të jepej, nëse magjistrati nuk do ishte pezulluar nga detyra.

       

      [1] Përpara Reformës në Drejtësi të vitit 2016, parimi i palëvizshmërisë së gjyqtarit në detyrë përcaktohej në nenet 138 dhe 147 pika 5 të Kushtetutës.

      [2] Shih vendimin nr.34, datë 10.04.2017 të GJK-së.

      [3] Shih vendimin nr. 21, datë 07.06.2007 të Gjykatës Kushtetuese, kërkuese Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për kushtetutshmërinë e pikës 5 të nenit 42 të ligjit nr. 8436/1998 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në RSh”, faqe 5, paragrafi 3

      [4] Shih vendimin nr. 57, datë 29.07.2016 të Gjykatës Kushtetuese, kërkuese Gjykata e Lartë, për kushtetutshmërinë e ligjit nr. 9877/2008 për organizimin e pushtetit gjyqësor, që lidhet me masën disiplinore të dërgimit të gjyqtarit në një gjykatë tjetër të të njëjtit nivel, paragrafi 26.

      1. Në Shqipëri, përpara miratimit të Ligjit për Statusin, sanksionet disiplinore të gjyqtarëve dhe të prokurorëve përcaktoheshin nga ligjet nr. 9877/2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në RSh”, i ndryshuar dhe nr. 8737/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në RSh”, i ndryshuar. Kështu në nenin 33 pika 2 të ligjit nr. 9877/2008 listoheshin si masa disiplinore “ulje e përkohshme për 1 deri në 2 vjet në detyrë në një gjykatë të një niveli më të ulët” dhe “dërgimi për 1 deri në 2 vjet në një gjykatë të të njëjtit nivel jashtë rrethit gjyqësor ku gjyqtari ka emërimin e tij”. Ndërsa në nenin 33 pika 1 të ligjit nr. 8737/2001 listohej masa disiplinore “kalim në një detyrë tjetër më të ulët brenda sistemit të prokurorisë”. Konstatohet lehtësisht që masa ishte e ndryshme për gjyqtarët dhe për prokurorët, pasi për gjyqtarët ajo përfshinte edhe lëvizjen paralele në të njëjtin nivel. Në praktikë ka patur raste të zbatimit të kësaj mase, ndonëse jo të shpeshta, që përfshinin të dyja format: lëvizje e gjyqtarit nga njëra gjykatë tek tjetra në të njëjtin nivel; si dhe ulje në detyrë të gjyqtarit nga gjykata e shkallës së dytë në gjykatën e shkallës së parë. Vështirësia praktike në dhënien e kësaj mase disiplinore ka qenë identifikimi i saktë i pozicionit që duhej të lëvizte gjyqtari, për shkak të të dhënave mbi vendet vakante.

       

      1. Në dokumentet parlamentare nuk është identifikuar ndonjë problematikë specifike që lidhej pikërisht me masën disiplinore të uljes në detyrë. Në Analizën e Sistemit të Drejtësisë, në relacionin shpjegues të Ligjit për Statusin, si dhe gjatë shqyrtimit dhe miratimit të projektligjit nga Komisioni i Posaçëm për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, është diskutuar për masat disiplinore në përgjithësi, duke evidentuar gamën e ngushtë të tyre dhe problematikën që ato krijonin me parimin e proporcionalitetit. Rrjedhimisht, për më shumë informacion të përgjithshëm mbi masat disiplinore tek dokumentet parlamentare referohu paragrafëve 22-24 të komenteve të nenit 105.
      1. Dokumentet bazë ndërkombëtare të përdorura për konceptimin dhe përfshirjen e rregullave për përgjegjësinë disiplinore tek Ligji për Statusin, siç citohet edhe në relacionin shpjegues, janë Raporti i ENCJ “Standardet Minimale Gjyqësore V, Procedimet disiplinore dhe përgjegjësia e gjyqtarëve”, dhe Opinionin nr. 3(2002) i Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropianë, mbi rregullat dhe parimet që normojnë sjelljen profesionale të gjyqtarëve, në veçanti etikën, paanshmërinë dhe papajtueshmërinë me detyrën. Këto dokumente vendosin theksin kryesor tek parimet e ligjshmërisë dhe të proporcionalitetit të masave disiplinore. Ndërsa sa i takon llojeve të masave disiplinore, pranohet se kjo është ?ështje që duhet rregulluar nga vetë shteti i interesuar, si dhe vihet theksi se transferimi pa pëlqim lejohet si masë disiplinore. Për më shumë informacion mbi standardet dhe dokumentet ndërkombëtare mbi masat disiplinore, referohu tek paragrafët 25-28 të komenteve të nenit 105 “Masat disiplinore” si dhe tek komentet 8-14 të nenit 44 “Transferimi pa pëlqim”.
  • Raporte, opinione, rekomandime dhe deklarata 

    Rrjeti Evropian i Këshillave të Gjyqësorit, Standardet Minimale Gjyqësore V: Procedimet disiplinore dhe përgjegjësia e gjyqtarëve, 5 Qershor 2015 (Versioni në gjuhën angleze https://www.encj.eu/images/stories/pdf/GA/Hague/encj_report_minimum_standards_v_adopted_ga_june_2015.pdf, vizituar për herë të fundit në datën 22.01.2018); 

    Këshilli Konsultativ i Gjyqtarëve Evropianë, Opinioni Nr. 3(2002) për rregullat dhe parimet e qeverisjes së sjelljes profesionale të gjyqtarëve, veçanërisht etikës, paanshmërisë dhe papajtueshmërisë me detyrën i Këshillit (Versioni në gjuhën angleze https://wcd.coe.int/ViewDoc.jsp?p=&Ref=CCJE2E0&BackColorIntranet=FEF2E0&BackColorLogged=c3c3c3&direct=true, vizituar për herë të fundit më 22.01.2018).

  • Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, Qershor 2015, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf, vizituar për herë të fundit më 12.05.2017; 

    Relacioni për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, https://www.parlament.al/wp-content/uploads/2016/07/Relacioni-1.pdf, vizituar për herë të fundit më 21.02.2018; 

    Procesverbal datë 24.06.2016 i Komisionit të Posaçëm  për Reformën në Drejtësi, për shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, http://reformanedrejtesi.al/sites/default/files/procesverbal_date_24.06.2016_0.pdf vizituar për herë të fundit më 12.05.2017.

  • Kushtetuta: 

    Neni 140 pikat 1 “gjyqtari mban përgjegjësi disiplinore, sipas ligjit”; 

    Neni 148/d pika 1 “prokurori mban përgjegjësi disiplinore, sipas ligjit”; 

    Neni 147/a pika 1 shkronja b) “KLGj ... vendos për masat disiplinore ndaj gjyqtarëve të të gjitha niveleve”; 

    Neni 149/a pika 1 shkronja b) “KLP ... vendos për masat disiplinore ndaj prokurorëve të të gjitha niveleve”; 

    Neni 147/d pika 1 “ILD është përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin me nismë  të shkeljeve dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve”; dhe 

    Neni 138, që përcakton si përjashtim ndalimit të të uljes së pagës rastin kur ndaj gjyqtarit jepet një masë disiplinore sipas ligjit.

     

    Ligji: 

    Neni 2 shkronja ë), neni 38, neni 48 pika 8, neni 77 shkronja ë), neni 95 pika 6, neni 100, neni 105, neni 115, neni 129, neni 133 pika 3 shkronja ‘e’, neni 135, neni 139 pika 2, neni 141, neni 142 pika 2 shkronja ‘b’ dhe pika 3 shkronja ‘a’, neni 149 pika 2, neni 150, neni 173 pikat 3 dhe 4 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në RSh”; 

    Neni 7 pika 1 shkronja ‘ç’, neni 19 pika 3 shkronja ‘i’, neni 105 pika 1 shkronja ‘ç’, neni 119 pika 3 shkronja ‘i’, neni 199 pika 1 shkronja ‘d’, neni 209 pika 5 shkronja ‘ç’, neni 221 pika 1 shkronja ‘b’ të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

  • Asnjë koment
  • Vendime të Gjykatës Kushtetuese 

    Vendimi nr. 34, datë 10.04.2017, kërkues Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Unioni i Gjyqtarëve, për kushtetutshmërinë e Ligjit për Statusin; 

    Vendimi nr. 57, datë 29.07.2016, kërkuese Gjykata e Lartë, për kushtetutshmërinë e ligjit nr. 9877/2008 për organizimin e pushtetit gjyqësor, që lidhet me masën disiplinore të dërgimit të gjyqtarit në një gjykatë tjetër të të njëjtit nivel; 

    Vendimi nr. 21, datë 07.06.2007, kërkuese Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për kushtetutshmërinë e pikës 5 të nenit 42 të ligjit nr. 8436/1998 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në RSh”.

  • Asnjë koment
  • Ligje 

    Nenet 138, 140, 147 dhe 149 pika 2 të Kushtetutës, përpara ndryshimit me ligjin nr. 76/2016; 

    Neni 33 pika 2 e ligjit nr. 9877/2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor”, i ndryshuar; 

    Neni 33 pika 1 e ligjit nr. 8737/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në RSh”, i ndryshuar.

Marsida Xhaferllari
Marsida Xhaferllari, Arta Vorpsi, Gent Ibrahimi, Alma Faskaj (Vokopola)