"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 105: Masat disiplinore

1. Këshillat mund të vendosin një ose më shumë nga këto masa disiplinore:

a. vërejtje konfidenciale;

b. vërejtje publike;

c. ulje e përkohshme e pagës: i) deri në 40 për qind për një periudhë jo më të gjatë se një vit; ii) në rastin e magjistratëve që kanë dhënë dorëheqjen, gjobë në një masë të barabartë me uljen e përkohshme të pagës. 

ç. ulje në detyrë nga një pozicion më i lartë në një më të ulët ose nga një pozicion në gjykatën e posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar ose në Prokurorinë e Posaçme në një gjykatë të juridiksionit të përgjithshëm ose në një prokurori tjetër;

d. pezullim nga detyra për një periudhë nga tre muaj deri në dy vjet, me të drejtë për përfitimin e pagës minimale, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave;

dh. shkarkim nga detyra.

2. Në caktimin e masës disiplinore, Këshilli mund të vlerësojë çdo lloj pezullimi të mëparshëm sipas kreut V të kësaj pjese, që është vendosur gjatë procedurës përkatëse disiplinore, dhe mund të vendosë në mënyrë të përshtatshme një masë disiplinore më të lehtë ose që pezullimi është masa e përshtatshme dhe e mjaftueshme për shkeljen e kryer.

Përmbajtja

      1. Neni 105 liston në mënyrë shteruese masat disiplinore që jepen ndaj magjistratit në përfundim të procedimit disiplinor dhe vjen në zbatim të neneve 140 dhe 148/d të Kushtetutës. Sipas këtyre normave kushtetuese, gjyqtari/prokurori mban përgjegjësi disiplinore sipas ligjit dhe shkarkohet nga detyra kur kryen shkelje të rënda profesionale ose etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit/prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës apo kur është dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi.

       

      1. Neni 105 ndjek një qëllim të dyfishtë. Nga njëra anë, ai synon të përcaktojë kufijtë e Këshillave në dhënien e masës disiplinore, të cilët janë të detyruar të përzgjedhin vetëm nga lista e caktuar nga ligji. Në këtë mënyrë, neni 105 përmbush parimin e ligjshmërisë, i cili kërkon që masa disiplinore të përcaktohet nga ligji. Nga ana tjetër, norma synon të ofrojë një listë prej 6 masash për të mundësuar zbatimin e proporcionalitetit, pra që ndaj magjistratit të jepet ajo masë që është e domosdoshme dhe e dobishme, për arritjen e qëllimit të procedimit disiplinor ndaj tij. Ky synim i dytë përforcohet edhe nga përmbajtja e pikës 2 të nenit 105, që vendos rregulla për caktimin e një mase më të lehtë në rastet kur ndaj magjistratit është caktuar masa administrative e pezullimit të përkohshëm nga detyra për të siguruar mbarëvajtjen e procedimit disiplinor.
      1. Neni 105 ka natyrë përshkruese të listës së masave disiplinore që jepen ndaj magjistratit, ndonëse nuk jep përkufizim të përgjithshëm të masës disiplinore. Përmbajtja e secilës prej masave jepet në nenet 106-111 të Ligjit për Statusin. Lista e masave është me rend ngjitës për nga ashpërsia e tyre, duke filluar me më të lehtën për të përfunduar me masën më të rëndë, që është largimi nga detyra. Në këtë mënyrë, jepet mesazhi i thelbit të masës disiplinore, i cili duhet të përdoret si mjet për përmirësimin edukues të magjistratit, nëse kushtet e lejojnë një gjë të tillë[1]. Duhet mbajtur në konsideratë që neni 105 ka pasuruar listën e masave, ku në shtesë të 6 masave të përcaktuara në pikën 1 të tij, ekziston edhe rasti i konvertimit zbutës të masës në pikën 2, kur magjistrati është proceduar disiplinarisht nën masën e pezullimit të përkohshëm nga detyra.

       

      [1] Është e kuptueshme që nëse shkelja disiplinore është e tillë që magjistrati duhet të shkarkohet nga detyra, atëherë nuk bëhet më fjalë për qëllim edukues të masës disiplinore, por për qëllim ndëshkues të saj

      1. Lidhur me subjektet, neni 105 i kundrejtohet në mënyrë të shprehur Këshillave që në përfundim të procedimit disiplinor të japin një prej masave disiplinore të listuara. Megjithatë, kjo normë është e zbatueshme në radhë të parë nga ILD, i cili në raportin përfundimtar të hetimit disiplinor që propozon fillimin e procedimit disiplinor është i detyruar të propozojë caktimin e masës disiplinore (neni 133 pika 3 shkronja ‘e’ e Ligjit për Statusin) dhe në vijim, në seancën dëgjimore disiplinore është i detyruar të propozojë masën disiplinore që duhet të merret ndaj magjistratit (neni 142 pika 3 shkronja ‘a’ e Ligjit për Statusin). Nga ana tjetër, edhe vetë magjistrati, në zbatim të të drejtës për t’u mbrojtur përgjatë procedimit disiplinor, i referohet kësaj dispozite për të prapësuar mbi rregullshmërinë e procesit që zhvillohet ndaj tij (nenet 129 dhe 141 të Ligjit për Statusin).

       

      1. Lidhur me termin “Këshillat” duhet zbatuar përkufizimi i dhënë në nenin 2 shkronja ë) të Ligjit për Statusin, sipas të cilit “Këshillat” janë Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

       

      1. Ligji për Statusin i referohet sanksionit disiplinor me termin “masë disiplinore”, nga e cila kuptohet se qëllimi thelbësor i masës është mbrojtja e interesit publik nëpërmjet deklarimit të përgjegjësisë disiplinore të magjistratit për shkak të shkeljes disipinore që ai ka kryer dhe marrja e masave aktive për përmirësimin/edukimin e magjistratit, nëse një gjë e tillë është e mundur. Në rastin kur shkelja disiplinore e kryer është aq e rëndë sa e bën magjistratin të papërshtatshëm apo të padenjë për të vazhduar funksionin e tij, atëherë masa disiplinore nuk mund të luajë më rol edukues. Në këtë rast, masa disiplinore merr përsipër të mbrojë interesin publik, duke larguar nga detyra magjistratin dhe duke u kthyer kështu në masë me natyrë të pastër ndëshkuese ndaj tij. Masa disiplinore është masë shtrëngimi shtetëror me karakter juridik, që zbatohet në funksion të një interesi publik ndaj gjyqtarëve që kanë kryer me faj që shkelje, e cila parashikohet nga ligji si shkelje disiplinore[1]. Masa disiplinore që caktohet ndaj magjistratit përmbush edhe dy qëllime parandaluese: (i) parandalimin e posaçëm, në kuptimin që magjistrati në të ardhmen të mos kryejë më shkelje disiplinore; dhe (ii) parandalimin e përgjithshëm, në kuptimin që magjistratët e tjerë kuptojnë që një sjellje e papërshtatshme nuk duhet kryer, pasi është e ndëshkueshme me masë disiplinore.

       

      1. Nuk duhet harruar që masa disiplinore, përveç përmbajtjes[2] që ka, sjell pasoja të dyfishta në zhvillimin e karrierës së magjistratit. Nga njëra anë, ajo kufizon ngritjen në detyrë të magjistratit, pasi sipas nenit 48 pika 8 të Ligjit për Statusin “vetëm kandidatët, të cilët kalojnë verifikimin e pasurisë dhe figurës dhe që nuk kanë masa disiplinore në fuqi, pranohen në procedurat e mëtejshme të ngritjes në detyrë”. Po ashtu, ligji nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” (Ligji për Qeverisjen), masën disiplinore në fuqi e parashikon si kusht pengues për zgjedhjen apo emërimin në disa funksione të larta, siç janë zgjedhja si anëtar i Këshillave (neni 7 pika 1 shkronja ‘ç’ dhe neni 105 pika 1 shkronja ‘ç’) zgjedhja si Inspektor i Lartë i Drejtësisë (neni 199 pika 1 shkronja ‘d’), komandimi në detyrën e inspektorit pranë ILD (neni 209 pika 5 shkronja ‘ç’); apo zgjedhja me short si anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (neni 221 pika 1 shkronja ‘b’). E njëjta pengesë parashikohet edhe për ish-magjistratët që kandidojnë për t’u zgjedhur në Këshilla nga radhët e avokatisë, nëse ata janë larguar nga detyra e gjyqtarit apo prokurorit për shkak të masës disiplinore “shkarkim nga detyra” (neni 19 pika 3 shkronja ‘i’ dhe neni 119 pika 3 shkronja ‘i’ të Ligjit për Qeverisjen). Nga ana tjetër, masa disiplinore jep efekte në rezultatin e vlerësimit të veprimtarisë profesionale dhe etike të magjistratit, pasi sipas nenit 77 shkronja ë) të Ligjit për Statusin “vlerësimi i magjistratëve bazohet (edhe) në vendimet përfundimtare për masat disiplinore, ndaj magjistratit, që janë dhënë gjatë periudhës së vlerësimit, në mënyrë të pavarur, nëse masa disiplinore është shuar ose jo”.

       

      1. Masa disiplinore është e varur nga ekzistenca e përgjegjësisë disiplinore së magjistratit. Përgjegjësia është përgjithësisht situata, në të cilën gjendet një subjekt kur mund të thirret për të dhënë llogari për shkeljen e një detyrimi: natyra e detyrimit përcakton tipin e përgjegjësisë. Duke qenë se janë të lidhur nga një marrëdhënie e detyrës publike me shtetin, edhe ata që i përkasin sistemit gjyqësor kanë para së gjithash, një përgjegjësi të tipit disiplinor për sa i përket sjelljes së tyre profesionale dhe shkeljet e detyrimeve eventuale që burojnë nga detyra që kanë. Ashtu si për të gjithë nëpunësit publikë, synimi i kësaj forme të përgjegjësisë është që nga njëra anë të garantojë pikërisht mbarëvajtjen e veprimtarisë, që përfshin marrjen në një kohë sa më të shpejtë dhe të rregullt të masave të ndryshme të nevojshme dhe nga ana tjetër, të garantojë imazhin e administratës publike (në këtë rast të sistemit gjyqësor ose më saktë të “magjistraturës”), potencialisht e lënduar nga sjellje apo qëndrime jo të përshtatshme të individëve brenda këtij sistemi[3].

       

      1. Natyra e masave disiplinore është marrë në shqyrtim edhe nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka arsyetuar se “masat disiplinore që merr Këshilli i Lartë i Drejtësisë kanë karakter të përkohshëm, por i shërbejnë funksionimit normal të veprimtarisë së gjykatave, në respektim të parimeve kushtetuese mbi të cilat vepron pushteti gjyqësor, si pavarësia dhe palëvizshmëria në detyrë e gjyqtarit. Si të tilla, masat disiplinore kanë qëllim rehabilitimin e gjyqtarit të ndëshkuar (shih vendimin nr.21, datë 07.06.2007 të Gjykatës Kushtetuese[4]). Masat disiplinore merren ndaj gjyqtarëve pas një procedure kontrolli në respektim të standardeve kushtetuese dhe për shkaqe të përligjura. Qëllimi i tyre është tërheqja e vëmendjes së gjyqtarit në interes të administrimit dhe funksionimit të pushtetit gjyqësor për dhënien e drejtësisë, kudo ata ushtrojnë detyrën e tyre, pavarësisht vendit dhe kohës”[5].

       

      1. Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar se masat disiplinore janë pasoja negative për magjistratin që vijnë nga shkelja e tij disiplinore dhe për këtë shkak, parimi kushtetues i sigurisë juridike kërkon që formulimi i normave ligjore që rregullojnë shkeljet disiplinore duhet të jetë i qartë, i qëndrueshëm, i besueshëm dhe efektiv. Në hartimin e ligjit, duhet të përdoret terminologji dhe teknikë legjislative e tillë që të mos ngrejë dyshime serioze mbi kuptueshmërinë e ndryshme të tyre, që mund të rezultojë në pasoja negative për statusin e magjistratit dhe përfitimet që lidhen me të[6].

       

      1. Lista e masave në shkronjën a) të pikës 1 të nenit 105 fillon me “vërejtjen konfidenciale”, që është masa më e lehtë disiplinore. Kjo masë shpjegohet tek komentet e nenit 106 të Ligjit për Statusin.

       

      1. Masa e dytë e listuar në shkronjën b) të pikës 1 të nenit 105 është “vërejtja publike”. Për përmbajtjen e saj, vlejnë komentet e nenit 107 të Ligjit për Statusin.

       

      1. Në vijim, neni 105 pika 1 shkronja c) liston masën “ulje e përkohshme e pagës”, që është reduktimi i përkohshëm i pagës deri në 40 % për një periudhë deri në 1 vit. Kjo lloj mase përmban dy përshkallëzime me prag maksimal – atë të masës së pagës deri në 40 % dhe atë të kohës deri në 1 vit. Në këtë mënyrë, Këshillit i lind detyra të zbatojë parimin e proporcionalitetit në përcaktimin e saktë të rëndësisë së shkeljes konkrete disiplinore dhe të rrethanave specifike që ka magjistrati konkret në procedimin disiplinor, për të caktuar këtë masë disiplinore në atë masë page dhe në atë sasi kohe që është e përshtatshme dhe e dobishme. Është e qartë që “ulja e përkohshme e pagës” ekzekutohet periodikisht çdo muaj ndaj magjistratit, që është në funksion dhe merr pagë për ushtrimin e detyrës. Me ndryshimet kushtetuese të miratuara me ligjin nr. 76/2016, përmbajtja e kësaj mase disiplinore është në përputhje me nenin 138 të Kushtetutës. Tashmë neni 138 shkronja c) e Kushtetutës lejon që gjyqtarit t’i ulet paga kur atij i jepet një masë disiplinore sipas ligjit. Në rastin e magjistratit, i cili në kohën e përfundimit të procedimit disiplinor ka dhënë dorëheqjen dhe nuk paguhet më, kjo lloj mase merr formën e gjobës financiare të barabartë në vlerë me uljen e përkohshme të pagës. Më shumë informacion për këtë masë disiplinore jepet tek komentet e nenit 108 të Ligjit për Statusin.

       

      1. Ulja në detyrë” është një tjetër masë disiplinore e listuar në shkronjën ç) të pikës 1 të nenit 105. Me anë të kësaj mase, magjistrati dërgohet të ushtrojë funksionin në një pozicion më të ulët në linjë vertikale (në rastin e gjyqtarit nga Gjykata e Lartë në gjykatën e apelit deri në gjykatën e shkallës së parë, ndërsa në rastin e prokurorit nga Prokuroria e Përgjithshme në prokurorinë e apelit deri në prokurorinë e shkallës së parë) ose në linjë më të ulët të juridiksionit gjyqësor penal, të quajtur ndryshe të kompetencës lëndore penale (në rastin e gjyqtarit nga gjykata e posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar në një gjykatë të juridiksionit të përgjithshëm, ndërsa në rastin e prokurorit nga Prokuroria e Posaçme në një prokurori tjetër). Përmbajtja e kësaj mase shpjegohet tek komentet e nenit 109 të Ligjit për Statusin.

       

      1. Masa “pezullim nga detyra për një periudhë nga tre muaj deri në dy vjet” listohet në shkronjën d) të pikës 1 të nenit 105. Përgjatë kohës së ekzekutimit të kësaj mase disiplinore, magjistrati ka drejtën e pagës minimale që përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Aktualisht, paga minimale është në vlerën 24 mijë lekë, e përcaktuar me VKM-në nr. 399, datë 03.05.2017. Më shumë informacion për këtë masë jepet tek komentet e nenit 110 të Ligjit për Statusin.

       

      1. Shkarkimi nga detyra” është masa më e rëndë disiplinore, që është listuar e fundit në shkronjën dh) të pikës 1 të nenit 105. Për përmbajtjen e kësaj mase disiplinore vlejnë komentet e nenit 111 të Ligjit për Statusin.

       

      1. Neni 105 pika 1 përcakton një listë shteruese të llojeve të masave disiplinore, por në raste specifike kjo listë dhe përmbajtja e masave pësojnë ndryshime, në varësi të kohës së kryerjes së shkeljes disiplinore. Koha e kryerjes së shkeljes disiplinore bën të zbatueshëm parimin e ligjshmërisë, në aspektin e mosdënimit pa ligj të përcaktuar në nenin 100 pika 1 shkronja b) dhe të detajuar në nenin 173 pikat 3 dhe 4 të Ligjit për Statusin. Rrjedhimisht, nëse shkelja disiplinore është kryer përpara datës 22 nëntor 2016[7], duhen mbajtur parasysh dy çështje: (i) masa disiplinore jepet vetëm nëse ligji i kohës e përcaktonte sjelljen e magjistratit si shkelje disiplinore; dhe (ii) organet disiplinore duhet të zbatojnë ligjin më të favorshëm për magjistratin, që ka kryer shkeljen disiplinore. Këtu bëhet fjalë për një periudhë tranzitore, e cila është analizuar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, përmes një grupi pune të ngritur me vendimin nr. 118, datë 18.11.2016. Ky grup pune arriti në përfundimin se nga analiza krahasimore e masave disiplinore të parashikuara nga neni 33, i ligjit nr. 9877/2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor”, i ndryshuar me listën e masave disiplinore të përcaktuara nga neni 105 i Ligjit për Statusin, gjatë periudhës tranzitore nuk mund të jepen masat disiplinore të mëposhtme:
      • Masa “dërgimin për 1-2 vjet në një gjykatë tjetër të të njëjtit nivel”, e përcaktuar nga shkronja ç) e pikës 1 të nenit 33 të ligjit nr. 9877/2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor”, i ndryshuar, e cila është hequr nga lista e masave disiplinore të përcaktuara nga Ligji për Statusin;
      • Masat “Ulje e përkohshme në pagë” dhe “Pezullim nga detyra” të parashikuara respektivisht nga neni 105 i Ligjit për statusin, të cilat janë masa të reja, që nuk parashikoheshin më parë dhe në krahasim me masat ekzistuese kanë natyrë më represive.

       

      1. Pika 2 e nenit 105, vendos rregulla shtesë për individualizimin e masës disiplinore ndaj një magjistrati, në rastin kur procedimi disiplinor i tij është zhvilluar me marrjen e masës së pezullimit të përkohshëm disiplinor nga detyra, si një masë siguruese për mbarëvajtjen e procedimit disiplinor. Në këto lloj rastesh, Këshillave iu është lënë në diskrecion të vlerësojnë këtë lloj pezullimi, si pjesë të masës që duhet caktuar dhe për pasojë, Këshillat mund të vendosin: (i) të caktojnë një masë disiplinore më të lehtë në raport me masën që duhej të jepej, nëse magjistrati nuk do ishte pezulluar nga detyra; ose (ii) të deklarojnë se pezullimi i zbatuar ndaj magjistratit përgjatë procedimit disiplinor është masa e përshtatshme dhe e mjaftueshme. Në këtë mënyrë, bëhet fjalë për një proces konvertimi zbutës të një prej masave disiplinore të listuara në pikën 1 të nenit 105, gjithmonë të ndryshme nga shkarkimi nga detyra. Duhet theksuar se zbatimi i këtij rregulli nga Këshillat është një mundësi diskrecionale e dhënë nga ligji, por që në çdo rast duhet arsyetuar përshtatshmëria e konvertimit të masës disiplinore në këtë mënyrë në raport me natyrën, rrethanat dhe rëndësinë e shkeljes. Thënë ndryshe, në këto raste, ILD dhe Këshillat duhet të zbatojnë parimin e proporcionalitetit, të përcaktuar nga neni 100 pika 1 shkronja e) të Ligjit për Statusin.

       

      1. Së fundmi, duhet evidentuar se në procesin e individualizimit të masës ndaj gjyqtarit, parimi i ligjshmërisë kërkon që të caktohet ajo masë disiplinore e përcaktuar nga ligji për llojin e shkeljes së kryer. Neni 105, i lidhur me përmbajtjen e neneve 106-113 të Ligjit për Statusin, ka zgjeruar gamën e masave disiplinore, si dhe i ka bërë më fleksibël kufijtë e diskrecionit të organeve disiplinore për të garantuar një balancë të përshtatshme midis parimit të ligjshmërisë dhe parimit të proporcionalitetit.

       

      [1] Shih Projekti i Binjakëzimit për Këshillat Gjyqësorë Itali, Spanjë dhe Shqipëri, “Mbështetje për Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Inspektoratin e tij”, (botimi I, Çelësi Design and Publicity, 2008), faqe 161

      [2] Në disa raste, vetë përmbajtja e masës disiplinore prek drejtpërdrejt veprimtarinë e magjistratit, si? është ulja në detyrë apo ulja e përkohshme e pagës

      [3] Shih Augusto Barbera e Carlo Fusaro, Corso di diritto costituzionale, Manuali (botimi I, Il Mulino, 2012), faqe 492-493

      [4] Ky është citim i vetë Gjykatës Kushtetuese. Në vendimin nr. 21, datë 07.06.2007, kërkuese Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për kushtetutshmërinë e pikës 5 të nenit 42 të ligjit nr. 8436/1998 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në RSh”, Gjykata Kushtetuese ka arsyetuar në paragrafin 2 të faqes 5 se “Masat disiplinore që merr Këshilli i Lartë i Drejtësisë kanë karakter të përkohshëm, por i shërbejnë funksionimit normal të veprimtarisë së gjykatave. Si të tilla ato i shërbejnë edhe rehabilitimit të gjyqtarit të ndëshkuar”.

      [5] Shih vendimin nr. 57, datë 29.07.2017 të Gjykatës Kushtetuese, kërkuese Gjykata e Lartë, për kushtetutshmërinë e ligjit nr. 9877/2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor”, që lidhet me masën disiplinore të dërgimit të gjyqtarit në një gjykatë tjetër të të njëjtit nivel, paragrafi 28

      [6] Shih vendimin nr. 34, datë 10.04.2017 të Gjykatës Kushtetuese, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Unioni i Gjyqtarëve, “Për kushtetutshmërinë e Ligjit për Statusin”, paragrafët 73-75, ku tek paragrafi 75 i është lënë detyrë ligjvënësit të rishikojë Ligjin për Statusin dhe të marrë në konsideratë nevojën për përmirësimin në tërësi të terminologjisë së përdorur në hartimin e normave ligjore, për të garantuar pajtueshmërinë e tij me Kushtetutën.

      [7] Në këtë datë ka hyrë në fuqi Ligji për Statusin, për shkak të botimit të tij në Fletoren Zyrtare nr. 208, datë 07 nëntor 2016

      1. Në Shqipëri, përpara miratimit të Ligjit për Statusin, masat disiplinore të gjyqtarëve dhe të prokurorëve përcaktoheshin nga ligjet nr. 9877/2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në RSh”, i ndryshuar dhe nr. 8737/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në RSh”, i ndryshuar. Kështu në nenin 33 pika 2 të ligjit nr. 9877/2008 listoheshin gjithsej 5 masa disiplinore që mund të jepeshin ndaj gjyqtarëve të shkallës së parë dhe të apelit: a) vërejtje; b) vërejtje me paralajmërim; c) ulje e përkohshme për 1 deri në 2 vjet në detyrë në një gjykatë të një niveli më të ulët; ç) dërgimi për 1 deri në 2 vjet në një gjykatë të të njëjtit nivel jashtë rrethit gjyqësor ku gjyqtari ka emërimin e tij; dhe d) shkarkim nga detyra[1]. Ndërsa në nenin 33 pika 1 të ligjit nr. 8737/2001 listoheshin 4 masa disiplinore që mund të jepeshin ndaj të gjithë prokurorëve, me përjashtim të Prokurorit të Përgjithshëm, të cilat ishin: a) vërejtje; b) vërejtje me paralajmërim për shkarkim nga detyra; c) kalim në një detyrë tjetër më të ulët brenda sistemit të prokurorisë; dhe ç) shkarkim nga detyra. Për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, si dhe për Prokurorin e Përgjithshëm parashikohej vetëm masa e shkarkimit nga detyra përmes një procedure të ngurtë parlamentare, nëse verifikohej shkelje e Kushtetutës, kryerja e një krimi, paaftësia mendore a fizike ose akte e sjellje që diskreditonin figurën e gjyqtarit/prokurorit[2].

       

      1. Një problematikë tjetër e lidhur me gamën e masave disiplinore, ishte hapësira e ngushtë e vlerësimit të organit disiplinor për të identifikuar një masë të përshtatshme në raport me natyrën e shkeljes dhe treguesit e përgjithshëm të veprimtarisë gjyqësore dhe etike të magjistratit, që kishte kryer shkelje. Ligji i kohës bënte një lidhje automatike midis llojit të shkeljes dhe masës disiplinore. Kjo problematikë është vënë në dukje disa herë nga Gjykata e Lartë në shqyrtimin e ankimeve të gjyqtarëve ndaj masave disiplinore, e cila është shprehur “ndaj gjyqtarit mund të caktohet vetëm masa konkrete disiplinore brenda të njëjtit lloj disiplinor, nëse ligji parashikon hapësirë për atë lloj mase disiplinore....qasja e ligjvënësit lidhur me llojet e masave disiplinore dhe kushtet për dhënien e tyre, qartazi është e tillë që pala e paditur Këshilli i Lartë i Drejtësisë të mos ketë asnjë diskrecion për të zbatuar një lloj dënimi më të lehtë apo më të rëndë për shkeljet disiplinore. Ligjvënësi, për çdo kategori shkeljesh disiplinore, ka përcaktuar vetë llojin përkatës të masës disiplinore që duhet të japë pala e paditur Këshilli i Lartë i Drejtësisë nëse i provohet se gjyqtari ka kryer shkeljen disiplinore përkatëse”[3].

       

      1. relacionin shpjegues të Ligjit për Statusin është evidentuar si problematikë se “gama e sanksioneve disiplinore është relativisht e vogël dhe, si e tillë, nuk lejon gjithmonë përcaktimin e sanksioneve proporcionale” dhe se “Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë janë subjekt i procedimit disiplinor vetëm për shkelje ekstreme, për të cilat gjen zbatim vetëm masa disiplinore ekstreme e shkarkimit nga detyra”[4]. Në Analizën e Sistemit të Drejtësisë, Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë ka vërejtur se “gama e sanksioneve disiplinore është relativisht e vogël dhe si e tillë nuk lejon gjithmonë përcaktimin e sanksioneve proporcionale. Ligji nuk rregullon në mënyrë të kënaqshme natyrën dhe rastet se kur duhet të zbatohet masa e pezullimit të gjyqtarit nga ushtrimi i funksionit gjyqësor apo edhe ajo e transferimit të detyruar (si masë plotësuese apo si masë e përkohshme). Gjithashtu, është problematike nga ana kushtetuese lidhja midis pamjaftueshmërisë profesionale dhe përgjegjësisë disiplinore”[5]. Për të adresuar këtë problematikë, Ligji për Statusin, siç deklarohet në relacionin e tij, “qartëson dhe detajon të gjitha shkeljet disiplinore të kryera nga gjyqtarët dhe prokurorët dhe sanksionet proporcionale në përputhje me shkeljet, duke e orientuar sistemin e përgjegjësisë disiplinore mbi kritere sa më objektive[6]”. E njëjta problematikë për t’u adresuar dhe pritshmëri është konfirmuar edhe gjatë shqyrtimit dhe miratimit të projektligjit nga Komisioni i Posaçëm për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, ku është vënë në dukje se në ligj “një kapitull tërësisht i ri është përpunuar për skemën detyruese disiplinore. ...parashikon një katalog shumë të detajuar për çështjen disiplinuese, prezanton masa të mëtejshme disiplinore, sepse konsiderohet se masat aktuale disiplinuese nuk janë të mjaftueshme për të përcaktuar, për të garantuar masa proporcionale mbi ose kundër gjykatësve[7].

       

      1. Në vijim, në relacionin shpjegues parashtrohet se “bazuar në standardet ndërkombëtare, projektligji përcakton në mënyrë të qartë dhe objektive dispozitat materiale dhe proceduriale lidhur me procedimin disiplinor ndaj magjistratëve. Standardet ndërkombëtare rekomandojnë që parashikimet normative të mos lenë hapësirë për paqartësi ose dykuptueshmëri, pasi në të kundërtën masat disiplinore nuk i shërbejnë qëllimit të tyre në funksion të llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë së magjistratëve, por mund të përdoren në mënyrë abuzive si një mjet për të cënuar pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqësorit. Sikurse KKGjE (CCJE) rekomandon, projektligji liston... vendosjen e sanksioneve proporcionale në përputhje me shkeljen e kryer”[8].

       

      1. Si përfundim, mund të thuhet se me Ligjin për Statusin është shtuar lista e masave disiplinore ndaj gjyqtarëve, duke mbajtur në konsideratë edhe faktin se listës së masave disiplinore i janë shtuar edhe masat plotësuese. Pa dyshim që kjo ndikon në masën e vlerësimit të Këshillave (që përfshin të gjitha çështjet që lidhen me rrethanat lehtësuese apo rënduese), të cilët kanë mundësi më të gjera zgjedhjeje në llojin e masës disiplinore, duke zbatuar më mirë parimin e proporcionalitetit.

       

      [1] Shih për më shumë informacion për masat disiplinore të mëparshme, Projekti i Binjakëzimit për Këshillat Gjyqësorë Itali, Spanjë dhe Shqipëri, “Mbështetje për Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Inspektoratin e tij”, (botimi I, Çelësi Design and Publicity, 2008), faqe 161-163

      [2] Shih nenet 140 dhe 149 pika 2 të Kushtetutës, përpara ndryshimit me ligjin nr. 76/2016

      [3] Shih paragrafët 3-4 në faqen 10 të vendimit nr. 266, datë 05.05.2015 të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë, E.Tahiri k. KLD-së; paragrafin 32 të vendimit nr. 343, datë 08.06.2016 të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë, N.Pengili k. KLD-së; dhe paragrafin 19 të vendimit nr. 590, datë 20.12.2016 të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë, E.Hoxha k. KLD-së

      [4] Shih faqen 7 të këtij relacioni në www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/relacioni-1.pdf, vizituar për herë të fundit më 12.05.2017

      [5] Shih Analizën e Sistemit të Drejtësisë, Qershor 2015, në

      www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf vizituar për herë të fundit më 12.05.2017, faqe 73

      [6] Shih Relacionin e shënimit fundor nr. 12, faqe 5

      [7] Shih faqen 20 të procesverbalit datë 24.06.2016 të Komisionit

      reformanedrejtesi.al/sites/default/files/procesverbal_date_24.06.2016_0.pdf, vizituar për herë të fundit më 12.05.2017

      [8] Shih Relacionin e shënimit fundor nr. 12, faqet 7-8

      1. Dokumentet bazë ndërkombëtare të përdorura për konceptimin e rregullave të Ligjit për Statusin, siç citohet edhe në relacionin shpjegues, janë Raporti i ENCJ[1], Standardet Minimale Gjyqësore V, Hagë 5 Qershor 2015 dhe Opinioni nr. 3 i Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropianë (2002), mbi rregullat dhe parimet që normojnë sjelljen profesionale të gjyqtarëve, në veçanti etikën, paanshmërinë dhe papajtueshmërinë me detyrën.

       

      1. Këshilli Konsultativ i Gjyqtarëve Evropianë në Opinionin nr. 3 (2002) ka sjellë në vëmendje të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës parimet dhe rregullat që udhëheqin sjelljen profesionale të gjyqtarëve, në veçanti ato për etikën, sjelljen e papajtueshme dhe të paanësisë. Në dy fjalitë e fundit të paragrafit 74 të këtij Opinioni thuhet “KKGjE (CCJE) konfirmon nevojën për secilin juridiksion të identifikojë sanksionet e lejuara sipas sistemit të tij disiplinor dhe që këto sanskione të jenë, si në parim, ashtu edhe në zbatim, proporcionale. Megjithatë, ai (CCJE) nuk çmon se një listë definitive mund ose duhet të tentohet në nivel evropian”. Nën këtë analizë, KKGjE në paragrafin 77 pika vi) konkludon se “sanksionet në dispozicion të një autoriteti të tillë në rast të shkeljes së provuar duhet të përcaktohen, sa më shumë të jetë e mundur në kushte specifike, nga statuti apo karta themelore e gjyqtarëve, si dhe duhet të zbatohen në mënyrë proporcionale”.

       

      1. Raporti i ENCJ “Standardet Minimale Gjyqësore V, Procedimet disiplinore dhe përgjegjësia e gjyqtarëve”, i miratuar në Hagë 5 Qershor 2015 është në të njëjtën linjë për llojet e masave disiplinore, kur shprehet se “Në përputhje me standardet ndërkombëtare të përmendura në këtë raport, është rënë dakord që çdo vend duhet t’i përcaktojë në sistemin e tij disiplinor sanksionet që mund të caktohen në një rast të një sjellje të papërshtatshme të provuar. Lista e sanksioneve që duhen caktuar u vlerësua të jetë më e përshtatshme në nivel kombëtar duke mbajtur në konsideratë nevojat dhe sistemet e ndryshme ligjore. Rrjedhimisht, është detyrë e secilit juridiksion të identifikojë sanksionet disiplinore të zbatueshme, të cilat duhet të jenë të përkufizuara qartësisht, të autorizuara me ligj dhe proporcionale ndaj çështjes së pretenduar. Proporcionaliteti i sanksioneve thekson: proporcionaliteti duhet të veprojë qoftë në nivel përkufizimi, qoftë në nivel të caktimit të sanksioneve respektive. Standardi i përcaktuar detajon që çdo sanksion duhet të jetë qartësisht i përkufizuar, i autorizuar me ligj dhe proporcional në parim dhe në zbatim ndaj çështjes së pretenduar”[2]. Ky standard është renditur në numrin 15 të listës së Standardeve të hartuara nga ky Raport[3].

       

      1. Standardi për përcaktimin e listës së masave disiplinore me ligj, si dhe për aplikimin e parimit të proporcionalitetit lidhur me to, gjenden të mishëruara në një numër relativisht të lartë aktesh ndërkombëtare, ku spikasin: Rekomandimi nr. (2010)12 i Komitetit të Ministrave për shtetet anëtare për gjyqtarët: pavarësia, efi?enca dhe përgjegjësitë, i cili fjalinë e fundit të paragrafit 69, konfirmon se “sanksionet disiplinore duhet të jenë proporcionale”; Opinioni nr.10(2007) i CCJE mbi Këshillin për Gjyqësorin në Shërbim të Shoqërisë, i cili në paragrafin 63 përcakton se “Një gjyqtar i cili neglizhon çështjet e tij me faj ose që është haptazi i paaftë në trajtimin e tyre duhet të përballet me sanksionet disiplinore”; Karta Evropiane për Statusin e Gjyqtarit, e cila në fjalinë e dytë të parimit 5.1 për Përgjegjësinë rekomandon se “shkalla e sanksioneve që mund të caktohet duhet parashikuar në statut (ligj) dhe caktimi i tyre duhet të ndjekë parimin e proporcionalitetit”; Projekt Parimet mbi Pavarësinë e Gjyqësorit (Parimet e Sirakuzës) 1981 në nenin 15 mbi Disiplinën, që përcakton se “sanksionet disiplinore mund të përfshijnë një varietet mundësisht duke filluar nga vërejtja apo tërheqja e vëmendjes gjer tek masa më drastike e shkarkimit nga detyra”; si dhe Masat për Zbatimin Efektiv të Parimeve të Bangalorit për Sjelljen Gjyqësore 2010, që në nenin 15 pika “Disiplina e Gjyqtarit” rekomandon “Çdo juridiksion duhet të identifikojë sanksionet e lejuara në sistemin e tij disiplinor dhe të sigurojë që këto sanksione janë proporcionale, qoftë në parim, qoftë në zbatim.

       

      [1]Shpjegimi për këtë organizatë jepet në pikën 28 të komenteve të nenit 100

      [2] Shih Raportin e ENCJ “Standardet Minimale Gjyqësore V, Procedimet disiplinore dhe përgjegjësia e gjyqtarëve”, 5 Qershor 2015, në

      www.encj.eu/images/stories/pdf/GA/Hague/encj_report_minimum_standards_v_adopted_ga_june_2015.pdf, versioni në gjuhën angleze vizituar për herë të fundit më 13.05.2017, faqe 38

      [3] Shih Raportin e shënimit fundor nr. 18, faqe 41

  •  Raporte, opinione, rekomandime dhe deklarata 

    Rrjeti Evropian i Këshillave të Gjyqësorit, Standardet Minimale Gjyqësore V: Procedimet disiplinore dhe përgjegjësia e gjyqtarëve, 5 Qershor 2015 (Versioni në gjuhën angleze www.encj.eu/images/stories/pdf/GA/Hague/encj_report_minimum_standards_v_adopted_ga_june_2015.pdf, vizituar për herë të fundit në datën 12.05.2017); 

    Këshilli Konsultativ i Gjyqtarëve Evropianë, Opinioni Nr. 3(2002) për rregullat dhe parimet e qeverisjes së sjelljes profesionale të gjyqtarëve, veçanërisht etikës, paanshmërisë dhe papajtueshmërisë me detyrën i Këshillit (Versioni në gjuhën angleze wcd.coe.int/ViewDoc.jsp?p=&Ref=CCJE(2002)OP3&Sector=secDGHL&Language=true, vizituar për herë të fundit më 12.05.2017); 

    Këshilli Konsultativ i Gjyqtarëve Evropianë, Opinioni nr.10(2007) mbi Këshillin për Gjyqësorin në Shërbim të Shoqërisë (versioni në gjuhën angleze

    wcd.coe.int/ViewDoc.jsp?p=&Ref=CCJE(2007)OP10&Language=true vizituar për herë të fundit më 03.05.2017); 

    Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës, Rekomandimi nr. (2010)12 për shtetet anëtare për gjyqtarët: pavarësia, efi?enca dhe përgjegjësitë (Versioni në gjuhën angleze wcd.coe.int/ViewDoc.jsp?p=&Ref=CM/Rec(2010)12&Language=true , vizituar për herë të fundit më 03.05.2017); 

    Këshilli i Evropës, mbledhja shumëpalëshe mbi statutin e gjyqtarëve në Evropë, Karta Evropiane për Statusin e Gjyqtarit, (versioni në gjuhën angleze

    wcd.coe.int/ViewDoc.jsp?p=&id=1766485&direct=true, vizituar për herë të fundit më 03.05.2017); 

    Komiteti i Ekspertëve me Gjyqtarë dhe Prokurorë, Projekt Parimet mbi Pavarësinë e Gjyqësorit (Parimet e Sirakuzës), 1981 (versioni në gjuhën angleze www.cristidanilet.ro/docs/Siracusa%20Principles.pdf, vizituar për herë të fundit më 03.05.2017); 

    Grupi i Integritetit Gjyqësor, Masat për Zbatimin Efektiv të Parimeve të Bangalorit për Sjelljen Gjyqësore, 2010, (versioni në gjuhën angleze www.yargitay.gov.tr/sayfa/uluslararasi-belgeler/documents/bangaloreetigi.pdf, vizituar për herë të fundit më 03.05.2017).

     

  • Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, Qershor 2015, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf, vizituar për herë të fundit më 12.05.2017; 

    Relacioni për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/relacioni-1.pdf , vizituar për herë të fundit më 12.05.2017; 

    Procesverbal datë 24.06.2016 i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, për shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, reformanedrejtesi.al/sites/default/files/procesverbal_date_24.06.2016_0.pdf vizituar për herë të fundit më 12.05.2017.

  • Kushtetuta: 

    Neni 140 pikat

    1 dhe 2 “gjyqtari mban përgjegjësi disiplinore, sipas ligjit” dhe “gjyqtari shkarkohet kur”; 

    Neni 148/d pikat 1 dhe 2 “prokurori mban përgjegjësi disiplinore, sipas ligjit” dhe “prokurori shkarkohet kur”; 

    Neni 147/a pika 1 shkronja b) “KLGj ... vendos për masat disiplinore ndaj gjyqtarëve të të gjitha niveleve”; 

    Neni 149/a pika 1 shkronja b) “KLP ... vendos për masat disiplinore ndaj prokurorëve të të gjitha niveleve”; dhe 

    Neni 147/d pika 1 “ILD është përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin me nismë të shkeljeve dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve”; 

    Neni 138, që përcakton si përjashtim ndalimit të të uljes së pagës rastin kur ndaj gjyqtarit jepet një masë disiplinore sipas ligjit. 

    Ligji: 

    Neni 2 shkronja ë), neni 48 pika 8, neni 77 shkronja ë), neni 100, neni 129, neni 133 pika 3 shkronja ‘e’, neni 141, neni 142 pika 3 shkronja ‘a’, neni 173 pikat 3 dhe 4 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në R.Sh ”; 

    Neni 7 pika 1 shkronja ‘ç’, neni 19 pika 3 shkronja ‘i’, neni 105 pika 1 shkronja ‘ç’, neni 119 pika 3 shkronja ‘i’, neni 199 pika 1 shkronja ‘d’, neni 209 pika 5 shkronja ‘ç’, neni 221 pika 1 shkronja ‘b’ të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

  • Vendimi nr. 399, datë 03.05.2017 “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi”, i Këshillit të Ministrave.

  • Vendime të Gjykatës Kushtetuese 

    Vendimi nr. 57, datë 29.07.2017, kërkuese Gjykata e Lartë, për kushtetutshmërinë e ligjit nr. 9877/2008 për organizimin e pushtetit gjyqësor, që lidhet me masën disiplinore të dërgimit të gjyqtarit në një gjykatë tjetër të të njëjtit nivel; 

    Vendimi nr. 21, datë 07.06.2007, kërkuese Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për kushtetutshmërinë e pikës 5 të nenit 42 të ligjit nr. 8436/1998 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në RSh”; 

    Vendimi nr. 34, datë 10.04.2017 të Gjykatës Kushtetuese, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Unioni i Gjyqtarëve, për kushtetutshmërinë e Ligjit për Statusin. 

    Vendime të Gjykatës së Lartë 

    Vendimi nr. 266, datë 05.05.2015 i Kolegjit Administrativ, E.Tahiri k. KLD-së, për shfuqizimin e vendimit të KLD-së për caktimin e masës disiplinore; 

    Vendimit nr. 343, datë 08.06.2016 i Kolegjit Administrativ, N.Pengili k. KLD-së, për shfuqizimin e vendimit të KLD-së për caktimin e masës disiplinore; 

    Vendimi nr. 590, datë 20.12.2016 i Kolegjit Administrativ, E.Hoxha k. KLD-së, për shfuqizimin e vendimit të KLD-së për caktimin e masës disiplinore.

  • Projekti i Binjakëzimit për Këshillat Gjyqësorë Itali, Spanjë dhe Shqipëri, “Mbështetje për Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Inspektoratin e tij”, (botimi I, Çelësi Design and Publicity, 2008); 

    Augusto Barbera, Carlo Fusaro, Corso di diritto costituzionale, Manuali (botimi I, Il Mulino, 2012);

  • Ligje 

    Nenet 140 dhe 149 pika 2 të Kushtetutës, përpara ndryshimit me ligjin nr. 76/2016; 

    Neni 33 pika 2 e ligjit nr. 9877/2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor”, i ndryshuar; 

    Neni 33 pika 1 e ligjit nr. 8737/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në R.Sh.”, i ndryshuar. 

Marsida Xhaferllari
Marsida Xhaferllari, Arta Vorpsi, Gent Ibrahimi, Alma Faskaj (Vokopola)