1. Shkarkimi i magjistratit nga detyra jepet si masë disiplinore vetëm në këto raste:
a. kur shkelja është shumë e rëndë;
b. kur Këshilli çmon se natyra dhe rrethanat e kryerjes së shkeljes e bëjnë magjistratin të papërshtatshëm ose të padenjë për të ushtruar funksionin e tij, për shkak të dënimit për kryerjen e një krimi, për shkak të paaftësisë së rëndë dhe të dukshme, ose për shkak të një sjelljeje që kryhet të paktën me pakujdesi të rëndë, sipas nenit 101, shkronja “b”, të këtij ligji, dhe që shkel haptazi vlerat themelore të sistemit gjyqësor dhe të prokurorisë.
2. Në rastin kur magjistrati i gjykatës së posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar ose i Prokurorisë së Posaçme përhap informacion sensitiv, si nga pakujdesia e rëndë, sipas nenit 101, shkronja “b”, të këtij ligji, ose me dashje, ose kur kryen shkelje tjetër të rëndë, atij i jepet masa disiplinore e shkarkimit.