1. Para zbatimit të vendimit për masën e shmangies nga ndjekja penale, i mituri, mbrojtësi i tij dhe, sipas rastit, përfaqësuesi ligjor kanë të drejtë të kenë informacion të detajuar mbi thelbin e masës së shmangies nga ndjekja penale, kohëzgjatjen e saj, kushtet dhe mënyrën e zbatimit, si dhe pasojat për mospërmbushjen e masave të shmangies.
2. Të miturit i shpjegohet gojarisht dhe me shkrim, ose në format e duhura të komunikimit, sipas aftësive të veçanta të të miturit, se pranimi i masës së shmangies nga ndjekja penale është vullnetar dhe se i mituri ka të drejtë të heqë dorë prej masës në çdo fazë.
3. Nëse i mituri nuk ka mbrojtës, ai dhe përfaqësuesi ligjor i tij informohen lidhur me të drejtën për të pasur një mbrojtës.
4. Pranimi i veprës penale nga i mituri dhe informacioni i mbledhur rreth tij gjatë procesit të shmangies nuk mund të përdoren në gjykatë kundër tij.