KODI I DREJTËSISË PENALE PËR TË MITUR   |   37/2017

Neni 58: Pasojat e zbatimit të masës së shmangies

1. Zbatimi i masës së shmangies nga prokurori është rrethanë për mosfillimin e procedimit penal, nëse procedimi penal nuk ka filluar, dhe pushimin e tij nëse procedimi penal ka filluar.

2. Ky vendim i njoftohet drejtuesit të prokurorisë dhe viktimës, me qëllim që ky i fundit, sipas rastit, të ketë mundësi të kërkojë dëmshpërblim. Sipas rastit, ky vendim i njoftohet edhe mbrojtësit të të miturit, përfaqësuesit ligjor dhe/ose procedural të tij.

3. Në rastin e vendosjes së masës së shmangies prokurori merr vendimin për mosfillimin e çështjes penale ose pushimin e saj dhe lidh një marrëveshje me të miturin për llojin e masës së shmangies dhe/ose ndërmjetësimin.

4. Me urdhër të Ministrit të Drejtësisë përcaktohen elementet e marrë-veshjes që lidhet midis palëve për masën e shmangies dhe/ose ndërmjetësimin, si dhe rregulla të zbatimit të programit përkatës, të parashikuar në këtë marrëveshje.

Përmbajtja

    • 1. Qëllimi i nenit 58 është të përcaktojë pasojat e zbatimit të masës së shmangies nga vepra penale për të miturin dhe të tërheq vëmendjen e organit procedues që në këtë rast është prokuroria në fazën e ndjekjes penale, për hapat proceduralë që duhet të ndjekë pas zbatimit të masës së shmangies.

      2. Qëllimi i nenit 58 është që në përputhje me nenin 2 të këtij Kodi të bëjë të qartë për prokurorin se çfarë veprimesh proceduriale nevojiten të ndërmerren nga ana e tij në një rast shmangieje të tilla si mosfillimin e procedimit penal nëse procedimi penal nuk ka filluar dhe pushimin e tij nëse procedimi penal ka filluar.

      3. Njëherazi qëllimi i nenit 58 të KDPM është që të përcaktojë detyrimet që ka prokurori si autoritet kompetent me rëndë si kundrejt: viktimës, të miturit subjekt të drejtësisë penale dhe organit epror. Gjithashtu ky nen përcakton detyrime për Ministrinë e Drejtësisë me qëllim që kjo vendimmarrje e prokurorit të jëtë e zbatueshme konkretisht.

      4. Neni 59 i KDPM ka si qëllim në vetvete që të përcaktojë vlerën, rëndësinë, kujdesin, detyrimin dhe formën që organi kompetent duhet të zbatojë për marrjen e pëlqimit të të miturit për zbatimin e masës së shmangies nga ndjekja penale. Neni 59 synon ti japë peshën e duhur pëlqimit të të miturit dhe të nënvizojë se nuk ka shmangie nëse nuk është marrë pëlqimi i të miturit dhe nuk janë zbatuar kërkesat e këtij neni sa i përket garantimit të kuptimit të qartë nga ana e të miturit lidhur me shmangien dhe formën e marrjes së këtij pëlqimi.

    • 5. Neni 58 i KDPM është një nen me natyrë kryesisht procedurale në tri paragrafët e parë të tij ndërsa paragrafi i katërt përcakton detyrime për Ministrin e Drejtësisë në ndihmë të zbatimit të marrëveshjes. Neni është formuluar sipas teknikës klasike legjislative. Në tri paragrafët e tij parashikohet organi që sipas këtij neni zbaton këtë procedurë, që është prokurori, hapat proceduralë që ai ndjek pas zbatimit të masës së shmangies nga ndjekja penale dhe vendimmarrja që prokurori merr si pasojë e këtij vendimi. Neni 58 i KDPM parashikon në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme se cilat janë pasojat dhe procedurat që gjejnë zbatim në rastin kur prokurori zbaton masën e shmangies.

      6. Neni 58 i KDPM ka natyrë përshkruese të hapave procedurale që duhet të ndiqen gjatë procesit të zbatimit të masës së shmangies dhe evidenton pjesëmarrësit në këtë procedurë që janë: organi vendimmarrës, në rastin konkret prokurori dhe palët të cilave ju njoftohet detyrimisht vendimi i marrë nga prokurori, drejtuesi i prokurorisë, viktima dhe sipas rastit mbrojtësi i të miturit, përfaqësuesi i tij ligjor ose procedural i tij.

      7. Lidhur me elementët e marëveshjes e cila pozicionohet si akti final i gjithë procesit si dhe rregullat për zbatimin e programit përkatës të parashikuar në marrëveshje neni 58, pika 4 qartëson në mënyrë referuese se do të jenë pjesë e urdhrit të Ministrit të Drejtësisë. Kështu, sipas nenit 141 pika 2 të këtij Kodi ngarkohet që brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij Kodi, të nxjerrin akte nënligjore të reja, sipas parashikimeve të këtij Kodi dhe që mundësojnë përmbushjen e detyrimeve  të parashikuara në nenet 58, pika 4.

      8. Neni 59 i KDPM është ndërtuar për të evidentuar faktin se marrja e masës së shmangies bëhet detyrimisht vetëm me pëlqimin me shkrim të të miturit dhe, kur kjo është e përshtatshme (shih pikën 1), edhe nga përfaqësuesi i tij ligjor. Detyrimi për dhënien e pëlqimit nga i mituri për marrjen e masës së shmangies është i domosdoshëm, që palët të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtën e pëlqimit. Organet e drejtësisë penale e marrin çdo vendim duke pasur parasysh interesin më të lartë të fëmijës sipas KDPM, Konventës së OKB Për të Drejtat e Fëmijës dhe Konventës Europiane për Ushtrimin e të Drejtave të Fëmijëve. Pëlqimi i dhënë apo i marrë në kushtet e kërcënimit, kanosjes, mashtrimit apo ndonjë mënyre tjetër të dhunës fizike ose psikike nuk është i vlefshëm dhe e bën të gjithë procedurën e pavlefshme.

      9. Neni 59 i KDPM është i ndërtuar me një strukturë që funksionon në shërbim të marrjes së pëlqimit të të miturit për masën e shmangies. Neni evidenton qartazi dhe prerazi formën e detyrueshme të pëlqimit që është ajo me shkrim dhe se si mbërrihet deri në këtë fazë të marrjes së pëlqimit me qëllim që të garantohet pëlqimi i lirë dhe jo fiktiv. Pasi i mituri njihet me masën që i ka propozuar organi kompetent duhet domosdoshmërisht që ai të japë pëlqimin që përfundimisht organi kompetent të vendosë zbatimin e saj. Pëlqimi i lirë është një aspekt shumë delikat. Liria e pëlqimit ndërtohet mbi një vullnet të brendshëm të qartë mbi bazën e një informimi dhe kuptimi të qartë të procesit dhe të efekteve të tij.

    • 10. Lidhur me kuptimin e shprehjes së nenit 58 të KDPM “është rrethanë për mosfillimin e procedimit penal, nëse procedimi penal nuk ka filluar, dhe pushimin e tij nëse procedimi penal ka filluar”, legjislatori ka bërë kujdes që t’i japë një hapësirë veprimi më të madhe prokurorit për të vendosur për marrjen e masës së shmangies. Masa e shmangies si një masë alternativë, nëse zbatohet, e detyron prokurorin të marrë vendim për mosfillimin, dhe pushimin e ndjekjes penale ndaj të miturit në konflikt me ligjin. Kompetenca e prokurorit për të vendosur për zbatimin e masës së shmangies është shtrirë dhe e vlerësuar si rrethanë për mosfillimin e procedimit penal e parë kjo në harmoni dhe në përputhje me nenin 290 pika 1 gërma “e” të KPP[1] dhe nenin 291 të KPP.[2] Këto dy nene përcaktojnë bazën ligjore lidhur me rrethanat dhe vendimin e mosfillimit të procedimit. Gjithashtu, prokurori, mund të vendosë dhe pushimin e procedimit penal nëse ky procedim ka filluar sipas përmbajtjes së nenit 328 pika 1 gërma “f” të KPP[3] i cili parashikon diskrecionin e pushimit për ‘rastet e tjera të parashikuara në ligj’ duke bërë kështu një lidhje të drejtpërdrejtë të KPP me nenin 58 të KDPM. Edhe pse në nenin 328 pika 1 të KPP përcaktohet se prokurori vendos pushimin e akuzës ose të çështjes nëse procedohet për kundërvajtje penale sipas parashikimeve të këtij neni dhe kritereve ligjore të parashikuara në nenin 55 të KDPM , prokurori ka diskrecion që të vendosë pushimin e çështjes kur zbaton masën e shmangies nga ndjekja penale edhe kur procedohet për krime pasi legjislatori është bazuar në një nga parimet bazë të këtij Kodi siç është ai i interesit më të lartë të fëmijës.

      11. Njoftimet e parashikuara në nenin 58 të KDPM: Vendimi i marrë nga prokurori për mosfillimin ose pushimin e procedimit penal i njoftohet drejtuesit të prokurorisë dhe viktimës, me qëllim që ky i fundit, sipas rastit, të ketë mundësi të kërkojë dëmshpërblim. Ky detyrim duhet parë në lidhje me nenin 58 të KPP[4] pika 1 gërma “g” ku përcaktohen të drejtat e viktimës së veprës penale dhe një nga to listohet e drejta të kërkojë shpërblimin e dëmit dhe të pranohet si paditës civil në procesin penal. Sipas rastit, ky vendim i njoftohet edhe mbrojtësit të të miturit, përfaqësuesit të tij ligjor ose procedural. Përkufizimi “Përfaqësues ligjor” jepet në nenin 3 pika 16 i ketij Kodi ku cilësohet si i tillë prindi, i afërmi ose kujdestari i të miturit, i cili merr pjesë në procedurën e drejtësisë penale për të mitur për të mbrojtur interesat e të miturit. Përkufizimi “Përfaqësues procedural” jepet në nenin 3 pika 17 i ketij Kodi ku cilësohet si i tillë personi në kuptimin e përcaktuar në ligjin në fuqi “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”[5] neni 3 pika 12, ai  që do të kryejë përfaqësimin procedural të të miturit, sipas parashikimeve të këtij Kodi. Sipas ligjit në fuqi “Përfaqësues procedural” është personi i caktuar nga autoriteti procedues nga lista e dërguar nga njësia për mbrojtjen e fëmijës, që do të kryejë përfaqësimin procedural të fëmijës në mungesë të përfaqësuesit të tij ligjor ose, në rast konflikti interesi mes tij dhe fëmijës dhe ka të drejta përfaqësuese në emër të fëmijës në konflikt me ligjin, ose fëmijës dëshmitar/viktimë, me qëllim për të mbrojtur interesin më të lartë të fëmijës.

      12. Në lidhje me interpretimin e shprehjes “lidh një marrëveshje me të miturin për llojin e masës së shmangies dhe/ose ndërmjetësimin” sipas nenit 58 pika 3 të KDPM, përcaktohet se kur masa e shmangies merret nga prokurorit, ky i fundit vendos mosfillimin ose pushimin e procedimit penal dhe njëkohësisht lidh një marrëveshje me të miturin për llojin e masës së shmangies dhe/ose ndërmjetësimin. Masat alternative të mundshme për shmangien nga ndjekja penale janë të parashikuara në nenin 62 të këtij Kodi dhe në mënyrë specifike nga neni 63-69 të KDPM. Pasi i mituri është njohur më parë me masën që i ka propozuar prokurori dhe ka dhënë pëlqimin sipas nenit 59 të KDPM, prokurori vendos përfundimisht zbatimin e saj. Është vendimtare, që i mituri në konflikt me ligjin, të jetë i vetëdijshëm dhe kjo do vijë si rezultat i një informimi të hollësishëm dhe të detajuar nga prokurori rreth fakteve se si do të kryhet procedura e zbatimit dhe ekzekutimit të masës së shmangies, nga cili shërbim dhe nga kush, cilat janë pasojat e mundshme, cilat janë përfundimet e ndryshme të vendosjes së kësaj mase, për shembull suksesi, dështimi ose zgjidhja e pjesshme. Një informacion i tillë është i domosdoshëm, që i mituri të ketë mundësi të ushtrojë të drejtën e pëlqimit. Organet e drejtësisë penale e marrin cdo vendim duke pasur parasysh interesin me të lartë të fëmijës sipas parashikimeve të KDPM, Konventës së OKB Për të Drejtat e Fëmijës dhe Konventën Europiane për Ushtrimin e të Drejtave të Fëmijëve. Marrëveshja shihet si akti final ku përcaktohen qartë dhe kuptueshëm për të miturin lloji i masës së shmangies dhe/ose ndërmjetësimit.

      13. Lidhur me elementët e marëveshjes si dhe rregullat për zbatimin e programit përkatës të parashikuar në marrëveshje neni 58, pika 4 përcakton në mënyrë referuese se do të jenë pjesë e urdhrit të Ministrit të Drejtësisë ku sipas nenit 141 pika 2 të këtij Kodi ngarkohet që brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij Kodi, të nxjerrin akte nënligjore të reja, sipas parashikimeve të këtij Kodi dhe që mundësojnë përmbushjen e detyrimeve të parashikuara në nenet 58, pika 4.

      14. Shprehja ‘vetëm me pëlqimin me shkrim’ sipas nenit 59 të KDPM përcakton nga njëra anë detyrimin për dhënien e pëlqimit të të miturit dhe nga ana tjetër respektimin e formës me shkrim për marrjen e masës së shmangies. Eshtë e detyrueshme dhe njëkohësisht e rëndësishme që prokurori dhe gjykata, sipas rastit (shih pikën 1), të ketë një procesverbal me shkrim në të cilin të evidentohet qartazi pëlqimi i të miturit dhe, kur është e përshtatshme, dhe pëlqimi i përfaqësuesit të tij ligjor, i cili është prindi, i afërmi ose kujdestari i të miturit, i cili merr pjesë në procedurën e drejtësisë penale për të mitur për të mbrojtur interesat e të miturit. Lidhur me termin "pëlqim" neni 59 në pikën 1 e pozicionon këtë si një element formal parimor të detyrueshëm. Ky pëlqim jepet me një vullnet të lirë mbi bazën e një informimi dhe kuptimi të qartë të procesit dhe të efekteve të tij. Është rëndësishme, që i mituri, të jetë i vetëdijshëm dhe kjo arrihet nëpërmjet informimit nga organi kompetent në menyrë të detajuar se si do të kryhet procedura e zbatimit të masës së shmangies, nga cili shërbim dhe nga kush, për pasojat e mundshme, për përfundimet e ndryshme të zbatimit të saj. Detyrimi për dhënien e informacionit u takon organeve të drejtësisë penale.

      15. Në pikën 2 të nenit 59 të KDPM parashikohet sesi do procedohet në rastin kur përfaqësuesi ligjor nuk gjendet, ose kur i mituri nuk ka marrëdhënie me të ose kur përfaqësuesi ligjor ka konflikt interesi me të miturin. Në këtë rast organi kompetent ka të drejtën për të caktuar një përfaqësues procedural, i cili mund të japë pëlqimin për masën e shmangies. Pikërisht me termin “kur është e përshtatshme” të përdorur në pikën 1 të nenit 59 të këtij Kodi legjislatori ka dashur të parashikojë rastin kur organi kompetent duhet të marrë pëlqimin me shkrim edhe të përfaqësuesit ligjor. Në këtë rast legjislatori ka patur parsysh rastet kur përfaqësuesi ligjor nuk gjendet, ka konflikt interesi, etj të parashikuara nga neni 74 pika 1 germa ‘a’ deri ‘ç’ i këtij Kodi të cilat e detyrojnë organin procedues të njoftojë Njësinë për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës si dhe të caktojë një person nga lista e dërguar nga NjMDF sipas pikës 3 të nenit 74 germa ‘a’ deri ‘dh’.

      16. Shprehja e përdorur në pikën 3 të këtij neni “të miturit i sigurohet mundësia e këshillimit dhe ndihmës ligjore” ka të bëjë me parimin që të miturit duhet të trajtohen me kujdes, ndjeshmëri, ndershmëri në përputhje me moshën dhe formimin e tyre si dhe me respekt në çdo rast/procedurë, duke pasur në vëmendje situatën e tyre personale, mirëqenien dhe nevojat e veçanta, dhe në respekt të plotë për integritetin e tyre fizik dhe psikologjik. Ky trajtim duhet t'u jepet atyre, në çfarëdo mënyre që ata kanë ardhur në kontakt me procedimet gjyqësore ose jo-gjyqësore apo ndërhyrje të tjera, pa marrë parasysh statusin e tyre ligjor dhe kapacitet në çdo procedurë apo rast. Garantimi i respektit dhe efektiviteti i zbatimit të të gjithë të drejtave të të miturve, duhet të jetë në nivelin më të lartë të arritshëm, në sistemet e drejtësisë së një vendi. Për këtë, në veçanti, kërkohet që drejtësia të jetë e aksesueshme, e përshtatur sipas moshave, e shpejtë, e fokusuar në nevojat dhe të drejtat e të miturve. Kjo përfshin të drejtën për një proces të rregullt ligjor, të drejtën për pjesëmarrje dhe për të kuptuar procedurat, të drejtën për respektimin e jetës private dhe familjare, si dhe të integritetit dhe dinjitetit. I mituri, duhet të asistohet duke ju dhënë ndihma e duhur ligjore dhe kjo mund të jepet nga organi kompetent sipas rastit. Ndihma ligjore dhe një informacion i tillë është i domosdoshëm, që i mituri të ketë mundësi të ushtrojë të drejtën e pëlqim. Ndihma ligjore mund të ofrohet nga mbrojtësi i cili caktohet në çdo rast për të asistuar të miturin.

      17. Në proceset që përfshijnë të miturit, duhet të respektohet e drejta e të gjithë fëmijëve për t’u informuar mbi të drejtat e tyre, t’u jepet aksesi i duhur në drejtësi si dhe të konsultohen e dëgjohen. Kjo përfshin dhënien e rëndësisë së duhur opinioneve të fëmijëve duke marrë në konsideratë pjekurinë e tyre dhe çdo problematikë që mund të kenë lidhur me komunikimin. Fëmijët duhet të merren në konsideratë dhe të trajtohen si bartës të plotë të të drejtave dhe duhet të gëzojnë të drejtën e ushtrimit të të drejtave të tyre në mënyrë që merr parasysh kapacitetin e tyre për të formuar pikëpamjet e tyre dhe rrethanat e rastit.

      18. Lidhur me kuptimin e pikës 5 të nenit 59 të KDPM në të cilën nënvizohet se marrëveshja detyrimisht nënshkruhet nga i mituri dhe mbrojtësi i tij, kuptohet që pas një informimi të hollësishëm dhe të detajuar vetëm i mituri dhe mbrojtësi i tij shihen si subjekte të cilët në mënyrë detyruese duhet të jenë nënshkruesit e marreveshjes. Legjislatori ka përdorur lidhësen ‘dhe’ për të treguar se dokumenti i marrëveshjes duhet të përmbajë të dy firmat e tyre. Mbrojtësi i të miturit sipas nenit 31 të këtij Kodi është i pranishëm gjatë gjithë procesit dhe si të tillë janë avokatë të specializuar në drejtësinë për të mitur që ofrojnë ndihmën ligjore gjatë gjithë procesit.

       

      [1] Shih nenin 290 të KPP: “Rrethanat që nuk lejojnë fillimin e procedimit”, ndryshuar me ligjin nr.35/2017.

      [2] Shih nenin 291 të KPP: “Vendimi për mosfillimin e procedimit”, ndryshuar me ligjin nr. 35/2017. 

      [3] Shih nenin 328 të KPP: “Pushimi i akuzës ose i çështjes”, ndryshuar me ligjin 8460, datë 11.02.1999, ndryshuar me ligjin nr. 35/2017. 

      [4] Shih nenin 58 të KPP: “Të drejtat e viktimës së veprës penale”, ndryshuar me ligjin nr. 8813, datë 13.6.2002, ndryshuar me ligjin nr. 35/2017.

      [5] Shih nenin 3 pika 12 të ligjit nr. 18/2017 “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”.

    • 19. Në legjislacionin shqiptar është hera e parë që parashikohet në nivelin e një Kodi një rregullim i tillë si ai i nenit 58 dhe 59 të KDPM-së ku përcaktohen hapat proceduralë për të marrë vendimin që vjen si pasojë e zbatimit të masës së shmangies nga ndjekja penale të të miturit ne konflikt me ligjin. Më konkretisht KPP i miratuar me ligjin nr. nr.7905, datë 21.3.1995, ndryshuar ” me ligjin nr.8460, datë 11.2.1999, me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002, ligjin nr.9085, datë 19.6.2003, me ligjin nr.9276, datë 16.9.2004, me ligjin nr.9911, datë 5.5.2008, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr.31, datë 17.5.2012, me ligjin nr.145/2013, datë 2.5.2013, me ligjin Nr. 35/2017 nuk e kishte një dispozitë të ngjashme para miratimit të KDPM.

      20. Në kreun e VII, të KDPM për herë parë janë parashikuar masa të tilla si shmangia nga ndjekja penale dhe nga dënimi përmes masave alternative, dhe janë parashikuar rregulla specifike lidhur me to.

      21. Parë në këndvështrim të Kodit Penal një lloj mase e ngjashme me masën e shmangies nga ndjekja penale është masa e perjashtimit të të miturit nga dënimi sipas nenit 51 të Kodit Penal e cila vendosej nga Gjykata duke u nisur kjo e fundit nga rrezikshmëria e paket e veprës penale nga rrethanat konkrete të kryerjes se saj nga sjellja e mëparshme e të miturit. Në keto raste gjykata mund të vendosë dërgimin e të miturit në një institucion edukimi. Një risi që sjell masa e shmangies nga ndjekja penale sipas neni 55 te KDPM është që ajo mund të vendoset edhe nga Prokurori gjë e cila me parë në bazë te nenit 52 të Kodit Penal mund të vendosej vetëm nga Gjykata dhe kjo pasi i mituri të deklarohej fajtor. Masa e shmangies nga ndjekja penale është nje masë që në çdo rast respekton interesin më të lartë të femijës duke mos e venë atë para pergjegjësisë penale duke i siguruar një edukim nëpërmjet masave të tjera alternative dhënë rast pas rasti sipas natyrës dhe rëndësisë së veprës penale të kryer.

    • 22. Konventa e OKB për të Drejtat e Fëmijës (miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara më 20 nëntor 1989). Neni 3 pika 1 e Konventës përcakton se në të gjitha vendimet që kanë të bëjnë me fëmijën, të marra qoftë nga institucione publike ose private të përkrahjes shoqërore, nga gjykatat, autoritetet administrative apo organet legjislative, interesi më i lartë i fëmijës duhet të jetë konsiderata mbizotëruese Neni 12 pika 1 dhe 2 e Konventës së OKB për të drejtat e fëmijes përcakton se 1.shtetet palë i garantojnë fëmijës, i cili është i aftë të ketë pikëpamjet e tij, të drejtën për t’i shprehur lirisht këto pikëpamje, për çdo çështje që ka të bëjë me të, duke i vlerësuar ato në përputhje me moshën dhe shkallën e pjekurisë së tij.2.Për këtë qëllim, fëmijës i jepet mundësia që të dëgjohet në çdo procedurë gjyqësore ose administrative, që ka të bëjë me të, qoftë drejtpërdrejt, qoftë nëpërmjet një përfaqësuesi ose të një organi të përshtatshëm, në përputhje me rregullat e procedurës së legjislacionit kombëtar. Neni 40 i Konventës mbi administrimin e drejtësisë për të miturit përcakton standarde si në vijim:

      - Standardi i trajtimit të veçantë dhe dinjitoz të çdo fëmije të dyshuar, akuzuar ose për të cilin është thënë se ka kryer shkelje të ligjit penal, me qëllim që të zhvillohen ndjenjat e dinjitetit dhe të vlerës së personit, të respektohen të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, duke marrë parasysh moshën e fëmijës si dhe dëshirën për të ndihmuar në riintegrimin e tij në shoqëri dhe në mënyrë që ai të luajë një rol konstruktiv në gjirin e saj (neni 40/1 KDF);

      - Standardi i pasojave jo prapavepruese. Asnjë fëmijë nuk mund jetë i dyshuar, i akuzuar ose i cilësuar për shkelje të ligjit penal për arsye të veprimeve ose mosveprimeve që nuk kanë qenë të ndaluara nga e drejta e brendshme ose ndërkombëtare në momentin kur ato janë kryer. (neni 40/1/ a KDF) ( Kushtetuta R.Sh neni 29);

      - Garancitë procedurale për fëmijët në procesin penal, pra për fëmijët e dyshuar ose të akuzuar për shkelje të ligjit penal sipas nenit 40 të KDF përfshijnë prezumimin e fajësisë (neni 30 i Kushtetutes se RSH), e drejta e informimit (neni 31 i Kushtetutes se RSH) dhe shqyrtimi pa vonese i çështjes.

       

      23. Rekomandimi nr. R (87) 20 mbi reagimet shoqërore ndaj të miturve të akuzuar për kryerjen e veprave penale inkurajon zhvillimin e procedurave të shmangies dhe ndërmjetësimit. RECOMMENDATION No. R (87) 20 OF THE COMMITTEE OF MINISTERS TO MEMBER STATES ON SOCIAL REACTIONS TO JUVENILE DELINQUENCY parashikon:

      "II. Diversion - mediation 2. to encouraging the development of diversion and mediation procedures at public prosecutor level (discontinuation of proceedings) or at police level, in countries where the police has prosecuting functions, in order to prevent minors from entering into the criminal justice system and suffering the ensuing consequences; to associating Child Protection Boards or services to the application of these procedures; 3. to taking the necessary measures to ensure that in such procedures: - the consent of the minor to the measures on which the diversion is conditional and, if necessary, the co-operation of his family are secured; - appropriate attention is paid to the rights and interests of the minor as well as to those of the victim;" http://archivio.transnazionalita.isfol.it/file/CoE_Rec_R87-20%20Eng  Vizituar së fundmi më 17.08.2017.

       

      24. Komiteti për të Drejtat e Fëmijëve ka hartuar disa rekomandime specifike në zbatim të nenit 40 të KDF. Duhet të përdoren masa të përshtatshme për t’i trajtuar fëmijët, duke shmangur procedurat gjyqësore dhe duke siguruar respektin e plotë të të drejtave të njeriut dhe garancive ligjore. “Rregullat e Pekinit” e zgjerojnë kuptimin e tyre në mbështetjen që i bëjnë shmangies së procedimit penal në rregullin 11. Duhet të merret në konsideratë që, kur kemi të bëjmë me shkelës të ligjit që janë të mitur, të bëhet e mundur shmangia e procedimit penal nga autoritetet përkatëse, sipas rregullit 14(1). Policia, prokuroria ose agjenci të tjera që kanë të bëjnë me çështjen e të miturve duhet të autorizohen të merren me këtë çështje sipas diskrecionit të tyre, pa iu drejtuar seancave formale, në përputhje me kriteret e përshkruara më poshtë të pasqyruara në legjislacionin vendas si dhe me parimet që përmbajnë këto rregulla. Çdo shmangie nga këto procedura duhet të kërkohet nga i mituri, prindi ose kujdestari ligjor dhe ky vendim duhet të merret nga autoriteti përkatës. Një sërë dispozitash si urdhrat e mbikëqyrjes, përkujdesjes, drejtimit, këshillimeve, lirimit me kusht dhe riedukimit; programet e trajtimit, edukimit dhe mësimit të profesioneve dhe alternativa të tjera të përkujdesjes nga ana e institucioneve duhet të jenë të pranishme për të siguruar që fëmijët të trajtohen në mënyrë të përshtatshme dhe në përpjesëtim me rrethanat dhe kundërvajtjen e tyre (Neni 40).

      25. Rregullat standard minimum të Kombeve të Bashkuara për masat e dënimeve alternative (jo me burgim): “Rregullat e Tokios” (1990). Rregullat Minimale Standard sigurojnë një sërë parimesh themelore për të promovuar përdorimin e masave alternative të dënimit si dhe garancitë minimale për personat që i nënshtrohen alternativave të dënimit me burgim. Rregullat janë të destinuara për të promovuar përfshirjen më të madhe të komunitetit në menaxhimin e drejtësisë penale, veçanërisht në trajtimin e kryerësve, si dhe për të promovuar ndër shkelësit ndjenjën e përgjegjësisë ndaj shoqërisë. Në mënyrë që të sigurojë fleksibilitet më të madh, në përputhje me natyrën dhe seriozitetin e veprës, me personalitetin dhe përkatësinë veprës dhe me mbrojtjen e shoqërisë, si dhe për të shmangur përdorimin e panevojshëm të burgimit, sistemi i drejtësisë penale duhet të ofrojë një gamë të gjerë masash alternative. Hartimi i masave alternative duhet të inkurajohet dhe monitorohet nga afër dhe përdorimi i tyre duhet të vlerësohet në mënyrë sistematike. Duhet të merret në konsideratë në mënyrë të vazhdueshme shmangia nga procedurat formale apo gjykimi nga një gjykatë, në përputhje me garancitë ligjore. Masat alternative duhet të përdoren në përputhje me parimin e ndërhyrjes minimale.

      26. Rekomandimi CM/Rec 2008 (11) i Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare mbi Rregullat Evropiane, për të dënuarit e mitur që u nënshtrohen sanksioneve ose masave. Qëllimi i rekomandimit është të mbrohen më mirë të drejtat dhe mirëqenien e të miturve që hyjnë në konflikt me ligjin si dhe për të zhvilluar sistemet e drejtësisë për të mitur në interes të të miturve. Shkelësit e mitur që u nënshtrohen sanksioneve ose masave do të trajtohen duke respektuar të drejtat e tyre njerëzore. Sanksionet dhe masat që do të imponohen mbi të miturit si dhe mënyra e implementimit duhet të jenë të specifikuara në ligj dhe të bazohen në parimet e integrimit social, arsimimit dhe parandalimit të shkeljeve. Sanksionet dhe masat do të caktohen nga gjykata ose një autoritet tjetër i ligjshëm dhe do t’i nënshtrohen një gjykimi të shpejtë si dhe do të imponohen për periudha minimale dhe vetëm për qëllime legjitime. Vendosja dhe zbatimi i sanksioneve ose masave do të bazohet në interesin më të lartë të fëmijëve, duke marrë parasysh veprën e kryer (proporcionaliteti) si dhe moshën e tyre, mirëqenien fizike dhe mendore, zhvillimin, kapacitetet dhe rrethanat personale (parimi i individualizmit), mbështetur në raporte psikologjike, psikiatrike dhe sociale.

  • Raporte opinione, rekomandime dhe deklarata

    • “Konventa mbi te drejtat e femijes” miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara më 20 nëntor 1989 , neni 3 pika 1, neni 12 pika 2, neni 15 pika 2, neni 40 pika 2 dhe pika 4:
    • Udhëzimet e OKB për Parandalimin e Kriminalitetit Fëminor (Udhëzimet e Riadit),
    • Rregullat Standarte Minimale për Administrin e Drejtësisë për të Rinj (Rregullat e Pekinit), nenet 10 (2)(b), 10(3), 14(4)
    • Konventa kundër torturës dhe vuajtjeve të tjera ose trajtimit mizor, jonjerëzor a degradues (ligji nr.7727/30.6.1993) dhe Protokolli shtesë i Konventës.
    • Rregullat e Kombeve të Bashkuara për mbrojtjen e të rinjve të cilëve u është hequr liria (rregullat e Havanës 1990);
    • Rregullat Standard Minimum të Kombeve të Bashkuara lidhur me Non-custodial Measures (rregullat e Tokios) (1990);
    • Udhëzimet e Vjenës për Veprimin mbi Fëmijët në Sistemin e Drejtësisë Penale dhe duke pasur parasysh ditën e diskutimit të Komitetit në 1995 mbi administrimin e drejtësisë për të rinjtë.
    • Deklarata mbi të Drejtat e Fëmijës.
    • Instrumentet në nivelin e Bashkimit Europian.
    • Karta e të drejtave themelore të BE.
    • Traktati i Lisbones 01.12.2009.

               

    Departamenti Amerikan i Drejtesise. Zyra e drejtesise per te mitur dhe parandalimit te krimit.Instituti Nacional i Drejtësisë (Raste dhe praktika)

    Sipas analizës studimore të rasteve dhe praktikave te Zyrës së Drejtësisë për të mitur ka rezultuar se:

    “Practice  Theory

    Diversion is primarily grounded in two different theories. Labeling theory emphasizes the stigma and negative consequences that youths may experience if they are labeled delinquent at a young age (Becker 1963). Differential association theory argues that youths can learn antisocial attitudes and behaviors by associating with peers who exhibit such behavior (Cressey 1952). Diversion attempts to minimize the effects of labeling associated with offending and limit the opportunities youths have to associate with antisocial peers by reducing their contact and exposure to the juvenile justice system. Recently, research on the negative impacts of formal system processing and empirical work on the risk/need/responsivity model also provide support for the use of diversion. Research has emerged indicating that the likelihood of reoffending actually increases as youths are further processed into the juvenile justice system, which supports the idea of diverting youths away from the system (Petrosino, Turpin–Petrosino, and Guckenburg 2010). Likewise, the risk/need/responsivity model—which, in part, emphasizes that intensive services should be reserved for high-risk juveniles—also supports the use of diversion so that limited resources can be directed to more appropriate juvenile offenders (Andrews and Bonta 2010).

    Practice Components

    There are generally two different types of diversion programs: caution/ warning programs and formal programs. Caution or warning programs are the least invasive. In these programs, youths are diverted out of the system with no further action, aside from a warning or formal caution, usually from the police. Alternatively, formal diversion programs usually involve some conditions youths must fulfill, including an admission of guilt and an agreement to participate in a diversion intervention. Successful completion of diversion programming will generally result in no further judicial processing (Wilson and Hoge 2012).

    There are many different examples of diversion interventions, such as restorative justice programs (including victim–offender mediation or family group conferencing), community service, treatment or skills-building programs (including cognitive–behavioral therapy or employment training), family treatment, drug courts, and youth courts.

    Diversion can occur at several different contact points in the juvenile justice system,       but generally youths are diverted pre- or post-charging but before the initiation of formal court procedures. Precharge diversion is generally used with lower-risk youths following their contact with the police. With precharge diversion, youths are diverted from the system with no further processing by law enforcement or court services. Postcharge diversion occurs when youths have been charged with an offense by the police or prosecution. Youths must accept responsibility for their actions and agree to participate in recommended programming. If they do, there is no further judicial processing and successful completion of diversion programming may result in dismissal of charges (Wilson and Hoge 2012).

    Linku:.www.ojjdp.gov/mpg/litreviews/Diversion Programs.pdf.vizituar për herë të fundit më datë 18.08.2017

  • Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, Qershor 2015, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë,

    http://www.reformanedrejtesi.al/analiza-e-sistemit-te-drejtesise-ne-shqiperi-2015

     

    Raport date 28.03.2017 për projektligjin “Kodi i Drejtesise Penale  per te mitur ne Republiken e Shqiperise”

    http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/relacioni-1.pdf ,

     

    Vendimi i Kuvendit Nr.97/2016 paketa e 27 projektligjeve. http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/relacioni-1.pdf , 20 nëntor 1989

     

    Procesverbal datë 27-28 mars i Komisionit për Çështjet Ligjore , për shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit “Kodi i Drejtesise Penale  për të mitur në Republiken e Shqiperise” “http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/procesverbal_date_24.06.2016_0.pdf

  • Kushtetuta: neni 27 pika 2 gërma “ç”, neni 54 pika 1, pika 3 dhe pika 4, neni 30, neni 31.

    Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë neni 12, neni 52, neni 46.

    Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë neni 58, 290, 291 dhe 328.

    Ligji nr. 18/2017 “Per të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës” neni 3.

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Office of Juvenile Justice and Delinquency Prevention

    Linku: www.ojjdp.gov/mpg/litreviews/Diversion Programs.pdf

    Analiza e sistemit të drejtësisë

    http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/procesverbal_date_24.06.2016_0.pdf

    https://www.unicef.org/tdad/councilofeuropejjrec08(1).pdf

    RECOMMENDATION No. R (87) 20 OF THE COMMITTEE OF MINISTERS TO MEMBER STATES ON SOCIAL REACTIONS TO JUVENILE DELINQUENCY

    http://archivio.transnazionalita.isfol.it/file/CoE_Rec_R87-20%20Eng.pdf

    Rekomandimi CM/Rec 2008 (11) i Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare mbi Rregullat Evropiane, për të dënuarit e mitur

    http://archivio.tra4nsnazionalita.isfol.it/file/CoE_Rec_R2008-11%20Eng.pdf

    MANUAL TRAJNIMI PËR PROFESIONISTËT QË PUNOJNË ME FËMIJËT NË SISTEMIN PENITENCIAR

  • Asnjë koment
Elina Kombi
Arta Mandro, Koraljka Bumči, Renate Winter