KODI I PROCEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   7905

Neni 256: Marrja në pyetje e të arrestuarit ose të ndaluarit

1Prokurori merr në pyetje të arrestuarit ose të ndaluarin në prani të mbrojtësit të zgjedhur ose të caktuar kryesisht. Ai i njofton të arrestuarin ose të ndaluarit faktin për të cilin procedohet dhe arsyet e marrjes në pyetje, duke i treguar të dhënat në ngarkim të tij dhe, kur nuk i shkaktohet dëm hetimeve, edhe burimet.

2Prokurori fillimisht e pyet të arrestuarin ose të ndaluarin nëse e ka marrë letrën e të drejtave dhe sigurohet që ai i ka kuptuar të drejtat e tij. Kur i arrestuari ose i ndaluari nuk e ka marrë letrën e të drejtave, prokurori ia jep atë përpara marrjes së parë në pyetje dhe i sqaron të drejtat e tij.

3Deklarimet e bëra nga i arrestuari ose i ndaluari përpara se të ketë marrë letrën e të drejtave ose përpara takimit me mbrojtësin e tij, nuk mund të përdoren.

Përmbajtja

      1. Neni 256 i KPrP ka karakter garantues dhe ndjek si qëllim informimin për të drejtat dhe garantimin e të drejtës për mbrojtje të personit të arrestuar apo ndaluar. Në këtë mënyrë neni 256 përcakton detyrim për prokurorin që të kryejë veprimet procedurale të nevojshme në mënyrë që përpara marrjes në pyetje, i arrestuari/ndaluari të jetë informuar për faktin dhe të ketë kuptuar të drejtat e tij, dhe është në përputhje me nenet 28 të Kushtetutës dhe nenet 5 dhe 6 të KEDNJ.
      1. Neni 256 i KPrP ka si objekt rregullimin e veprimit procedural të marrjes në pyetje të të arrestuarit apo ndaluarit. Në tre paragrafë përcaktohen subjekti që kryen marrjen në pyetje të të arrestuarit/ndaluarit dhe rregullat procedurale për informimin e të arrestuarit/të ndaluarit për faktin penal dhe arsyet e marrjes në pyetje, garantimi i të drejtës së mbrojtjes si dhe kuptimit të letrës së të drejtave, si dhe pasoja e mosrespektimit të këtyre rregullave.
    •  

      1. Neni 256 i KPrP përcakton prokurorin si subjekti i vetëm që merr në pyetje personin ndaj të cilit zhvillohen hetime, kur ai ndodhet i arrestuar në flagrancë ose i ndaluar si i dyshuar për një krim. Në kushtet e kufizimit të lirisë sikurse është arresti apo ndalimi, personi duhet të merret në pyetje nga një organ më garantues në pikëpamje të të drejtave, sikundër është prokurori. Policisë gjyqësore nuk i lejohet kryerja e këtij veprimi. Marrja në pyetje e të arrestuarit ose ndaluarit është një akt i padelegueshëm. Prokurori procedon personalisht me marrjen në pyetje duke garantuar të gjitha të drejtat e personit të arrestuar ose të ndaluar të përcaktuara në nenet 256, 34/a dhe 34/b të KPrP. Marrja në pyetje, nga prokurori, e personit, të cilit i është hequr liria, nuk do të thotë se ai, nëpërmjet këtij veprimi, ka marrë cilesinë e të pandehurit.[1]

       

      1. Përpara marrjes në pyetje prokurori sigurohet që i arrestuari/i ndaluari të jetë takuar veçmas me mbrojtësin e tij. E drejta e të arrestuarit ose të ndaluarit që të takojë vetëm për vetëm mbrojtësin e tij përpara marrjes në pyetje për herë të parë garantohet nga neni 34/b paragrafi 1 shkronja “a” e KPrP. Ky parashikim është në përputhje të plotë me standartet e GJEDNJ[2], sipas të cilave e drejta e të pandehurit për të komunikuar me mbrojtësin larg një personi të tretë është pjesë e kërkesave bazë të një procesi të drejtë gjyqësor në një shoqëri demokratike dhe rrjedh nga neni 6 paragrafi 3 (c). Kjo e drejtë e cila nuk është përcaktuar në mënyrë të shprehur në Konventë mund të jetë subjekt i kufizimeve të veçanta. Megjithatë nëse një mbrojtës nuk ka qënë në gjendje të diskutojë me klientin e tij dhe të marrë udhëzime konfidenciale prej tij pa një survejim të tillë, ndihma e tij do të humbiste shumë efektivitetin. GJEDNJ[3] ka mbajtur qëndrimin se moshprehja lirshëm e kërkuesit me avokatin për shkak të pranisë së një oficeri të policisë gjatë fazës së takimit është një shkelje e procesit të drejtë ligjor, garantuar nga neni 6 paragrafi 3 së bashku me nenin 6 paragrafi 1.

       

      1. Prokurori merr në pyetje të arrestuarin ose të ndaluarin në prani të mbrojtësit të zgjedhur ose të caktuar kryesisht. Gjatë marrjes në pyetje për herë të parë, mbrojtja me avokat është e detyrueshme sipas nenit 49 paragrafi 1 shkronja “e” të KPrP. I arrestuari ose i ndaluari nuk mund të heqë dorë nga kjo e drejtë. Edhe ky parashikim është në përputhje të plotë me standartet e përcaktuara nga GJEDNJ[4], sipas të cilave në mënyrë që e drejta për një gjykim të drejtë të mbetet “praktike dhe efektive”, neni 6 paragrafi 1 kërkon që, si rregull, e drejta për një avokat duhet të sigurohet që në marrjen në pyetje për herë të parë të të dyshuarit nga policia, nëse nuk është demonstruar në dritën e rrethanave të veçanta të secilit rast se ka arsye të fortë për ta kufizuar këtë të drejtë. Mbrojtja me avokat gjatë pyetjes për herë të parë është e rëndësishme për shkak se ligjet kombëtare mund të bashkëngjisin pasoja në qëndrimin e të akuzuarit në fazat filestare të marrjes në pyetje nga policia, të cilat janë vendimtare për prespektivat e mbrojtjes në çfarëdo procedure penale të mëvonshme.[5] Nëpërmjet vendosjes së këtij standarti, GJEDNJ në rradhë të parë nënkupton respektimin e të drejtës për të ndenjur në heshtje dhe për të mos u vetëakuzuar që gjen pasqyrim në nenin 255 paragrafi 1 të KPrP dhe garantohet nga neni 28 paragrafi 1 i Kushtetutës. Në rradhë të dytë nënkuptohet e drejta për mbrojtje efektive me avokat që në fazat fillestare të procedures çka është vendimtare për prespektivat e mbrojtjes.

       

      1. Sipas GJEDNJ ashtu sikurse për të drejta të tjera të procesit të drejtë, është e mundur që i akuzuari të heqë dorë edhe nga e drejta për tu përfaqësuar me avokat. As shkrimi dhe as fryma e nenit 6 të Konventës nuk e ndalon një person të heqë dorë me vullnetin e tij të lirë, shprehimisht ose në mënyrë të heshtur, nga e drejta për garancitë e një gjykimi të drejtë.[6] Mungesa e përfaqësimit me avokat gjatë pyetjes për herë të parë nga policia kur i dyshuari nuk kishte hequr dorë nga e drejta për tu përfaqësuar me avokat gjatë pyetjes përbën shkelje të nenit 6 paragrafi 1 dhe 3 c të KEDNJ.[7] Autoritetet duhet të ndërmarrin masa të arsyeshme për tu siguruar që i akuzuari apo i dyshuari të jetë plotësisht i ndërgjegjshëm për të drejtën e tij për mbrojtje dhe të vlerësojë, sa më shumë të jetë e mundur në rastin konkret, pasojat e heqjes dorë të tij.[8] Prandaj, përpara se të konsiderohet se i akuzuari, nëpërmjet sjelljes së tij, ka hequr dorë absolutisht nga një e drejtë e tillë e rëndësishme e garantuar nga neni 6, duhet të tregohet se ai ishte në mënyrë të arsyeshme në gjendje të parashikonte pasojat e sjelljes së tij. Garanci shtesë janë të nevojshme kur i akuzuari kërkon këshilla, sepse kur i akuzuari nuk ka mbrojtës, atëherë ai ka më pak mundësi që të informohet për të drejtat e tij, dhe për rrjedhim, ka më pak mundësi që të drejtat e tij të respektohen.[9] Për më tepër, heqja dorë e vlefshme nuk nënkuptohet nga dhënia e përgjigjeve nga i akuzuari ndaj pyetjeve të bëra nga hetuesit pasi i është bërë më parë e ditur e drejta për të qëndruar në heshtje.

       

      1. Marrja në pyetje e të arrestuarit/të ndaluarit duhet të bëhet në prani të mbrojtësit të zgjedhur. Vetëm në rastin kur i arrestuari/i ndaluari nuk ka zgjedhur mbrojtës ose ka mbetur pa të, prokurori e merr në pyetje në prani të mbrojtësit të caktuar, duke aplikuar pikat 3, 5 dhe 6 të nenit 49 të KPrP.

       

      1. Asistimi nga mbrojtësi i zgjedhur i të arrestuarit/ndaluarit gjatë pyetjes është gjithashtu një garanci e përcaktuar nga GJEDNJ[10], e cila e konsideron të rëndësishme të drejtën për tu asistuar nga mbrojtësi i zgjedhur që në fazat fillestare të procedurës, sidomos kur dënimi bazohet në prova të marra gjatë fazës së hetimit. GJEDNJ ka theksuar se për qëllime të nenit 6 paragrafi 1, gjykata duhet të ketë parasysh veprimet e policisë në pengimin e kërkuesit, në mënyrë efektive, që në fillim të hetimit, që të ketë akses në mbrojtësit e zgjedhur nga familjarët e tij dhe të zgjedhë lirisht avokatin e tij, dhe pasojat e sjelljes së policisë për procedurat e mëvonshme. Në këtë rast, pasoja e sjelljes së policisë që çoi në pengimin e kërkuesit për tu asistuar nga avokati i zgjedhur nga familjarët, ishte e tillë që dëmtoi drejtësinë e procedurës të mëvonshme përderisa deklarimet inkriminuese fillestare të kërkuesit u pranuan si provë.[11]

       

      1. Prokurori i njofton të arrestuarit ose të ndaluarit faktin për të cilin procedohet dhe arsyet e marrjes në pyetje, duke i treguar të dhënat në ngarkim të tij dhe, kur nuk i shkaktohet dëm hetimeve, edhe burimet.[12] Ky parashikim është në përputhje me standartet ndërkombëtare të përcaktuar nga GJEDNJ dhe legjislacioni i BE[13] lidhur me të drejtën e informimit në procedimin penal.

       

      1. Për të garantuar të drejtat procedurale të personit nën hetim, në çdo rast, përpara marrjes në pyetje, atij i jepet letra e të drejtave, sipas neni 34/a, paragrafi 2 të KPrP. Për këtë qëllim, në nenin 256 paragrafi 2 të KPrP përcaktohet se prokurori fillimisht e pyet të arrestuarin ose të ndaluarin nëse e ka marrë letrën e të drejtave dhe sigurohet që ai i ka kuptuar të drejtat e tij. Kur i arrestuari ose i ndaluari nuk e ka marrë letrën e të drejtave, prokurori ia jep atë përpara marrjes së parë në pyetje dhe i sqaron të drejtat e tij. Ndërkohë që për të dyshuarin e lirë informimi për të drejtat mund të bëhet verbalisht apo me shkrim, për të arrestuarin/ndaluarin informimi për të drejtat e tij bëhet vetëm me shkrim në formën e një letre të drejtash.

       

      1. Nisur nga rëndësia e informimit jo thjesht formal por efektiv mbi letrën e të drejtave, kryerja e veprimeve të mësipërme të përcaktuara në dispozitë, duhet të pasqyrohet në aktin që dokumenton marrjen e të dhënave nga i arrestuari/ndaluari, që është procesverbali për pyetjen e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, parashikuar në nenin 303 paragrafi 2, shkronja “b” të KPrP. Prandaj, organi procedues duhet të bëjë përpjekjet e duhura dhe të përshtatshme për t’i sqaruar të drejtat të arrestuarit/të ndaluarit dhe të sigurohet që ai i ka kuptuar të drejtat e tij, duke dokumentuar këto veprime. Vetëm në këto kushte, i pandehuri mund të heqë dorë efektivisht nga kjo e drejtë, duke qënë se heqja dorë nga e drejta duhet të bëhet në mënyrë të qartë dhe e shoqëruar me një minimum garancish në përputhje me rëndësinë e saj.[14]

       

      1. Shtetet duhet të ndërmarrin masa të mëtejshme për të mbrojtur të drejtat e personave vulnerabël apo të akuzuarve, si personat me aftësi të kufizuara apo fëmijëve, duke u siguruar mbështetje nga persona të tretë. Ata duhet të jenë në gjendje të shpjegojnë versionin e tyre të ngjarjes, mbrojtësit të tyre. Autoritetet duhet të reduktojnë sa të jetë e mundur ndjenjën e intimidimit dhe të sigurohen që fëmijët të kenë një kuptim të gjerë të natyrës së procedimit dhe çfarë rrezikojnë. Autoritetet duhet të sigurohen që fëmijët dhe personat vulnerabël të informohen për të drejtën e tyre për mbrojtje. [15] Po ashtu, sipas standarteve të GJEDNJ në rrethana të qarta që tregojnë se i dyshuari ndodhet në një gjendje vulnerabël në momentin e pyetjes, autoritetet duhet ta marrin parasysh këtë gjendje gjatë pyetjes dhe në veçanti kur vlerësojnë të drejtën e të dyshuarit për tu mbrojtur me avokat.[16]

       

      1. Në nenin 256 paragrafi 3 të KPrP parashikohet shprehimisht pasoja e papërdorshmërisë së deklarimeve të bëra nga i arrestuari ose i ndaluari përpara se të ketë marrë letrën e të drejtave ose përpara takimit me mbrojtësin e tij. Marrja e të dhënave nga personi ndaj të cilit zhvillohen hetime, i kryer nga prokurori përpara takimit me mbrojtësin ose përpara marrjes së letrës së të drejtave, goditet nga sanksioni i papërdorshmërisë sipas nenit 151 paragrafi 3 të KPrP. Kjo garanci e ligjit në rastin e mosnjohjes së të pandehurit me letrën e të drejtave ose moskuptimin nga ana e tij passjell papërdorshmërinë e deklarimeve edhe sipas nenit 38 paragrafi 3 e KPrP. Pra, prova që buron prej këtij akti nuk mund të përdoret jo vetëm për të provuar fakte në proces, por as edhe për të mbështetur kërkesat e prokurorit në fazën e hetimeve paraprake, siç janë masat e sigurimit personal, kontrolli i vendeve ose personit, përgjimi i telekomunikimeve, etj.

       

      [1] Vendim unifikues nr. 3, datë 27.09.2002, Vladimir Ozmaj, (KBGJL)

      [2] Rybacki kundër Polonisë, kërkesa nr. 52479/99, datë 13.04.2009.

      [3] Brennan kundër Mbretërisë së Bashkuar, kërkesa nr. 39846/98, datë 16.10.2001.

      [4] Salduz kundër Turqisë, kërkesa nr. 36391/02, § 52, datë 27.11.2008.

      [5] Salduz kundër Turqisë, kërkesa nr. 36391/02, datë 27.11.2008, § 52.

      [6] Sejdovic kundër Italisë, kërkesa 56581/00, datë 01 Mars 2006, § 86.

      [7] Šebalj kundër Kroacisë, kërkesa nr. 44291/09, datë 28.09.2011, § 256, § 257.

      [8] Panovits kundër Qipros, kërkesa nr. 4268/04, datë 11.12.2008, § 68.

      [9] Pishchalnikov kundër Rusisëkërkesa nr. 7025/04, datë 24.09.2009, § 77, § 78, § 79.

      [10] Martin kundër Estonisë, kërkesa nr. 35985/09, § 90, 93, datë 30.05.2013.

      [11] Dvorski kundër Kroacisë, kërkesa nr. 25703/11, datë 20.10.2015.

      [12] Vendim unifikues nr. 3, datë 27.09.2002, Vladimir Ozmaj, (KBGJL)

      [13] Direktiva 2012/13/UE e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit të Bashkimit Evropian, datë 22.5.2012, për të drejtën e informimit të të hetuarit në procesin penal, pikat 19, 28.

      [14] Sejdovic kundër Italisë, kërkesa 56581/00, datë 01 Mars 2006, § 86.

      [15] Panovits kundër Qipros, kërkesa nr.4268/04, datë 11.12.2008, § 67-78.

      [16] Plonka kundër Polonisë, kërkesa nr.20310/02, datë 31.03.2009, § 38.

      1. Në relacionin për projekt-ligjin[1] për disa shtesa dhe ndryshime në KPrP dhe në Analizën e Sistemit të Drejtësisë[2], të hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë është pasqyruar problematika që lidhet me nenin 256 të KPrP Kjo problematikë konsiston në marrjen në pyetje të të arrestuarit ose ndaluarit në mosrespektim të të drejtave të përcaktuara nga standartet ndërkombëtare dhe jurisprudenca e GJEDNJ.

       

      1. Problematika e konstatuar në praktikë gjatë zbatimit të nenit 256 të KPrP, për shkak të formulimit jo të plotë, ka sjellë nevojën e ndryshimit të kësaj dispozite. Për këtë qëllim, me ligjin 35/2017, në nenin 256 të KPr P, janë shtuar dy paragrafë që ofrojnë më shumë garanci për respektimin e të drejtave të të arrestuarit ose të ndaluarit, në rastin e marrjes në pyetje.

       

      [1]Relacioni për projekt-ligjin “Për disa shtesa e ndryshime në Kodin e Procedurës Penale”, https://www.parlament.al/wp-content/uploads/2017/01/RELACION-SHTESA-E-NDRYSHIME-7905-KODI-I-PROCEDURES-PENALE-Resized.pdf, faqe 7-11, aksesuar për herë të fundit në datë 24.07.2017.

      [2] Shih Analizën e Sistemit të Drejtësisë, Qershor 2015, në

      http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf vizituar për herë të fundit më 28.08.2017, faqe 143, 178.

    • Direktiva 2012/13/UE e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit të Bashkimit Evropian, datë 22.5.2012, për të drejtën e informimit të të hetuarit në procesin penal, pika 19, 28, për informimin e të dyshuarit për të drejtat sa më shpejt dhe gjithsesi përpara marrjes në pyetje për herë të parë si dhe për informimin për faktet, duke përfshirë kur janë të njohura kohën dhe vendin e veprës penale për të cilën dyshohet, cilësimin juridik eventual, për të bërë të mundur ushtrimin e të drejtës së mbrojtjes në mënyrë efektive;

  • Vendime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut 

    Rybacki kundër Polonisë, kërkesa nr. 52479/99, datë 13.04.2009, lidhur me të drejtën e të pandehurit për të komunikuar me mbrojtësin larg një personi të tretë si pjesë e kërkesave bazë të një procesi të drejtë gjyqësor në një shoqëri demokratike; 

    Brennan kundër Mbretërisë së Bashkuar, kërkesa nr. 39846/98, datë 16.10.2001, lidhur me mundësinë për të komunikuar lirshëm me avokatin pa praninë e një oficeri të policisë gjatë fazës së takimit si element i procesit të drejtë ligjor; 

    Salduz kundër Turqisë, kërkesa nr. 36391/02, § 52, datë 27.11.2008, lidhur me të drejtën për tu asistuar me avokat që në marrjen në pyetje për herë të parë të të dyshuarit nga policia, në mënyrë që e drejta të jetë praktike dhe efektive; 

    Dvorski kundër Kroacisë, kërkesa nr. 25703/11, datë 20.10.2015, lidhur me të drejtën e të pandehurit që në fillim të hetimit, që të ketë akses në mbrojtësit e zgjedhur nga familjarët e tij dhe të zgjedhë lirisht avokatin e tij; 

    Martin kundër Estonisë, kërkesa nr. 35985/09, § 90, 93, datë 30.05.2013, lidhur rëndësinë e të drejtës për tu asistuar nga mbrojtësi i zgjedhur që në fazat fillestare të procedurës, sidomos kur dënimi bazohet në prova të marra gjatë fazës së hetimit; 

    Panovits kundër Qipros, kërkesa nr. 4268/04, datë 11.12.2008, § 67-78, lidhur me të drejtën për mbështetje nga persona të tretë dhe për mbrojtje të fëmijëve dhe personave vulnerabël dhe heqjen dorë të tyre nga e drejta; 

    Plonka kundër Polonisë, kërkesa nr. 20310/02, datë 31.03.2009, § 38, lidhur me të drejtën për tu asistuar me avokat gjatë marrjes në pyetje nga autoritetet kur i dyshuari ndodhet në një gjendje vulnerabël në momentin e pyetjes; 

    Pishchalnikov kundër Rusisë, kërkesa nr. 7025/04, datë 24.09.2009, § 77, § 78, § 79, lidhur me garancitë që duhet të respektohen në mënyrë që i akuzuari të heqë dorë nga e drejta për tu përfaqësuar me avokat; 

    Šebalj kundër Kroacisë, kërkesa nr. 44291/09, datë 28.09.2011, § 256, § 257, lidhur me mungesën e përfaqësimit me avokat gjatë pyetjes për herë të parë nga policia kur i dyshuari nuk kishte hequr dorë nga kjo e drejtë si shkelje e nenit 6 § 1 dhe 3 c të KEDNJ.

  • Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, Qershor 2015, faqe 143,178, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf, aksesuar për herë të fundit më 28.08.2017; 

    Strategjia për reformën në sistemin e drejtësisë  https://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/draft_strategjia_versioni_shqip.pdf, aksesuar për here të fundit në datën 26.08.2017; 

    Relacioni për projekt-ligjin “Për disa shtesa e ndryshime në Kodin e Procedurës Penale”, https://www.parlament.al/wp-content/uploads/2017/01/RELACION-SHTESA-E-NDRYSHIME-7905-KODI-I-PROCEDURES-PENALE-Resized.pdf, faqe 7-11, aksesuar për herë të fundit në datë 26.08.2017.

  • Nenet 34/a, 38/3, 49, 151/3, 255, 303/2, të ligj nr. 35/2017 Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7905, datë 21.03.1995 “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar me ligjin nr. 35/2017; 

    Kushtetuta: 

    Nenet 28, 42 të Kushtetutës, ndryshuar me ligjin nr. 76/2016; 

    Ligji: 

    Ligji nr. 7905, datë 21.03.1995 “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar me ligjin nr. 35/2017. 

  • Asnjë koment
  • Vendime të Gjykatës së Lartë 

    Vendim unifikues nr. 3, datë 27.09.2002 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë me të pandehur Vladimir Ozmaj dhe kërkues prokurorin mbi komunikimin e akuzës.

  • Ledi Bianku, Jurisprudenca e Gjykatës së Strasburgut, Tiranë, 2007; 

    Halim Islami, Artan Hoxha, Ilir Panda, Procedura penale Komentar, Tiranë 2003.

  • Neni 255, 256 i K.Pr.P para ndryshimit me ligjin nr. 35/2017.

Ornela Naqellari
Idlir Peçi