KODI I PROCEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   7905

Neni 403: Kërkesa për gjykimin e shkurtuar

1Kërkesa për gjykimin e shkurtuar paraqitet nga i pandehuri ose mbrojtësi i tij me autorizim të posaçëm në seancën paraprake ose në seancë gjyqësore kur procedohet sipas nenit 400 dhe paragrafit 3, të nenit 406/ç, të këtij Kodi, me pasojë mospranimi.

2Nuk lejohet kërkesa për gjykim të shkurtuar për veprat penale për të cilat parashikohet dënim me burgim të përjetshëm.

Përmbajtja

      1. Norma ka për qëllim të ekonomizojë kohën e zgjidhjes së procesit dhe rritjen e efektivitetit të administrimit të drejtësisë penale, duke shmangur debatin gjyqësor dhe kërkesat për paraqitjen e provave të reja.
      1. Neni 403 i KPP ka si objekt përcaktimin e rrethit të subjekteve që legjitimohen të paraqesin kërkesë për gjykim të shkurtuar, normimin e çastit procedural të paraqitjes së kërkesës dhe rastet e mospranimit të saj.
      1. Kodi ynë i procedurës penale mbështetet në parimet bazë të procesit akuzator: barazinë e akuzës me mbrojtjen dhe zhvillimin e procesit penal me gojë, duke i debatuar provat e akuzës dhe mbrojtjes përpara trupit gjykues. Gjykimi i shkurtuar është një rit gjykimi që shmanget nga këto parime, sepse gjykata e zgjidh çështjen vetëm mbi bazën e akteve të shkruara që ndodhen në fashikullin e prokurorit (tashmë, këtu përfshihen edhe aktet e urdhëruara nga gjyqtari i seancës paraprake).[1] Pra, provat formohen me shkrim, që në fazën e hetimeve paraprake dhe nuk i nënshtrohen kundërshtimit të palëve në seancë gjyqësore debatuese. Kështu, deklarimet e personave që kanë dijeni mbi rrethanat e faktit, akti i pyetjes së personit ndaj të cilit zhvillohen hetime (neni 296) ose një raport i policisë gjyqësore (neni 303), etj., pranohen si prova. Kjo do të thotë që mbrojtja e humbet mundësinë e vënies në dyshim të tyre përmes debatit gjyqësor. Nga ana tjetër, mbrojtja e humbet edhe mundësinë për të kërkuar nga gjykata marrjen e provave të tjera (neni 356), në mbështetje të kërkesave të saj. Për këto arsye, gjykimi i shkurtuar mund të konsiderohet një gjykim i favorshëm për akuzën dhe i pafavorshëm për të pandehurin. Sidoqoftë, duhet të theksohet se favorizimi i të pandehurit qëndron në faktin se, në rast dënimi, gjykata e zvogëlon gjobën ose burgimin me një të tretën (neni 406).

       

      1. Për arsyet e mësipërme, e drejta për t’u gjykuar sipas rregullave të gjykimit të shkurtuar nuk mund të jetë veçse e drejtë vetjake e të pandehurit.[2] Ndaj, Kodi normon që kërkesa mund të paraqitet vetëm prej tij; vetëm i pandehuri ka të drejtë të heqë dorë nga garancitë që ofron për mbrojtjen e tij procesi kontradiktor, duke pranuar të gjykohet sipas një riti të pafavorshëm për të. Kërkesa për gjykim të shkurtuar mund të paraqitet edhe nga mbrojtësi, por ai duhet të jetë i pajisur me autorizim të posaçëm nga i pandehuri, të autorizohet shprehimisht prej tij për të kërkuar që të procedohet sipas këtij lloji gjykimi. Mbrojtësi i zgjedhur prej familjarëve të të pandehurit (neni 48 paragrafi 3) nuk legjitimohet për të paraqitur kërkesë për gjykim të shkurtuar. Në rast se kërkesa paraqitet nga një subjekt i palegjitimuar, gjykata vendos mospranimin e saj.

       

      1. Sikurse përmendëm, i pandehuri përfiton nga një gjykim i tillë: së pari, në rastin kur deklarohet fajtor, dënimi kryesor i zbritet për një të tretën (neni 406 paragrafi 1) dhe, së dyti, shmang kostot (morale dhe materiale) e procesit dhe kohëzgjatjen e tij kur çmon se, në fashikullin e prokurorit, nuk ka prova që të mbështesin akuzën e ngritur ndaj tij. Nga ana tjetër, gjykimi i shkurtuar synon të ekonomizojë procesin penal (duke ulur numrin e çështjeve në gjykim dhe koston e tyre) dhe të rrisë efektivitetin e administrimit të drejtësisë penale.

       

      1. Në rastet kur prokurori vendos të ndjekë procedurën e zakonshme të gjykimit, duke kërkuar dërgimin e çështjes në gjyq, kërkesa për gjykimin e shkurtuar duhet të paraqitet në seancën paraprake, me pasojë mospranimin e saj në rast se paraqitet në fazat e mëvonshme të procesit. Arsyeja e normës mbështetet jo vetëm në logjikën e ekonomisë së procesit, por edhe në nevojën e verifikimit paraprak të akteve të fashikullit të prokurorit për vese të formës (pavlefshmëri absolute) ose të përmbajtjes (papërdorshmëri të provave të marra contra legem).[3]

       

      1. Si përjashtim nga rregulli, kërkesa për gjykim të shkurtuar mund të paraqitet edhe në dy raste specifike: së pari, kur pranohet nisma e prokurorit për të proceduar me gjykimin e drejtpërdrejtë (neni 400) dhe, së dyti, kur i pandehuri e kundërshton vendimin e gjykatës për miratimin e urdhërit penal të dënimit (neni 406/ç paragrafi 1).

       

      1. Në rastet kur gjykata vendos të pranojë nismën e prokurorit për të proceduar me gjykimin e drejtpërdrejtë të të pandehurit, ky i fundit ka të drejtë të kërkojë që të gjykohet sipas ritit të shkurtuar (neni 402 paragrafi 3). Pra, ligji parashikon mundësinë e shndërrimit të gjykimit të drejtpërdrejtë në gjykim të shkurtuar. Në këtë rast, në logjikën e ligjvënësit, synohet ekonomizimi i procesit penal duke shkurtuar si fazën e hetimeve paraprake, ashtu edhe fazën e shqyrtimit gjyqësor të çështjes. Shndërrimi i ritit mund të pranohet vetëm kur e kërkon i pandehuri (ose mbrojtësi i tij, i autorizuar posaçërisht). Kërkesa duhet të paraqitet, para se të fillojë shqyrtimi gjyqësor,[4] pra, përpara se të ftohen palët për të bërë parashtrimin hyrës dhe kërkesën për prova (neni 356). Nëse kërkesa për gjykim të shkurtuar paraqitet më vonë, ajo nuk duhet të pranohet.

       

      1. Kur i pandehuri e kundërshton vendimin e gjykatës për miratimin e urdhërit penal të dënimit, si rregull, çështja kalon për shqyrtim në seancë gjyqësore debatuese, sipas rregullave të gjykimit të zakonshëm (neni 406/ç paragrafi 3). Në këtë rast, përsëri ligji i jep mundësi të pandehurit që të kërkojë të procedohet sipas rregullave të gjykimit të shkurtuar. Edhe në këtë rast, kërkesa duhet të paraqitet, me pasojë mospranimi, para se të fillojë shqyrtimi gjyqësor.

       

      1. Prokurori nuk ka të drejtë që të kundërshtojë kërkesën e të pandehurit. Po ashtu edhe viktima nuk ka mundësi që të pengojë nismën e të pandehurit për t’u gjykuar sipas këtij lloji gjykimi. Nisur nga arsyeja e normës, në raste të tilla, nevoja për ekonomizim dhe efektivitet të procesit penal fiton përparësi ndaj interesave të akuzës dhe viktimës së veprës penale, në rast se gjykata çmon se plotësohen kushtet që kërkesa e të pandehurit të pranohet.

       

      1. Kërkesa për gjykim të shkurtuar nuk pranohet kur i pandehuri akuzohet për një krim për të cilin ligji penal parashikon sanksion dënimi me burgim të përjetshëm (Neni 403 paragrafi 2).

       

      [1] Shih Nr.00-2013-651 i Vendimit (123), datë 10.04.2013 (KPGJL), Hodaj; Nr.00-2013-413 i Vendimit (1), datë 09.01.2013 (KPGJL), Mallkuçi, etj.; Nr.00-2013-507 i Vendimit (68), datë 27.02.2013 (KPGJL), Beqiraj.

      [2] Shih Nr.00-2013-632 (101) i Vendimit, datë 20.03.2013 (KPGJL), Medinaj, paragrafi D.23; vendimi unifikues Nr.1, datë 10.03.2014 (KBGJL), Nurkaj, - paragrafi C.51.

      [3] Neni 332/c paragrafi 3 i KPP.

      [4] Shih vendimin unifikues Nr.2, datë 29.01.2003 (KBGJL), Zaharia, etj.

      1. Ndryshimet në paragrafin 1 të nenit 403 u diktuan si rrjedhojë e miratimit të institutit të ri të seancës paraprake dhe funksioneve të posaçme të saj, përsa i takon përgatitjes së kushteve për zhvillimin e gjykimit të shkurtuar. Ndryshimet bëjnë të mundur që gjykimi i shkurtuar të mund të zbatohet edhe në rastin kur i pandehuri e kundërshton vendimin e gjykatës për miratimin e urdhërit penal të dënimit.

       

      1. Me ndryshimet që pësoi paragrafi 2 i nenit 403, gjykimi i shkurtuar nuk do të pranohet në rastet kur akuza e ngritur ndaj të pandehurit parashikon dënim me burgim të përjetshëm. Para ndryshimeve një ndalim i tillë nuk ekzistonte: në rast se i pandehuri deklarohej fajtor, dënimi me burgim të përjetshëm zëvendësohej me masën maksimale të dënimit me burgim që parashikonte Kodi Penal. Arsyeja historike e ligjvënësit për miratimin e këtij ndryshimi duket se mbështetet në nevojën e forcimit të garancive dhe kufizimin e mundësive të gabimit gjyqësor, në rastet e akuzave veçanërisht të rënda. Në këndvështrimin e ligjvënësit, për raste të kësaj natyre, garancitë e procesit kontradiktor fitojnë përparësi kundrejt nevojës për të përfituar në planin e ekonomisë gjyqësore dhe të efektivitetit të ndjekjes penale.
    • Asnjë koment
  • Vendime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut 

    1. Zgjedhja e procedurës së shkurtuar të gjykimit shkakton dobësimin e garancive procedurale që ofrohen nga ligji i vendit, veçanërisht në lidhje me publicitetin e debatit gjyqësor, mundësinë për të kërkuar marrjen e provave të reja dhe thirrjen e dëshmitarëve. Në rastin (Scoppola)[1], GJEDNJ-ja ka deklaruar se gjykimi i shkurtuar sjell përfitime të padyshimta për të pandehurin: “... në rast se dënohet, ai përfiton një ulje të ndjeshme të dënimit ... Megjithatë, procedura e shkurtuar përfshin, gjithashtu, një dobësim të garancive procedurale që ofron e drejta e brendshme, posaçërisht publicitetin e debatit gjyqësor, mundësinë e paraqitjes së provave dhe thirrjen e dëshmitarëve” (paragrafi 134). E drejta e debatit gjyqësor, si dhe e drejta për të paraqitur prova dhe për të pyetur dëshmitarët janë të drejta themelore, sipas nenit 6 të KEDNJ-së. Prandaj, i pandehuri duhet të jetë i vetëdijshëm se nga cilat të drejta heq dorë. Kjo është arsyeja që KPP kërkon që i pandehuri, pasi të shprehë vullnetin për t’u gjykuar sipas ritit të shkurtuar, personalisht ose me anën e mbrojtësit të pajisur me prokurë të posaçme, duhet të jetë i pranishëm në seancën e gjykimit të shkurtuar. Duke pasur parasysh sa më sipër, mund të themi se dispozitat e KPP të ndryshuar, përsa i përket gjykimit të shkurtuar, janë në përputhje me parimet e mësipërme.

     

    [1]ScoppolakundërItalisë (No 2), Nr. Aplikimi10249/03, 17.09.2009. 

  • Asnjë koment
    1. Kodi i Procedurës Penale: nenet 48, 332 e vijuese, 332/c, para 3, 356, 405, 406, 406/ç, para 3;
    2. Kodi Penal: nenet 78, 78/a, 79, 79/a, 79/b, 79/c, 100, para 3, 109, para 3, 109/b, para 3, 109/c, para 4, 110/a, para 5, 141, 208, 209, 219, 221, para 2, 230, 230/a.
  • Asnjë koment
  • Vendime të GJEDNJ-së 

    1. Scoppola kundër Italisë (No 2), aplikimi nr. 10249/03, vendim i Dhomës së Madhe, 17 shtator 2009, http://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-94073 (vizita e fundit 27 janar 2018);

     

    Vendime të Gjykatës së Lartë 

    1. Nr.00-2014-1935 i Vendimit (175), datë 16.07.2014 (KPGJL), Berisha, etj.;
    2. Nr.00-2013-651 i Vendimit (123), datë 10.04.2013 (KPGJL), Hodaj;
    3. Nr.00-2013-413 i Vendimit (1), datë 09.01.2013 (KPGJL), Mallkuçi, etj.;
    4. Nr.00-2013-507 i Vendimit (68), datë 27.02.2013 (KPGJL), Beqiraj;
    5. Nr.00-2013-632 (101) i Vendimit, datë 20.03.2013 (KPGJL), Medinaj;
    6. Vendimi unifikues Nr.2, datë 29.01.2003 (KBGJL), Zaharia, etj.;
    7. Vendimi unifikues Nr.1, datë 10.03.2014 (KBGJL), Nurkaj.
    1. Givanni Conso, Vittorio Grevi, Compendio di procedura penale, Giuffrè editore, 2006, faqe 108-124.
    2. Paolo Tonini, Manuale di procedura penale, 8a edizione, CEDAM 2006, faqe 589 - 616.
  • Asnjë koment
Henrik Ligori
Idlir Peçi, Koraljka Bumči