KODI I DREJTËSISË PENALE PËR TË MITUR   |   37/2017

Neni 10: Parimi i interesit më të lartë të fëmijës

1Organet kompetente në çdo vendim dhe veprimtari të ndërmarrë në zbatim të këtij Kodi, duhet të vlerësojnë me përparësi interesin më të lartë të të miturit.

2Në zbatimin e këtij parimi mbahen parasysh:

a nevojat e fëmijës për zhvillim fizik e psikologjik, edukim e shëndet, siguri dhe qëndrueshmëri, si dhe rritjen/përkatësinë në një familje;

bmendimi i fëmijës, në varësi të moshës dhe aftësisë së tij për të kuptuar;

chistoria e fëmijës, duke mbajtur parasysh situatat e veçanta të abuzimit, neglizhimit, shfrytëzimit ose forma të tjera të dhunës ndaj fëmijës, si dhe rrezikun e mundshëm që situata të ngjashme të ndodhin në të ardhmen;

çaftësia e prindërve ose personave që kujdesen për mirërritjen e fëmi-jës për t’iu përgjigjur nevojave të fëmijës;

dvazhdimësia e marrëdhënieve personale ndërmjet fëmijës dhe perso-nave, me të cilët ai ka lidhje gjinore, shoqërore dhe/ose shpirtërore.

3Vendimet dhe aktet e organeve kompetente duhet të përmbajnë një argumentim të posaçëm lidhur me mënyrën se si është analizuar dhe si do të sigurohet respektimi i interesit më të lartë të të miturit.

Përmbajtja

    • 1. Neni 10 i KDPM është pjesë e neneve të Kreut II në të cilin renditen parimet e drejtësisë penale për të mitur. Duke qenë pjesë e këtij kreu, ky nen shtrin efektet e veta në gjithë përmbajtjen e KDPM. Neni 10 trajton një prej parimeve më të rëndësishme siç është parimi i interesit më të lartë të fëmijës. Legjislatori duke vendosur në plan të parë parimin e interesit më të lartë të fëmijës, nuk e sheh këtë si një parim të izoluar por të lidhur ngushtësisht me të drejtat dhe garancitë e tjera penale për të miturit. Ky parim garantohet edhe nga legjislacioni ndërkombëtar dhe kryesisht nga Konventa për të Drejtat e Fëmijës [në vijim KDF] në nenin 3 të saj por jo vetëm. Përmes këtij neni qëllimi i legjislatorit është të tërheq vëmendjen e çdo organi kompetet që të marrë në konsideratë këtë parim në të gjithë vendimet, aktet dhe veprimet gjatë zbatimit të KDPM.

      2. Është ndër qëllimet e nenit 10 të listojë, siç gjendet në pikën 2 të tij, në mënyrë gjithpërfshirëse, aspektet ose drejtimet me rëndësi që duhet të mbahen parasysh nga organet kompetente me qëllim zbatimin e e duhur të parimit të interesit më të lartë të miturit në procesin penal. Këto drejtime janë në harmoni me nenin 6 të KDPM si një nen që sjell në vëmendje standardet ndëkombëtare dhe legjislacionin e zbatueshëm por edhe me parimet e tjera të KDPM.

      3. Nga përmbajtja e pikës 3 të këtij neni, del se neni 10 ka një qëllim të dyfishtë. Nga njëra anë, synohet të përcaktohet detyrimi për organet kompetente që në aktet, vendimet dhe veprimet e tyre të përmbajnë argumentim të posaçëm mbi mënyrën se si është analizuar dhe konkluduar lidhur me parimin e interesit më të lartë të fëmijës. Nga ana tjetër, këto organe duhet të pasqyrojnë se si ky parim do të zbatohet konkretisht, në praktikë. Kështu garantohet që parimi i interesit më të lartë të fëmijës të mos mbetet vetëm si një detyrim i shkruar e që mund të mbetet në letër por drejtpërdrejt i zbatueshëm në praktikë. Neni 10 synon që çdo vendimmarrje të bazohet në një analizë ose argumentim, që legjislatori e quan ‘të posaçëm’, pikërisht për shkak të rëndësisë së këtij parimi sepse të gjitha argumentet duhet të lidhen me të.

    • 4. Neni 10 është një dispozite materiale me rëndësi të veçantë dhe efekt procedurial. Kjo gjë pasqyrohet në të tri paragrafët e nenit 10. Interesi më i lartë i fëmijës është një parim ligjor themelor, një e drejtë materiale dhe një rregull procedurial që do të thotë se duhet të trajtohet rast pas rasti çdo herë bëhet fjalë për të mitur pavarësisht statusit të tij si i pandehur, dëshmitar ose viktimë. Neni nuk jep një përkufizim të parimit të interesit më të lartë të fëmijës. Për këtë, ky nen duhet të lexohet i lidhur me nenin 3 pika 9 e KDPM ku gjendet përkufizimi. Struktura e nenit 10 ndihmon organet kompetente në zbatimin e parimit në çdo akt, vendim ose veprim të tyre dhe që ti japin përparësinë e duhur këtij parimi.

      5. Në pikën 2 të nenit 10, gjendet një listë përshkruese e aspekteve që duhet të konsiderohen nga organet kompetente në çështjet e drejtësisë penale për të mitur në aktet, vendimet dhe veprimtarinë e organeve kompetente ku si të tilla janë të gjitha ato përcaktohen në nenin 3 pika 15 e këtij kodi.

      6. Struktura e këtij neni lejon organet kompetente të kuptojnë, së pari, se parimi i interesit më të lartë të fëmijës ka përparësi në procesin e drejtësisë penale me të mitur; së dyti, që ka disa aspekte me rëndësi të cilat duhen mbajtur parasysh në vlerësimin e këtij interesi dhe që duhen analizuar. Të tilla janë ato të renditura në germat ‘a’ deri ‘d’ të pikës 2 të këtij neni; së treti, vendimet dhe aktet e organeve kompetente duhet të kenë dy pjesë të lidhur ngushtë me njëra tjetrën dhe në funksion të njëra tjetrës. Pjesa e parë spjegon qartë, thjeshtë dhe me detaje mënyrën e analizës së ndjekur në marrjen e një vendimi ose nxjerrjen e një akti nga cilido organ kompetent dhe pjesa e dytë të pasqyrojë rrugën/hapat që duhet ndjekur, personat përgjegjës, etj., në zbatimin e këtij parimi. Neni 10 synon të bëjë të qartë se vetëm në këtë mënyrë parimi i interesit më të lartë mund të bëhet realitet.

    • 7. Shprehja ‘të vlerësojnë me përparësi interesin më të lartë të të miturit’ e përdorur në pikën 1 të nenit 10 synon t’i japë peshën e duhur përparësisë që ka parimi. Legjislatori nuk ka dhënë spjegim për kuptimin e ‘përparësisë’ dhe se si realizohet kjo. Për të bërë të qartë këtë, i referohemi nenit 3 pika 9 të KDPM në të cilin gjendet përkufizimi i “interes më i lartë i fëmijës”. Sipas këtij neni me këtë kuptohet e drejta e fëmijës për të pasur një zhvillim të shëndetshëm fizik, mendor, moral, shpirtëror, social, si dhe për të gëzuar një jetë familjare e sociale të përshtatshme. Të gjitha këto aspekte, në mënyrë kumulative dhe të analizuara veç e veç, përbëjnë interesin më të lartë të fëmijës. Ndaj, duke qënë se vendimmarrja e organit kompetent ndikon në këto aspekte, duhet parë se sa vendimi i dhënë vjen në kundërshtim ose anasjelltas, ndihmon në respektimin e këtij parimi.

      8. Shprehja ‘me parparësi’ gjendet e komentuar edhe nga Komitetit për të Drejtat e fëmijëve në Komentin e Përgjithshëm Nr. 14 (2013). Sipas këtij Komenti, në paragrafët 36-40 organet kompetente duhet të kuptojnë se ‘përparësi’ do të thotë se interesi më i lartë i fëmijës nuk mund të konsiderohet në të njëjtin nivel si interesat e tjera ose të të tjerëve justifikuar për shkak të situatës së veçantë të fëmijës si: mungesa e pavarësisë, pjekuria, statusi ligjor dhe, shpesh, mos zbatimi i të drejtës për t’u dëgjuar. Fëmijët kanë më pak mundësi se të rriturit që të mbrojnë siç duhet interesat e tyre. Duke ju drejtuar autoriteteve kompetente, neni 10 i KDPM kërkon që kushdo që përfshihet në vendime që prekin të miturit, duhet të jetë në mënyrë të qartë i/e vetëdijshme për interesat e të miturve. Një qasje profesionale dhe multidisiplinore është e nevojshme për të vlerësuar këtë interes "më të lartë” me përparësi. Kjo është edhe arsyeja që KDPM parashikon në një kre të veçantë [Kreu IV, nenet 25 -32] trajnimin dhe specializimin profesional si një garanci edhe për zbatimin e parimit të interesit më të lartë të fëmijës. Nëse interesat e fëmijëve nuk theksohen, ato tentojnë të neglizhohen dhe zbehen.

      9. Mund të ndodhë që interesi më i lartë i fëmijës, pasi vlerësohet dhe përcaktohet, të jetë në konflikt me interesat e tjera, të fëmijëve të tjerë, të rriturve të tjerë, etj. Konfliktet e mundshme mes interesit të të miturit dhe interesave të një grupi fëmijësh apo me interesat e një fëmije tjetër duhet të zgjidhen rast pas rasti, duke balancuar me kujdes interesat e të gjithëve, kur këta janë të mitur, dhe gjetjen e një kompromisi të përshtatshëm. E njëjta gjë duhet bërë nëse të drejtat e të tjerëve, pra të subjekteve jo të mitur, të jenë në konflikt me interesin më të lartë të të miturit. Nëse harmonizimi nuk është i mundur, organet kompetente duhet të analizojnë dhe të peshojnë të drejtat e të gjithëve duke pasur parasysh të drejtën e fëmijës për të realizuar interesin më të lartë në raport me të si një konsideratë parësore. Kjo do të thotë se interesi i të miturit ka përparësi të lartë dhe nuk është thjesht vetëm një prej disa nga konsideratat. Prandaj, vëmendje më e madhe duhet t'i kushtohet asaj që i shërben më të mirës së fëmijës. Kjo do të thotë që këtij interesi duhet dhënë vendi i duhur në çdo akt, vendim dhe veprim shoqëruar me një gatishmëri për ti dhënë prioritet këtyre interesave në të gjitha rrethanat, por sidomos kur një veprim ka një ndikim të pamohueshëm mbi fëmijët në fjalë.

      10. Parimi i interesit më të lartë të fëmijës është parashikuar në një sërë aktesh ndërkombëtare që kanë të bëjnë me të drejtat e fëmijëve, të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë dhe këto duhet mbajtur në vëmendje të organeve kompetente të cilat në të gjitha vendimet dhe veprimtaritë e tyre duhet të kenë në qendër të vëmendjes këtë interes. Ky parim, gjendet në nenin 3 të Konventës së OKB “Për të Drejtat e Fëmijëve” dhe në nenin 24 veçanërisht pika 2 të Kartës së të Drejtave Themelore të Bashkimit Europian,[1] miratuar nga Parlamenti Europian, Këshilli dhe Komisioni. Gjithashtu parimi gjendet në Konventën e Këshillit të Evropës “Për mbrojtjen e Fëmijëve nga Shfrytëzimi Seksual dhe Abuzimi Seksual” në nenin 30 të të cilës nënvizohet se ‘hetimet dhe proceset penale kryhen mbi bazën e interesit më të lartë të fëmijëve dhe duke respektuar të drejtat e fëmijëve’. Gjithashtu me rëndësi është Direktiva (BE) 2016/800 e Parlamantit Evropian dhe e Këshilit e11 majit 2016 “Mbi masat mbrojtëse procedurale për fëmijët që janë të dyshuar ose të akuzuar në procedurë penale”[2]. Kodi Penal i RSH në nenin 1/c nënvizon se një prej parimeve në të cilat bazohet Kodi Penal është ai i mbrojtjes së interesit më të lartë të fëmijëve.

      11. Përmbajtja e shprehjes “interesi i fëmijës është komplekse. Ky interes mund të jëtë i ndryshëm për situata të ndryshme. Pra, ky interest duhet të analizohet në vartësi të rastit dhe rrethanave konkrete. Por ky interes duhet të gjendet në cdo rast. Fokusi të jetë në parandalimin e veprimtarisë kriminale dhe parandalimin e recidivizmit; në (ri) shoqërizimin dhe (ri) integrimin e të miturit në konflikt me ligjin; dhe për të adresuar nevojat dhe interesat e viktimave. Interesi i fëmijës është i ndërthurur me efektin që ka çdo vendim e veprim në zhvillimin fizik, moral e intelektual të fëmijës; të pjekurisë së të miturit kundrejt konceptimit të situatës dhe të zgjidhjeve që ai shpreh nëpërmjet mendimit/pikëpamjeve të veta. Zbatimi i këtij parimi nënkupton se çdo organ ka për detyrë të respektojë kërkesat e ligjit procedural dhe atij material dhe, konkluzioni i vendimmarrjes duhet të jetë sintezë e një analize të të gjithë elementëve dhe faktorëve që kanë të bëjnë me rritjen, zhvillimin, mirëqënien, edukimin, arsimimin, vlerësimin e specialistit për gjendjen psikologjike të fëmijës. Në vendim, çdo organ kompetent, në mënyrë eksplicite duhet të argumentojë çdo aspekt të këtyre konsideratave dhe, për realizimin e interesit më të lartë të fëmijës, të zgjedh alternativën më të përshtatshme. Kështu, për shembull, vendosja dhe zbatimi i sanksioneve ose masave bazohet në interesin më të lartë të të miturit, në varësi të shkeljes dhe veprës së kryer (parimi i proporcionalitetit) në zbatim të nenit 13 të KDPM duke marrë parasysh moshën, mirëqenien fizike dhe mendore, zhvillimin, kapacitetet dhe rrethanat personale (parimi i individualizimit) në zbatim të nenit 22 të KDPM duke u mbështetur kur është e nevojshme nga raportet psikologjike, psikiatrike ose sociale.

      12. Interesi më i lartë i fëmijëve është një prej parimeve të ‘drejtësisë miqësore për të miturit’ dhe si i tillë duhet të jetë konsiderata mbizotëruese në të gjitha çështjet që prekin fëmijët. Në vlerësimin e interesit më të lartë të fëmijëve të përfshirë ose të prekur nga legjislacioni penal duhet të merren në konsideratë që drejtësia miqësore të jetë e arritshme. Për këtë kërkohet një analizë e përshtatur dhe fokusuar në nevojat e fëmijës sipas moshës. Një analizë e shpejtë dhe e kujdesshme duke respektuar të drejtën për proces të rregullt; duke respektuar të drejtën për të marrë pjesë dhe për të kuptuar procedurat sipas nenit 16 të KDPM; duke respektuar të drejtën për jetën private dhe familjare; duke respektuar të drejtën për integritet dhe dinjitet. Për këtë ka shumë rëndësi që opinioneve dhe mendimeve të fëmijëve t'i jepet rëndësia e duhur. Të gjitha të drejtat e tjera të fëmijës, të tilla si e drejta për dinjitet, liri dhe trajtim të barabartë, të respektohen në çdo kohë. Një qasje gjithëpërfshirëse duhet të miratohet nga të gjitha organet kompetente në mënyrë që të marrin parasysh të gjitha interesat në rrezik, duke përfshirë edhe mirëqenien psikologjike dhe fizike dhe interesat juridike, ekonomike dhe sociale të fëmijës.

      13. Elementet e procesit të rregullt ligjor, të tilla si parimet e ligjshmërisë dhe propocionalitetit, të prezumimit të pafajësisë, e drejta për një gjykim të drejtë, për këshillim ligjor, e drejta e aksesit në drejtësi/gjykatë dhe ankimit, duhet të jetë e garantuar për fëmijët. Këto të drejta nuk duhen minimizuar ose mohuar nën pretekstin e interesit më të lartë të fëmijës. Përkundrazi,kjo vlen për të gjitha procedurat gjyqësore, jashtëgjyqësore si dhe administrative. Fëmijët duhet të kenë të drejtën për të hyrë në mekanizmat e duhura të ankesave, të cilat nevojitet të jenë të pavarura dhe efektive.

      14. Neni 10 i KDPM i drejtohet në mënyrë të shprehur gjithë organeve kompetente që përcaktohen në nenin 3 pika 15 e këtij kodi që këtë përparësi ta bëjnë pjesë të çdo akti, vendimi dhe veprimi të tyre.

      15. Një listë me 5 aspekte kryesore që nevojitet të mbahen parasysh në zbatimin e parimit të interesit më të lartë të fëmijës gjendet në pikën 2të nenit 10. Ky interes është i lidhur me mirëqenien psikologjike dhe zhvillimin fizik të të miturit; të edukimit dhe shëndetit, në zbatim të nenit 12 të KDPM etj. Thënë shkurt ky interes nënkupton gjithë të drejtat që parashikon për të miturit KDF (veçanërish neni 3, 37 39 dhe 40), KDPM si dhe legjislacioni në fuqi siç është rasti i ligjit 18/2017 “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve”.

      16. Kështu, pikë 2 germa ‘a’ fillon me ‘nevojat e fëmijës për zhvillim fizik e psikologjik, edukim e shëndet, siguri dhe qëndrueshmëri, si dhe rritjen/përkatësinë në një familje’. Fëmijët ndryshojnë nga të rriturit në zhvillimin e tyre fizik dhe psikologjik, dhe nevojat e tyre emocionale dhe arsimore. Dallimet e tilla përbëjnë bazën për fajësinë më të ulët të fëmijëve në konflikt me ligjin. Këto dhe dallimet e tjera janë arsyet për një sistem të veçantë të drejtësisë për të mitur dhe kërkojnë trajtim të ndryshëm për fëmijët. Mbrojtja e interesit më të lartë të fëmijës ka të bëjë me objektivat e rehabilitimit dhe të drejtësisë restauruese në trajtimin e fëmijëve. Për këtë arsye pjesë e vendimmarrjes janë të drejtët e fëmijëve sipas pikës 2 germa ‘a’ dhe mundësitë e realizimit të tyre në kushtet e këtij vendimi. Sa efekton vendimi në zhvillimin fizik e psikologjik, edukimin dhe shëndetin, sigurinë dhe qëndrueshmërinë, si dhe rritjen/përkatësinë në një familje’.

      17. Në pikën 2 germa ‘b’ përfshihet detyrimi për të mbajtur parasysh ‘mendimin e fëmijës, në varësi të moshës dhe aftësisë së tij për të kuptuar’. Ka një sërë dispozitash të KDPM ku përcaktohet në mënyrë eksplicite marrja e mendimit të fëmijës nga të cilat veçojmë parimin mbi pjesëmarrejne të miturit në proces siç parashikohet në nenin 16 të KDPM. Fëmijës duhet t'i jepet mundësia për të shprehur lirshëm pikëpamjet e veta dhe atyre pikëpamjeve duhet t'i jepet peshë e duhur në përputhje me moshën dhe pjekurinë e fëmijës. Kjo është parashikuar edhe në nenin 12 të KDF dhe Komentin e Përgjithshëm 12 të Komitetit për të Drejtat e Fëmijës (paragrafët 57-64). Vlerësimi i kësaj pjekurie i lihet çdo organi kompetent por veçanërisht gjykatës. Kjo do të thotë  se që fëmija të marrë pjesë në mënyrë efektive në procedurë, duhet të informohet për procesin e drejtësisë për të mitur dhe për masat e mundshme. Të miturit duhet t'u jepet mundësia për të shprehur pikëpamjet lidhur me masat alternative që mund të vendosen dhe vëmendje e veçantë duhet tu jepet dëshirave apo preferencave specifike që ai / ajo mund të ketë në lidhje me këtë duhet t'i jepet pesha e duhur. Duke pretenduar se fëmija është përgjegjës penalisht nënkupton që ai / ajo duhet të jetë kompetent dhe i aftë për të marrë pjesë në mënyrë efektive në vendimet lidhur me përgjigjen më të përshtatshme ndaj pretendimeve për shkeljen e ligjit penal. Fëmija nuk mund të trajtohet si një objekt pasiv. Nëse kjo ndodh, ai nuk i njeh të drejtat e tij dhe as nuk kontribuon në një përgjigje efektive ndaj sjelljes së tij / saj. Angazhimi aktiv i fëmijës do të kontribuojë në një rezultat pozitiv.

      18. Kjo e drejtë sipas pikës 2 germa ‘b’ duhet të respektohet plotësisht gjatë të gjitha fazave të procesit gjyqësor, nga faza paraprake e gjykimit kur fëmija ka të drejtën të heshtë, në të drejtën për t'u dëgjuar nga policia, prokurori dhe gjyqtari. Gjithashtu zbatohet në rastet e zbatimit të çdo mase e vendimi. Në rast të shmangies, duke përfshirë ndërmjetësimin, një fëmijë duhet të ketë mundësinë për të dhënë pëlqimin e lirë dhe vullnetar dhe duhet t'u jepet mundësia për të marrë këshilla dhe ndihmë ligjore dhe të tjera për të përcaktuar përshtatshmërinë dhe dëshirueshmërinë e masës së shmangies të propozuar. Me qëllim që të marrin pjesë në mënyrë efektive në procedurë, çdo fëmijë duhet të informohet menjëherë dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë në atë gjuhë që ai ose ajo kupton, si dhe për procesin e drejtësisë për të mitur dhe masat e mundshme të marra nga gjykata. Procedurat duhet të zhvillohen në një atmosferë që mundëson fëmijën të marrë pjesë dhe të shprehë lirisht veten. Gjykimi dhe dëgjimet e tjera të një fëmije në konflikt me ligjin duhet të kryhen pas dyerve të mbyllura. Përjashtimet nga ky rregull gjenden në KDPM dhe udhëhiqen nga interesi më i mirë i fëmijës.

      19. Në pikën 2 germa ‘c’ përfshihet ‘historia e fëmijës, duke mbajtur parasysh situatat e veçanta të abuzimit, neglizhimit, shfrytëzimit ose forma të tjera të dhunës ndaj fëmijës, si dhe rrezikun e mundshëm që situata të ngjashme të ndodhin në të ardhmen. Ky kod i ka kushtuar një vëmendje të veçantë të miturit viktimë ose dëshmitar si edhe të miturit në konflikt me ligjin që në një mënyrë ose tjetrën ka qënë viktimë e abuzimit, neglizhimit, shfrytëzimit ose forma të tjera të dhunës ndaj fëmijës. KDPM përfshin rregullime të veçanta sa i përket sistemit të të dhënave të drejtësisë penale për të miturit i cili ka për qëllim ndër të tjera koordinimin inter alia të përpjekjeve ndërinstitucionale, në mënyrë që të mundësohet ofrimi i zgjidhjeve të menjëhershme për rastet kur të miturit i mohohet aksesi në drejtësi, është subjekt i abuzimeve ose shkeljeve të të drejtave të të miturit, ose nuk zbatohen garancitë procedurale të parashikuara nga legjislacioni në fuqi.

      20. Në pikën 2 germa ‘ç’ përfshihet ‘aftësia e prindërve ose personave që kujdesen për mirërritjen e fëmijës për t’iu përgjigjur nevojave të fëmijës’. Në këtë kod, ka shumë masa zbatimi i të cilave është i lidhur me prindërit dhe persona të tjerë që kujdesen për fëmijët. Prindi, i afërmi ose kujdestari janë përfaqësues ligjorë të të miturit. Ata marrin pjesë në procedurën e drejtësisë penale për të mbrojtur interesat e të miturit (shih nenin 3 pika 16 të KDPM). Nëse nuk bëhet një vlerësim profesional i aftësive prindëruese të tyre ka shumë gjasa që masa e marrë të mos jetë efektive. Në raste të tilla pyetja që shtrohet është: a është prindi ose kujdestari konkret i aftë për të përmbushur qëllimin e masës konkretë?; a ka ndonjë konflik interesi? Kështu për shembull, neni 16 parashikon të drejtën e pjesëmarrjes në proces dhe nëse i mituri nuk mund ta ushtrojë këtë të drejtë, mund ta realizojë atë nëpërmjet prindit si përfaqësues ligjor. Sipas nenit 41, i mituri dëshmitar ose viktimë e dhunës në familje ndalohet të merret në pyetje në praninë e prindit ose të afërmit abuzues gjatë procedurës së vendosjes së urdhrit të mbrojtjes, urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes. Ka raste që kujdesi i prindit ose kujdestarit të të miturit në konflikt me ligjin, në rritjen, sjelljen dhe zhvillimin e personalitetit të tij nuk është i mjaftueshëm për të përmbushur qëllimin e masave detyruese. A ka zgjidhje për raste të tilla? Gjithashtu ka raste kur është i nevojshëm kujdesi dhe mbikëqyrja e vazhdueshme dhe kjo nuk mund të bëhet nga ana e prindit ose kujdestarit. Në raste të tilla zgjidhja është caktimi i një personi ose shërbimit të specializuar ose sipas rastit i mituri mund të vendoset nën kujdes në një program edukativ dhe/ose korrigjues.

      21. Në pikën 2 germa ‘d’ përfshihet ‘vazhdimësia e marrëdhënieve personale ndërmjet fëmijës dhe personave, me të cilët ai ka lidhje gjinore, shoqërore dhe/ose shpirtërore’. Edhe kjo analizë con në zbatimin e parimit të interesit më të lartë të fëmijs. I gjithë sistemi i drejtësisë penale për të miturit duhet të promovojë riintegrimin e të miturit në konflikt me ligjin penal dhe që i mituri të luajë në shoqëri një rol sa më të dobishëm. Kjo nuk mund të jetë e mundur nëse i mituri veçohet nga familja, të afërmit e shoqëria. Të garantuarit e rishoqërizimit dhe rehabilitimit të të miturit që ka kryer vepër penale duhet të jetë prioritet i çdo organi vendimmarrës. Pra në çdo masë të marrë duhet të parashikohen mekanizma që garantojnë këto vazhdimësi të marrëdhënieve të shëndetshme. Përmes tyre i mituri kupton më mirë përgjegjësitë e veta, forcon ndjenjën e respektimit të të drejtave të të tjerëve, nxitet zhvillimi fizik, mendor, shpirtëror, moral dhe shoqëror i të miturit dhe për ta përgatitur atë që të rikthehet në shoqëri. Raporti i vlerësimit individual pritet të rekomandojë masat e duhura për të nxitur marrëdhëniet personale më të afëmit dhe zhvillimin dhe integrimin e të miturit në shoqëri dhe nga ana tjetër edhe rrethin e personave me të cilët i mituri nuk duhet të shoqërohet për shkak të ndikimit negativ të tyre. Neni 120 i KDPM rregullon në mënyrë specifike kontaktet me familjen dhe rrethin shoqëror të të miturit të cilat kanë si qëllim riintegrimin në shoqëri dhe zvogëlimin e pasojave negative sociale të kufizimit të lirisë, për të miturin e dënuar me burgim dhe të miturin e paraburgosur.

       

      [1] Neni 24, Të drejtat e fëmijëve: 1. Fëmijët kanë të drejtën e mbrojtjes dhe kujdesit të nevojshëm për mirëqenien e tyre. Ata mund t‘i shprehin lirisht pikëpamjet e tyre. Pikëpamje të tilla merren në konsideratë për çështje me interes për ta, në përputhje me moshën dhe pjekurinë e tyre. 2. Në të gjitha veprimet që ndërmerren në lidhje me fëmijët si nga autoritetet publike qoftë dhe nga institucionet private, interesat më të larta të fëmijës gëzojnë vëmendje parësore. 3. Çdo fëmijë ka të drejtën që të ketë një marrëdhënie personale sistematike dhe kontakt të drejtpërdrejtë me të dy prindërit e tij ose të saj, përveçse kur kjo bie ndesh me interesat e tij ose të saj.

      [2] Mund të aksesohet në: http://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/?uri=CELEX:32016L0800

    • 22. Në Shqipëri, parimi i interesit më të lartë të fëmijës nuk ka patur një vend të veçantë në parimet kryesore të procedimit penal sipas KPP që ishte në fuqi përpara ndryshimeve të vitit 2017. Gjithsesi mund të themi se rrënjët e këtij parimi gjenden në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale të shprehura në dispozita të ndryshme. Kështu, për shembull, në nenin 35 pika 2 e KPP lidhur me ‘ndihmën që i jepet të pandehurit të mitur’ parashikohej se “2. Organi procedues mund të kryejë veprime dhe të përpilojë akte, për të cilat kërkohet pjesëmarrja e të miturit, pa praninë e personave të treguar në paragrafin 1, vetëm kur një gjë e tillë është në interes të të miturit ose kur vonesa mund të dëmtojë rëndë procedimin, por gjithmonë në praninë e mbrojtësit”. Gjithashtu në nenin103 të KPP që trajton ‘Ndalimin e publikimit të aktit’, në pikën 4 parashikohet se “4. Ndalohet publikimi i gjeneraliteteve dhe i fotografive të të pandehurve dhe të dëshmitarëve të mitur, të akuzuar ose të dëmtuar nga vepra penale. Gjykata mund të lejojë publikimin vetëm kur e kërkojnë interesat e të miturit ose kur i mituri ka mbushur moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç’. Në KPP përpara ndryshimeve të vitit 2017 gjendeshin edhe dispozita të tjera që direkt ose indirekt referonin në zbatimin e këtij parimi.

      23. Sa i përket Kodit Penal mund të themi se në mënyrë të shprehur ky parim gjenden pas ndryshimeve të bëra në vitin 2013. Kështu në të u shtua një dispozitë të re e veçantë që lidhet me parimin e interesit më të lartë të fëmijës. Është fjala për nenin 1/c me titull ‘Parimet e Kodit Penal. Në këtë nen nënvizohet se Kodi Penal bazohet në parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës, të barazisë përpara ligjit, të drejtësisë në caktimin e fajësisë dhe të dënimit, të mbrojtjes së interesit më të lartë të fëmijëve, si dhe të humanizmit”.

      24. Në Relacionin Për projektligjin “Kodi i Drejtësisë Penale për të Miturit në Republikën e Shqipërisë”[1] është evidentuar rëndësia që ky parim ka për këtë projekt ligj dhe vendi që zë interesi më i lartë i fëmijës si parim me rëndësi kapilare në drejtësinë penale për të miturit. Gjithashtu në këtë relacion përcillen gjithë instrumentet ndërkombëtarë me impakt në drejtësinë penale për të miturit dhe thekset e parimit të interesit më të lartë të fëmijës.

      25. Në dokumentin mbi Analizën e Sistemit të Drejtësisë, Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë ka vërejtur një sërë mangësish të sistemit të drejtësisë penale lidhur me të miturit autorë, viktima ose dëshmitarë.

      26. Si përfundim, mund të thuhet se me KDPM dhe parimet e përfshira në të mbi drejtësinë penale për të miturit ka një përqasje adekuate me standardet ndërkombëtare në zbatim të interesit më të lartë të fëmijës në konflikt me ligjin, viktimë dhe/ose dëshmitar.

       

      [1] shih dokumentin në: https://www.parlament.al/wp-RELACION-KIODI-I-DREJTESISE-PER-TE-MITURIT-NE-RSH-Resized.pdf.

    • 27. Dokumentet bazë ndërkombëtare të përdorura për konceptimin e parimit të interesit më të lartë të fëmijës siç citohet edhe në relacionin shpjegues të KDPM, janë:

      28. Konventa e OKB Për të Drejtat e Fëmijës e trajton këtë parim në shumë nene por me rëndësi të veçantë në kuadrin e drejtësië penale për të miturit janë përkatësisht neni 3; neni 12, neni 37 germa c; neni 40 (2) (b) (iv).  Asnjë nen nuk mund të shihet në mënyrë të izoluar. Kështu për shembull, neni 40, ka nje ndervarësi me nene të tjera. Te tilla jane nenet që lidhen me parimet e pergjithshme te KDF të cilat jane bere pjese e KDPM të tilla sineni 2: parimi i barazise dhe mos diskrimiminimit; neni 3  mbi parimin e interesit më të lartë; neni 6: e drejta e jetes dhe e mbijeteses; neni 12: respektimi i pikepamjeve dhe e drejta e degjimit te femijes ne çdo procedure gjyqesore ose administrative, qe ka te beje me te, qofte drejtperdrejt, qofte nepermjet nje perfaqesuesi ose te nje organi te pershtatshem. Gjithashtu me rëndësi janë: neni 16: e drejta e privatesise; neni 19: mbrojtja nga te gjitha format e dhunes; neni 25: rishikimi periodik i mases/trajtimit; neni 37: ndalimi i dënimit me vdekje dhe dënimit me burgim të përjetshëm, limite ne kufizimin e lirise, etj; neni 39: rehabilitimi i viktimave.

      29. Protokolli Opsional i Konventës për të Drejtat e Fëmijëve në lidhje me shitjen e fëmijëve, prostitucionin me fëmijë dhe pornografinë me fëmijë ratifikuar me Ligj, Nr.9834, datë 22.11.2007 i kushton kujdes këtij parimi në preambulën e saj dhe nenin 8[1].

      30. Protokolli opsional i konventës për të drejtat e fëmijës për procedurën e komunikimit i kushton kujdes këtij parimi në preambulën e saj dhe nenin 2 dhe 3. Protokolli është ratifikuar me ligjin nr. 86/2013[2].

      31.Konventa e Këshillit të Europës për Mbrojtjen e Fëmijëve nga Shfrytëzimi dhe Abuzimi Seksual, (Konventa e Lanzarotes) ratifikuar me ligjin nr. 10 071, datë 9.2.2009, në preambulën e saj nënvizon se “mirëqenia dhe interesat më të mira të fëmijëve janë vlerat themelore, që ndajnë të gjitha vendet anëtare dhe që duhet të promovohen pa asnjë diskriminim”; në nenin 13 pika 3 germa ‘b’ nënvizon ‘mundësinë e largimit të viktimës nga mjedisi i familjes së tij ose të saj dhe se kushtet dhe kohëzgjatja e këtij largimi do të përcaktohet në përputhje me interesat më të mira të fëmijës. Me rëndësi është edhe neni 31 lidhur me ‘Masa të përgjithshme të mbrojtjes’.

      32. DIRECTIVE (EU) 2016/800 OF THE EUROPEAN PARLIAMENT AND OF THE COUNCIL of 11 May 2016 on procedural safeguards for children who are suspects or accused persons in criminal proceedings, në preambulën e të cilës nënvizohet se: “Where children are suspects or accused persons in criminal proceedings or are subject to European arrest warrant proceedings pursuant to Council Framework Decision 2002/584/JHA(9)(requested persons), Member States should ensure that the child's best interests are always a primary consideration, in accordance with Article 24(2) of the Charter of Fundamental Rights of the European Union (the Charter). Gjithashtu ky parim gjen shprehjen në përmbajtjen e neneve:  7 në lidhje me Right to an individual assessment; 9 në lidhje me Audiovisual recording of questioning;  12 në lidhje me Specific treatment in the case of deprivation of liberty; nenit15 në lidhje me Right of the child to be accompanied by the holder of parental responsibility during the proceedings.

      33. Committee on the Rights of the Child, General comment No. 14 (2013) on the right of the child to have his or her best interests taken as a primary consideration (art. 3, para. 1)[3]

      34. General comment No. 15 (2013) on the right of the child to the enjoyment of the highest attainable standard of health (art. 24)[4].

       

      [1]http://differentandequal.org/wp-femijeveprostitucionin-me-femije-dhe-pornografine_me_femije1.pdf

      [2]http://femijet.gov.al/al/wp-Konventes-per-te-Drejtat-e-femijes-Per-proceduren-e-komunikimit.pdf

      [3] http://www2.ohchr.org/English/bodies/crc/docs/GC/CRC_C_GC_14_ENG.pdf  vizituar për herë të fundit më 03.09. 2017

      [4] Adopted by the Committee at its sixty-second session (14 January – 1 February 2013).

  • Raporte, opinione, rekomandime dhe deklarata 

    1. UN, Committee on the Rights of the Child (2007), General Comment No. 10 on Children’s rights in juvenile justice, CRC/C/GC/07, 25 April 2007[1].

     

    1. Committee on the Rights of the Child, GENERAL COMMENT No. 5 (2003) General measures of implementation of the Convention on the Rights of the Child (arts. 4, 42 and 44, para. 6), last accessed on: 03.09. 2017[2].

     

    1. Resoluta nr. 2010 (2014) e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës: Child-friendly juvenile justice: from rhetoric to reality[3].

     

    1. Guidelines of the Committee of Ministers of the Council of Europe on child-friendly justice[4].

     

    1. Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës Rekomandimi nrCM/Rec(2008)11 për shtetet anëtare, on the European Rules for juvenile offenders subject to sanctions or measures[5]

    Vendime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut 

    1. GJEDNJ, çështja PANOVITS kundër Qipros, (Application no. 4268/04) prej të cilit po shkëpusim disa paragrafë me rëndësi: 7. Në kontekstin e një hetimi policor lidhur me një vrasje dhe grabitje që ndodhi më 19 prill 2000, policia kontaktoi babain e kërkuesit dhe e ftoi atë dhe aplikantin për të vizituar stacionin policor të Limasolit. Në atë kohë aplikanti ishte pak më shumë se 17 vjeç. Aplikanti shkoi në stacionin e policisë të shoqëruar nga babai i tij. Drejtori i Policisë së Qarkut Limasol (në vijim "Drejtori i Policisë") e njoftoi babanë e kërkuesit, në praninë e kërkuesit, lidhur me krimin që ishte kryer, seriozitetin e rastit dhe faktin se kishte prova që përfshinin kërkuesin dhe se një urdhër arresti ishte lëshuar kundër tij. 8. Sipas ankuesit, ai menjëherë deklaroi se ishte i pafajshëm. 67. Gjykata veren se aplikanti ishte 17 vjec ne kohen materiale. Në praktikën gjyqësore të nenit 6, Gjykata ka vendosur që kur ngrihet padi penale kundër një fëmije, është thelbësore që ai të trajtohet në një mënyrë që merr parasysh plotësisht moshën e tij, nivelin e pjekurisë dhe kapacitetet intelektuale dhe emocionale, dhe se janë ndërmarrë hapa për të promovuar aftësinë e tij për të kuptuar dhe marrë pjesë në procedurë (shih T. kundër Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 24724/94, 16 dhjetor 1999, § 84). E drejta e një të mituri të akuzuar për pjesëmarrje efektive në gjykimin e tij penal kërkon që ai të trajtohet me kujdesin e tij të prekshëm dhe kapacitetet nga fazat e para të përfshirjes së tij në një hetim penal dhe në veçanti gjatë çdo marrje në pyetje nga policia . Autoritetet duhet të ndërmarrin hapa për të zvogëluar sa të jetë e mundur ndjenjat e tij të frikësimit dhe ndalimit (shih, mutatis mutandis, T. kundër Mbretërisë së Bashkuar, cituar më lart, § 85) dhe të sigurojë që i akuzuari i mitur ka një kuptim të gjerë të natyrës të hetimit, për atë që është në rrezik për të, përfshirë rëndësinë e çdo ndëshkimi që mund të shqiptohet, si dhe të drejtat e tij të mbrojtjes dhe në veçanti të së drejtës së tij për të heshtur (mutatis mutandis, SC v. Mbretëria e Bashkuar, nr.60958 / 00, § 29, KEDNJ 2004 IV). Kjo do të thotë që ai ose ajo, nëse është e nevojshme me ndihmën e, për shembull, një përkthyesi, avokati, punonjësi social ose mik, duhet të jetë në gjendje të kuptojë shtysën e përgjithshme të asaj që thuhet nga oficeri arrestues dhe gjatë marrjes në pyetje nga policia (ibid).

     

    1. GJEDNJ, çështja Adamkieuwicz kundër Polonisë Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka zhvilluar një jurisprudencë të gjerë në të cilën konfirmon dhe përforcon rëndësinë e respektimit të situatës specifike të fëmijëve. Në lidhje me drejtësinë e të miturve, gjykatave u kërkohet të marrin në konsideratë moshën e fëmijës, nivelin e pjekurisë dhe kapacitetet intelektuale dhe emocionale të fëmijës. Kjo përfshin kërkesën që gjykatat duhet gjithmonë të promovojnë aftësinë e fëmijës për të marrë pjesë në procedurë.

     

    1. GJEDNJ, çështja Bouamar v. Belgium ka të bëjë me vendosjen e një fëmije në një burg të paraburgimit në nëntë raste për periudha prej rreth 15 ditësh. Aplikanti ishte adoleshent që konsiderohet të ketë një personalitet të shqetësuar dhe sjellje të dhunshme. Qeveria Belge pohoi se ai ishte vendosur në burgun e paraburgimit për qëllime të mbikëqyrjes arsimore. GJEDNJ vuri në dukje se vendosjet e përkohshme në një burg të paraburgimit nuk janë në vetvete në kundërshtim me nenin 5 (1) (d), për sa kohë që autoritetet ndjekin qëllimin e vendosjes së të miturit nën mbikëqyrjen arsimore. Megjithatë, GJEDNJ konstatoi se në rastin e aplikantit autoritetet nuk arritën të tregonin se kishin qëllimin ose mundësinë për ta vendosur atë në një institucion ku ai mund të përfitonte nga mbikëqyrja arsimore. Rrjedhimisht, GJEDNJ konstatoi një shkelje të nenit 5 (1) (d) të KEDNJ-së.

     

    1. GJEDNJ, çështja D.G. v. Ireland ka të bëjë me vendosjen e një fëmije të dhunshëm në një qendër ndalimi. GJEDNJ konstatoi se nocioni i 'mbikëqyrjes arsimore' nuk duhet të barazohet në mënyrë strikte me mësimdhënien në klasë. Mbikëqyrja edukative përfshin shumë aspekte të ushtrimit të të drejtave prindërore nga autoriteti lokal për përfitimin dhe mbrojtjen e personit në fjalë. GJEDNJ konstatoi se është e lejueshme që autoritetet vendase të vendosin të mitur në mjediset e paraburgimit në mënyrë të përkohshme derisa të gjendet një strehim i përshtatshëm, për aq kohë sa kjo të ndodhë shpejt. Në rastin e aplikantit, kërkesa e shpejtësisë nuk u përmbush pasi ai ishte vendosur vetëm në një strehim të përshtatshëm më shumë se gjashtë muaj pas lirimit të tij nga paraburgimi. Prandaj, GJEDNJ ka gjetur shkelje të nenit 5 (1) (d) të KEDNJ-së.

     

    1. GJEDNJ, çështja Ali v. the United Kingdom: Aplikanti u përjashtua nga shkolla gjatë një hetimi policor në një zjarr në shkollën e tij, sepse ai ishte në afërsi në kohën përkatëse. Ai u ofrua shkollim alternativ dhe, pasi procedurat penale kundër tij u ndërprenë, prindërit e tij u ftuan në një takim me shkollën për të diskutuar riintegrimin e tij. Ata nuk arritën të marrin pjesë dhe gjithashtu vonuan të vendosnin nëse ata donin që ai të kthehej në shkollë. Vendi i’u dha një fëmije tjetër. Gjykata vuri në dukje se e drejta për arsim sipas Konventës përfshinte qasjen në një institucion arsimor, si dhe të drejtën për të marrë, në përputhje me rregullat në çdo shtet, njohjen zyrtare të studimeve të përfunduara. Çdo kufizim i imponuar ndaj tij duhej të ishte i parashikueshëm për ata që u interesuan dhe të ndjekin një qëllim legjitim. Në të njëjtën kohë, e drejta për arsim nuk ka të bëjë domosdoshmërisht me të drejtën e qasjes në një institucion arsimor të caktuar dhe nuk përjashton në parim masat disiplinore si pezullimi ose dëbimi në mënyrë që të jenë në përputhje me rregullat e brendshme. Në rastin në fjalë, Gjykata konstatoi se përjashtimi i kërkuesit nuk ishte një mohim i së drejtës për arsim. Në veçanti, ajo ishte rezultat i një hetimi të vazhdueshëm penal dhe si i tillë kishte ndjekur një qëllim legjitim. Ajo gjithashtu ishte bërë në përputhje me Aktin e vitit 1998 dhe prandaj ishte e parashikueshme. Përveç kësaj, kërkuesi ishte përjashtuar përkohësisht, deri në përfundimin e hetimit penal në zjarr. Prindërit e tij ishin ftuar në një takim me qëllim të lehtësimit të riintegrimit të tij, por ata nuk kishin marrë pjesë. Sikur ta kishin bërë këtë, do të kishte gjasa që të riintegrimit të djalit të tyre. Për më tepër, kërkuesit iu është ofruar arsim alternativ gjatë periudhës së përjashtimit, por nuk e kanë marrë ofertën. Prandaj, Gjykata ishte e bindur se përjashtimi i tij ishte proporcional me qëllimin legjitim të ndjekur dhe nuk kishte ndërhyrë me të drejtën e tij për arsim. Prandaj, nuk kishte pasur shkelje të nenit 2 (e drejta për arsim) të Protokollit nr. 1 të Konventës.

     

    [1] http://www.refworld.org/docid/4670fca12.html

    [2] http://www.refworld.org/docid/4538834f11.html

    [3]http://semantic-pace.net/tools/pdf.aspx?doc=sYW5nPUVO&xsl=aHR0çdovL3NlbWxsltparams=ZmlsZWlkPTIxMDkw Vizituar për herë të fundit më 03.09. 2017

    [4] https://rm.coe.int/168045f5a9 vizituar për herë të fundit më 03.09. 2017

    [5] https://search.coe.int/cm/Pages/result_details.aspx?ObjectID=09000016805d2716 Versioni në gjuhën angleze vizituar për herë të fundit më 03.09. 2017

    1. Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, Qershor 2015, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf, vizituar për herë të fundit më 12.07.2017;
    2. Relacioni për projektligjin “Për kodin e drejtësisë penale për të miturit në Republikën e Shqipërisë”, https://www.parlament.al/wp-KIODI-I-DREJTESISE-PER-TE-MITURIT-NE-RSH-Resized.pdf, vizituar për herë të fundit më 12.08.2017.
  • Kushtetuta: 

    Neni 54  pika 1. Fëmijët, të rinjtë, gratë shtatzëna dhe nënat e reja kanë të drejtën e një mbrojtjeje të veçantë nga shteti; pika 3. Çdo fëmijë ka të drejtë të jetë i mbrojtur nga dhuna, keqtrajtimi, shfrytëzimi dhe përdorimi për punë, e veçanërisht nën moshën minimale për punën e fëmijëve, që mund të dëmtojë shëndetin, moralin ose të rrezikojë jetën a zhvillimin e tij normal. 

    KDPM: 

    Neni 3 pika 9

    Neni 16 pika 4 dhe 7

    Neni 17 pika 1

    Neni 42 pika 3

    Neni 48 pika 1

    Neni 55

    Neni 91 pika 2 dhe 4

    Neni 94 pika 2

    Neni 110 pika 3

    Neni 113 pika 5

    Neni 120 

    Kodi Penal

    Neni 1/c

    Ligji 18/2017: “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”

    Neni 6

    Neni 62 pika 2

  • Asnjë koment
  • Vendime të Gjykatës Kushtetuese 

    Vendimi nr. 109, datë 11.10.2011 i Kolegjit të Gjykatës Kushtetuese, me kërkues John David Brown, me të cilin është vendosur moskalimin i çështjes për shqyrtim në seancë plenare. Objekti: Shfuqizimi, si i papajtueshëm me Kushtetutën e RSH, i vendimit nr.1581, datë 19.11.2008, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, i vendimit nr.858, datë 02.10.2009, të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe i vendimit nr.00-2011-172, datë 18.02.2011, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë (Dhomë Këshillimi). Paragrafi 9 i vendimit nënvizon: “Nga materialet e dosjes gjyqësore rezulton se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, gjatë marrjes së dëshmive të të miturve D.A. dhe A.Q. ka vepruar në përputhje me kuadrin procedural përkatës. Kështu, pyetja e tyre, duke qenë fëmijë të moshës deri në 14 vjeç, në bazë të neneve 340/ç, 361/5 dhe 361/7 të KPP-së, është zhvilluar në seancë me dyer të mbyllura, nëpërmjet lidhjes audiovizive, në prani të psikologes, në një ambient të ndryshëm, i cili të largonte sa të ishte e mundur ngarkesën emocionale negative që mund të paraqiste salla e gjyqit. Po ashtu nga dosja gjyqësore rezulton se psikologia ka qenë prezent gjatë gjithë kohës së marrjes në pyetje të të miturve dhe se ka patur kontakt psikologjik me ta. Në seancën e datës 14.05.2008, gjatë pyetjes të së miturit A.Q., ajo duke parë gjendjen e rënduar emocionale të këtij të fundit ka kërkuar ndërprerjen e pyetjeve. Gjykata ka pranuar këtë kërkesë duke shtyrë pyetjen e të miturit për një seancë tjetër, pa pasur pretendime nga palët. Kolegji vëren gjithashtu se në momentin e marrjes së dëshmive, nga kërkuesi nuk ka pasur pretendime për kontaktin psikologjik të psikologes me të miturit”. 

    Vendim nr. 47 datë 04.03.2014 i GJK me të cilin është vendosur moskalimi i çështjes për shqyrtim në seancë plenare i cili ka për objekt Shfuqizimi, si të papajtueshëm me Kushtetutën, i vendimeve: nr. 280, datë 30.12.2011 të Gjykatës së Apelit Shkodër; nr.00-2013-1181, datë 26.09.2013 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.  Në pikën 5.1 nënvizohet se:Neni 33/1 i Kushtetutës parashikon se kushdo ka të drejtë të dëgjohet para se të gjykohet. Gjykata e Lartë nuk ka njoftuar as të pandehurin dhe as mbrojtësin e tij, për më tepër që i pandehuri ka qenë i mitur. Të drejtat e individit, të garantuara nga neni 42 i Kushtetutës, nuk mund të mbrohen kur gjykata nuk e thërret fare të pandehurin ose mbrojtësin për të dëgjuar pretendimet e tij dhe për të zhvilluar një gjykim të drejtë dhe publik.”

    Vendimi nr.13, datë 10.06.2005 (V – 13/05) i GJK me të cilin është vendosur ‘shfuqizimin si antikushtetues të vendimit nr.565, datë 10.11.2004 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë’ cka përbën edhe objektin e vendimidit. Në këtë vendim nënvizohet se: “... në gjykimin e të miturve mbrojtja është e detyrueshme dhe se mungesa e saj, në bazë të nenit 128 të Kodit të Procedurës Penale, i bën aktet procedurale absolutisht të pavlefshëm e për pasojë, gjykimin antikushtetues. Dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të përmendura më lart, përbëjnë garanci për zbatimin në këtë fushë të nenit 54 të Kushtetutës, i cili parashikon për fëmijët një mbrojtje të veçantë nga shteti, krahas disa subjekteve të tjera...

    ... Për çështjen në shqyrtim, rëndësi të veçantë merr diskutimi dhe zgjidhja e problemit nëse dispozitat e mësipërme procedurale do të zbatohen në shqyrtimin e çështjeve në Gjykatën e Lartë. Në lidhje me këtë, përfaqësuesi i Subjektit të Interesuar, Prokurorisë së Përgjithshme, shfaqi mendimin kategorik se këto dispozita nuk zbatohen në Gjykatën e Lartë si një Gjykatë që merret me kontrollin e zbatimit të ligjit.

    Gjykata Kushtetuese ka arritur në përfundim se, Gjykata e Lartë, krahas parimeve të tjera, është e detyruar të respektojë konradiktoritetin e barazinë e palëve në gjykim. Zbatimi i këtyre parimeve në gjykimin penal kërkon që, i pandehuri, i mitur, nëpërmjet mbrojtësit të tij, të paraqitet e të dëgjohet njëlloj si prokurori. Zbatimi me korrektësi i këtyre parimeve, do të përjashtonte dizavantazhin e një pale ndaj tjetrës. Në çështjen konkrete, nga Gjykata e Lartë, i ka shkelur parime edhe pse shqyrtohej një rekurs që nëpërmjet ndryshimit të vendimeve të shkallëve të tjera të gjykimit rëndonte pozitën e të pandehurit të mitur.” 

    Vendime të Gjykatës së Lartë 

    Vendimi nr. 30, datë 28.01.1999 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë me objekt: Zbatimi i kërkesave të nenit 410/2 të KPP, për të pandehurin e mitur, në mungesë, të përfaqësuar nga mbrojtësi i caktuar kryesisht. Në këtë vendim të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë përcaktohet  zbatimi i kërkesave të nenit 410/2 të KPP, për të pandehurin e mitur, në mungesë, të përfaqësuar nga mbrojtësi i caktuar kryesisht. Gjykata e Lartë, në këtë vendim arsyeton se duke u caktuar avokati si përfaqësues i të pandehurit me vendim të gjykatës, nuk është e nevojshme që ai të pajiset me akt përfaqësimi tjetër nga vetë i pandehuri apo të afërmit për të apeluar vendimin e dënimit të tij nga gjykata e shkallës së parë. Gjykata e Lartë konstaton se garancia e përmendur më sipër për të pandehurin e mitur, dhe aq më tepër në mungesë, buron nga nenet 1 dhe 6 të KPP si dhe nenet 17, 28 dhe 31 të Kushtetutës, të cilat janë në përputhje edhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e të Miturve. Detyrimi ligjor i parashikuar nga neni 410/2 i KPP që kundër vendimit të dhënë në mungesë, mbrojtësi mund të bëj ankim vetëm kur është i pajisur me një akt përfaqësimi duhet të kuptohet për mungesën dhe largimin e vullnetshëm të pandehurit të parashikuar nga neni 352 i KPP.

    Vendimi nr.1006, datë 01.12.2011 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë me objekt ”Caktimin e masës së sigurisë për të miturin XHK”. Në paragrafin 9 të vendimit nënvizohet se: “Kolegji Penal arrin në këtë konkluzion duke i’u referuar cilësive që ka kërkuesi Xhulio Hajrullaj si subjekt i posaçëm, duke qenë se në kohën e gjykimit dhe në momentin e paraqitjes së kërkesës është nën moshën 18 vjeç. Në bazë të kësaj cilësie i mituri gëzon garanci procedurale të veçanta si subjekt i posaçëm. Jo vetëm kaq, por këto garanci janë ngritur në nivel të ligjit kushtetues. Në nenin 54 të Kushtetutës është parashikuar se: “1. Fëmijët, të rinjtë, ... kanë të drejtën e një mbrojtje të veçantë nga shteti”. Ndërkohë që janë të shumta edhe garancitë procedurale që i jepen të miturve gjatë procesit penal, ku ndër të tjera mund të përmendim: mbrojtja e detyrueshme nëpërmjet një avokati mbrojtës, asistenca psikologjike, si dhe gjykimi i tyre nga gjyqtar të specializuar me formim dhe njohuri të posaçme në këtë fushë”.

  • Handbook on European law relating to the rights of the child

    http://www.echr.coe.int/Documents/Handbook_rights_child_ENG.pdf vizituar për herë të fundit më 03.09. 2017. 

    The best interests of the child – A dialogue between theory and practice. © Council of Europe, March 2016. https://rm.coe.int/1680657e56 Versioni në gjuhën angleze vizituar për herë të fundit më 03.09. 2017.

    Reforma në drejtësi me qasje drejt “Drejtësisë miqësore për të miturit” – Reflektime me fokus parimet kryesore. Përgatiti Arta Mandro. Tiranë, 2016.

    PRACTICAL GUIDE, Monitoring places where children are deprived of liberty. DEFENCE FOR CHILDREN INTERNATIONAL (DCI) – Belgium. http://www.childrensrightsbehindbars.eu/images/Guide/Practical_Guide.pdf. 

    Doek, J. (2008), ‘Juvenile justice: International rights and standards’, in: R. Loeber, R., Slot, N.W., van der Laan, P. van der and Hoeve, M. (eds.), Tomorrow’s criminals, Farnham and Burlington, Ashgate, pp. 229–246. 

    FRA (2015b), Child-friendly justice. Perspectives and experiences of professionals on children’s participation in civil and criminal judicial proceedings in 10 EU Member States, Luxembourg, Publications Office.

  • Asnjë koment
Arta Mandro
Arta Mandro, Koraljka Bumči, Renate Winter