KODI I PROCEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   7905

Neni 165-a: Dëshmitari me identitet të fshehur

1Kur dhënia e dëshmisë mund të vendosë dëshmitarin ose anëtarët e familjes së tij në rrezik serioz për jetën apo shëndetin, dhe i pandehuri akuzohet për veprat penale të parashikuara nga nenet 230, 230/a, 230/b, 230/c, 230/ç, 231, 232, 232/a, 232/b, 234, 234/a, 234/b, 265/a, 265/b, 265/c, si dhe nuk zbatohet programi i mbrojtjes së dëshmitarëve, gjykata, me kërkesën e prokurorit, mund të vendosë zbatimin e teknikave të veçanta të marrjes në pyetje sipas nenit 361/b të këtij kodi.

2Kërkesa e prokurorit i paraqitet kryetarit të trupit gjykues në një zarf të mbyllur, me shënimin “Konfidenciale: dëshmitar me identitet te fshehur”. Në kërkesë prokurori parashtron arsyet për nevojën e përdorimit të një ose disa prej teknikave të veçanta të marrjes në pyetje.

3Në zarfin me shënimin e mësipërm, prokurori depoziton edhe zarfin e mbyllur që përmban identitetin e plotë të dëshmitarit me identitet të fshehur. Vetëm kryetari i trupit gjykues njihet me identitetin e vërtetë të dëshmitarit me identitet të fshehur dhe verifikon zotësinë dhe papajtueshmërinë me detyrën e dëshmitarit, sipas parashikimeve të këtij Kodi. Në çdo rast, mbi zarf shënohen në mënyrë të dukshme data, emri, nënshkrimi dhe funksioni i personave që kanë hapur zarfin dhe atyre që janë njohur me të dhënat që përmban zarfi. Pas kryerjes së verifikimeve, zarfi me identitetin e vërtetë të dëshmitarit me identitet të fshehur i kthehet prokurorit.

4Gjykata shqyrton kërkesën e prokurorit në dhomë këshillimi dhe vendos me vendim të arsyetuar brenda dyzet e tetë orëve nga paraqitja e kërkesës.

5Prokurori mund të ushtrojë ankim kundër vendimit të gjykatës brenda dyzet e tetë orëve nga njoftimi i vendimit. Gjykata e apelit shqyrton ankimin në dhomë këshillimi dhe vendos mbi ankimin brenda dyzet e tetë orëve nga marrja e akteve. Ky vendim është i paankimueshëm.

6Kur pranon kërkesën e prokurorit, gjykata vendos pseudonimin e dëshmitarit dhe procedurat e fshehjes së identitetit, njoftimit, paraqitjes dhe pjesëmarrjes në procedim. Pyetja e dëshmitarit kryhet sipas rregullave të parashikuara në nenin 361/b të këtij kodi.

7Dëshmitari merr pjesë në të gjitha fazat e gjykimit vetëm me pseudonimin e vendosur nga gjykata, përveç rastit të parashikuar nga paragrafi 8 i këtij neni.

8Pyetja e dëshmitarit me identitet të fshehur dhe caktimi i pseudonimit të tij gjatë fazës së hetimeve bëhen nga prokurori. Aktet ku ai merr pjesë, nënshkruhen me pseudonimin e caktuar.

Përmbajtja

      1. Neni 165/a krijon institutin e dëshmitarit me identitet të fshehur, ose siç njihet rëndom në terminologjinë ndërkombëtare, dëshmitari anonim[1]. Ky nuk është një institut krejtësisht i ri në procedurën penale shqiptare. Paragrafi 2 i nenit 361/a të Kodit të Procedurës Penale, tashmë i ndryshuar, normonte rregullat e pyetjes së personit (natyrisht, edhe dëshmitarit) me identitet të ndryshuar, gjeneralitetet e vërteta të të cilit nuk njiheshin nga i pandehuri dhe mbrojtja. Kjo normë mbështetej edhe nga dispozitat e ligjeve Nr. 9110, datë 24.7.2003 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave për krime të rënda” dhe Ligjin Nr.10173 datë 22.10.2009 “Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë”. Risia që sjellin ndryshimet qëndron, së pari, në faktin se instituti i dëshmitarit me identitet të fshehur zbatohet vetëm në rastin kur ndaj tij nuk zbatohet program i mbrojtjes sipas ligjit të posaçëm, së dyti, fusha e veprimit të këtij instituti është kufizuar dhe, së treti, janë vendosur rregulla më të forta që kufizojnë përdorimin e dëshmisë së dëshmitarit anonim si provë kundër të pandehurit. Qëllimi parësor i këtij instituti është zgjerimi i mundësive për efektivitet të drejtësisë penale, nëpërmjet garantimit të vërtetësisë të dëshmisë së dëshmitarit, në rastin e disa krimeve që paraqesin rrezikshmëri për shoqërinë, duke e mbajtur atë jashtë ndikimit dhe trysnisë së ushtruar nga autorët e këtyre veprave ose bashkëpunëtorët e tyre.

        

      1. Qëllimi i krijimit të institutit të dëshmitarit anonim shkon përtej mbrojtjes së dëshmitarit. Ky institut ndikon drejtëpërdejtë në ekonominë gjyqësore duke qenë se është efikas, i shpejtë dhe me kosto të ulët financiare.Procedura për miratimin e dëshmitarit anonim ështëshumë më e thjeshtë dhe më e drejtëpërdrejtë, në krahasim me procedurën për marrjen e një dëshmitari në programet e posaçme të mbrojtjes.[2] Në shumë raste, i njëjti qëllim - mbrojtja e dëshmitarit - mund të realizohet duke anonimizuar identitetin e tij, pa qenë nevoja të konsumohen burime te konsiderueshme financiare apo njerëzore si dhe pa qenë nevoja që jeta e dëshmitarit të mbrojtur të ndryshojë në mënyrë drastike.[3] Në këtë këndvështrim, fshehja e identitetit të dëshmitarit mund të shihet si një alternativë efikase e programeve të posaçme të mbrojtjes të dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë.

       

      [1] Ky term do të përdoret gjithashtu në vijim të komenteve për nenin 165/a.

      [2] Shih për krahasim Ligjin 10173 datë 22.10.2009 “Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë”

      [3] Ibid.

      1. Neni 165/a rregullon kushtet e lejimit të kësaj prove dhe procedurën e fshehjes dhe garantimit të identitetit të dëshmitarit. Mënyra e marrjes së provës së dëshmisë të dëshmitarit me identitet të fshehur dhe kriteret e vlerësimit të saj parashikohen nga dispozita të veçanta të KPP (shih në vijim rubrikën IV, Dispozitat e lidhura).
      1. E drejta për një proces të rregullt ligjor kërkon që dëshmitarët në parim të jenë të identifikueshëm, jo vetëm për të pandehurin, por edhe për gjykatën dhe publikun në përgjithësi. Është e rëndësishme të theksohet se koncepti i drejtësisë së hapur mund të përbëjë, në raste të veçanta, pengesë për një procedim penal të suksesshëm, sidomos në rastet e veprave penale të lidhura me krimin e organizuar, veprat me qëllime terroriste ose krimet e rënda në përgjithësi. Dëshmitarët mund të hezitojnë ose të refuzojnë të dëshmojnë nëse identiteti i tyre është i njohur për të pandehurin ose bashkëpunëtorët e tij, të cilët mund të ndërmarrin veprime që vënë në rrezik shëndetin ose jetën e dëshmitarit, familjarëve të tij ose personave të lidhur me të.

       

      1. Normalisht, diskutimi rreth llojit të mbrojtjes që duhet t’i ofrohet një dëshmitari, duhet të zhvillohet ndërmjet policisë gjyqësore dhe prokurorit që në fazën e hetimeve paraprake. Megjithatë, shkaqet dhe rrethanat që mund të çojnë në nevojën për fshehjen e identitetit të dëshmitarit mund të lindin edhe gjatë fazës së gjykimit.

       

      1. Siç u theksua më sipër[1], fshehja e identitetit të dëshmitarit përbën një alternativë të programeve të posaçme të mbrojtjes të dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë. Rrjedhimisht, edhe fusha e veprimit te nenit 165/a do të duhej të ishte e njëjtë me fushën e veprimit të Ligjit 10173 datë 22.10.2009. Neni 2 i këtij ligji përcakton se dispozitat e këtij ligji janë të zbatueshme në kuadër të proçedimeve penale për krime të kryera me dashje, për të cilat ligji parashikon sanksion dënimi me burgim, në minimum, jo më pak se 4 vjet. Megjithatë, ligjvënësi ka vendosur të kufizojë ndjeshëm fushën e veprimit të nenit 165/a. Sipas paragrafit 1 të tij, fshehja e identitetit të dëshmitarit është e mundur vetëm për një numër të kufizuar dhe shterues krimesh, ku përfshihen veprat me qëllime terroriste[2], organizimi, pjesëmarrja dhe thirrjet e për veprime luftarake të dhunshme në një shtet të huaj[3], si dhe krijimi i bandës së armatosur dhe krimet e kryera prej saj[4]. Ky kufizim e zbeh ndjeshëm qëllimin e institutit në përgjithësi dhe në veçanti funksionin e tij si një alternativë efikase e Ligjit 10173 datë 22.10.2009.

       

      1. Kushtet dhe procedura për fshehjen e identitetit të dëshmitarit normohen në paragrafët 1 dhe 3 të nenit 165/a. Dëshmia e dëshmitarit anonim mund të përdoret si provë në procesin penal kur plotësohen njëkohësisht kushtet e mëposhtme:

      Së pari, kur i pandehuri hetohet ose gjykohet për të paktën njërën nga veprat penale të përmendura në mënyrë taksative në paragrafin 1 të nenit 165/a;

      Së dyti, kur besohet se dhënia e dëshmisë mund të vendosë dëshmitarin ose anëtarët e familjes së tij në rrezik serioz për jetën apo shëndetin;

      Së treti, kur dëshmitari nuk është përfshirë në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve, në bazë të ligjit Nr. 10173 datë 22.10.2009 “Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë”. Në rast se dëshmitari është përfshirë në programet e këtij ligji, dispozitat e nenit 165/a nuk mund të zbatohen.

      Ekzistenca e kushteve të mësipërme gjatë fazës së hetimeve paraprake[5],  çmohet nga prokurori. Si në rastin kur identiteti i dëshmitarit mbahet i fshehur që në fazën e hetimeve paraprake, ashtu edhe kur nevoja për marrjen e dëshmisë së tij lind gjatë gjykimit të çështjes, prokurori i paraqet gjykatës kërkesë të arsyetuar për të lejuar zbatimin e teknikave të veçanta të marrjes në pyetje, sipas nenit 361/b. Kërkesa e prokurorit i paraqitet kryetarit të trupit gjykues në zarf të mbyllur, me shënimin e dukshëm mbi të: “Konfidenciale: dëshmitar me identitet të fshehur”. Brenda këtij zarfi prokurori vendos edhe një zarf të dytë, ku gjenden identiteti dhe gjeneralitetet e plota të dëshmitarit, të cilat lejojnë identifikimin e saktë të tij. Në kërkesën e prokurorit arsyetohet pse dëshmitari duhet të dëshmojë me identitet të fshehur dhe cilat janë teknikat e veçanta që ai propozon për të siguruar ruajtjen e anonimatit.

       

      1. Procedura për fshehjen e identitetit të dëshmitarit mishëron të dy qëllimet e nenit 165/a. Nga njëra anë, ajo është e thjeshtë dhe e shpejtë dhe, nga ana tjetër, mbart garanci për mbrojtjen e identitetit të dëshmitarit. Gjykata vendos, me vendim të arsyetuar, brenda dyzet e tetë orëve nga paraqitja e kërkesës. Vendimi merret në dhomën e këshillimit, me identitetin e dëshmitarit ka të drejtë të njihet vetëm kryetari i trupi gjykues dhe, në çdo rast, mbi zarf duhet të pasqyrohen në mënyrë të dukshme data dhe të dhënat identifikuese të personit që ka hapur zarfin ose që ka marrë dijeni për përmbajtjen e tij. Para se të merret vendim për kërkesën e prokurorit, kryetari i trupit gjykues ka të drejtën dhe detyrimin që të kryejë çdo verifikim të nevojshëm lidhur me zotësinë për të dëshmuar[6] dhe pajtueshmërinë e personit me detyrën e dëshmitarit[7], si kushte pa plotësimin e të cilave kërkesa nuk mund të pranohet. Në rast pranimi të kërkesës, gjykata vendos pseudonimin e dëshmitarit dhe përcakton rregullat për fshehjen e identitetit dhe procedurën e njoftimit, paraqitjes dhe pjesëmarrjes së dëshmitarit në procedim. Në çdo fazë të gjykimit, dëshmitari mban pseudonimin e vendosur nga gjykata. Kur dëshmitari anonim është identifikuar në fazën e hetimeve paraprake, deri në dhënien e vendimit nga gjykata, ai merr pjesë dhe nënshkruan aktet me pseudonimin e vendosur nga prokurori[8]. Zbatohen rregullat që përcakton neni 361/b, të cilat besohet se sigurojnë ruajtjen e anonimatit të dëshmitarit. Në rast refuzimi të kërkesës, prokurori ka të drejtë të ankohet në gjykatën e apelit, e cila vendos brenda dyzet e tetë orëve nga marrja e akteve. Vendimi i gjykatës së apelit, i cili merret gjithashtu në dhomën e këshillimit, është i paankimueshëm.

       

      1. Pyetja e dëshmitarit me identitet të fshehur sikurse përmendëm më lart, kryhet sipas rregullave të parashikuara në nenin 361/b. Paragrafi 1 e këtij neni u ndryshua për të bërë të mundur zbatimin e teknikave të veçanta të marrjes në pyetje në rastin e dëshmitarëve me identitet të fshehur. Në këtë paragraf, togfjalëshi “kryesisht ose me kërkesën e palëve” duhet interpretuar me kërkesë të prokurorit, pasi paragrafi 1 i nenit 165/a normon se vetëm prokurori ka të drejtë t’i kërkojë gjykatës zbatimin e teknikave të veçanta të marrjes në pyetje të dëshmtarit me identitet të fshehur. Gjykata, mund të përcaktojë masa të veçanta për mbrojtjen e dëshmitarit me identitet të fshehur. Këtu përfshihet pyetja në distancë, me anën e lidhjes audiovizive, përdorimi i teknikave për ndryshimin e pamjes dhe zërit, si dhe ndalimi i pyetjeve që mund të zbulojnë identitetin e tij. Lidhur me rregullat e dhënies së dëshmisë zbatohen të njëjtat rregulla që përdoren për pyetjen e dëshmitarit të zakonshëm. Pasi bën betimin[9], dëshmitari anonim pyetet në mënyrë të kryqëzuar nga prokurori dhe nga mbrojtja[10]. Pyetje mund të bëhen edhe nga gjykata, si rregull, pasi kanë përfunduar palët. Palët kanë të drejtën të kundërshtojnë, pjesërisht ose tërësisht, përmbajtjen e dëshmisë, sipas rregullave që përcakton neni 362[11]. Marrja e dëshmisë së dëshmitarit me identitet të fshehur në shkelje të ndalimeve të parashikuara nga ligji procedural, mund të sjellë si pasojë papërdorshmërinë e saj[12].

       

      1. Kriteret e vlerësimit të dëshmisë së dëshmitarit anonim. Duhet të jetë e qartë se se vetëm dëshmia e dëshmitarit anonim nuk mjafton: për të deklaruar të pandehurin fajtor dëshmia e dëshmitarit anonim duhet të mbështetet nga prova të tjera, të cilat konfirmojnë vërtetësinë e saj. Sikundër vihet re, pamundësia e mbrojtjes për të hetuar dhe vënë në dyshim personalitetin e dëshmitarit anonim, kompensohet nga norma e parashikuar në paragrafin 3 të nenit 390, e cila e vendos vlerën e dëshmisë anonime në të njëjtin rrafsh besueshmërie me deklarimet e bashkëtëpandehurit[13]. Kuptohet që ky rregull vlerësimi është një garanci e fortë në favor të të pandehurit, kur në procesin kundër tij thirren të dëshmojnë dëshmitarë me identitet të fshehur. Ky parashikim është në përputhje me Këshillin e Europës, Rekomandimi No. R (97) 13[14] dhe jurisprudencën e GJEDNJ (Doorson)[15].

       

      1. Fakti që neni 165/a nuk zbatohet në rastin e dëshmitarëve të mbrojtur nuk duhet të interpretohet si mundësi që, në raste të tilla, rregullat e dhënies së dëshmisë anonime të ndryshohen në dëm të të pandehurit. Për këtë arsye, në rast se dëshmitari i përfshirë në programin e mbrojtjes me identitet të ndryshuar do të thirret të dëshmojë, do të zbatohen rregullat dhe garancitë që parashikon Kodi i Procedurës Penale[16] dhe standardet e GJEDNJ-së (shih në vijim, rubrika II.A).

       

      [1] Shih paragrafin 2;

      [2] Nenet 230, 230/a, 230/b, 230/c, 230/ç, 231, 232, 232/a, 232/b, 234 dhe 234/a të Kodit Penal. Duhet theksuar që jo të gjitha veprat me qëllime terroriste janë përshirë në fushën e veprimit të nenit 165/a;

      [3] Nenet 265/a, 265/b dhe 265/c të Kodit Penal;

      [4] Neni 234/b i Kodit Penal.

      [5] Shih paragrafin 8 të nenit 165/a.

      [6] Neni 155 I Kodit të Proçedurës Penale;

      [7] Neni 156 I Kodit të Proçedurës Penale;

      [8] Kur kërkesa e prokurorit miratohet, dëshmitari del me dy pseudonime: njërin për fazën e hetimeve dhe tjetrin për fazat e mëtejshme të gjykimit. Ky i fundit është pseudonimi me të cilin do të njihet dëshmitari deri në përfundimin e të gjitha procedurave gjyqësore.

      [9] Neni 360 I Kodit të Proçedurës Penale

      [10] Neni 361 I Kodit të Proçedurës Penale

      [11] Është jo vetëm pa kuptim, por dhe në kundërshtim me logjikën dialektike të zbulimit të së vërtetës në proces, praktika e disa gjykave që lejojnë të procedohet me kundërshtimin e dëshmisë vetëm pas largimit të dëshmitarit nga salla. Kjo mënyrë nuk i lejon gjykatës përceptimin e reagimit psikoemocional të dëshmitarit ndërsa ballafaqohet me deklarimet e dhëna në fazën e hetimeve dhe, nga ana tjetër, nuk i japin dëshmitarit mundësinë që të ndryshojë, qoftë edhe pjesërisht, dëshminë e dhënë para gjykatës.

      [12] Neni 151 paragrafi 3 I Kodit të Proçedurës Penale

      [13] Shih nenin 152 paragrafi 3 I Kodit të Proçedurës Penale

      [14]12. Where appropriate, further measures should be available to protect witness giving evidence, including preventing the identification of the witnesses by the defense, for example by using screens, disguising the face or distorting the voice.

      1. When anonymity has been granted, the conviction shall not be based solely or to a decisive extent on the evidence of such persons.”

      [15] Doorson c/a Netherlands (20524/92), para 72

      [16] Për këtë arsye, dispozitat e ligjit të posaçëm duhet të rishikohen për t’u përqasur me normat e Kodit të Procedurës Penale.

      1. Sikundër u përmend më parë, KPP bënte të mundur përdorimin e dëshmisë së dëshmitarëve, identiteti i të cilëve mund të kishte ndryshuar për shkak të statusit të tyre si bashkëpunëtorë të drejtësisë dhe përfshirja në programet e veçanta të mbrojtjes së dëshmitarëve. Kjo mundësohej prej nenit 361/a, paragrafi 2 I Kodit të Proçedurës Penale, para ndrysnimeve, i cili mbështetet nga Ligji Nr. 9110, datë 24.7.2003 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave për krime të rënda” dhe Ligjin Nr.10173 datë 22.10.2009 “Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë”, para ndryshimeve. Pra, parakushti që një dëshmitar të dëshmonte me identitet të fshehur ishte përfshirja e tij paraprake në programin e mbrojtjes. Sot kjo sitatë ka ndryshuar: dëshmitari mund të dëshmoje me identitet të fshehur edhe pa qënë i përfshirë në programin e mbrojtjes, fakt që ndikon në uljen e shpenzimeve. Ndër vite, dispozitat në fjalë u zbatuan vetëm në një rast[1]. Por, kuadri ynë ligjor vinte ndesh me parimet e procedurës penale evropiane dhe jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, lidhur me garancitë që përfiton i pandehuri në rastet kur në procesin kundër tij përdoren dëshmitarë anonimë. Theksojmë se ligji ynë procedural e vlerësonte dëshminë anonime sipas të njëjtave kritere që përdoren për vlerësimin e çdo dëshmie, ndërkohë që ky institut dihet se nuk i lejon mbrojtjes asnjë mundësi për të verifikuar personalitetin e dëshmitarit. Ndryshimet e kryera synojnë pikërisht përafrimin e ligjit tonë procedural me standartet meë të mira europiane.

       

      [1] Vendim Nr.2, datë 3.4.2015 i gjykatës së shkallës së parë për krime të rënda, i pandehur Frroku (i lënë në fuqi me vendimet Nr.73, datë 29.6.2015 të gjykatës së apelit për krime të rënda dhe Nr. 00-2017-443 i Vendimit, datë 8.6.2017 të kolegjit penal të Gjykatës së Lartë: dëshmitari i mbrojtur, me identitet të ndryshuar, Arben Ndoka)

      1. Në kontekstin ndërkombëtar, vlen të përmenden dispozitat për mbrojtjen e dëshmitarit në Gjykatat Ndërkombëtare të Hagës. Për shembull, në statutet e tyre dhe në rregullat e procedurës dhe provave Gjykata Ndërkombëtare Penale[1], Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë[2], si dhe Tribunali Ndërkombëtar për Ruandën[3], përmbajnë dispozita për mbrojtjen e dëshmitarëve. Detajet e këtyra dispozitave ndryshojnë, por thelbi është i njëjtë[4] rregullat e të tre tribunaleve synojnë në mbrojtjen e përbashkët të viktimave dhe të dëshmitarëve, duke qenë se shpesh viktimat e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës apo genocidit janë dhe dëshmitarët kryesorë në proceset gjyqësore përkatëse[5]. Të tre tribunalet në fjalë kanë një seksion të posaçëm që përkujdeset për mbrojtjen e viktimave dhe të dëshmitarëve. Masat që mund të ndërmerren në mbrojtje të dëshmitarëve/viktimave variojnë nga fshehja e identitetit, si nga mediat apo nga regjistrimet e tribunaleve, ashtu dhe nga i pandehuri, deri tek dhënia e një pseudonimi apo mbajtja e një seance gjyqësore me dyer të mbyllura dhe pa praninë e të pandehurit. Vlen të theksohet qe parimi bazë i marrjes në pyetje të dëshmitarëve anonimë është mosrëndimi i pozitës dhe respektimi i të drejtave të të pandehurit Vlen të theksohet se, gjatë pyetjes së dëshmitarëve anonimë, gjykata duhet të bëjë kujdes që të respektohen të drejtat e të pandehurit dhe garancitë e tij procedurale[6].

       

      [1] Shih nenet 43, 57, 64, 68 dhe 69 të Statutit të Romës.

      [2] Shih rregullat 34, 69 dhe 75 të Rregullave të Procedurë dhe Provës të Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

      [3] Shih rregullat 34, 69, 75 dhe 79 të Rregullave të Procedurë dhe Provës të Tribunalit Ndërkombëtar për Ruandën.

      [4] Shih Gert Vermeulen, EU Standards in Witness Protection and Collaboration with Justice, Maklu 2005, f. 53-65.

      [5] Shih në përgjithësi Brianne McGunigle Leyh, Procedural Justice? Victim Participation in International Criminal Proceedings, Intersentia 2011.

      [6] Shih për një analizë kritike në këtë aspekt Michael E. Kurth, ‘Anonymous Witnesses Before the International Criminal Court’ në Carsten Stahn and Göran Sluiter, The Emerging Practice of the International Criminal Court, Brill 2008, f. 615-634.

  • Vendime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut 

    1. Neni 6 (3) (d) i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut përcakton se i pandehuri ka të drejtë të të ballafaqohet dhe pyesë dëshmitarët, si ata që dëshmojnë fakte në favor, ashtu edhe okundër tij. Problemet e ndryshme që kanë lindur në praktikën gjyqësore të pyetjes të dëshmitarëve anonimë, kanë krijuar një jurisprudencë të konsiderueshme në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Instituti i dëshmitarit anonim, në fakt, e kufizon të drejtën e të pandehurit për të pyetur dëshmitarët. Megjithatë, duke qenë se kjo e drejtë e të pandehurit nuk është absolute, pyetja e dëshmitarëve anonimë nuk përbën shkelje të nenit 6(3)(d) të Konventës, nëse plotësohen këto kritere: 
    • I pandehuri duhet të ketë patur mundësinë për të pyetur dëshmitarin anonim kundër tij përgjatë procesit penal. Pyetja e dëshmitarit anonim mund të bëhet në çdo fazë të procesit, si ne atë të hetimeve paraprake ashtu dhe në fazën e gjykimit (Lüdi;Unterpertinger; Kostovski);
    • Trupi gjykues duhet të analizojë arsyet e fshehjes së identitetit të dëshmitarit dhe duhet të arsyetoje vendimin përkatës. Rreziku që i kanoset dëshmitarit mund të jetë subjektiv. Perceptimi i përligjur i dëshmitarit se dhënia e dëshmisë mund të vendosë atë ose të afërmit e tij në rrezik, mjafton për të fshehur identitetin e tij (Doorson;Visser; Windisch)
    • Nëse ekziston një mënyrë tjetër për mbrojtjen e dëshmitarit, e cila e kufizon më pak të drejtën e të pandehurit për të pyetur dëshmitarët, atëherë kjo mënyrë duhet të ketë përparësi ndaj fshehjes së identitetit të dëshmitarit (Van Mechelen);
    • Kufizimet në të drejtat e të pandehurit, që rrjedhin nga pyetja e dëshmitarëve anonimë, duhet të kompesohen mjaftueshëm përgjatë procesit. Llojet e kompesimeve në jurisprudence variojnë, por në thelb ato synojnë t’i japin mundësinë gjykatës dhe, nëse është e mundur, edhe të pandehurit ose mbrojtësit të tij (por kjo nuk është e detyrueshme), për të vëzhguar sjelljen e dëshmitarit gjatë marrjes në pyetje si dhe për të testuar besueshmërinë e tij si dëshmitar (Lüdi;Kostovski; Doorson)
    • Dënimi i të pandehurit nuk mund të mbështetet ekskluzivisht apo kryesisht në dëshminë e dëshmitarit anonim (Ellis dhe Sims dhe Martin)[1]

     

    1. Në përgjithësi, mund të themi që kuadri ligjor shqiptar është në përputhje me standardet e mësipërme. Sikurse theksuam, procedura e marrjes së provës së dëshmisë së dëshmitarit anonim, në thelb, nuk ndryshon nga ajo e marrjes së dëshmisë së çdo dëshmitari. Ligji ynë procedural nuk vendos kufizime përsa i përket mundësisë së pyetjes së dëshmitarit nga i pandehuri, përveç rastit kur pyetja synon të zbulojë identitetin e tij. Më tej, paragrafi 1 i nenit 361/b i jep mjaftueshëm diskrecion trupit gjykues që të marrë masat e nevojshme për të bërë të mundur, nga njëra anë mbrojtjen e dëshmitarit anonim dhe nga ana tjetër – në frymën e nenit 361 – testimin e besueshmërisë të dëshmitarit anonim. Gjithashtu, pikat 4 dhe 5 të nenit 165/a e detyrojnë gjykatën të shqyrtojë arsyet e fshehjes të identitetit të dëshmitarit dhe, në rast pranimi, të arsyetojë vendimin e saj. Sikurse theksuam më sipër, kriteret e perdorimit të dëshmisë së dëshmitarit anonim si provë fajësie kundër të pandehurit janë shumë të rrepta dhe në përputhje të plotë me jurisprudencën e GJEDNJ-së.

     

    Raporte, opinione, rekomandime dhe deklarata

    Këshilli Evropian i Bashkimit Evropian, Parandalimi dhe kontrolli i krimit të organizuar: strategjia e Bashkimit Evropian për fillimin e mijëvjeçarit të ri (2000/C 124/01), 27 mars 2000 1996 (Versioni në gjuhën angleze http://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/PDF/?uri=CELEX:32000F0503&from=EN, vizituar për herë të fundit në datën 26.07.2017);

    Këshilli Evropian i Bashkimit Evropian, Rezoluta mbi bashkëpunëtorët e drejtësisë në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar (97/C 10/01), 20 dhjetor 1996 (Versioni në gjuhën angleze http://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/PDF/?uri=CELEX:31997G0111&from=EN, vizituar për herë të fundit në datën 26.07.2017);

    Këshilli Evropian i Bashkimit Evropian, Rezoluta mbi mbrojtjen e dëshmitarëve në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar (95/C 327/04), 23 nëntor 1995 (Versioni në gjuhën angleze http://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/PDF/?uri=CELEX:31995Y1207(04)&from=EN, vizituar për herë të fundit në datën 26.07.2017);

    Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës, Rekomandimi nr. (2001)11për shtetet anëtare mbi parimet drejtuese në luftën kundër krimit të organizuar (Versioni në gjuhën angleze https://rm.coe.int/16804e603c, vizituar për herë të fundit më 26.07.2017); 

    Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës, Rekomandimi nr. (2005)9 për shtetet anëtare mbi mbrojtjen e bashkëpunëtorëve të drejtësisë (Versioni në gjuhën angleze https://search.coe.int/cm/Pages/result_details.aspx?ObjectId=09000016805b0cf7, vizituar për herë të fundit më 26.07.2017); 

    Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës, Rekomandimi nr. R(97)13 për shtetet anëtare mbi frikësimin e dëshmitarëve dhe të drejtat e mbrojtjes (Versioni në gjuhën angleze https://rm.coe.int/16804c4a0f, vizituar për herë të fundit më 26.07.2017);

    [1] Unterpertinger k. Austrisë, 24/11/1986, Nr i aplikimit 9120/80; Kostovski k. Hollandës, 20/11/1989, Nr i aplikimit 11Windisch k. Austrisë, 27/9/1990, Nr i aplikimit 12489/86; Lüdi k. Zvicrës, 15//6/1992, Nr i aplikimit 12433/86; Doorson k. Hollandës, 26/3/1996, Nr i aplikimit 20524/92; Van Mechelen dhe të tjerë k. Hollandës, 23/4/1997, Nr i aplikimit 21363/93; Visser k. Hollandës, 14/02/2002, Nr i aplikimit 26668/95; Ellis dhe Sims dhe Martin k. Mbretërisë së Bashkuar, 25/04/2012, Nr i aplikimit 46099/06.

  • Asnjë koment
  • Kushtetuta: nenet 31/d, 32.2

    Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore: neni 6, E drejta për një proces të rregullt ligjor;

    Kodi i Procedurës Penale: nenet 151.3, 153-161, 164-165, 152.3, 360, 361, 361/b, 362, 390.3.

    Ligjit 10173 datë 22.10.2009 “Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të Drejtësisë”, nenet 2, 10 dhe 12.

    Ligji Nr. 9110, datë 24.7.2003 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave për krime të rënda”, neni 8.

  • Asnjë koment
  • Vendim Nr.2, datë 3.4.2015 i gjykatës së shkallës së parë për krime të rënda, i pandehur Frroku (i lënë në fuqi me vendimet Nr.73, datë 29.6.2015 të gjykatës së apelit për krime të rënda dhe Nr. 00-2017-443 i Vendimit, datë 8.6.2017 të kolegjit penal të Gjykatës së Lartë: dëshmitari i mbrojtur, me identitet të ndryshuar, Arben Ndoka).

    Vendime të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut 

    Doorson k. Hollandës, 26/3/1996, Nr i aplikimit 20524/92;

    Ellis dhe Sims dhe Martin k. Mbretërisë së Bashkuar, 25/04/2012, Nr i aplikimit 46099/06;

    Kok k. Hollandës, 4/7/2000, Nr i aplikimit 43149/98;

    Kostovski k. Hollandës, 20/11/1989, Nr i aplikimit 11;

    Lüdi k. Zvicrës, 15//6/1992. Nr i aplikimit 12433/86

    Unterpertinger k. Austrisë, 24/11/1986, Nr i aplikimit 9120/80;

    Van Mechelen dhe të tjerë k. Hollandës, 23/4/1997, Nr i aplikimit 21363/93;

    Visser k. Hollandës, 14/02/2002, Nr i aplikimit 26668/95;

    Windisch k. Austrisë, 27/9/1990, Nr i aplikimit 12489/86.

  • Gert Vermeulen, EU Standards in Witness Protection and Collaboration with Justice, Maklu 2005.

    Brianne McGunigle Leyh, Procedural Justice? Victim Participation in International Criminal Proceedings, Intersentia 2011.

    Michael E. Kurth, ‘Anonymous Witnesses Before the International Criminal Court’ në Carsten Stahn and Göran Sluiter, The Emerging Practice of the International Criminal Court, Brill 2008.

  • Asnjë koment
Idlir Peçi, Henrik Ligori
Idlir Peçi, Koraljka Bumči