1. Nëse i mituri, me qëllim, nuk e përmbush masën për shmangien e ndjekjes penale, për këtë, Shërbimi i Provës informon me shkrim prokurorin, duke shpjeguar në mënyrë të detajuar kohën, vendin, mënyrën dhe rrethanat e mospërmbushjes dhe situatën personale të të miturit.
2. I mituri, prindërit ose, sipas rastit, përfaqësuesi ligjor, informohen nga Shërbimi i Provës lidhur me pasojat e moszbatimit të kushteve dhe detyrimeve të masës së shmangies dhe rregullat e shqyrtimit në rast mospërmbushjeje.
3. Mospërmbushja e kushteve dhe detyrimeve që burojnë prej masës së shmangies nga ndjekja penale nuk përbën vepër penale dhe nuk sjell automatikisht kufizimin ose heqjen e lirisë së të miturit. Edhe në këtë rast, heqja e lirisë, konsiderohet nga organet kompetente si masa e fundit.