KODI I DREJTËSISË PENALE PËR TË MITUR   |   37/2017

Neni 91: Gjykimi në prani të të miturit dhe kufizimet

1. Gjykimi zhvillohet vetëm në prani të të miturit.

2. Gjykata, me iniciativën e vet ose me kërkesë të palës, mund të marrë vendim lidhur me largimin e të miturit nga salla e gjyqit gjatë shqyrtimit vetëm të një ose disa provave, nëse kjo është në interesin më të lartë të të miturit.

3. Mungesa e të miturit gjatë procesit gjyqësor duhet të jetë për një periudhë sa më të shkurtër.

4. Gjyqtari gjatë gjykimit ka të drejtë të ndalojë pjesëmarrjen e përfaqësuesit ligjor gjatë veprimit procedural vetën, nëse kjo gjë është në interesin më të lartë të fëmijës.

5. Menjëherë pas miratimit të vendimit, sipas pikës 2, të këtij neni, gjykata i shpjegon palëve të drejtën për të kundërshtuar këtë vendim, brenda së njëjtës seancë, duke i dhënë gjykatës argumentet e tyre. Në rast kundërshtimi, gjykata, pezullon shqyrtimin e provës deri në marrjen e vendimit. Vendimi lidhur me pranimin ose jo të kundërshtimit merret menjëherë.

6. Pasi i mituri kthehet në sallën e gjyqit, gjykata, i shpjegon të miturit, aq sa është e nevojshme dhe në mënyrë të kuptueshme, përmbajtjen e provave të shqyrtuara në mungesë të tij.

7. Në të gjitha rastet kur gjykata shqyrton provat në mungesë të të miturit, mbrojtësi ose përfaqësuesi ligjor duhet të jenë të pranishëm.

Përmbajtja

      1. Qëllimi i nenit 91 të KDPM, është në harmoni me qëllimin e Kreut X të KDPM në të cilin parashikohen rregulla procedurale në lidhje me gjykimin e të miturve në konflikt me ligjin.

       

      1. Neni 91 rithekson parashikimin që gjykimi të zhvillohet si rregull vetëm në prani të të miturit. Ky nen duket se elaboron më tej parimin dhe standardin e trajtuar në nenin 90 të KDPM-së lidhur me mos gjykimin në mungesë të të miturit. Në të janë parashikuar, nga ana tjetër, rastet përjashtimore të kufizimit të rregullit të pranisë së të miturit në seancë, pa lënë vend për interpretim të zgjeruar ose të ngushtuar mbi rastet e skajshme të zhvillimit të seancës gjyqësore jo në prani të të miturit në konflikt me ligjin. Pra, neni 91 përforcon se, nëse rasti ka të bëjë me një vepër penale të pretenduar të kryer nga një i mitur, një gjykim në mungesë nuk është i mundur në asnjë rrethanë. Megjithatë është e mundur që i mituri të përjashtohet përkohësisht nga shqyrtimi gjyqësor, nëse shqyrtimi i një ose disa provave mund të ketë ndikim psikologjik, apo shkaton stres dhe frikë që vjen prej diskutimit të fakteve të caktuara, të cilat mund të kenë një ndikim negativ mbi të dhe janë në kundërshtim me interesin më të mirë të fëmijës.

       

      1. Neni 91 parashikon kriteret dhe procedurën ligjore që ndiqet pikërisht në këto raste, të cilat vlerësohen si përjashtimore për zhvillimin e seancës gjyqësore apo pjesë të saj jo në prani të të miturit duke synuar respektimin e garancive ligjore të procesit të rregull ligjor gjatë gjykimit të të miturit. Konkretisht në seancën gjyqësore që zhvillohet pa praninë e të miturit janë detyrimisht të pranishëm mbrojtësi dhe përfaqësuesi ligjor.

       

      1. Neni 91 në paragrafin 4 parashikon një rregullim edhe më specific për zhvillimin e seancës gjyqësore edhe pa praninë e përfaqësuesit ligjor të të miturit në konflikt më ligjin, kur kjo është në interesin më të lartë të të miturit.
      1. Neni 91 i KDPM përbëhet nga shtatë paragrafë. Paragrafi i parë rithekson parimin e gjykimit në prani të të miturit. Paragrafët dy deri në gjashtë parashikojnë: (a) rastet se kur zhvillohet gjykimi jo në prani të të miturit në konflikt me ligjin, (b) kriteret ligjore të një gjykimi të tillë, (c) procedurën që ndiqet nga gjykata për marrjen e vendimit për zhvillimin e gjykimit jo në prani të të miturit në konflikt me ligjin, si dhe (ç) garancitë procedurale të procesit të rregullt ligjor që i jepen të miturit gjatë periudhës së përkohshme të zhvillimit të gjykimit jo në prani të tij/saj. Më tej, në paragrafin 4, neni 91 parashikon rastin kur përfaqësuesi ligjor i të miturit, që e shoqëron atë gjatë gjykimit, nuk mund të jetë i pranishëm në gjykim.
      1. Rastet dhe kriteret mbi mos praninë e të miturit gjatë gjykimit: Neni 91 parashikon, se nga rregulli procedural i zhvillimit të gjykimit në prani të të pandehurit mund të bëhet përjashtim. Në paragrafin e dytë, neni 91 parashikon se gjykimi mund të zhvillohet jo në prani të të miturit në konflikt me ligjin në rastet dhe sipas kritereve të mëposhtme: 
      1. Vetëm gjatë shqyrtimit të një apo disa provave gjatë procesit gjyqësor penal;
      2. Vetëm nëse zhvillimi i gjykimit në mungesë të të miturit është në interesin më të lartë të tij/saj;
      3. Vetëm mbi bazën e një vendimi të gjykatës që çmon se gjykimi duhet të zhvillohet jo në prani të të miturit, bazuar në vlerësimin e saj kryesisht ose në kërkesën e palëve. Si palë në këtë rast janë prokurori; mbrojtësi i të miturit dhe vet i pandehuri i mitur.
      4. Vetëm gjykata mund të vendosë që i mituri të largohet nga salla e gjyqit;
      5. E drejta e kundërshtimit: gjykata u bën me dije palëve, brenda të njëjtës seancë gjyqësore, të drejtën për të parashtruar argumentet për t’a kundërshtuar vendimin e zhvillimit të gjykimit jo në prani të të miturit;
      6. Në rast kundërshtimi të vendimit, gjykata fillimisht pezullon shqyrtimin e provës deri në marrjen e vendimit në lidhje me këtë kundërshtim, të cilin e merr menjëherë. Nëse gjykata pranon kundërshtimin, seanca zhvillohet në prani të të miturit. Nëse gjykata nuk e pranon kundërshtimin seanca gjyqësore zhvillohet në mungesë të të miturit.

       

      1. Gjykimi jo në prani të të miturit, sipas paragrafit 2 të nenit 91, ndodh vetëm në raste përjashtimore, në fazën e shqyrtimit dhe marrjes së një ose disa provave, si psh gjatë marrjes së dëshmisë në rastet e veprave penale të dhunës në familje, të prindit të dhunuar, kryesisht rastet e nënave të dhunuara nga djemtë e mitur. Në këto raste, pas marrjes së mendimit edhe të psikologut, nëse do të rezultonte në interesin më të lartë të fëmijës, pyetja e të dëmtuarve duhet të zhvillohet pa praninë e të miturit në konflikt me ligjin. Përballja me prindin e dhunuar do të kishte pasoja në zhvillimin, psikologjik, intelektual dhe mendor të të miturit. Një tjetër rast është ai i marrjes së dëshmisë së të miturit viktimë parashikuar në nenet 40 paragrafi 1 të KDPM, 41 paragrafi 1, 42 paragrafi 1 të KDPM dhe nenin 361/a të Kodit të Procedurës Penale (KPP). Konkretisht këto parashikime ligjore rregullojnë ndër të tjera marrjen e dëshmisë së të miturit viktimë si provë në procesin penal. Kjo dëshmi sipas neneve të mësipërme merret pa praninë e të pandehurit. Pra, kur viktima në procesin penal është i mitur, i pandehuri qoftë i mitur, nuk merr pjesë në seancë gjyqësore. Në këtë rast gjykata vendos që i pandehuri të largohet nga seanca gjyqësore duke vlerësuar interesin më të lartë të të miturit viktimë si dhe të të miturit në konflikt me ligjin. Nga ana tjetër nëse gjykata vlerëson se, psh., prezenca e të miturit gjatë pyetjes së një dëshmitari, do të cenonte zhvillimin psikologjik, mendor apo rehabilitimin e të miturit, atëherë neni 91 parashikon mundësinë ligjore që gjykata të kufizojë të drejtën e pjesëmarrjes personalisht të të miturit në procesin penal, pasi gjykata duhet të kujdeset për respektimin e interesit më të lartë të të miturit.

       

      1. Kriteret kohore të mos pranisë së të miturit në gjykim: Neni 91 parashikon se mungesa e të miturit gjatë procesit gjyqësor duhet të jetë për një periudhë sa më të shkurtër, që do të thotë vetëm gjatë marrjes së proves, psh. pyetjes së një dëshmitari etj. Me të përfunduar ky veprim procedural, prania e të miturit në gjykim është sërish e detyrueshme, kthehet në normalitet.

       

      1. Prania/mosprania e përfaqësuesit ligjor dhe prania e mbrojtësit gjatë mungesës së të miturit në gjykim: shqyrtimi i provës në mungesë të të miturit bëhet gjithnjë në prani të mbrojtësit dhe përfaqësuesit ligjor të tij/saj sipas kuptimit që neni 16 paragrafi 3 i KDPP i jep këtij të fundit. Kështu, pjesëmarrja e të miturit në proces garantohet përmes përfaqësuesve të tij/saj. Neni 91 në paragrafin 4 parashikon se gjykata ka të drejtë të ndalojë pjesëmarrjen e përfaqësuesit ligjor. Përfaqësuesi ligjor i të miturit ndalohet të marrë pjesë gjatë veprimit procedural vetëm nëse kjo gjë është në interesin më të lartë të fëmijës. Pra, nëse gjatë veprimit procedural, prania e përfaqësuesit ligjor do të cenonte mbarëvajtjen psikologjike, mendore të të miturit. Kjo është në përputhje me standardet ndërkombëtare si psh. neni 14 paragrafi 4 e Direktivës 2016/800 EC[1]. Ky kufizim nuk parashikohet për mbrojtësin.

       

      1. I mituri jo i pranishëm gjatë marrjes së një ose disa provave, informohet pasi kthehet në sallën e gjyqit. Konkretisht, të miturit i shpjegohen nga gjykata, për aq sa është e nevojshme dhe në mënyrë të kuptueshme, përmbajtja e provës së shqyrtuar. Referenca e nenit tek “për aq sa është e nevojshme” nuk duhet kuptuar vetëm si një kufizim në dhënien e informacionit të miturit, por si detyrë e gjykatës që të garantojë: (a) të drejtën e të miturit për një proces të rregullt ligjor duke marrë informacion në lidhje me procesin penal për të cilin ai/ajo ka të drejtë të jap opinion dhe shprehë mendimin, dhe (b) interesin më të lartë të të miturit duke mos e cenuar nga informacioni që i jepet në zhvillimin e tij psikologjik, mendor apo në procesin e rehabilitimit të tij/saj. Ndërkohë referenca e nenit tek “në mënyrë të kuptueshme” duhet kuptuar që gjykata ka detyrimin të përdorë një mënyrë të shpjeguari që t’i përshtatet nivelit intelektual, psikologjik, mendor të të miturit duke pasur parasysh rrethanat konkrete të tij/saj sipas kuptimit të paragrafit 5 të nenit 16 të KPDM. Në këtë drejtim gjykata duhet të garantojë dhe të drejtat e të miturve me aftësi të kufizuar sipas parshikimit të nenit 50 paragrafi 3 i KPDM dhe neni 4 shkronja ‘c¸’ deri ‘e¨’ i ligjit nr. 93/2014 datë 24.7.2014 “Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara”.

       

      [1] Shih këtë dokument në: http://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/HTML/?uri=CELEX:32016L0800&from=EN

      1. Në legjislacionin shqiptar ky parashikim është një risi që parashikohet për herë të parë në ligjin procedural penal. Sipas parashikimit ligjor të KPP para hyrjes në fuqi të ndryshimeve të tij të parashikuara me ligjin nr 35/2017, datë 30.03.2017, si dhe para hyrjes në fuqi të KDPM, të miturit gjykoheshin në mungesë, njësoj si të rriturit sipas kushteve dhe kritereve ta parashikuara në nenin 352 i KPP.
      1. Në aspektin ndërkombëtar një sërë instrumentesh kanë parashikuar dhe vendosur standardin për pjesëmarrjen e të miturit në gjykim dhe në mënyrë përjashtimore gjykimin në mungesë. Disa nga dokumentet ndërkombëtare që parashikojnë standardet e mësipërme janë si vijon:

       

      1. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, Konventa mbi të Drejtat e Fëmijës, 20 nëntor 1989, neni 12 nënvizon se 1. Shtetet palë i garantojnë fëmijës, i cili është i aftë të ketë pikëpamjet e tij, të drejtën për t’i shprehur lirisht këto pikëpamje, për çdo çështje që ka të bëjë me të, duke i vlerësuar ato në përputhje me moshën dhe shkallën e pjekurisë së tij. 2. Për këtë qëllim, fëmijës i jepet mundësia që të dëgjohet në çdo procedurë gjyqësore ose administrative, që ka të bëjë me të, qoftë drejtpërdrejt, qoftë nëpërmjet një përfaqësuesi ose të një organi të përshtatshëm, në përputhje me rregullat e procedures së legjislacionit kombëtar”. https://www.unicef.org/tfyrmacedonia/CRC_albanian_language_version(3).pdf Vizituar për herë të fundit më date 25 Shtator 2017.

       

      1. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, Pakti Ndërkombëtar mbi të Drejtat Civile dhe Politike, 20 nëntor 1989, ratifikaur me ligjin nr. 7510, datë 08.08.1991, neni 14 paragrafi 3 shkronja “c¸” nënvizon se: “3. Secili person i akuzuar pe¨r nj?¨ vep?¨r penale, ka t?¨ drejt?¨ plote¨sisht te¨ barabarte¨ t?¨ ket?¨ k?¨to garanci minimale: (c¸) T?¨ jet?¨ i pranish?¨m gjat?¨ procesit dhe t?¨ mbrohet vet?¨ ose ne¨pe¨rmjet nj?¨ mbrojt?¨si t?¨ zgjedhur prej tij; n?¨ qoft?¨ se nuk ka mbrojtje, duhet t?¨ informohet p?¨r t?¨ drejt?¨n e tij q?¨ t?¨ ket?¨ nj?¨ t?¨ till?¨ dhe, kurdoher?¨ q?¨ e k?¨rkon interesi i drejt?¨sis?¨, atij duhet t'i caktohet nj?¨ mbrojtje falas ne¨ cilindo rast te¨ tille¨ n?¨se ai nuk ka mjete p?¨r t?¨ paguar.”
        http://www.magjistratura.edu.al/media/users/4/drejtat%20civile%20dhe%20politike%20OKB.pdf Vizituar për herë të fundit me 24 shtator 2017.

       

      1. Komiteti për të Drejtat e Fëmijëve pranë OKB-së, Komenti i Përgjithshëm nr.10: “Të drejtat e fëmijëve në drejtësinë penale”, paragrafët 43-45. http://www.ohchr.org/english/bodies/crc/docs/CRC.C.GC.10.pdf Vizituar për herë të fundit më datë 25 shtator 2017. 

       

      1. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, Rregullat e Pekinit (Rregullat për standardet minimale të Administrimit të Drejtësisë për të Miturit) rezoluta 40/33, 29 nëntor 1985, paragrafi 14 nënvizon se 14.2. Procedimet do të favorizojnë interesat më të mirë të të miturit dhe do të zhvillohen në një atmosferë mirëkuptimi, e cila do ta lejojë të miturin të marrë pjesë në të dhe të vetë shprehet lirisht.” http://www.ohchr.org/Documents/ProfessionalInterest/beijingrules.pdf  Vizituar për herë të fundit më datë 25 shtator 2017.

       

      1. Parlamenti dhe Këshilli Evropian, Direktiva 2016/800/EU “Mbi masat mbrojtëse procedurale për fëmijët të dyshuar apo akuzar në procedurën penale”, 11 maj 2016, neni 13 paragrafi 2 nënvizon se 2. Shtetet Anëtare duhet të marrin masat e duhura për të siguruar që fëmijët të trajtohen në një mënyrë që mbron dinjitetin e tyre dhe që është e përshtatshme për moshën, pjekurinë dhe nivelin e mirëkuptimit të tyre dhe që merret në konsideratë çdo nevojë e veçantë, përfshirë çdo vështirësi komunikimi që ata mund të kenë.” http://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/HTML/?uri=CELEX:32016L0800&from=EN Vizituar për herë të fundit më datë 16 shtator 2017.
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
    1. Neni 54 paragrafi 4 i Kushtetutës

    KDPM

    1. Neni 3 paragrafi 9
    2. Neni 16 paragrafi 3 dhe paragrafi 5
    3. Neni 19 paragrafi 3 shkronja “a” dhe “ç”
    4. Neni 40
    5. Neni 41
    6. Neni 42
    7. Neni 50 paragrafi 3
    8. Neni 90

    KPP

    1. Neni 361/a
    2. Ligji nr. 93/2014 datë 24.7.2014 “Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara”
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
    1. Studim: “Drejtësia për të mitur në Shqipëri, një analizë e sistemit të administrimit të drejtësisë për të mitur dhe gjendjes së të miturve në konflikt me ligjin në Shqipëri”, mundësuar nga UNICEF, me mbështetjen e Komisionit Europian dhe Sida. http://www.crca.al/sites/default/files/publications/Drejtesia%20per%20te%20mitur.pdf Vizituar për herë të fundit më datë 16 shtator 2017.
  • Asnjë koment
Manjola Xhaxho
Arta Mandro, Koraljka Bumči, Renate Winter