KODI I PROCEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   7905

Neni 37-a: Bashkëpunimi me drejtësinë

1I pandehuri që akuzohet për një krim që dënohet në maksimum jo më pak se 7 vjet burgim, të kryer në bashkëpunim, ose për një nga veprat penale të parashikuara nga shkronja “a”, e paragrafit 1, të nenit 75/a, të këtij Kodi, mund të fitojë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, duke nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me prokurorin. Marrëveshja që përmban kushtet e bashkëpunimit mund të lidhet në çdo gjendje dhe fazë të procedimit, edhe pasi vendimi penal ka marrë formë të prerë dhe është vënë në ekzekutim.

2Marrëveshja nënshkruhet kur i pandehuri dëshmon pa asnjë rezervë apo kusht për të gjitha faktet dhe rrethanat që ka dijeni për shkak të pjesëmarrjes së tij në veprimtarinë kriminale. Dëshmia e tij duhet të jetë provë vendimtare fajësie, në drejtim të provueshmërisë së fakteve dhe të autorësisë së tyre, si dhe për parandalimin e krimeve të rënda dhe riparimin e dëmeve të shkaktuara prej tyre. I pandehuri, në dëshminë e tij, duhet të identifikojë të gjitha pasuritë me origjinë kriminale, në posedim të tij dhe të bashkëpunëtorëve. Të dhënat e mësipërme duhet të jepen brenda 30 ditëve nga data e nënshkrimit të marrëveshjes.

3Bashkëpunëtori i drejtësisë ka të drejtë të kërkojë mbrojtje të posaçme për vete dhe për familjen e tij, sipas legjislacionit për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë.

4Në rastet e bashkëpunimit me drejtësinë, prokurori i kërkon gjykatës uljen e masës së dënimit ose përjashtimin e bashkëpunëtorit të drejtësisë nga dënimi. Kur marrëveshja lidhet në fazën e ekzekutimit të vendimit, kompetenca për të shqyrtuar kërkesën e prokurorit i përket gjykatës që ka dhënë vendimin ose gjykatës së vendit të ekzekutimit. Ulja e masës së dënimit ose përjashtimi prej tij çmohen në përpjesëtim me kontributin e dhënë nga bashkëpunëtori i drejtësisë për faktet dhe rrethanat që tregohen në paragrafin 2 të këtij neni. Zbatohen rregullimet e paragrafit 7, të nenit 28, të Kodit Penal, si dhe rregullat e paragrafit 1, të nenit 480, të këtij Kodi.

5Marrëveshja e bashkëpunimit revokohet kur bashkëpunëtori i drejtësisë shkel kushtet e marrëveshjes së bashkëpunimit, fsheh të dhëna pasurore ose fakte me interes për drejtësinë, ose bën deklarime ose dëshmi të rreme. Zbatohen për aq sa janë të pajtueshme rregullat e paragrafit 1, të nenit 480, të këtij Kodi.

Përmbajtja

      1. Norma i shërben interesit publik, për një administrim efektiv të drejtësisë penale, si dhe interesave të viktimave të krimit.
      1. Objekti i normës së parashikuar nga neni 37/a i KPP është rregullimi i raporteve procedurale në rastet e bashkëpunimit me drejtësinë; mënyra e fitimit të statusit të bashkëpunëtorit, kriteri kohor për lidhjen e marrëveshjes, të drejtat dhe detyrimet e palëve në marrëveshje, rastet e revokimit të saj dhe kompetencat e gjykatës.
      1. I pandehuri mund të fitojë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë vetëm kur akuzohet për krime të një rëndësie ose lloji të caktuar. Kodi vendos një kriter të përgjithshëm, i cili i referohet sanksionit maksimal të dënimit dhe një kriter të posaçëm, i cili i referohet disa veprave penale konkrete. Kështu, bashkëpunimi është i mundur kur i pandehuri akuzohet për një krim, për të cilin ligji penal parashikon sanksion, në maksimumin e tij, jo më pak se shtatë vjet burgim. Në rast se kriteri i përgjithshëm nuk plotësohet, atëhere duhet të shihet nëse akuza është ngritur për ndonjërën nga veprat penale që parashikon posaçërisht shkronja a) e paragrafit 1 të nenit 75/a të Kodit, të cilat janë vepra që penalizojnë format e ndryshme të korrupsionit. Për shkak të interesit publik për ndjekjen dhe ndëshkimin e këtyre formave të krimit, ligjvënësi lejon bashkëpunimin me drejtësinë edhe në rastet kur nuk plotësohet kriteri i përgjithshëm i rëndësisë së sanksionit.

       

      1. Kur plotësohen kushtet që parasheh ligji për lejimin e bashkëpunimit, i pandehuri dhe prokurori nënshkruajnë një akt që quhet “marrëveshja e bashkëpunimit”. Marrëveshja mund të lidhet në çdo gjendje dhe shkallë të procedimit: në fazën e hetimeve paraprake (edhe para ngritjes së akuzës[1]), gjatë shqyrtimit gjyqësor të çështjes (edhe gjatë gjykimit në Gjykatën e Lartë), si dhe në fazën e ekzekutimit dhe të vuajtjes së dënimit. Në çdo rast, nevojat e administrimit sa më efektiv të drejtësisë penale e përligjin interesin e shtetit për të arritur një marrëveshje bashkëpunimi. Me nënshkrimin e saj i pandehuri fiton statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, prej nga i lindin të drejta dhe detyrime, të cilat do të komentohen në vijim.

       

      1. Marrëveshja përmban kushtet e bashkëpunimit me drejtësinë.[2] Marrëveshje me rezerva apo me kusht nuk mund të lidhet. Bashkëpunëtori i drejtësisë ka detyrimin të dëshmojë gjithçka di për faktet dhe rrethanat e mësuara gjatë veprimtarisë kriminale, pa fshehur asgjë, si dhe duhet të identifikojë të gjitha pasuritë e vëna nga krimi, në posedim të tij apo të bashkëpunëtorëve të tjerë. Në rast se mungon prova e origjinës kriminale të pasurive, ato mund t’i nënshtrohen sekuestrimit dhe konfiskimit në bazë të legjslacionit në fuqi.[3] Dëshmia e tij duhet të plotësojë kushtin e rëndësisë së saj për vërtetimin e fakteve. Në këtë aspekt, duhet të jetë “provë vendimtare” në drejtim të provueshmërisë së fakteve penale dhe fajësisë së personave përgjegjës. Edhe kur nuk është e tillë, i pandehuri mund ta fitojë statusin e bashkëpunëtorit, por me kushtin që dëshmia të vlejë për të parandaluar kryerjen e një krimi të rëndë ose për të riparuar dëmet e shkaktuara nga krimi. Kështu, p.sh., dëshmia mund të mos jetë provë vendimtare fajësie, por mund të shërbejë për të shmangur një vrasje, për të liruar një person që mbahet peng ose për të sekuestruar të hollat e vjedhura në një bankë.

       

      1. Faktet që di bashkëpunëtori duhet t’i dëshmojë brenda një afati të prerë prej 30 ditësh. Vendosja e një afati brenda të cilit duhet të jepen të dhënat ka për qëllim që të shmangë prirjen e të pandehurit për të manipuluar faktet me qëllim përfitimi, duke penguar ecurinë normale të procesit.[4] Dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë i nënshtrohen, përkatësisht, vlerësimit të kujdesshëm të prokurorit dhe të gjykatës, sipas kritereve që normon paragrafi 2 i nenit 36/a të Kodit. Vetëm kur burimi vlerësohet i besueshëm dhe dëshmia e vërtetë dhe e mbështetur[5], bashkëpunëtori meriton besim dhe prokurori ndërmerr veprime për përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga marrëveshja e bashkëpunimit.

       

      1. Bashkëpunëtori i drejtësisë ka të drejtë të kërkojë mbrojtje të posaçme, për vete dhe për familjen, kur përmbushen kriteret që vendos ligji i posaçëm, para së gjithash kur ekziston “gjendja e rrezikut”.[6] Propozimi për përfshirjen në programin e mbrojtjes bëhet, sipas rastit, nga Prokurori i Përgjithshëm ose nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme,[7] kurse vendimi merret nga një komision i posaçëm.[8] Përgjegjëse për zbatimin e programit të mbrojtjes është Drejtoria për Mbrojtjen e Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë që funksionon pranë Ministrisë së Brendshme.[9]

        

      1. Në rastin kur bashkëpunëtori i drejtësisë i përmbush kushtet e marrëveshjes së bashkëpunimit, prokurori ka detyrimin t’i kërkojë gjykatës uljen e masës së dënimit ose përjashtimin e bashkëpunëtorit të drejtësisë nga dënimi. Përfitimi jepet në raport të drejtë me ndihmën e dhënë nga bashkëpunëtori, ndaj propozimi i prokurorit mban parasysh shkallën e kontributit të dhënë prej tij në provueshmërinë e faktit penal, rolin e dëshmisë në provueshmërinë e akuzës në ngarkim të bashkëtëpandehurve ose, kur është rasti, ndihmën e dhënë për zbulimin ose parandalimin e krimeve të tjera,[10] për zbulimin e pasurive me origjinë kriminale, për pakësimin apo riparimin e pasojave të tyre, etj. Dëshmia e bashkëpunëtorit vlerësohet në raport me rëndësinë e saj në proces dhe mbi këtë vlerësim caktohet edhe përfitimi në favor të tij, në përputhje me rregullin e proporcionalitetit: sa më i madh kontributi, aq më i madh përfitimi.[11] Në rastet kur procedohet me marrëveshje për pranimin e fajësisë dhe caktimin e dënimit,[12] ulja e dënimit caktohet duke rënë në ujdi me bashkëpunëtorin dhe mbrojtësin e tij.[13] Kur bashkëpunëtori i drejtësisë ka vepruar në përbërje të një organizate kriminale ose terroriste, grupi të strukturuar kriminal apo bande të armatosur, në uljen e dënimit ose në përjashtimin prej tij mbahen parasysh edhe kriteret që cakton paragrafi 7 i nenit 28 të Kodit Penal. Më konkretisht, ai duhet të japë ndihmesë, që gjykohet vendimtare për njohjen e veprimtarisë së organizatës kriminale, organizatës terroriste, bandës të armatosur ose grupit të strukturuar kriminal, të bashkëpunëtorëve të tjerë, pasurive të zotëruara drejtpërdrejt ose jo prej tyre, si dhe për veprimtaritë hetimore që zhvillohen ndaj tyre.

       

      1. Vendimi merret nga gjykata, e cila vlerëson kërkesën e prokurorit në raport me faktet e procesit dhe kontributin e bashkëpunëtorit, duke zbatuar të njëjtat rregulla parimore. Natyrisht, gjykata mund ta pranojë kërkesën e prokurorit, por mund edhe ta ndryshojë ose ta rrëzojë atë. Gjykata vlerëson, para së gjithash, besueshmërinë e dëshmisë së bashkëpunëtorit, mbështetjen e saj të brendshme dhe të jashtme dhe pastaj kontributin e tij në ndihmë të drejtësisë, duke mbajtur parasysh kriteret që cakton ligji dhe duke arsyetuar të gjitha rrethanat.

       

      1. Kur marrëveshja lidhet në fazën e ekzekutimit të vendimit, gjykata kompetente për të vendosur uljen e dënimit ose përjashtimin e bashkëpunëtorit nga dënimi është gjykata që ka dhënë vendimin.[14] Kjo është gjykata që i njeh faktet e procesit dhe është në gjendje të vlerësojë propozimin e prokurorit në raport me kontributin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.

       

      1. Në rastet kur bashkëpunëtori i drejtësisë nuk i respekton kushtet e marrëveshjes së bashkëpunimit të lidhur me prokurorin, ky i fundit e revokon marrëveshjen. Marrëveshja revokohet edhe kur provohet se bashkëpunëtori fsheh fakte me interes për drejtësinë, fsheh të dhëna për pasuri të vënë nga krimi, në posedim të tij ose të personave të tjerë ose bën deklarime apo dëshmi të rreme. Në rastin e fundit, ai përgjigjet penalisht sipas Kodit Penal.[15] Marrëveshja duhet të revokohet edhe kur bashkëpunëtori refuzon të dëshmojë.[16] Mund të ndodhë që, ndërkohë që bshkëpunëtori është dënuar, të dalin fakte të reja, të padeklaruara prej tij, për të cilat ai ishte në dijeni në momentin e marrjes së statusit të bashkëpunëtorit. Në këto raste, revokimi bëhet në fazën e ekzekutimit të vendimit dhe kompetente për heqjen e favoreve që ish-bashkëpunëtori ka përfituar pa të drejtë është gjykata që ka dhënë vendimin.[17] Me revokimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, personi e humbet statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë. Me humbjen e tij, ai humbet edhe çdo përfitim që ka siguruar nga ligji i posaçëm “Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë”.

       

      [1] Neni 34 i KPP

      [2] Neni 37/b i KPP

      [3] Ligji Nr. 10 192, datë 3.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i ndryshuar me ligjet Nr. 24/2014 dhe Nr.70/2017.

      [4] Afati u vendos sipas modelit italian të dekretligjit n. 8, datë 15 janar 1991, i shtuar me ligjin n. 45, datë 13.2.2001, neni 16-quater; sipas këtij ligji, afati është 180 ditë nga shprehja e vullnetit për të bashkëpunuar; http://www.camera.it/parlam/leggi/01045l.htm (vizita e fundit 20.1.2018).

      [5] Më gjerësisht lidhur me kriteret specifike të vlerësimit të një dëshmie, mund të lexoni: Gulotta G., “La communicazione bugiarda”, tek L. de Cataldo Neuburger (a cura di), Chiamata in correità e psicologia del pentitismo nel nuovo processo penale, ISISC, Atti e documenti, Collana diretta dal Prof. M. Cherif Bassiouni, CEDAM, 1992, faqe 168-170.

      [6] Ligji Nr. 10173, datë 22.10.2009 “Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë”, i ndryshuar me ligjet Nr. 10461/2011 dhe Nr.32/2017, neni 3.6.

      [7] Po aty, neni 15

      [8] Komisioni i Vlerësimit të Programit të Mbrojtjes për Dëshmitarët dhe Bashkëpunëtorët e Drejtësisë, po aty, neni 9

      [9] Po aty, neni 5

      [10] Shih gjykata e apelit për krimet e rënda, vendim Nr.43, datë 05.10.2007 (GJAKR), i ndryshuar pjesërisht me vendimin Nr. 431, datë 26.09.2008 të kolegjit penal të Gjykatës së Lartë (KPGJL), Dervishi, Skënderi. Në këtë rast kontributi i bashkëpunëtorit nuk lidhej me faktet e çështjes, por ndihmonte në parandalimin e krimeve të tjera. Gjykata e apelit, në ndryshim nga gjykata e shkallës së parë për krimet e rënda (shih vendimin e saj Nr.33, datë 20.06.2007), e njohu këtë kontribut, duke i ulur masën e dënimit.

      [11] Shih vendimin Nr.1, datë 16.01.2012 (GJSHPKR), lënë në fuqi me vendimin Nr.45, datë 02.07.2012 (GJAKR) dhe me vendimin e kolegjit penal të Gjykatës së Lartë Nr.00-2014-1935 i Vendimit (175), datë 16.07.2014 (KPGJL), Berisha, etj. Shih, gjithashtu, gjykata e shkallës së parë për krime e rënda, vendim Nr.81, datë 18.09.2017 (GJSHPKR), Tafilaj, etj.

      [12] Neni 406/d i KPP

      [13] Mbrojtësi merr pjesë në bisedimet për arritjen e marrëveshjes, shih nenin 406/dh, paragrafi 4, shkronja b).

      [14] Shih vendimin Nr. 49, datë 17.03.2016 të gjykatës së shkallës së parë për krime të rënda, ndryshuar me vendimin Nr. 49 datë 26.04.2016 të gjykatës së apelit për krime të rënda (i pandehur Zoto).

      [15] Përkatësisht, sipas neneve 305/a dhe 306 të Kodit Penal.

      [16] Në këtë rast ai rrezikon të ndiqet penalisht në bazë të nenit 307 të Kodit Penal.

      [17] Neni 480.1 i KPP

      1. Ligji i parë për mbrojtjen e bashkëpunëtorëve të drejtësisë daton në vitin 2004.[1] Mbi bazën e tij u ngritën strukturat e posaçme për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve dhe u zbatuan për herë të parë masat e posaçme të mbrojtjes. Përvoja e zbatimit praktik të tij diktoi nevojën e miratimit të një ligji të ri, i cili do të korrigjonte të gjitha mangësitë dhe paqartësitë e ligjit të shfuqizuar. Ky ligj u miratua në vitin 2009[2] dhe përbën bazën e sistemit të mbrojtjes së dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë në vendin tonë. Ai përcaktoi më saktë kushtet dhe kriteret e zbatimit të ligjit, saktësoi kompetencat vendimmarrëse të Komisionit dhe kompetencat ekzekutive të Drejtorisë, duke i lënë kësaj të fundit hapësirë për të përcaktuar edhe llojin më të përshtatshëm të programit të mbrojtjes që duhet të zbatohet në çdo rast konkret. Ndërhyrjet e mëvoshme ndryshuese, me anën e ligjeve Nr. 10461/2011 dhe Nr.32/2017, nuk sjellin ndryshime thelbësore, përveçse pasqyrojnë në të ndryshimet e ligjeve të tjera që lidhen me drejtësinë penale.

       

      [1] Ligji Nr. 9205, datë 15.3.2004 “Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë”.

      [2] Ligji Nr. 10173, datë 22.10.2009 “Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë”.

    • Asnjë koment
  • Raporte, opinione, rekomandime dhe deklarata 

    1. Direktiva 2013/343/UE e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit të Bashkimit Evropian, datë 22.10.2013, për përforcimin e disa aspekteve të prezumimit të pafajësisë dhe të drejtën për të qenë i pranishëm në proces në procedurën penale - http://eur-lex.europa.eu/legal-content/FR/TXT/?uri=OJ:L:2016:065:TOC (vizita e fundit, 20.1.2018). Sipas direktivës, neni 7.4, autoritetet gjyqësore, në dhënien e vendimit, duhet të mbajnë parasysh qëndrimin bashkëpunues të të dyshuarve dhe personave të akuzuar. Formulimi i ri i nenit 37/a të KPP duket se është në përputhje me orientimet e direktivës në fjalë.
  • Asnjë koment
    1. Kodi i Procedurës Penale: nenet 36/a, 37/b, 133.5, 152.3, 361/b, 370, 406/dh e vijuese, 480.1;
    2. Ligji Nr. 10173, datë 22.10.2009 “Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë”, i ndryshuar me ligjet Nr. 10461/2011 dhe Nr.32/2017.
    3. Kodi Penal: nenet 28.7, 305/a, 306, 307.
  • Asnjë koment
  • Vendime të Gjykatës së Lartë 

    1. Nr.00-2014-1935 i Vendimit (175), datë 16.07.2014 (KPGJL), Berisha, etj.;
    2. Nr. 431, datë 26.09.2008 (KPGJL), Dervishi, Skënderi. 

    Vendime të gjykatës së shkallës së parë dhe të gjykatës së apelit për krimet e rënda 

    1. Vendim Nr.33, datë 20.06.2007 (GJSHPKR), ndryshuar pjesërisht me vendimin Nr.43, datë 05.10 2007 (GJAKR), Dervishi, Skënderi;
    2. Vendim Nr.1, datë 16.01.2012 (GJSHPKR), lënë në fuqi me vendimin Nr.45, datë 02.07.2012 (GJAKR), Berisha, etj.;
    3. Vendim Nr. 49, datë 17.03.2016 (GJSHPKR), ndryshuar me vendimin Nr. 49 datë 26.04.2016 (GJAKR), Zoto;
    4. Vendim Nr.81, datë 18.09.2017 (GJSHPKR), Tafilaj, etj. 

    Vendime të Gjykatës së Kasacionit (Itali) 

    1. Seksioni I Penal, vendim nr.9723, datë 29.7.1999;
    2. Seksioni VI Penal, vendim nr.35034, datë 29.9.2005;
    3. Seksioni VI Penal, vendim nr.2900, datë 22.1.2014;
    4. Seksioni V Penal, vendim nr.50589, datë 13.12.2013;
    5. Seksioni II Penal, vendim nr.39241, datë 5.11.2010;
    6. Seksioni VI Penal, vendim nr.46483, datë 21.11.2013.
    1. Giacomo Cavalli, La chiamata in correità, fatto & diritto, collana diretta da Paolo Cendon, Giuffrè editore, 2006, faqe 108-124.
    2. Luisella de Cataldo Neuburger (a cura di), Chiamata in correità e psicologia del pentitismo nel nuovo processo penale, ISISC, Atti e documenti, Collana diretta dal Prof. M. Cherif Bassiouni, CEDAM, 1992
    3. Roberto E. Costoris (a cura di), Manuale di procedura penale europea, Terza edizione, Giuffrè editore, 2017, faqe 146-147.
    4. Pierluigi di Stefano, etj. (a cura di), Codice di Procedura Penale, annotato con la giurisprudenza, XXIII edizione, Simone, 2015, faqe 428-430.
  • Asnjë koment
Henrik Ligori
Idlir Peçi