KODI I DREJTËSISË PENALE PËR TË MITUR   |   37/2017

Neni 63: Programet e drejtësisë restauruese dhe/ose ndërmjetësimi

1. Organi procedues vendos për zbatimin e programit të drejtësisë restauruese, në përputhje me legjislacionin për ndërmjetësimin, me qëllim krijimin e mundësive për të miturin që të korrigjojë pasojat e veprës penale të kryer prej tij ndaj viktimës, komunitetit dhe/ose shoqërisë.

2. Programi i drejtësisë restauruese, sipas pikës 1, të këtij neni, mund të zbatohet nëse:

a. i mituri, mbrojtësi dhe, sipas rastit, përfaqësuesi ligjor, japin lirisht pëlqimin për marrjen e një vendimi të tillë; dhe

b. çdo marrëveshje për korrigjimin e pasojave të veprës penale të kryer nga i mituri është e arsyeshme ose e përshtatshme.

3. Kur i mituri nuk ka prindër, ose ekziston një konflikt interesi midis prindërve dhe të miturit, pëlqimin, sipas pikës 2, shkronja “a”, të këtij neni, mund ta japë një prej përfaqësuesve proceduralë, sipas parashikimeve të nenit 3, pika 17, të këtij Kodi.

4. Programi i drejtësisë restauruese, i parashikuar në pikën 1, të këtij neni, mund të parashikojë që të miturit t’i kërkohet:

a. të pranojë dhe të tregojë se e kupton përgjegjësinë për veprën penale dhe të pasojës së ardhur ndaj viktimës;

b. të kompensojë dëmin e shkaktuar viktimës, komunitetit dhe/ose shoqërisë;

c. t’i kërkojë falje viktimës; dhe

ç. të ndërmarrë veprime të pranueshme edhe nga viktima ose/dhe komuniteti.

5. Masat e drejtësisë restauruese, të marra në përputhje me parashikimet e këtij neni, mund të përfshijnë pjesëmarrjen në një program të shmangies dhe ndërmjetësimit, të punës në interes publik dhe/ose çdo program tjetër që çon në rehabilitimin e pasojave të veprës penale të kryer nga një i mitur.

6. Ndërmjetësimi familjar dhe në grup është një masë alternative për shmangien e ndjekjes penale, ku marrin pjesë bashkërisht me viktimën dhe të miturin në konflikt me ligjin, edhe të afërmit e tyre, persona nga rrethi i tyre shoqëror, përfaqësues nga agjenci publike për mbrojtjen e të miturve, mbikëqyrjen e tyre dhe parandalimin e kriminalitetit për të miturit. Në këtë proces i akuzuari dhe familja e tij pritet të arrijnë një marrëveshje me viktimën, e cila përfshin kompensimin e dëmit, kryerjen e detyrimeve që janë të pranueshme prej viktimës dhe që pritet të mbajnë të akuzuarin larg situatave konfliktuale të ngjashme në të ardhmen.

Përmbajtja

      1. Neni 63 synon të fokusohet në programet e drejtësisë restauruese dhe të ndërmjetësimit për të dhënë si elementët e nevojshëm proceduralë të tyre ashtu edhe elementë të karakterit material, me qëllim krijimin e mundësive për të miturin që të korrigjojë pasojat e veprës penale të kryer prej tij. Në këtë mënyrë, ky nen nevoitet të shihet në harmoni me ligjin e posaçm për ndërmjetësimin.

       

      1. Neni 63 synon të krijojë marrëdhënien e duhur midis KDPM e vecanërisht nenit 17 paragrafi 3, nenit 55 paragrafi 3 shkronja d), nenit 61 paragrafi 1 shlronja b), nenit 62 paragrafi 1 shkronja a), nenit 64, nenit 102 dhe ligjit nr. 10835/2011 “Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve" duke i parë këto instrumente në harmoni dhe në bashkërendim me njëri tjetrin.

       

      1. Qëllimi i kësaj dispozite është të evidentojë se midis programeve të drejtësisë restauruese dhe ndërmjetesimit ka një ndërthurje aq të madhe, sa referenca në ligjin e ndërmjetësimit është e barasvlefshme për të dyja. Pra, në konkluzion, neni 63 ka si qëllim ta vendosë ndërmjetësimin në një profil të gjerë dhe afatgjatë, që lidhet me ato që quhen marrëdhënie midis viktimës dhe të akuzuarit.

       

      1. Neni 63 synon që të krijojë një lidhje të ngushtë me masat që në vetvete synojnë shmangien nga ndjekja penale ose dënimi, të tilla si puna me interes publik parashikuar në nenin 101 të këtij kodi ose çdo program tjetër siç parashikohet në nenet 62, 64 dhe 102 të KDPM që çon në rehabilitimin e pasojave të veprës penale të kryer nga një i mitur.

       

      1. Parimi i vullnetarizmit, është një kusht i rëndësishëm i realizmit të procedurës së ndërmjetësimit. Neni 63 ka si qëllim rritjen e shkallës së parandalimit të kriminalitetit për të miturit dhe për ta mbajtur të akuzuarin larg situatave konfliktuale të ngjashme në të ardhmen.  Qëllimi i ndërmjetësimit familjar dhe në grup është parandalimi i përshkallëzimit të konfliktit në të ardhmen, që të shmangen rastet e hakmarrjes nga anëtarët e familjes së viktimës ndaj të akuzuarit ose ndaj familjarëve të tij. Pajtimi i familjeve të palëve të konfliktuara në një proces penal është një nga synimet e vetë këtij lloj ndërmjetësimi.
      1. Neni 63 ka një strukturë që ndjek linjën referuese në dy nivele. Së pari, në pikën 1 të nenit 63 ligjvënsi i referohet ligjit për ndërmjetësimin që nënkupton ligjin nr. 10835/2011 “Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve" si ligji në fuqi.

       

      1. Kjo natyrë referuese e pikës 1 në kuptimin strukturor, synon që t'i thotë çdo zbatuesi të KDPM mënyrën se si duhet lexuar paralel ky nen me ligjin e posaçëm. Në kontekstin e ligjit të posaçëm, do të huazohen prej tij rregullat që kanë të bëjnë me mënyrën si fillon procesi i ndërmjetësimit, si ulen palët në bisedime, rolin që luan ndërmjetësi, afatet dhe pasojat, si dhe mënyrën se si formalizohet dhe zbatohet marrëveshja e arritur mes palëve. Së dyti, në pikën 5 të nenit 63, ligjvënësi i referohet dispozitave të tjera të KDPM që rregullojnë programet e shmangies të tilla si ato që trajtojnë punën në interes publik, kryerja e detyrimeve të caktuara, e të tjera.

       

      1. Neni 63 është i ndërtuar me një strukturë që kalon nga rregulla të përgjithshëm që mund të zbatohen në të gjitha rastet e ndërmjetësimit, tek rregulla pak më specifike që lidhen me ndërmjetësime të një natyre më të veçantë. I tillë është rasti i ndërmjetësimit familjar ose i ndërmjetësimit në grup i parashikuar në pikën 6 të tij. Në këtë mënyrë, konsolidohet koncepti se procedura e ndërmjetësimit jashtëgjyqësor kryhet me të paktën tre aktorë kryesorë: të miturin e akuzuar për kryerjen e veprës penale, viktimën dhe ndërmjetësin dhe rast pas rasti mund të bashkohen edhe familjarë, përfaqësues të shoqërisë ose organeve kompetente në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve.
      1. Në pikën 1 të nenit 63 evidentohet se organi procedues mund të vendosë për zbatimin e masës alternative të zhvilluar nga ky nen. Në pikën 1 të nenit 63 ndeshim termin "organ procedues" dhe me këtë, siç nënkuptohet nga përmbajtja e KDPM të tillë do të konsiderohen gjyqtari dhe prokurori por parë në harmoni me ligjin për ndërmjetësimin këtu përfshihet edhe punojësi i policisë. Këto dy subjekte nuk luajnë asnjë rol aktiv pas momentit të fillimi të zbatimit të masës alternative të shmangies sipas nenit 63 deri në përfundimin e saj. Kjo del e qartë edhe nga kuptimi i nenit 14 të Ligjit nr 10835/2011 “Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve"[1].

       

      1. Organet proceduese marrin vendim në momentin që e çmojnë se një proces ndërmjetësimi apo ndonjë program i drejtësisë restauruese sipas parashikimeve të bëra në paragrafin 6 të këtij neni, ndihmon në korrigjimin sa më të mirë të pasojave të veprës penale. Vendimmarrja e gjykatës ose e prokurorisë mund të kryhet në çdo fazë të procedimit penal kur konstatohet prej organit procedues se masa alternative e shmangies siç është ndërmjetësimi është alternativa më e mirë për të miturin me qëllim riintegrimin e tij social, qoftë si i akuzuar, qoftë si viktimë. Në asnjë rast ndërmjetësimi nuk është një proces i detyrueshëm por një proces vullnetar.

       

      1. Lidhur me shprehjen "... në përputhje me legjislacionin për ndërmjetësimin" neni 63 pika 1 i KDPM është referuese në Ligjin nr. 10835, datë 24.2.2011, "Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve". Ky ligj ka një përmbajtje të plotë dhe të gjerë lidhur me ndërmjetësimin dhe përmban rregullime lidhur me ndërmjetësimin në çështjet penale dhe me të mitur. Në nenin 2, në pikën 3 të ligjit të posaçëm parashikohet edhe mundësia e zgjidhjes me ndërmjetësim të konflikteve me natyrë penale. Sipas pikës 1 të nenit 63, ajo që ka rëndësi të evidentohet lidhur me zbatimin e ligjit të posaçëm, lidhet me kuptimin e ndërmjetësimit (neni 1) dhe parimet e ndërmjetësimit (neni 3), fushën e zbatimit dhe rrethin e mosmarrëveshjeve që mund të ndërmjetësohen (neni 2).

       

      1. Në pikën 1 të nenit 63 përdoret shprehja "programi i drejtësisë restauruese" e cila duhet të lexohet në kuptimin e saj që del edhe nga interpretimi në harmoni me nenet 44, 62 dhe 64 të KDPM (paragrafi 12 dhe 15 të nenit 3; paragrafi 2 i nenit 14; shkronja ë) e paragrafi 2 të nenit 34; neni 44; shkronja b) e paragrafi 1 të nenit 61; shkronja a) e paragrafi 1 të nenit 62 dhe neni 63 i KDPM). Programet e drejtësisë restauruese janë programe që zhvillohen dhe ndiqen nga organet publike dhe subjektet private në kuadrin e zbatimit të masave të drejtësisë restauruese. Vetë KDPM shpjegon termin “masë e drejtësisë restauruese” që na lehtëson kuptimin e termit "program i drejtësisë restauruese" (paragrafi 12, i nenit 3 të KDPM). Programet e drejtësisë restaruese krijohen përmes zbatimit të projekteve apo veprimeve strategjike qeveritare ose joqeveritare për të mbështetur integrimin dhe rehabilitimin e të miturve të akuzuar për kryerjen e një vepre penale. Këto programe bëhen pjesë e procedurave të drejtësisë penale për të mitur, por në çdo rast ato do të zhvillohen jashtë procesit gjyqësor apo hetimor nisur nga dëshira dhe zgjedhja e palëve, ose me propozim/ftesë të prokurorit apo gjyqtarit, ose të ndonjë profesionisti tjetër që vihet në dijeni të një konflikti midis të miturit të akuzuar për kryerjen e veprës penale dhe viktimës. Vendi, koha dhe mënyra e zhvillimit të këtij procesi kryhet në mjedise asnjëanëse për të cilët palët dhe/ose autoritetet e drejtësisë bien dakort. Programet e drejtësisë restauruese që kur fillojnë e deri në përfundimin e tyre nuk kanë të bëjnë fare me procesin gjyqësor/hetimor[2]. Neni 63 duket se ka një lidhje të fortë me nenin 44 të KDPM. Pavarësisht se sikur neni 63, ashtu edhe neni 44 nuk janë dispozita që referojnë shprehimisht tek njëra-tjetra, përsëri në mënyrë indirekte, të pashprehur, por të nënkuptuar ato duhet të lexohen së bashku me njëra-tjetrën.

       

      1. Termi "korrigjim i pasojave të veprës penale"nënkupton çdo lloj veprimi që sjell si pasojë një atmosferë më të mirë sociale, fizike e psikologjike për të miturin e përfshirë në një proces të drejtësisë penale për të mitur, të tilla si përmirësimi i shëndetit mendor e fizik të të miturit, rishoqërizimi më i shpejtë në mjedisin publik, frekuentimi i shkollës dhe i jetës së mëparshme sociale, rregullimi i raporteve familjare dhe shoqërore, stabiliteti në jetën private e personale, e të tjera.

       

      1. Në pikën 2, gërma a) të nenit 63 ndeshet shprehja "japin lirisht pëlqimin". Ky është një parim i padiskutueshëm, sepse masa alternative e shmangies siç është ndërmjetësimi në rast të këtij neni nuk mund të zbatohet pa pëlqimin e palëve. Pëlqimi i lirë është një aspekt shumë delikat. Liria e pëlqimit është nëse ndërtohet një vullnet i brendshëm dhe i jashtëm i qartë që bëhet evident që në rënien dakord për fillimin e procesit e në vijim dhe që kërkon të ndërtohet mbi bazën e një informimi dhe kuptimi të qartë të procesit dhe të efekteve të tij (neni 3, paragrafi 10 i KDPM). Është vendimtare, që palët, të jenë të vetëdijshme se si do të kryhet procedura e masës alternative të shmangies përmes ndërmjetësimit, nga cili shërbim dhe nga kush, për pasojat e mundshme, për shembull suksesi, dështimi ose zgjidhja e pjesshme, parë kjo në harmoni me nenet e tjera që lidhen me këtë masë të shmangies sipas KDPM. Pjesëmarrja e vullnetshme është një parakusht. Pëlqimi i lirë duhet të jepet që në fillim. Autoritetet e drejtësisë penale përpara fillimit, dhe autoriteti që do të merret me ndërmjetësimin si masë alternative, në fillim dhe nëse është e nevojshme gjatë të gjithë procesit ndërmjetësues duhet t’ua bëjnë të qartë këtë palëve. Pëlqimi i vesuar nuk është i vlefshëm dhe e bën të gjithë procedurën e zbatimit të ndërmjetësimit si masë alternative e shmangies të tillë, përfshirë edhe marrëveshjen e arritur prej saj. Pëlqimi i njëanshëm i të miturit të akuzuar ose pëlqimi i njëanshëm i viktimës për ta zgjidhur konfliktin me zbatimin e masës alternative të shmangies sipas nenit 63 të KDPM nuk është njëlloj ligjërisht i mjaftueshëm. Që të kemi një procedurë korrekte duhet të jenë të dyja palët dakort dhe të paraqiten tek ndërmjetësi për të filluar procedurën së bashku.

       

      1. Në shkronjën b) të paragrafit 2 të nenit 63 parashikohet se çdo marrëveshje e arritur mes palëve duhet të jetë "e arsyeshme ose e përshtatshme". Shprehja "duhet të jenë të arsyeshme" nënkupton se nëse marrja e këtij vendimi për ndërmjetësim apo ndonjë program tjetër të drejtësisë restauruese i mbron më mirë palët, kujdeset për ruajtjen e dinjitetit të të miturit, e parandalon dëmtimin e tij fizik, mendor dhe emocional, atëherë gjykata ose prokuroria ka të drejtë ta vendosë atë. Në një rast të tillë, "e arsyeshme" do të thotë që nëse kjo masë merret nga gjykata ajo duhet të jetë në dobi të të miturit dhe në interesin më të lartë e më të mirë të tij. Këtu përfshihet e drejta/detyrimi që të vlerësohet nëse ndërmjetësimi është alternativa më e mirë. Vendimi për kalimin e çështjes penale për ndërmjetësim, si dhe vlerësimin e rezultatit të një procedure ndërmjetësimi, duhet t’u rezervohet autoriteteve të drejtësisë penale. Janë këto autoritete, pra vetëm gjyqtari ose prokurori, që brenda një procedure gjyqësore ose hetimore vendosin nëse një procedurë ndërmjetësimi jashtë procesit gjyqësor/hetimor është e dobishme që pala të korrigjojë pasojat e veprës penale. Neni 63 plotësohet nga neni 64 i KDPM që parashikon se në rastin e ndërmjetësimit brenda procedurës gjyqësore/hetimore bëhet fillimisht ftesa për ndërmjetësim nga organi procedues. Nëse çmohet si e nevojshme për të përmirësuar pasojat e një vepre penale, prokurori/gjyqtari mund t'u propozojnë palëve ndërmjetësimin dhe, pas kësaj, nëse palët janë dakort të vendosin pezullimin e procesit në organet e drejtësisë për të vijuar procedurën e ndërmjetësimit jashtëgjyqësisht. Neni 64 në vijim të nenit 63 është neni që i liston kushtet që duhet të vlerësojë prokurori ose gjyqtari për të vlerësuar nëse ndërmjetësimi është alternativa më e përshtatshme. Këto kushte analizohen kundrejt interesit më të lartë të të miturit, përfshi këtu edhe kur është fjala për një të mitur viktimë. Për këtë, analiza shtrihet mbi: natyrën e veprës penale, rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, historinë e të miturit, mundësinë e kthimit të raporteve normale mes të miturit dhe palës së dëmtuar, mundësinë e zvogëlimit të dëmit të palës së dëmtuar, mundësinë e rehabilitimit të të miturit dhe riintegrimin e tij në shoqëri. Lidhur ngushtë me termin zgjedhje e arsyeshme është edhe termi "e përshtatshme". Si rregull llogjik, ajo masë, ai program apo ai proces që është i arsyeshëm për t'u marrë për të miturin, duhet të jetë edhe i përshtatshëm për të, por termi "i përshtatshëm" ka një specifikë që lidhet me rastin konkret dhe të miturin konkret. Për ta analizuar termin "i përshtatshëm" mund të nisemi nga e kundërta e tij, nga termi "i papërshtatshëm" me llogjikën që çdo gjë që nuk është e papërshtatshme është e përshtatshme. Lidhur me këtë nëse bëhet kujdes që të respektohet parimi i interesit më të lartë të fëmijës. Kështu, nevojitet të shmangen, kryerja e një pune të papërshtatshme, në një vend të papërshtatshëm, në një kohë të papërshtatshme, pranë personave të papërshtatshëm, me mjete apo vegla të papërshtatshme. Nëse puna, koha, vendi, personat, mjetet janë të papërshtatshme atëherë ky proces apo kjo masë nuk duhet të vendoset. Të papërshtatshme do të konsiderohen të gjitha ato veprime ose detyrime që nëse kryhen prej të miturit mund të shkaktojnë dëmtimin e tij fizik ose psikologjik dhe mund t'i sjellin përkeqësime gjendjes së tij shëndetësore, emocionale dhe sociale.

       

      1. Në pikën 3 të nenit 63 parashikohet rasti i mos marrjes së pëlqimit nga prindi për fëmijën, kur midis prindërve dhe vetë të miturit mund të ketë një "konflikt interesi". Rastet e konfliktit të interesit janë ato kur prindi nuk është i besueshëm se mbron interesat e fëmijës dhe ka fakte që tregojnë se një nga shkaqet e futjes së të miturit në rrugën e kriminalitetit është vetë sjellja e prindit. Të tilla mund të jenë rastet kur prindi është i përfshirë në veprën penale si i akuzuar ose si viktimë. Në mënyrë të veçantë këtu do të radhisnim rastet e dhunës në familje, ku viktima është fëmija dhe prindi është dhunues, por mund të jenë edhe raste kur prindi dhe fëmija kanë kryer së bashku një vepër penale në të njëjtën kohë ose në kohë të ndryshme.

       

      1. Në shkronjën a) të paragrafit 4 të nenit 63 parashikohet rregulli që i mituri duhet "të pranojë dhe të tregojë se e kupton përgjegjësinë për veprën penale", i cili në vetvete ka dy veprime llogjike të cilat duhet të kryhen nga i mituri. Së pari, i mituri duhet të kuptojë që veprimi ose mosveprimi që ka kryer, të jetë i tillë që sjell përgjegjësi penale për shkak të rrezikshmërisë së tij ose të pasojës dhe së dyti, që i mituri të pohojë se pranon që e ka kryer veprën penale. Të dyja këto veprime janë të lidhura fort me njëra-tjetrën dhe janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme me procesin e drejtësisë restauruese dhe të ndërmjetësimit, sepse nuk mund të pranosh të shlyesh apo të korrigjosh pasojat e një vepre penale, nëse kundërshton që e ke kryer atë dhe nëse kundështon që të kuptosh që ajo që ke bërë është e rrezikshme për të tjerët dhe për shoqërinë dhe si e tillë, nuk duhet të përsëritet më në të ardhmen. Ka rrezik që një fëmijë të mund të ndikohet në mënyrë të padrejtë, për të pranuar përgjegjësinë për një shkelje në kurriz të të drejtës së tij/saj për të heshtur. Rreziqet e mundshme janë të lidhura me të drejtat e fëmijës së akuzuar për një gjyq të ndershëm dhe një process të drejtë. Fëmijët nuk dërgohen në një program ose alternativë tjetër në vend të mundësisë për tu proceduar. Me fjalë të tjera, nëse nuk ka prova të mjaftueshme për të proceduar një çështje, nuk mund t’i drejtohet mundësisë së diversionit për të arritur një rezultat që nuk mund ta marrë ndryshe. Fëmijët nuk duhet të ndikohen në mënyrë të padrejtë për të pranuar përgjegjësinë për një shkelje. Për të qenë në përputhje me të drejtat e fëmijës, drejtësia restauruese duhet të ndjekë disa rregulla bazë. Alternativat duhet të përdoren vetëm në rastet kur fëmijët e pranojnë shkeljen dhe pranojnë një seancë jogjyqësore. Në asnjë fazë fëmijët nuk duhet të detyrohen të pranojnë një shkelje ose program të drejtësisë restauruese. Prandaj, duhet bërë kujdes që fëmija të kuptojë të drejtën e tij/saj për të heshtur dhe/ose të mos ndikohet në mënyrë të padrejtë që të pranojë përgjegjësinë; fëmija ose prindërit e tij/saj duhet të bien dakord me drejtësinë restauruese. Çështja duhet të referohet në sistemin gjyqësor nëse nuk ka një zgjidhje të pranueshme për të gjithë ose nëse alternativat e disponueshme nuk janë të përshtatshme. Fëmija gjithmonë ka të drejtën e një shqyrtimi gjyqësor dhe të drejtat e njeriut dhe garancitë ligjore të KDPM duhet të respektohen gjithmonë plotësisht.

       

      1. Në shkronjën b) të paragrafit 4 të nenit 63 parashikohet detyrimit i të miturit të akuzuar për kryerjen e një vepre penale, për kompensimin e dëmit. Në këtë, përdoret shprehja "të kompensojë dëmin e shkaktuar" viktimës, komunitetit dhe/ose shoqërisë. Kjo shprehje i referohet pasojave të veprës penale të cilat mund të paraqiten në disa forma: (i) si dëm material i shkaktuar ndaj pasurisë apo të ardhurave të të miturit dhe familjes së tij ose komunitetit; (ii) si dëm material ndaj shëndetit fizik e mendor të të miturit që krijon nevojën e mjekimit, shërimit, marrjes së medikamenteve, kryerjes së terapive, e të tjera; (iii) si dëm jomaterial i shkaktuar ndaj dinjitetit, personalitetit dhe figurës së të miturit; (iv) si dëm i shkaktuar ndaj jetës private të të miturit, e të tjera. Kompensimi është llogaritja në të holla e të gjitha humbjeve me karakter pasuror dhe jopasuror të shkaktuara nga veprimi penal i të akuzuarit. Viktima mund të kërkojë shpërblimin e dëmit në rastet kur gjendja e saj rezulton e përkeqësuar pas kryerjes së veprës penale në drejtim të shëndetit fizik, mendor, stabilitetit psikologjik. Juridikisht kërkimi i kompensimit të dëmit bëhet me anë të padisë civile të shpërblimit të dëmit, ndërsa në rastin e ndërmjetësimit, kompensimi arrihet si pjesë e marrëveshjes së palëve.

       

      1. Në shkronjën c) të paragrafit 4 të nenit 63 përdoret shprehja "t’i kërkojë falje viktimës". Kërkimi i faljes është një nga pikat e marëveshjes së ndërmjetësimit. "Falja" është një proces ballafaqimi i palëve me njëra-tjetrën dhe nga pikëpamja formale mund të bëhet me gojë ose me shkrim. "Falja" nuk kërkon ndonjë solemnitet të caktuar, por është një proces tërësisht individual, sepse çdo person pavarësisht nëse është i mitur ose i rritur ka mënyrën e tij se si kërkon falje dhe mënyrën që preferon se si duhet që të tjerët t'i kërkojnë falje. Për këtë arsye, mjafton që falja të pranohet nga viktima në formën që kjo e fundit e kërkon për t'u realizuar.

       

      1. Në shkronjën ç) të paragrafit 4 të nenit 63 parashikohet se veprimet që priten të kryen nga i akuzuar për efekt të ndërmjetësimit duhet të jenë "të pranueshme" edhe nga viktima ose/dhe komuniteti. Që një proces restaurimi apo ndërmjetësimi të konsiderohet i suksesshëm duhet që veprimet që ofron të kryejë i akuzuari për të korrigjuar gabimet e tij dhe pasojat e veprës penale duhet të pranohen nga viktima. Në këtë pikë neni 63 e ngre pranimin individual edhe një shkallë më lartë, në pranueshmërinë e shoqërisë ndaj korrigjimit të pasojave të veprës penale. Në këtë mënyrë, ky pranim duhet të jetë i tillë që të ngrihet në nivelin e rregullave të pranueshme morale, etike dhe qytetare që pranohen dhe zbatohen nga të gjithë. Pranueshmëria lidhet me një sjellje që në publik vlerësohet si një sterioptip pozitiv. Ligjvënësi kujdeset ta bëjë këtë rregullim, sepse mund të ndodhë që viktima për hir të zhdukjes së attmosferes armiqësore që ka me të akuzuarin mund të pranojë edhe veprime që vënë në dyshim vullnetin dhe dinjitetin e tij. Për kërë arsye, që kjo pranueshmëri të konsiderohet e plotë dhe e vlefshme e të mos cenojë vlefshmërinë e marrëveshjes së ndërmjetësimit, duhet të jetë e pranuar edhe nga komuniteti i gjerë.

       

      1. Në pikën 5 të nenit 63 parashikohet shprehja "të punës në interes publik" ... Po ashtu, në pikën 5 të nenit 63 flitet për "çdo program tjetër që çon në rehabilitimin e pasojave të veprës penale". Lidhur me këtë lexuesi i nenit 63 duhet të lexojë paralelisht nenet 101 të dhe 102 të KDPM, ku sqarohet kuptimi i këtyre masave apo programeve.

       

      1. Në pikën 6 të nenit 63 trajtohet "ndërmjetësimi familjar dhe në grup". Sistemi i drejtësisë për të miturit, duhet të shihet si një komponent i një strategjie më të gjerë, me bazë komunitetin për të parandaluar kriminalitetin tek të miturit, që merr parasysh në një shkallë më të gjerë familjen, shkollën, lagjen si dhe kontekstin e grupeve të një moshe, brenda të cilit ndodh shkelja e ligjit. Lidhëza "dhe" që i lidh të dy krijon idenë e një përfshirje me karakter kumullativ, në kuptimin se ndërmjetësimi familjar mund të jetë në të njëjtën kohë edhe ndërmjetësim në grup ku në përbërjen e secilës prej palëve janë dy ose më shumë përfaqësues nga familja e viktimës dhe nga familja e të akuzuarit të mitur. Pika 6 i referohet më tepër rastit kur nga njëra anë është jo vetëm i akuzuari, por edhe familja e tij. Pra, mjafton që në njërën nga palët të ketë më shumë se dy persona, atëherë ndërmjetësimi do të konsiderohet në grup. Ndërmjetësimi në grup zakonisht realizohet kur personat kanë më shumë se një lidhje që i sjell bashkë me njëri-tjetrin, të tilla si mosha, shkolla, e të tjera. Ata mund të jenë shokë klase, banojnë në të njëjtin pallat, luajnë në të njëjtin ekip futbolli, e të tjera. “Konferencat familjare dhe me grupe të komunitetit”, të cilat janë zhvilluar në disa vende me shumë sukses përfaqësojnë një shembull të pjesëmarrjes të komunitetit në sistemin e drejtësisë penale. Ato mbledhin së bashku jo vetëm viktimën dhe kundërvajtësin, por edhe të afërm të kundërvajtësit dhe, persona të tjerë mbështetës nga komuniteti, agjenci të caktuara (si përfaqësues nga policia dhe drejtësia për të miturit) dhe ndonjëherë persona mbështetës për viktimën. Kundërvajtësi dhe familja e tij pritet që të prodhojnë një marrëveshje të hollësishme, që përmban dëmshpërblimin, sanksionet dhe detyrimet, e cila është e kënaqshme për viktimën dhe gjithashtu kjo marrëveshje, mendojnë ata do ta ndihmojë kundërvajtësin të mos futet më në telashe të tjera.

       

      1. Mundësia e pjesëmarrjes së personave të tjerë parashikohet në pikën 6 të nenit 63. Është në diskrecion të palëve, prania e të tjerëve. Pra, ky pëlqim është dytësor kundrejt pëlqimit parësor të vetë palëve për të hyrë në procedurën e ndërmjetësimit. Këto janë negociata të dyta dhe që nuk kanë të bëjnë me thelbin, por me pjesëmarrësit në proces. Këtu listohen: familjarët, mbrojtësit, përfaqësuesi ligjor i të miturit, psikologu, punonjësi i Njësisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës, e të tjerë. Dispozita nuk shpjegon se çfarë roli kanë këta persona dhe çfarë qëllimi ka pjesëmarrja e tyre në procesin e ndërmjetësimit, megjithatë mund të themi se edhe po t'i analizojmë të gjithë së bashku në grup, ashtu edhe kur i shohim veçmas, secili nga personat e listuar si "të tjerë" janë persona që ofrojnë dhe sigurojnë mbrojtjen sa më të mirë dhe sa më të kujdeshme të interesave të të miturit dhe parandalimin e kryerjes së veprës në të ardhmen si rezultat i hakmarrjes.

       

      [1] Sipas këtij neni me titull ‘Procedura për ndërmjetësim në procesin penal’ kemi: 1. Gjykata, në përputhje me nenet 333 dhe 338 të Kodit të Procedurës Penale, fton palët për zgjidhjen me ndërmjetësim të mosmarrëveshjes objekt gjykimi, … duke iu caktuar palëve një afat në përputhje me natyrën e mosmarrëveshjes. 2. Secila nga palët ka të drejtë të kërkojë në çdo kohë rifillimin e gjykimit.

      [2] Shih neni 14 i Ligjit nr. 10835/2011 “Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve". Aksesohet në: http://www.drejtesia.gov.al/files/userfiles/Komisioni_i_licensimit/Ligji_nr_10385_dt_24.02.2011.pdf 

      1. Në legjislacionin shqiptar është hera e parë që parashikohet në nivelin e një Kodi një rregullim i tillë si ai i nenit 63 të KDPM-së ku specifikohen hapat proceduralë siç parashikojnë pikat 2, 3, 4 dhe 5 të këtij neni. Më konkretisht, KPP i miratuar me ligjin nr. nr.7905, datë 21.3.1995, ndryshuar” me ligjin nr. 8460, datë 11.2.1999, me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002, ligjin nr. 9085, datë 19.6.2003, me ligjin nr. 9276, datë 16.9.2004, me ligjin nr. 9911, datë 5.5.2008, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 31, datë 17.5.2012, me ligjin nr. 145/2013, datë 2.5.2013, me ligjin Nr. 35/2017 nuk e kishte një dispozitë të ngjashme para miratimit të KDPM.

       

      1. Në aspektet e tjera që lidhen me përmbajtjen e nenit 63, para miratimit të KDPM, disa rregullime kanë qenë parashikuar pjesërisht në ligjin Nr. 10385, datë 24.2.2011 "Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve". Ky ligj në nenin 14 parashikonte procedurën për ndërmjetësim në procesin penal dhe se gjykata, në përputhje me nenet 333 dhe 338 të KPP, kishte të drjetë të ftonte palët për zgjidhjen me ndërmjetësim të mosmarrëveshjes objekt gjykimi, duke iu caktuar palëve një afat në përputhje me natyrën e mosmarrëveshjes. Sipas këtij parashikimi, secila nga palët kishte të drejtë të kërkonte në çdo kohë rifillimin e gjykimit.

       

      1. Përpara ligjit 10385, datë 24.2.2011, në kronologji më të vjetër ishte në fuqi ligji nr. 9090, datë 26.6.2003 "Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve", i cili kishte një dispozitë analoge me nenin 64 të KDPM. Ky ishte neni 17 që parashikonte afatin 45 ditor të procedurës së ndërmjetësimit kur çështja ishte dërguar nga gjykata ose prokuroria. Në rastin kur konflikti zgjidhej me anë të ndërmjetësimit, organet gjyqësore e të prokurorisë vendosnin pushimin e çështjes penale ose refuzimin e fillimit të procedimit penal, si dhe bënin shënimet në regjistrat përkatës. Përpara ligjit nr. 9090, datë 26.6.2003 "Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve", ishte në fuqi ligji nr. 8465, datë 11.03.1999, i cili në nenin 13 të tij parashikonte se në rastet kur gjykata ose prokuroria çmonin se konflikti mund të zgjidhej me ndërmjetësim dhe palët nuk kishin kundërshtim, pezullonin shqyrtimin e çështjes dhe ia dërgonin çështjen për shqyrtim, ndërmjetësit. Në qoftë se mosmarreveshja nuk zgjidhej me ndërmjetësim, atëhere gjykata/prokuroria rifillonin procedimin ligjor me kërkesën e palëve.
      1. Rekomandimi (2008) 11 i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës për Rregullat që lidhen me dënimin ose masa të tjera për të miturit e akuzuar. [1]

       

      1. Rekomandimi Nr. (2006)8 i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës lidhet me asistencën e viktimave të krimit.[2]

       

      1. Rekomandimi Nr. (99) 19 i Komitetit të Ministrave të KE-së për vendet anëtare lidhet me ndërmjetësimin në çështjet penale dhe komentari përkatës[3].

       

      1. Rekomandimi nr. R (87) 20[4] i Komitetit të Ministrave të KE-së për vendet anëtare mbi reagimet shoqërore ndaj të miturve të akuzuar për kryerjen e veprave penale i bën thirrje qeverive të vendeve anëtare për të rishikuar legjislacionin dhe praktikën e tyre me qëllim të inkurajimit dhe zhvillimit të procedurave të shmangies dhe ndërmjetësimit.

       

      [1] Aksesohet në: https://www.unicef.org/tdad/councilofeuropejjrec08(1).pdf

      [2] Aksesohet në: https://victimsupport.eu/activeapp/wp-content/uploads/2012/09/Rec_Council-of-Europe11.pdf

      [3]  Aksesohet në:  http://www.mediacio.hu/files/EU_dok/CoE_R(99)19_mediation.pdf

      [4]  Aksesohet në:  http://archivio.transnazionalita.isfol.it/file/CoE_Rec_R87-20%20Eng.pdf.

  • Asnjë koment
    1. Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, Qershor 2015, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë.[1]

     

    [1] http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf,

    1. Ligji Nr. 10385, datë 24.2.2011 "Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve", i cili në nenet 14, 23, pika 1 dhe 2 të tij parashikon procedurën për ndërmjetësim në procesin penal.
    1. “Rregullorja për bashkëpunimin e Shërbimit të Provës me OJF-të dhe Shërbimin e Ndërmjetësimit”, Nr. 302, Datë 25.03.2009.
  • Asnjë koment
    1. Abramson, B. (2000) Juvenile Justice: The ‘Unwanted Child’ of State Responsibilities. An Analysis of the Concluding Observations of the UN Committee on the Rights of the Child, in Regard to Juvenile Justice from 1993 to 2000. International Network on Juvenile Justice/Defence for Children International. Available at ww.defence-for-children.org.

     

    1. Amnesty International (1998) Betraying the Young: Children in the US Justice System. AI Index AMR 51/60/98. Available at: www.web.amnesty.org;

     

    1. Asquith, S. (1996) Juvenile Justice and Juvenile Delinquency in Central and Eastern Europe. University of Glasgow, Centre for the Child and Society. Available at: www.eurochild.gla.ac.uk

     

    1. Bailleau, F. (1998) ‘A Crisis of Youth or of Juridical Response?’, in V. Ruggiero, N. South and I. Taylor (eds) The New European Criminology, pp.95-103. London: Routledge. http://journals.sagepub.com/doi/abs/10.1177/1362480605048942.

     

    1. Bala, N., J. Hornick, H. Snyder and J. Paetsch (eds) (2002) Juvenile Justice Systems: An International Comparison of Problems and Solutions. Toronto: Thompson. http://journals.sagepub.com/doi/abs/10.1177/1362480605048942 .

     

    1. Bauman, Z. (1998) Globalisation: The Human Consequences. Cambridge: Polity. https://www.theguardian.com/ëorld/2017/jul-the-world.

     

    1. Bazemore, G. and L. Walgrave (eds) (1999) Restorative Juvenile Justice: Repairing the Harm of Youth Crime.Neë York: Criminal Justice Press. http://journals.sagepub.com/doi/abs/10.1177/14624740222228464 .

     

    1. Beck, U. (2000) What Is Globalisation? Cambridge: Polity. http://www.socresonline.org.uk/7/2/beck_tomlinson.html.

     

    1. Bell, V. (1993) ‘Governing Childhood: Neo-Liberalism and the Law’, Economy and Society 22(3): 390-403. https://books.google.al/books?id=YiKi3GH.

     

    1. Blagg, H. (1997) ‘A Just Measure of Shame? Aboriginal Youth and Conferencing in Australia’, British Journal of Criminology 37(4): 481-501. http://research-repository.uwa.edu.au/en-shame-aboriginal-youth-and-conferencing-in-australia.

     

    1. Braithwaite, J. (2003) ‘Restorative Justice and a Better Future’, in E. McLaughlin et al. (eds) Restorative Justice: Critical Issues. London: Sage Publications. https://academic.oup.com/bjc/article-ab-Justice-Will-Not-Reduce?redirectedFrom=fulltext.

     

    1. Buckland, G. and A. Stevens (2001) Review of Effective Practice with Young Offenders in Mainland Europe, 157-163. London: Youth Justice Board/European Institute of Social Services. http://journals.sagepub.com/doi/abs/10.1177/1362480605048942 .

     

    1. Carozza, P. (2003) ‘From Conquest to Constitutions: Retrieving a Latin American Tradition of the Idea of Human Rights’, Human Rights Quarterly 25(2): 281-313. http://scholarship.law.nd.edu/cgi/vieëcontent.cgi?article=1584&context=law_faculty_scholarship.

     

    1. Children’s Rights Alliance (2002) State of Children’s Rights in England. London: CRA for England.  https://www.childrenincrisis.org.

     

    1. Christie, N. (2000) Crime Control as Industry. London: Routledge.  https://scholar.google.com.

     

    1. Clarke, J. (2000) ‘A World of Difference? Globalisation and the Study of Social Policy’, in G. Lewis, S. Gewirtz and J. Clarke (eds) Rethinking Social Policy, pp. 201-216. London: Sage Publications.  https://scholar.google.com.

     

    1. Council of Europe (1998) Penological Information Bulletin, no. 21. Strasbourg: Council of Europe.

     

    1. Council of Europe (2000) European Sourcebook of Crime and Criminal Justice Statistics. Strasbourg: Council of Europe. http://wp.unil.ch/europeansourcebook/files/2012/06/European-Sourcebook_1st-ed_1999-1.pdf.

     

    1. Crawford, A. (2001) ‘The Groëth of Crime Prevention in France as Contrasted with the English Experience’, in G. Hughes, E. McLaughlin and J. Muncie (eds) Crime Prevention and Community Safety: New Directions, pp. 214-39. London: Sage Publications.  https://scholar.google.com.

     

    1. Crawford, A. (2002) ‘The Governance of Crime and Insecurity in an Anxious Age: The Trans-European and the Local’, in A. Crawford (ed.) Crime and Insecurity: The Governance of Safety in Europe, pp. 27-51. Cullompton: Willan.  https://scholar.google.com.

     

    1. Cross, N., P. Evans and J. Minkes (2003) ‘Still Children First? Developments in Youth Justice in Wales’, Youth Justice 2(3): 151-162.  https://scholar.google.com.

     

    1. Cunneen, C. and R. White (2002) Juvenile Justice: Youth and Crime in Australia. Melbourne: Oxford University Press. https://researchonline.jcu.edu.au/19680/.

     

    1. De Haan, W. (1990) The Politics of Redress. London: Unwin Hyman.  https://www.ncjrs.gov/App/abstractdb/AbstractDBDetails.aspx?id=125907.

     

    1. Doek, J. (2002) ‘Modern Juvenile Justice in Europe’, in M. Rosenheim, F. Zimring , D. Tanenhaus and B. Dohrn (eds) A Century of Juvenile Justice, pp. 505-528. Chicago, IL: University of Chicago Press. http://journals.sagepub.com/doi/abs/10.1177/1362480605048942

     

    1. Fionda, J. (1998) ‘The Age of Innocence? The Concept of Childhood in the Punishment of Young Offenders’, Child and Family Laë Quarterly 10(1): 77-87 http://eprints.kingston.ac.uk/12371/

     

    1. Freeman, M. (2002) ‘Children’s Rights Ten Years after Ratification’, in B. Franklin (ed.) The New Handbook of Children’s Rights, pp. 97-118. London: Routledge http://journals.sagepub.com/doi/abs/10.1177/1362480605048942

     

    1. Goldson, B. (2000) ‘Children in Need or Young Offenders?’. Child and Family Social Work 5(3): 255-265 http://onlinelibrary.wiley.com/doi/10.1046/j.1365-2206.2000.00161.x/abstract

     

    1. Harris-Short, S. (2003) ‘International Human Rights Law: Imperialist, Inept and Ineffective? Cultural Relativism and the UN Convention on the Rights of the Child’, Human Rights Quarterly 25(1): 130-181 https://muse.jhu.edu/article/38764/summary

     

    1. Jones, J. and T. Neëburn (2002) ‘Policy Convergence and Crime Control in the USA and the UK’, Criminal Justice 2(2): 173-203. https://books.google.al

     

    1. Junger-Tas, J. (2002) ‘The Juvenile Justice System: Past and Present Trends in Western Society’, in I. Weijers and A. Duff (eds) Punishing Juveniles, pp. 23-44. Oxford: Hart Justice (2004) Restorative Justice: The Ëay Ahead. London: Justice. http://journals.sagepub.com

     

    1. Kempf-Leonard, K. and E. Peterson (2000) ‘Expanding Realms of the New Penology: The Advent of Actuarial Justice for Juveniles’, Punishment and Society 2(1): 66-97. http://journals.sagepub.com/doi/abs/10.1177/17488958020020020501

     

    1. Komen, M. (2002) ‘Dangerous Children: Juvenile Delinquency and Judicial Intervention in the Netherlands, 1960-1995’, Crime, Laë and Social Change 37: 379-401. https://link.springer.com/article/10.1023/A:1016011826864.

     

    1. Kuure, T. (2002) ‘Law Custody in Finland’, paper given at the Children Law UK/NACRO Conference, ‘Reducing Custodial Sentencing for Young Offenders: The European Experience’, London, 23 October.

     

    1. Mears, D. (2002) ‘Sentencing Guidelines and the Transformation of Juvenile Justice in the 21st Century’, Journal of Contemporary Criminal Justice 18(1): 6-19. http://journals.sagepub.com/author/Alberola%2C+Cristina+Rechea

     

    1. Rechea Alberola, C. and E. Fernandez Molina (2003) ‘Juvenile Justice in Spain: Past and Present’, Journal of Contemporary Criminal Justice, 19(4): 384-412. http://journals.sagepub.com/doi/abs/10.1177/1043986203258804

     

    1. Schaffner, L. (2002) ‘An Age of Reason: Paradoxes in the US Legal Construction of Adulthood’, International Journal of Children’s Rights 10: 201-232. https://www.researchgate.net/publication/An_age_of_reason

     

    1. Scraton, P. and D. Haydon (2002) ‘Challenging the Criminalisation of Children and Young People: Securing a Rights Based Agenda’, in J. Muncie, G. Hughes and E. McLaughlin (eds) Youth Justice: Critical Readings, pp.311-328. London: Sage Publications. http://journals.sagepub.com/doi/abs/10.1177/1362480605048942

     

    1. Manual për Punonjësin e Shërbimit të Provës, OSCE http://www.osce.org/albania/80121?doënload=true

     

    1. Manual Shërbimi i Ndërmjetësimit dhe Drejtësia Restauruese për të Miturit në Konflikt me Ligjin Për procedurat e ndërmjetësimit përmes gjykatës https://albania.savethechildren.net/sites/albania.savethechildren.net/files/library/Gjykata_rev_11.pdf

     

    1. Strategjia Ndërsektoriale e Parandalimit, Luftës Kundër Korrupsionit e Qeverisjes Transparente, 2008 - 2013 parashikon nevojen për trainimin dhe kualifikimin e grupit te mediatoreve qe do te merren me ndermjetesimin ne çeshtjet penale, civile, familjare dhe administrative http://shtetiweb.org/wp-content/uploads/2014/05/strategji_lufta-kunder-korrupcionit_2008_diaca.pdf
  • Ligje 

    1. Ligji nr. 9090, datë 26.6.2003 "Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve"[1] kishte një dispozitë analoge me nenin 64 të KDPM. Ky ishte neni 17 që parashikonte afatin 45 ditor të procedurës së ndërmjetësimit kur çështja ishte dërguar nga gjykata ose prokuroria. Në rastin kur konflikti zgjidhej me anë të ndërmjetësimit, organet gjyqësore e të prokurorisë vendosnin pushimin e çështjes penale a civile ose refuzimin e fillimit të procedimit penal, si dhe bënin shënimet në regjistrat përkatës.

     

    1. Ligji nr. 8465, datë 11.03.1999, Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve" Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve"[2] i cili në nenin 13 të tij parashikonte se në rastet kur gjykata ose prokuroria çmonin se konflikti mund të zgjidhej me ndërmjetësim dhe palët nuk kishin kundërshtim, pezullonin shqyrtimin e çështjes dhe ia dërgonin çështjen për shqyrtim, ndërmjetësit. Në qoftë se mosmarreveshja nuk zgjidhej me ndërmjetësim, atëhere gjykata/prokuroria rifillonin procedimin ligjor me kërkesën e palëve. 

     

    1. KPP miratuar me ligjin Nr. 7905, DATË 21.3.1995, ndyshuar me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002[3] me ligjin nr. 10 054, datë 29.12. 2008[4], me ligjin 145/2013[5], me ligjin 35/2017[6], në nenin 59, për viktimën akuzuese parashikon se: ai që është dëmtuar nga veprat penale të parashikuara nga nenet 90, 91, 92, 112 paragrafi i parë, 119,119/b, 120, 121, 122, 125, 127, 148, 149 dhe 254 të Kodit Penal ka të drejtë të paraqesë kërkesë në gjykatë dhe të marrë pjesë në gjykim si palë për të vërtetuar akuzën dhe për të kërkuar shpërblimin e dëmit. Prokurori merr pjesë në gjykimin e këtyre çështjeve dhe, sipas rastit, kërkon dënimin e të pandehurit ose pafajësinë e tij. Nëse i dëmtuari akuzues ose mbrojtësi i caktuar prej tij nuk paraqitet në seancë pa shkaqe të arsyeshme, gjykata vendos pushimin e gjykimit. Po ashtu, KPP edhe në nenin 284, pika 5 parashikon se për rastet e parashikuara nga neni 59, ankimi bëhet në gjykatë nga i dëmtuari akuzues.

     

    [1] www.pp.gov.al/ëeb/ligj_per_ndermjetesimin_37.pdf

    [2] www.ikub.al/LIGJE/903110038/Article-Per-ndermjetesimin-per-zgjidhjen-me-pajtim-te-mosmarreveshjeve-.aspx

    [3] www.qbz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2002/PDF-2002/77-2002.pdf

    [4] www.qbz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2008/PDF-2008/205-2008.pdf,

    [5] www.qbz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2013/PDF-2013/83-2013.pdf,

    [6] www.parlament.al/ëp-content/uploads/2017/04/ligj-nr.-35-dt.-30.3.2017.pdf

Marjana Semini
Arta Mandro, Koraljka Bumči