KODI I PROCEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   7905

Neni -----: Dispozitë kalimtare e Ligjit Nr. 35/2017

1Ky ligj hyn në fuqi më datë 1 Gusht 2017.

2Deri në krijimin e Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, çështjet penale në kompetencën lëndore të saj, sipas nenit 75/a të Kodit të ndryshuar me këtë ligj, do të gjykohen, përkatësisht, nga Gjykata për Krimet e Rënda dhe gjykatat e rretheve gjyqësore.

3Pas krijimit të Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, çështjet në gjykim para gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm, si dhe çështjet për të cilat mund të vendoset rigjykimi, do të përfundohen nga këto të fundit.

4Aktet dhe provat e marra deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji janë të vlefshme dhe të përdorshme edhe në rastet kur ky ligj parashikon rregullime të ndryshme.

5Deri në krijimin e Prokurorisë së Posaçme, çështjet në hetim për veprat penale apo subjektet e parashikuara në nenin 75/a të Kodit të ndryshuar me këtë ligj, do të hetohen përkatësisht nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe prokuroritë pranë gjykatave të rretheve gjyqësore, sipas kompetencës të përcaktuar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji.

6Pas krijimit të Prokurorisë së Posaçme, çështjet në hetim në prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda transferohen sipas kompetencës Prokurorisë së Posaçme sipas nenit 75/a të Kodit të ndryshuar me këtë ligj dhe prokurorive pranë gjykatave të rretheve gjyqësore. I njëjti rregull zbatohet edhe për çështjet në hetim në prokuritë pranë gjykatave të rretheve gjyqësore, të cilat kalojnë në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme.

7Pikat 7 dhe 8 të nenit 57 të Ligjit Nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” shfuqizohen.

8Përbërja e trupave gjykues rregullohet sipas përcaktimeve të këtij ligji, pavarësisht parashikimeve të ndryshme në ligje të tjera.

Përmbajtja

      1. Dispozitat synojnë të shmangin çdo paqartësi në zbatimin e ligjit në momentin e hyrjes në fuqi të tij dhe në periudhën tranzitore, deri në krijimin e gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke garantuar zbatimin e drejtë të ligjit procedural penal.
      1. Dispozita tranzitore ka si objekt të rregullojë sidomos problemet në vijim: 
      • datën e hyrjes në fuqi të ligjit nr.35/2017;
      • rregullat procedurale që do të ndiqen nga prokuroritë dhe gjykatat për çështjet që janë në shqyrtim në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit, duke përfshirë dhe përbërjen e trupave gjykues;
      • vlefshmërinë e veprimeve dhe akteve procedurale të kryera sipas rregullave përpara hyrjes në fuqi të ligjit.
      1. Ndryshimet dhe shtesat e miratuara me ligjin Nr.35/2017 hynë në fuqi më 1 gusht 2017. Nisur nga parimi i njohur i veprimit në kohë të ligjit procedural penal, normat e reja procedurale fillojnë të zbatohen nga çasti i hyrjes së tyre në fuqi.[1] Dallimi mes hyrjes në fuqi dhe fillimit të zbatimit të ligjit material dhe atij procedural është analizuar disa herë si nga Gjykata Kushtetuese (GJK), ashtu edhe nga Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë (KBGJL). Në këto vendime është theksuar se ndryshe nga e drejta penale materiale, ku zbatohet parimi se ligji i ri nuk ka fuqi prapavepruese, me përjashtim të rasteve kur ai është në favor të të pandehurit, në procedurën penale, ligji i ri ka fuqi edhe ndaj marrëdhënieve procedurale të lindura para hyrjes së tij në fuqi, për çështje që gjenden në hetim apo gjykim, me përjashtim të rasteve kur vetë ligji parashikon ndryshe.[2]

       

      1. Vonesat në implementimin e plotë të ligjeve të reformës në drejtësi kanë sjellë disa vështirësi për zbatuesit e ligjit penal[3]. Gjithsesi, duhet theksuar se fakti që gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ende nuk janë themeluar ndikon në interpretimin e kompetencave lëndore të gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm, si dhe të gjykatave për krimet e rënda, të cilat pushojnë së ekzistuari pasi të jenë themeluar gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Për këto arsye, situatën ndërmjetëse deri në krijimin e gjykatave të reja kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të Prokurorisë së Posaçme, ligjvënësi e ka zgjidhur me miratimin e disa dispozitave kalimtare, një zgjidhje e pranueshme në pikëpamje të teknikës legjislative.

                 

      1. Neni 75/a i KPP, para ndryshimeve, përcaktonte kompetencat lëndore të gjykatave për krimet e rënda, ndërsa me ndryshimet e fundit përcakton kompetencat lëndore të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.[4] Ky nen (75/a), as përpara e as pas ndryshimeve, nuk përcaktonte kompetencat lëndore të gjykatave të rretheve gjyqësore. Kompetencat lëndore të tyre kanë qenë dhe janë ende të përcaktuara në nenin 74 të KPP-së. Në tërësi, është e rëndësishme të përmendet se gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk marrin të gjitha kompetencat lëndore të gjykatave për krimet e rënda dhe se kompetenca lëndore do të pësojë ndryshime edhe për gjykatat e rretheve gjyqësore (duke pasqyruar ndryshimet në kompetencat lëndore për gjykatat e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar).

       

      1. Pika 1 e dispozitave kalimtare parashikon kompetencat e gjykimit deri në krijimin e Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar: “...çështjet penale në kompetencën lëndore të saj, sipas nenit 75/a, të Kodit të ndryshuar me këtë ligj, do të gjykohen, përkatësisht, nga Gjykata për Krimet e Rënda dhe gjykatat e rretheve gjyqësore.”. Siç u citua më sipër, neni 75/a nuk ka rregulluar kurrë kompetencat e gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm. Duke pasur parasysh ndryshimet në kompetenca lëndore ndërmjet gjykatave të rretheve gjyqësore dhe gjykatave të posaçme për korrupsionin dhe krimin e organizuar (që nuk janë ngritur ende), e vetmja mënyrë për të interpretuar pikën 1 në përputhje me vullnetin e ligjvënësit, është se të gjitha krimet e parashikuara në nenin 75/a, të ndryshuar, duhet të gjykohen nga të dyja juridiksionet: gjykatat për krimet e rënda dhe gjykatat e rretheve gjyqësore, në të njëjtën mënyrë siç janë gjykuar deri në ndryshimet e fundit.[5] Kjo nënkupton se deri në krijimin e gjykatave të posaçme, gjykatat për krimet e rënda dhe gjykatat e rretheve gjyqësore vazhdojnë të ruajnë kompetencën e tyre lëndore.[6] I njëjti përfundim si për pikën 1 rezulton edhe nga pika 2 e të njëjtit nen. Nga përmbajtja e saj del qartë që të gjitha çështjet që janë në pritje të gjykimit përpara gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm (gjykatat e rretheve gjyqësore) në kohën e krijimit të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, do të përfundohen nga të njëjtat gjykata, çka nënkupton gjykatat e rretheve gjyqësore përkatëse.

       

      1. Pra, pika 2 e dispozitave kalimtare zgjidh dy probleme: a) kompetencën e gjykimit të çështjeve, të cilat në çastin e krijimit të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ndodhen ende në gjykim, në gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm të shkallës së parë ose apelit, siç u përmend pak më sipër, dhe b) kompetencën e gjykimit të çështjeve të shqyrtuara nga gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm për të cilat është vendosur rigjykimi pas krijimit të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në këto raste, ligjvënësi ka parashikuar që të gjitha këto çështje do të vijojnë të gjykohen nga të njëjtat gjykata, duke shmangur kështu, nga njëra anë, transferimin e çështjeve nga gjykatat e rretheve gjyqësore drejt gjykatave të posaçme (çka do të shkaktonte konfuzion dhe eventualisht zvarritje në gjykim) dhe, nga ana tjetër, ngarkesën e panevojshme, dhe eventualisht, bllokimin e punës së gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar me çështje të gjykuara përpara krijimit të tyre. Për çështjet të cilat janë gjykuar nga gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm, për të cilat kthimi për rigjykim vendoset pas krijimit të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, do të rigjykohen nga gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm. Duket se ligjvënësi ka dashur të shmangë problemet e hasura në praktikën gjyqësore në lidhje me zbatimin e ndryshimeve të rregullave mbi kompetencën lëndore, për çështjet të cilat kthehen për rigjykim pas ndryshimeve të kryera.[7]

       

      1. Ligjvënësi nuk është shprehur për rastin kur çështja, e cila kthehet për rigjykim pas krijimit të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, është gjykuar nga gjykatat për krimet e rënda, duke vlerësuar se në këtë rast zbatohet rregulli i përgjithshëm mbi kompetencën lëndore, sipas të cilit çështjet do të kalojnë për rigjykim në gjykatat që u përket kompetenca lëndore në momentin e marrjes së vendimit për rigjykimin. Ato do të jenë, rast pas rasti, ose gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm (sipas kompetencës tokësore) ose gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kjo ndarje do të bëhet mbi bazën e parashikimeve të nenit 75/a të KPP, të ndryshuar.

       

      1. Gjithashtu, ligjvënësi ka heshtur sa u takon çështjeve që, në çastin e krijimit të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndodhen ende në gjykim në gjykatat për krimet e rënda, në shkallë të parë ose në apel. Duke qenë se këto gjykata pushojnë së ekzistuari, është afërmendsh që në periudhën kalimtare, çështjet në gjykim do të duhet t’i transferojnë, sipas kompetencës që cakton neni 75/a, përkatësisht, në gjykatën e shkallës së parë ose atë të apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe në gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm, sipas kompetencës tokësore të këtyre të fundit. Kështu, një çështje në gjykim, bie fjala, me akuzë sipas nenit 109/b të Kodit Penal (shtrëngim me anën e kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë), do të transferohet në gjykatën e juridiksionit të zakonshëm, të cilës i përket kompetenca territoriale, në kohën e kryerjes së krimit. Po kështu, një çështje në gjykim, bie fjala, me akuzë sipas nenit 319/ç të Kodit Penal (korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë), do të transferohet në gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në këtë rast rregulli i ndjekur është ai i zakonshëm, i zbatuar rëndom në rastet e shkrirjes së institucioneve kompetente, sipas të cilit të drejtat dhe detyrimet e institucionit që pushon që ekzistuari i kalojnë një institucioni ekzistues ose atij të krijuar rishtazi, sipas kompetencës përkatëse.

       

      1. Pika 3 e dispozitave kalimtare përcakton që aktet e kryera dhe provat e marra para datës 1 gusht 2017, si në gjykim, ashtu edhe gjatë hetimeve paraprake, do të jenë të vlefshme dhe të përdorshme, edhe në rastet kur ligji Nr.35/2017 parashikon rregullime të ndryshme. Për aktet e kryera duke filluar nga data 1 gusht 2017, kuptohet që do të zbatohen rregullat e reja (tempus regit actum). Me këtë rregullim ligjvënësi niset nga qëllimi për të ruajtur vlefshmërinë e akteve dhe përdorshmërinë e provave të marra para hyrjes në fuqi të ndryshimeve, veçanërisht në kushtet kur ndryshimet e ligjit sjellin rregullime tërësisht të ndryshme për një kategori të rëndësishme të veprimeve procedurale. Kështu, marrja e kampionëve biologjikë kërkon të respektohet, me pasojë papërdorshmërie, procedura që normon neni 201/a, i shtuar. Kjo nuk do të thotë se kampionët biologjikë, të marrë sipas procedurës para ndryshimeve, janë të papërdorshëm, në mënyrë automatike. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për aktin e pyetjes së të pandehurit, të cilit nuk i është dhënë në formë të shkruar letra e të drejtave (neni 34/a KPP). Por, pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve, prokuroria dhe gjykata duhet t’i interpretojnë ndryshimet në favor të të akuzuarit (in favor rei), duke i dhënë mundësi mbrojtjes që të përfitojë nga ndryshimet në sensin garantues.

       

      1. Periudha tranzitore në lidhje me kompetencat e prokurorive është normuar në pikat 4 dhe 5 të këtij neni. Të njëjtën logjikë të ndjekur për rastin e çështjeve në gjykim përpara krijimit të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ligjvënësi ka ndjekur edhe në pikën 4. Në këtë pikë është përcaktuar se, deri në krijimin Prokurorisë së Posaçme, prokuroria pranë gjykatës së shkallës së parë për krimet e rënda dhe prokuroritë pranë gjykatave të rretheve gjyqësore ruajnë kompetencën lëndore që u cakton neni 75/a i Kodit, para ndryshimeve të kryera me ligjin Nr.35/2017. Pra, kjo dispozitë rregullon dy situata: a) kompetencën për hetimin e procedimeve që janë duke u hetuar nga prokuroria pranë gjykatës së shkallës së parë për krimet e rënda dhe prokuroritë pranë gjykatave të rretheve gjyqësore në çastin e hyrjes në fuqi të ligjit Nr.35/2017, dhe b) kompetencën e këtyre prokurorive për hetimin e procedimeve penale që do të regjistrohen nga data 1 gusht 2017 deri në krijimin e Prokurorisë së Posaçme. Gjithsesi, rregulli më i rëndësishëm është që dispozita kalimtare nuk parashikon asnjë transferim të procedimeve nën hetim nga prokuroria pranë gjykatës së shkallës së parë për krimet e rënda drejt prokurorive pranë gjykatave të rretheve gjyqësore dhe anasjelltas. Një nevojë e tillë nuk paraqitet, pasi nuk ka lidhje me qëllimin e normës, ndaj ligjvënësi nuk e ka parë të arsyeshme të miratojë dispozita kalimtare për këtë çështje. Në këtë logjikë të normës, procedimet ende në hetim, bie fjala me akuza sipas nenit 283/a të Kodit Penal (trafikim i narkotikëve), do të vazhdojnë të hetohen nga prokuroria pranë gjykatës së shkallës së parë për krimet e rënda dhe, përderisa gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ende nuk janë krijuar[8], do të dërgohen për gjykim në gjykatën e shkallës së parë për krimet e rënda.

       

      1. Pika 5 e nenit 525 të KPP zgjidh problemin e kompetencës së hetimit dhe rregullat e transferimit të procedimeve ende në hetim në prokurorinë pranë gjykatës së shkallës së parë për krimet e rënda dhe në prokuroritë pranë gjykatave të rretheve gjyqësore (të juridiksionit të përgjithshëm) në çastin e krijimit të Prokurorisë së Posaçme. Prandaj, me krijimin e Prokurorisë së Posaçme, kur procedimet janë në kompetencë lëndore të asaj prokurorie, prokuroria pranë gjykatës së shkallës së parë për krimet e rënda do t’i transferojë këto procedime drejt Prokurorisë së Posaçme. Njëkohësisht, e njëjta prokurori, nëse çështja nuk i përket kompetencës lëndore të Prokurorisë së Posaçme, do t’i transferojë procedimet tek prokuroritë pranë gjykatave të rretheve gjyqësore, por duke mbajtur parasysh kompetencën territoriale në kohën e kryerjes së veprës. Më tej, prokuroritë pranë gjykatave të rretheve gjyqësore do t’i transferojnë procedimet drejt Prokurorisë së Posaçme, kur janë duke hetuar vepra penale që i përkasin kompetencës lëndore të kësaj të fundit, të krijuar rishtazi.

       

      1. Logjika e dispozitës kalimtare mbështetet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Kushtetuta parashikon krijimin e gjykatave të posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar vetëm pas krijimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Gjithashtu, Prokuroria e Posaçme parashikohet të krijohet vetëm pas krijimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Për gjykatat dhe Prokurorinë e Posaçme, Kushtetuta parashikon kritere të veçanta rekrutimi për magjistratët dhe kompetenca lëndore të posaçme. Për këtë arsye, gjykatat për krimet e rënda dhe prokuroritë pranë tyre nuk mund të normohen njësoj nga pikëpamja e kompetencave lëndore si gjykatat e posaçme ose Prokuroria e Posaçme, që nuk janë krijuar ende.[9] Është e rëndësishme të theksohet, gjithashtu, se Kushtetuta në nenin 141 ka hequr juridiksionin fillestar të Gjykatës së Lartë. Duke mbajtur në vëmendje këtë rregullim kushtetues, ligjvënësi shprehu vullnetin që me hyrjen në fuqi të ndryshimeve kushtetuese, për çështjet e juridiksionit fillestar ende në gjykim para saj, Gjykata e Lartë duhet të shpallte moskompetencën e saj, duke i dërguar ato në gjykatat kompetente në pikëpamje lëndore dhe territoriale.[10] Ndaj, ndonëse ligjvënësi nuk ka rregulluar me dispozitë kalimtare një situatë ligjore të normuar nga neni 141 i Kushtetutës, sipas të njëjtës logjikë të analizuar më sipër, për çështjet në hetim në ngarkim të subjekteve të posaçme, moskompetencën funksionale duhet të shpallte edhe Prokuroria e Përgjithshme, duke i dërguar aktet në prokuroritë kompetente, sipas lëndës dhe territorit.[11] 

       

      1. Pika 6 e kësaj dispozite kalimtare shfuqizoi pikën 6, 7 dhe 8 të nenit 57 (dispozita kalimtare), të ligjit Nr.95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, i cili përcaktonte kohën e përfundimit të ekzistencës së gjykatave për krimet e rënda. Kjo do të thotë që ligji Nr.9110, datë 24.7.2003 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave për krimet e rënda” nuk u shfuqizua "në mesnatën e ditës së 300-të pas hyrjes në fuqi të këtij ligji", pra, më 1 shtator 2017. Si rrjedhojë, kompetencat e gjykatave për krimet e rënda nuk mund dhe nuk duhet t’u kalojnë automatikisht gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (pika 7). Përveç kësaj, as transferimi i çështjeve nga një gjykatë në tjetrën dhe as nga prokuroritë ekzistuese në Prokurorinë e Posaçme, nuk do të kryhet, siç përcaktohej në pikën 6 të nenit 57 të Ligjit nr. 95/2016. Por, situata ndërmjetëse do të zgjidhet në përputhje me dispozitat kalimtare të ligjit Nr. 35/2017, datë 30.3.2017 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.7905, datë 21.3.1995, “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”.

       

      1. Pika 7 e nenit 525 të KPP rregullon përbërjen e trupit gjykues, duke synuar të korrigjojë një situatë përplasjeje mes ligjesh të ndryshme. Nenet 13, 14 dhe 14/a të Kodit sjellin risi të rëndësishme përsa i përket përbërjes së trupave gjykuese në raste të ndryshme. Kështu, gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të gjykojnë me tre gjyqtarë, si në shkallë të parë, ashtu edhe në apel, ndërsa gjykatat për krimet e rënda gjykonin me trupa gjykues të përbërë nga pesë gjyqtarë. Gjykata e Lartë i shqyrtonte rekurset në dhomë këshillimi me trup gjykues të përbërë nga pesë gjyqtarë, ndërsa me hyrjen në fuqi të ndryshimeve do t’i gjykojë ato me trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë.[12] Praktika gjyqësore me siguri do të ketë raste kur çështje të gjykuara nga gjykatat për krimet e rënda, me trup gjykues të përbërë nga pesë gjyqtarë, mund të rigjykohen, pas prishjes së vendimit, nga gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, tashmë me trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë. Për këto arsye, pika 7 e nenit 525 përcakton se përbërja e trupave gjykuese do të rregullohet sipas parashikimeve të ligjit Nr.35/2017, pavarësisht parashikimeve të ndryshme në ligje të tjera.

       

      [1] Në tekste të ndryshme të së drejtës ky parim shprehet me togfjalëshin në latinishte tempus regit actum: shih A. Gaito, Procedura penale, Itinera, Guide giuridiche Ipsoa, E-book, WoltersKluwer, 2015, faqe 58.

      [2] Shih vendimet e Gjykatës Kushtetuese (GJK) nr.106, datë 27.05.2002, Kaçani dhe nr.11, datë 23.04.2009, Bazelli, si dhe vendimet Unifikuese të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë (KBGJL), Nr.1, datë 16.04.2004, Ndreu dhe Nr.3, datë 06.12.2013, Ajdari.

      [3] Për më shumë, shih pjesën e këtij komenti mbi kontekstin historik.

      [4] Neni 75/a, indryshuar, parashikon të njëjtat kompetenca lëndore për Gjykatat kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, sikurse parashikohet në Kushtetutë (neni 135 paragrafi 2).

      [5] Kjo nënkupton, për shembull, se "Vrasja në rrethana të tjera cilësuese" (neni 79 i Kodit Penal) që në bazë të dispozitave "të vjetra" të KPP gjykohej nga Gjykata për Krimet e Rënda, do të vazhdojë të gjykohet në të njëjtën gjykatë, ndërsa "Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike" (neni 244 i Kodit Penal) do të mbetet nën gjykimin e gjykatave të rretheve gjyqësore.

      [6] Ky përfundim rrjedh edhe nga Kushtetuta, siç është përpunuar më shumë në pjesën e këtij komenti mbi kontekstin historik.

      [7] Shih p.sh. vendimin Nr.11, datë 23.04.2009 të Gjykatës Kushtetuese (GJK), Bazelli, si dhe Vendimin Unifikues Nr.1, datë 16.04.2004 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë (KBGJL), Ndreu.

      [8] Për më shumë, shih pjesën e këtij komenti mbi kontekstin historik.

      [9] Për më shumë, shih pjesën e këtij komenti mbi kontekstin historik.

      [10] Në të vërtetë, më vonë ashtu bëri, por gabimisht i dërgoi tek Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda.

      [11] Në fakt, u ndoq e njëjta praktikë e gabuar që ndoqi Gjykata e Lartë.

      [12] Ligji Nr.98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, neni 31, pika 3, parashikon që çështjet e gjykuara nga gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar gjykohen nga Gjykata e Lartë me trup gjykues të përbërë nga pesë gjyqtarë (edhe rastet e rekurseve në dhomën e këshillimit).

      1. Ligji procedural penal, me ndryshimet e tij, ishte një nga ligjet e reformës në drejtësi, së bashku me ligjin Nr. 76/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 8417, datë 21.10.1998, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar”, ligjin Nr.115/2016: "Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë", ligjin Nr.96/2016 "Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë", etj., prandaj dhe interpretimi i dispozitave kalimtare të ndryshimeve në KPP duhet të shihet së bashku me ndryshimet e tjera në ligjet rregulluese të sistemit të drejtësisë në Shqipëri gjatë viteve 2016 dhe 2017. Një nga risitë e sjella nga Kushtetuta është sistemi i rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, për të mbështetur funksionimin e duhur të sundimit të ligjit. Ky rivlerësim kryhet në përputhje me ligjin dhe përpara krijimit të institucioneve të reja të parashikuara në ligjin Nr.115/2016 "Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë".

       

      1. Një nga organet që parashikohet të krijohen me ligjin Nr.115/2016 "Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë" është Këshilli i Lartë Gjyqësor. Anëtarët gjyqtarë të KLGJ-së janë subjekte të rivlerësimit kalimtar në përputhje me ligjin, siç parashikohet në pikën 5 të nenit 179 të Kushtetutës. Në fillim të vitit 2018, procesi i rivlerësimit kalimtar të kandidatëve për anëtarë gjyqtarë ishte ende në vazhdim. Për më tepër, në përputhje me nenin 277 pika 2 të ligjit për organet e qeverisjes, KLGJ-ja krijohet vetëm pasi anëtari i fundit të zgjidhet nga organet kompetente. Për këtë arsye, deri në fillim të vitit 2018, KLGJ-ja nuk ishte krijuar ende.

       

      1. Neni 135 i Kushtetutës parashikon që gjyqtarët e gjykatës së posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, do të emërohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor sipas ligjit. Prandaj, për aq kohë sa KLGJ-ja nuk është krijuar (sikurse përcaktohet në Kushtetutë), gjyqtarët nuk mund të promovohen në gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Vetëm dhe sapo të përfundojë ky promovim, ato gjykata do të mund të fillojnë të funksionojnë dhe gjykatat për krimet e rënda pushojnë së ekzistuari. Ky interpretim konfirmohet nga neni 179 pika 8 i Kushtetutës, i cili përcakton se: "Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda dhe Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda do të emërtohen, funksionojnë dhe ushtrojnë kompetencat e gjykatës së shkallës së parë dhe të gjykatës së apelit brenda dy muajve nga krijimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor, sipas ligjit.". Më tej, duke ndjekur të njëjtën logjikë si për gjykatat, Kushtetuta parashikon që prokuroria për krimet e rënda do të pushojë së ekzistuari sapo të krijohet Prokuroria e Posaçme. E gjithë kjo na sjell në përfundimin se deri në krijimin e institucioneve të reja, disa nga ligjet e reformës në drejtësi, edhe pse janë në fuqi, nuk janë në gjendje të zbatohen plotësisht.

       

      1. Mund të thuhet se miratimi i dispozitave kalimtare u diktua nga nevoja për të rregulluar kompetencën e kryerjes së hetimeve paraprake dhe të gjykimit të çështjeve, për periudhën ndërmjetëse nga hyrja në fuqi e ndryshimeve (1 gusht 2017) deri në krijimin e gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të Prokurorisë së Posaçme.
    • Asnjë koment
  • Vendime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut 

    1. GJEDNJ-ja vëren se parimi se rregullat e procedurës penale duhet të përcaktohen në ligj dhe ky është një parim i përgjithshëm i së drejtës, i cili synon të mbrojë të pandehurin, interesat e të cilit mund të cenohen nga paqartësia e procedurës (Cöeme)[1].

     

    [1] Cöeme dhe të tjerë kundër Belgjikës, aplikimet nr. 32492/96 32547/96, 32548/96, 33209/96 dhe 33210/96, vendim i datës 14 tetor 2000.

  • Asnjë koment
  • Kushtetuta: neni 42, paragrafi 2 dhe 141.

    Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore: neni 6 §1, E drejta për proces të rregullt ligjor;

    Ligji Nr.95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, neni 57, pikat 6, 7, 8;

    Ligji Nr.98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, neni 31, pika 3;

    Ligji Nr. 115/2016 "Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë";

    Ligji Nr. 96/2016 "Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë".

  • Asnjë koment
  • Vendime të Gjykatës së Lartë 

    Vendim Unifikues Nr.1, datë 16.04.2004 (KBGJL), Ndreu;

    Vendim Unifikues Nr.3, datë 06.12.2013 (KBGJL), Ajdari.

     

    Vendime të Gjykatës Kushtetuese 

    Vendim nr.106, datë 27.05.2002 (GJK), Kaçani;

    Vendim nr.11, datë 23.4.2009, Bazelli.

     

    Vendime të Gjykatës Europiane tëtë Drejtave të Njeriut 

    Cöeme dhe të tjerë kundër Belgjikës, aplikimet nr. 32492/96 32547/96, 32548/96, 33209/96 dhe 33210/96, vendim i datës 14 tetor 2000, http://hudoc.echr.coe.int/fre?i=001-63450 (vizita e fundit 29.8.2017);

  • Gaito Alfredo, Procedura penale, Itinera, Guide giuridiche Ipsoa, E-book, Wolters Kluwer, 2015, faqe 58-68.

  • Asnjë koment
Henrik Ligori, Joana Qeleshi
Idlir Peçi, Koraljka Bumči