KODI I PROCEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   7905

Neni 89: Rastet e mosmarrëveshjeve

1Ka mosmarrëveshje, në çdo gjendje a shkallë të procedimit, kur dy a më shumë gjykata në të njëjtën kohë marrin ose nuk pranojnë të marrin për shqyrtim të njëjtën akuzë, që i atribuohet të njëjtit person.

2Mosmarrëveshjet në fazën e hetimit paraprak mes prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm, zgjidhen nga prokurori më i lartë. Në rast konflikti gjatë hetimeve paraprake ndërmjet Prokurorisë së Posaçme dhe një prokurorie tjetër, ka përparësi kompetenca dhe juridiksioni i së parës. Zbatohen parashikimet e neneve 28 dhe 29 të këtij Kodi.

3Gjatë hetimeve paraprake nuk mund të parashtrohet mosmarrëveshja e bazuar në arsyet e kompetencës territoriale për shkak lidhjeje të procedimeve.

Përmbajtja

      1. Qëllimi i normës së parashikuar nga neni 89 i KPP, është rregullimi i raportit procedural dhe mekanizmi i zgjidhjes së konfliktit mes gjykatave dhe mes prokurorive të ndryshme, sa herë lindin mosmarrëveshje për ushtrimin e kompetencës territoriale, lëndore ose për shkak të lidhjes së procedimeve.

       

      1. Juridiksioni penal i paraprin zgjidhjes së konflikteve duke vendosur norma të qarta mbi kompetencat, nisur nga rregulli i zgjidhjes së çështjes brenda një afati të arsyeshëm. Në këtë këndvështrim, zvarritjet për shkak të konflikteve për kompetencën janë të papranueshme për juridiksionin penal, ndaj ato duhet të zgjidhen sa më shpejt që të jetë e mundur.
      1. Objekti i dispozitës së parashikuar nga neni 89 është përcaktimi i gjendjes së mosmarrëveshjes për kompetencën mes gjykatave (paragrafi 1), rregullat për zgjidhjen e konflikteve mbi kompetencat ndërmjet prokurorive (paragrafi 2), si dhe përcaktimi se në cilat raste mosmarrëveshja nuk lejohet të parashtrohet (paragrafi 3).
      1. Termi “juridiksion” mund të marrë kuptim duke pasur parasysh funksionin ose organin që e ushtron atë.[1] Nëse i referohemi funksionit, juridiksioni është funksioni shtetëror që konsiston në zbatimin e ligjit, në çdo rast konkret, përmes fuqisë shtrënguese të ushtruar nga gjykata e paanshme. Nëse i referohemi organit që e ushtron atë, juridiksioni është pushteti shtetëror që ushtrohet nga organe që gëzojnë vetitë e pavarësisë dhe paanshmërisë. Në thelb, funksione juridiksionale ushtrojnë vetëm gjykatat,[2] ndonëse ligji procedural shprehet edhe për juridiksion të prokurorisë. Duhet mbajtur parasysh se pushteti juridiksional është i shpërhapur, ai u atribuohet shumë organeve, të cilat kanë kompetenca të kufizuara, të përcaktuara nga ligji (shih paragrafin C.5).

       

      1. Në këtë kuptim, juridiksioni dhe kompetenca nuk janë koncepte të njëjta. Kompetenca është ajo pjesë e funksionit juridiksional që ushtrohet nga një organ i veçantë, është me një fjalë, masa e juridiksionit që ushtron një organ i caktuar, perimetri brenda të cilit ai organ e ushtron juridiksionin e tij. Lidhur me sa më sipër, kompetenca për ushtrimin e juridiksionit penal mund të përcaktohet mbi bazën e lëndës (llojit të veprës penale), territorit (vendit të kryerjes së veprës penale), subjektit që akuzohet, funksionit që duhet të kryhet në një fazë ose shkallë të procedimit (funksion i akuzës ose i gjykimit) dhe lidhjes së mundshme me procedime të tjera.

       

      1. Mekanizmi i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve për kompetencat mes organeve të juridiksionit gjyqësor nuk paraqet veçori të reja: ashtu si edhe para ndryshimeve, mosmarrëveshjet për kompetencat mes gjykatave të rretheve gjyqësore ose mes këtyre të fundit dhe Gjykatës për Krimet e Rënda apo Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi të jenë themeluar, zgjidhen nga Gjykata e Lartë (neni 91).

       

      1. Përmendëm se ushtrimi i funksioneve juridiksionale u përket organeve të veçanta. Nga ana tjetër, çdo organ që kryen funksione gjyqësore është edhe gjyqtar i kompetencës së vet. Kështu që, gjyqtari që gjykon një çështje të caktuar, mund të ngrejë një konflikt kompetence për një çështje specifike. Paragrafi 1 i nenit 89 rregullon si rastin e mosmarrëveshjes pozitive (“kur dy ose më shumë gjykata në të njëtën kohë marrin … për shqyrtim të njëjtën akuzë”), ashtu edhe rastin e mosmarrëveshjes negative (“kur dy ose më shumë gjykata në të njëjtën kohë … nuk pranojnë të marrin për shqyrtim të njëjtën akuzë”), duke deklaruar moskompetencën e tyre.

       

      1. Mosmarrëveshja për kompetencën mund të ngrihet nga prokurori, i pandehuri ose palët private (neni 91), por mund të deklarohet edhe kryesisht nga gjykata (neni 83). Ligji normon që moskompetenca lëndore mund të ngrihet dhe të deklarohet në çdo gjendje dhe shkallë të procedimit. Ndërsa moskompetenca tokësore dhe ajo që buron nga bashkimi i procedimeve (nenet 79 dhe 80) mund të ngrihet ose të kundërshtohet brenda afatesh të prera, derisa nuk ka filluar shqyrtimi gjyqësor. Me kalimin e këtij afati, këto lloj mosmarrëveshjesh për kompetencën nuk mund të ngrihen dhe as të kundërshtohen. Sipas Gjykatës Kushtetuese, kompetenca territoriale e gjykatës është e lidhur ngushtë me përbërjen e trupit gjykues të ngarkuar me shqyrtimin e secilit rast specifik, prandaj fjala "ligj" nënkupton legjislacionin për themelimin dhe kompetencën e gjykatave.[3]

       

      1. Këto rregulla kanë rëndësi për pasojat që prodhojnë lidhur me aktet e procesit: shkelja e dispozitave për kompetencën lëndore shkakton pavlefshmëri të natyrës absolute (neni 128/a), kurse shkelja e dispozitave për kompetencën tokësore dhe për kompetencën që ka si shkak lidhjen e procedimeve, shkakton vetëm pavlefshmëri të natyrës relative (neni 129).

       

      1. Kur gjykata konstaton moskompetencën e saj gjatë gjykimit në shkallë të parë, me kërkesë ose kryesisht, e deklaron atë me vendim dhe i dërgon aktet në gjykatën që ajo vlerëson se është gjykatë kompetente (neni 85). Kur kjo e fundit nuk e pranon kompetencën e saj (rasti i mosmarrëveshjes negative), detyrohet ta kundërshtojë atë para Gjykatës së Lartë.

       

      1. Mosmarrëveshjet për kompetencën mes gjykatave të rretheve gjyqësore ose mes këtyre të fundit dhe Gjykatës për Krimet e Rënda apo Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi të jetë themeluar, zgjidhen me vendim nga Gjykata e Lartë. Vendimi i Gjykatës së Lartë është i detyrueshëm (neni 86 paragrafi 2), ai u njoftohet gjykatave në mosmarrëveshje, prokurorive përkatëse, të pandehurit dhe palëve private dhe mosmarrëveshja konsiderohet e zgjidhur. Kjo nuk paragjykon të drejtën e palëve që vendimin e Gjykatës së Lartë ta godasin për pakushtetutshmëri para juridiksionit kushtetues. Nga ky rregull ka një përjashtim, i cili ka të bëjë me rastin kur fakte të reja të provuara diktojnë nevojën e ndryshimit të cilësimit juridik të veprës penale, shkak për të cilin bëhet kompetente në lëndë një gjykatë tjetër.[4] Le të supozojmë rastin e një konflikti negativ për kompetencën mes gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë dhe Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, i cili zgjidhet nga Gjykata e Lartë duke caktuar si gjykatë kompetente të parën. Në rastin kur gjatë shqyrtimit gjyqësor provohen fakte të reja, të cilat diktojnë nevojën e ndryshimit të cilësimit ligjor të veprës (le të themi se vepra nuk është kryer në bashkëpunim të thjeshtë, por në formën e grupit të strukturuar kriminal), gjykata ka të drejtë të deklarojë moskompetencën e saj dhe t’i dërgojë aktet në Gjykatën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, edhe pse Gjykata e Lartë e ka zgjidhur ndryshe mosmarrëveshjen për kompetencën. Këtu, duhet të përmendim se kjo zgjidhje mund të shkaktojë një konflikt të ri për kompetencën.

       

      1. Moskompetenca e gjykatës mund të deklarohet, me kërkesë të palëve ose kryesisht, edhe gjatë gjykimit në gjykatën e apelit. Para ndryshimeve që propozoi ligji Nr. 35/2017, gjykata e apelit kishte të drejtë të konstatonte çdo lloj moskompetence. Me ndryshimet e reja, ajo ka të drejtë të vendosë vetëm në rastet kur konstaton moskompetencën lëndore (neni 86), ku duhet të përfshihet edhe moskompetenca për shkak të cilësive të subjektit, ngaqë në këto raste cenohet e drejta për t’u gjykuar nga një gjykatë e caktuar me ligj. Në optikën e ligjvënësit, rastet alternative të moskompetencës lëndore dhe të asaj që buron nga bashkimi i procedimeve për shkak lidhjeje, nuk mund të ngrihen dhe as të konstatohen nga gjykata e apelit. Në rastin e posaçëm të sipërpërmendur, gjykata e apelit e prish vendimin e apeluar dhe i dërgon aktet në gjykatën kompetente në lëndë.

       

      1. Gjykimi i çështjes nga një gjykatë jokompetente në aspektin e lëndës është trajtuar nga jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese si një problem i lidhur ngushtë me kushtet për ushtrimin e funksioneve të gjyqtarit në një rast të veçantë. Në një vendim të vitit 2007[5], Gjykata Kushtetuese deklaroi se "fraza “gjykata ... e përcaktuar me ligj” në nenin 42/2 të Kushtetutës mbulon jo vetëm bazën ligjore për ekzistencën e gjykatës, por edhe përbërjen e trupës së ngarkuar për shqyrtimin e një rasti të veçantë ".

       

      1. Rregulli që normon paragrafi 2 i nenit 89 niset nga nevoja për të zgjidhur rastet e mosmarrëveshjeve për kompetencën mes dy prokurorive, kur procedimi ndodhet ende në fazën e hetimeve paraprake. Edhe në këtë rast, mosmarrëveshjet për kompetencën mund të jenë të natyrës pozitive ose negative. 

       

      1. Mosmarrëveshja negative mes prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm (neni 28 paragrafi 1 dhe 2), egziston kur prokurori çmon se vepra penale për të cilën procedon është në kompetencën lëndore ose tokësore të një gjykate tjetër të juridiksionit të përgjithshëm. Në këtë rast ai deklaron moskompetencën dhe i dërgon aktet në prokurorinë kompetente. Kur kjo e fundit nuk e pranon këtë zgjidhje, jemi në kushtet e një mosmarrëveshjeje negative për kompetencën, e cila zgjidhet nga Prokurori i Përgjithshëm, i cili vendos cila do të jetë prokuroria kompetente për të proceduar. 

       

      1. Nga ana tjetër mosmarrëveshja pozitive mes prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm (neni 29 paragrafi 1), lind në rastin kur prokurori vjen në dijeni të faktit se një prokurori homologe heton për të njëjtin fakt dhe ndaj të njëjtit person për të cilin ai po kryen hetime. Në këtë rast ai njofton atë prokurori, duke i kërkuar që t’i dërgojë aktet. Prokurori që procedon, kur çmon se nuk duhet ta pranojë kërkesën, informon Prokurorin e Përgjithshëm, duke parashtruar kështu një mosmarrëveshje pozitive për kompetencën. Ky i fundit ka të drejtë të vendosë se cila do të jetë prokuroria kompetente dhe, kur është rasti, urdhëron dërgimin e menjëhershëm të akteve (neni 29 paragrafi 2).

       

      1. Edhe pse nuk mund të ketë mosmarrëveshje në lidhje me kompetencën territoriale mes Prokurorisë së Posaçme dhe prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm, pasi e para shtrin kompetencën territoriale në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, mund të ketë konflikt të kompetencave në lidhje me lëndën ose për shkak të lidhjes së procedimeve.[6] Në marrëdhëniet mes prokurorive pranë gjykatave të rretheve gjyqësore dhe Prokurorisë së Posaçme, lidhur me kompetencën lëndore ose atë për shkak të lidhjes së procedimeve, vendos drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme. Pra, praktikisht mosmarrëveshjet e mundshme për kompetencën zgjidhen në mënyrë të njëanshme. Në praktikë mund të konstatohen dy raste: 
      1. prokurori i prokurorisë pranë gjykatës së rrethit gjyqësor, kur çmon se vepra penale për të cilën ai heton është në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme ose merr dijeni se kjo prokurori zhvillon hetime për të njëjtin fakt dhe në ngarkim të të njëjtit person për të cilin ai procedon (mosmarrëveshje pozitive), ai njofton drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, duke i dërguar aktet. Është pikërisht ky i fundit që ka të drejtë të vendosë nëse do t’i pranojë aktet apo do t’i ridërgojë ato në prokurorinë e mëparshme. Ligji vendos detyrimin e prokurorisë dërguese që të pranojë aktet e rikthyera prej Prokurorisë së Posaçme (neni 28 paragrafi 3);
      2. kur prokurori i Prokurorisë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar merr dijeni se pranë një prokurorie të juridiksionit të zakonshëm zhvillohen hetime për të njëjtin fakt dhe në ngarkim të të njëjtit person për të cilin ai procedon (mosmarrëveshje pozitive), ai njofton drejtuesin e tij. Është pikërisht ky i fundit që shqyrton aktet dhe vendos se kujt i takon kompetenca. Nëse ai çmon se kompetenca i përket zyrës që drejton, merr vendim dhe njofton prokurorinë përkatëse duke i kërkuar dërgimin e akteve. Ligji vendos detyrimin e prokurorisë së kërkuar që të shpallë moskompetencën e saj dhe të dërgojë aktet në Prokurorinë e Posaçme (neni 29 paragrafi 3). Pra, Kodi vendos rregullin e përparësisë absolute të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme në raport me prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, për të zgjidhur rastet e mosmarrëveshjeve negative ose pozitive mbi kompetencën.

       

      1. Paragrafi 3 i nenit 89 vendos një ndalim të natyrës së përgjithshme: në fazën e hetimeve paraprake, nuk lejohet që të ngrihen mosmarrëveshje pozitive për kompetencën tokësore, për shkak të rregullave të lidhjes së procedimeve. Me fjalë të tjera, kjo do të thotë se në fazën e hetimeve paraprake kompetenca tokësore përcaktohet nga rregullat e drejtpërdrejta për caktimin e saj (nenet 76 e vijues) dhe jo nga arsye që mbështeten në logjikën e lidhjes së procedimeve.[7] Ndaj ngritja e një konflikti të tillë nuk u lejohet, si palëve, ashtu edhe prokurorive apo gjykatave në mosmarrëveshje. Mosmarrëveshje të kësaj natyre, eventualisht mund të lindin vetëm mes organeve të juridiksionit të zakonshëm ngaqë,sikurse përmendëm më sipër, Gjykata e Posaçme ka kompetencë tokësore që shtrihet mbi gjithë territorin e Republikës. Ndalimi i mësipërm vepron vetëm për rastet e mosmarrëveshjes pozitive për kompetencën tokësore, që mbështeten në arsyen e lidhjes së procedimeve. Kjo do të thotë se nuk ka pengesë që, në fazën e hetimeve paraprake, të mund të ngrihen mosmarrëveshje për kompetencën tokësore në mbështetje të neneve 76 dhe 77 të Kodit.

       

      1. Logjika e paragrafit 3 të nenit 89 mbështetet në arsyen që prokurori pranë gjykatës kompetente për veprën penale më të lehtë (ose të kryer më pas në kohë) të ketë mundësi të kryejë hetime për këtë vepër. Por, pasi të vihet në dijeni për lidhjen e procedimeve, i takon atij të vendosë që t’ia dërgojë aktet prokurorit pranë gjykatës kompetente, në bazë të nenit 82 të Kodit. Është rasti të theksojmë se paragrafi 1 të nenit 82 normon një rregull të rëndësishëm: në rastet e procedimeve të lidhura, kur disa gjykata kanë të njëjtën kompetencë lëndore, kompetenca tokësore i përket gjykatës kompetente për veprën penale më të rëndë. Kur veprat janë njëlloj të rënda, kompetenca tokësore i përket gjykatës ku ushtron funksionet prokuroria që ka regjistruar e para veprën penale. Për shembull, le të supozojmë se i hetuari A tentoi të vrasë me armë zjarri personin X, fakt i konstatuar në qytetin e Durrësit. Autori u largua menjëherë nga vendi i krimit. Prokuroria e rrethit gjyqësor Durrës, mbi aktet e kryera në vendngjarje, regjistroi një procedim për krimin e vrasjes me dashje, mbetur në tentativë, sipas neneve 76 e 22 të Kodit Penal, në ngarkim të një personi të panjohur. Një javë më vonë, në qytetin e Tiranës, një person u arrestua në flagrancë të krimit të vjedhjes me armë, sipas nenit 141 të Kodit Penal; me këtë rast prokuroria e rrethit gjyqësor Tiranë regjistroi një procedim tjetër. Duke qenë se akti i ekspertimit balistik provoi se arma e sekuestruar në Tiranë ishte arma e krimit të vrasjes të kryer në Durrës, kuptohet se hetimet e prokurorive përkatëse janë të lidhura, në bazë të nenit 306 paragrafi 2, shkronja b) të KPP. Nga ky moment ato duhet të bashkërendojnë punën dhe të shkëmbejnë akte, informacione apo udhëzime të dhëna për policinë gjyqësore (neni 306 paragrafi1).

       

      1. Në këtë rast, sipas paragrafit 3 i nenit 89, prokuroria e rrethit gjyqësor Durrës, gjatë hetimeve paraprake, nuk mund të ngrejë një mosmarrëveshje pozitive për kompetencën tokësore që buron nga lidhja e procedimeve (arma e krimit u sekuestrua në Tiranë), duke i kërkuar aktet prokurorisë së Tiranës, me argumentin se është duke hetuar për krimin më të rëndë (neni 82 paragrafi 1 i KPP). Prokuroria e Tiranës ka të drejtë dhe është e lirë të hetojë për faktet kriminale në kompetencë të saj. I takon prokurorit pranë kësaj prokurorie që të vlerësojë çastin se kur duhet të shpallë moskompetencën, duke i përcjellë aktet prokurorisë që është duke hetuar veprën penale më të rëndë, në këtë rast, prokurorisë pranë gjykatës së rrethit gjyqësor Durrës.

       

      1. Rregulli që komentuam më sipër dëshmon se kompetenca që buron nga lidhja e procedimeve[8] është një mekanizëm që ua atribuon kompetencën organeve të juridiksionit në mënyrë autonome, pavarësisht nga rregullat e kompetencës lëndore ose tokësore.

       

      1. Pasojat e deklarimit të moskompetencës duhen parë në disa këndvështrime: vlefshmëria e akteve të kryera, përdorshmëria e provave të marra dhe vlefshmëria e masave të sigurimit të vendosura nga një gjykatë jokompetente. Theksojmë se, në secilin prej rasteve, ligjvënësi niset nga parimi i ruajtjes së efekteve të akteve të kryera, provave të marra dhe masave të sigurimit të caktuara nga një gjykatë jokompetente. Prandaj, aktet e kryera nga prokuroria që më pas deklarohet jokompetente, për çdo lloj shkaku, janë plotësisht të vlefshme dhe mund të përdoren për të provuar fakte sipas procedurës që cakton ligji (nenet 28 paragrafi 4 dhe 29 paragrafi 3). Provat e marra nga prokuroria apo gjykata jokompetente janë të përdorshme, me kusht që të jenë marrë në respektim të ligjit (neni 151 paragrafi 3 dhe neni 32 paragrafi 2 i Kushtetutës), ato mund të përdoren gjatë hetimeve paraprake për të mbështetur kërkesat e prokurorit, si dhe në seancën paraprake për të çmuar nëse çështja duhet të dërgohet në gjykatë. Natyrisht, ato mund të përdoren edhe kur procedohet me ndonjërin nga ritet e posaçme të gjykimit: me gjykim të shkurtuar, me urdhër penal dënimi, ose kur çështja zgjidhet me marrëveshje për pranimin e fajësisë dhe të dënimit. Por, gjatë shqyrtimit gjyqësor të çështjes, ka një veçori lidhur me deklarimet e dhëna para gjykatës jokompetente në lëndë: për kundërshtimin e përmbajtjes së deponimit, vihet kushti që personi të ketë folur përsëri, për të njëjtat fakte, para gjykatës kompetente, pavarësisht nga fakti se është dëshmitar (neni 362), palë private (neni 365 paragrafi 2) apo i pandehur (neni 370 paragrafi 1). Nuk lejohet që deklarimet të futen në proces me anën e mekanizmit të leximeve të lejueshme.

       

      1. Masat e sigurimit të vendosura nga gjykata jokompetente i humbasin efektet në rastet kur, brenda dhjetë ditëve nga marrja e akteve, gjykata kompetente nuk vendos për masën e sigurimit.[9] Afati i prerë fillon të llogaritet nga çasti kur aktet mbërrijnë në gjykatën kompetente. Situata është pak më komplekse kur moskompetenca shpallet nga prokurori, në fazën e hetimeve paraprake. Në këtë rast, kur ndaj personit nën hetim është caktuar masë sigurimi, vendimin e tij prokurori duhet t’ia njoftojë menjëherë të dyja gjykatave (neni 84 paragrafi 2). Gjykata që ka vendosur masën, brenda tre ditëve nga marrja e njoftimit, i përcjell gjykatës kompetente fashikullin e masës së sigurimit (si dhe çdo akt tjetër të kryer prej saj, p.sh., përgjimet telefonike). Afati dhjetëditor fillon të llogaritet nga dita e mbërritjes së fashikullit të masës së sigurimit në gjykatën kompetente.

       

      [1] Tonini P., Manuale di procedura penale, 11a edizione, Giuffrè Editore, Milano 2010, faqe 56.

      [2] Prokuroria është e organizuar dhe funksionon pranë sistemit gjyqësor (shih nenin 148, paragrafi 3 të Kushtetutës).

      [3] Shih ligjin Nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”.

      [4] Termi “gjykatë më e lartë”, i përdorur në tekstin e dispozitës dhe që ka ngelur i pandryshuar, nuk na duket term i përshtatshëm. Këtu nuk është fjala për një gjykatë më të lartë, por për një gjykatë të së njëjtës shkallë, sikurse mund të jetë gjykata e posaçme ose seksioni i posaçëm për të miturit në të njëjtën gjykatë të rrethit gjyqësor.

      [5] Vendimi Nr.14, datë 17.04.2007 i Gjykatës Kushtetuese, Koçiu, etj.

      [6] Shih nenin 11 të ligjit Nr.98/2016 “Për organizmin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”.

      [7] Shih edhe Gjykata e Kasacionit e Italisë, Seksioni III Penal, vendim nr.1744, datë 11 gusht 1993 [tek Di Stefano, etj. (a cura di), Codice di procedura penale annotato con la giurisprudenza, XXIII Edizione, Simone, 2015, faqe 98-99]

      [8] Shih nenin 306 paragrafi 2 i KPP

      [9] Neni 88 i KPP

      1. Normat e reja kushtetuese parashohin krijimin e Prokurorisë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar,[1] një organ i pavarur në pikëpamje organizative dhe funksionale nga Prokuroria e Përgjithshme. Sikundër përmendëm, tashmë ushtrimi i ndjekjes penale dhe përfaqësimi i akuzës në gjyq u besohet dy organeve autonome nga njëra-tjetra – prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm dhe Prokurorisë së Posaçme – ndaj konfliktet e kompetencës lëndore do të jenë të pashmangshme. Në këtë kontekst historik kushtetues, zgjidhjes së situatave të konfliktit për kompetencën mes dy organeve u paraprijnë ndryshimet e paragrafit 2 të nenit 89 të KPP (dy paragrafet e tjera mbetën të pandryshuara). Kjo dispozitë lidhet pashmangshmërisht me një numër të konsiderueshëm normash procedurale, një pjesë e të cilave të ndryshuara ose të plotësuara.

      [1] Neni 148/dh i Kushtetutës

    • Asnjë koment
  • Vendime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut 

    1. Në vështrim të nenit 6 paragrafi 1 të KEDNJ-së, gjykatat duhet të jenë “të krijuara me ligj”, ku fjala ligj nënkupton edhe kompetencën e gjykatave (Lavents[1]; Jorgic[2]). Sipas jurisprudencës së GJEDNJ-së, mosrespektimi i normave të së drejtës së brendshme, përsa i përket krijimit dhe kompetencës së organeve gjyqësore, në parim, përbën shkelje të nenit 6, paragrafi 1 të Konventës. Por, duke qenë se u takon gjykatave të interpretojnë ligjin e brendshëm, Gjykata e Strasburgut nuk i hyn vlerësimit të tyre për çështje të kompetencës, përveç rasteve kur konstatohen[3] shkelje flagrante të ligjit (Coëme e të tjerë). Jurisprudenca e saj kufizohet në vlerësimin e shkaqeve të arsyeshme që përligjin kompetencën e organit gjyqësor.[4]

     

    [1] Lavents kundër Letonisë (paragrafi 114),nr. aplikimi 58442/00, 28 nëntor 2002.

    [2] Jorgic kundër Gjermanisë (paragrafi 65), nr. Aplikimi74613/01, 12 korrik 2007.

    [3] Ibid: Lavents kundër Letonisë dhe Coëme dhe të tjerë kundër Belgjikës, nr. aplikimi 32492/96, 32547/96, 32548/96, 33209/96 dhe 33210/96, 22 Qershor 2000, paragrafi 98.

    [4] Ibid: Jorgic kundër Gjermanisë

  • Asnjë koment
    1. Kushtetuta: nenet 32 paragrafi 2 dhe 42 paragrafi 2;
    2. Kodi i Procedurës Penale: nenet 28, 29, 74, 75/a, 75/b, 76, 77, 80, 81, 82, 83, 85, 86, 88, 90, 91, 128/a, 129, 151.3, 306, 362, 365.2, 369, 370.1.
  • Asnjë koment
  • Vendime të Gjykatës Kushtetuese 

    1. Nr.14, datë 17.4.2007, Koçiu, etj.
    2. Nr.11, datë 23.4.2009, Bazelli

     

    Vendime të kolegjit penal të Gjykatës së Lartë 

    1. Nr.00-2010-266 i Vendimit (135), datë 17.2.2010, Lleshi
    2. Nr.00-2010-399 i Vendimit (220), datë 10.3.2010, Bajramaj
    3. Nr.00-2011-216 i Vendimit (42), datë 23.2.2011, Lepuri

     

    Vendime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut 

    1. Coëme e të tjerë kundër Belgjikës, Aplikimet no 35247/96, 32548/96, 33209/96 dhe 33210/96,vendim i datës 18 tetor 2000; http://hudoc.echr.coe.int/fre?i=001-63450 (vizita e fundit 7.8.2017);
    2. Jorgic kundër Gjermanisë, Aplikimi no74613/01, vendim i datës 12 tetor 2007; http://hudoc.echr.coe.int/fre?i=001-81609 (vizita e fundit 8.8.2017);
    3. Lavents kundër Letonisë, Aplikimi no58442/00, vendim i datës 28 nëntor 2002; http://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-65362 (vizita e fundit 10.8.2017);

     

    Vendime të Gjykatës së Kasacionit të Italisë 

    1. Gjykata e Kasacionit e Italisë, Seksioni III Penal, vendimi nr.1744, datë 11.8.1993.
    1. Gilberto Lozzi, Lezioni di procedura penale, Terza edizione, G. Giappichelli Editore, marzo 2000, faqe 61-86.
    2. Giovanni Conso, Antonio Grevi, Compendio di procedura penale, Terza edizione, Cedam 2006, faqe 32-38.
    3. Paolo Tonini, Manuale di procedura penale, 11a edizione, Giuffrè Editore, Milano 2010, faqe 69-72.
    4. Piermaria Corso (a cura di), Codice di procedura penale annotato con la giurisprudenza, Terza edizione, CELT, 2004, faqe 113-126.
    5. P. Di Stefano, G. Gatti, F. Izzo, R. Marino (a cura di), Codice di procedura penale annotato con la giurisprudenza, XXIII Edizione, Simone, ottobre 2015, faqe 95-106.
  • Asnjë koment
Henrik Ligori
Idlir Peçi, Koraljka Bumči