KODI I PROCEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   7905

Neni 376: Të drejtat e palëve

1Në rastet e parashikuara nga nenet 372, 373, 374 dhe 375, kryetari i bën të ditur të pandehurit se mund të kërkojë një afat për mbrojtjen. Kur i pandehuri kërkon afat, kryetari ndërpret shqyrtimin gjyqësor për një kohë të përshtatshme, por jo më shumë se dhjetë ditë. Edhe palët e tjera mund të kërkojnë marrjen e provave të reja.

2Kryetari urdhëron thirrjen e viktimës, duke respektuar një afat jo më të vogël se pesë ditë.

3Kur i pandehuri gjykohet në mungesë, sipas neneve 351 dhe 352 të këtij Kodi, prokurori i kërkon gjykatës që akuza e re të përfshihet në procesverbalin e shqyrtimit gjyqësor dhe që ekstrakti i procesverbalit t’i njoftohet të pandehurit. Në këtë rast kryetari ndërpret shqyrtimin gjyqësor dhe cakton një seancë të re, duke respektuar afatet e treguara në paragrafin 1.

Përmbajtja

      1. Neni 376 i KPrP ka qëllim të dyfishtë, së pari garantimin e të drejtës së të pandehurit për t'u mbrojtur për akuzat e reja, ndryshimin e akuzës apo cilësimit juridik më të rëndë të veprës, edhe kur gjykohet në mungesë, dhe së dyti garantimin e të drejtës për t’u informuar dhe dëgjuar për viktimat. Kjo dispozitë është në përputhje me nenet 31 dhe 42 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ.
      1. Neni 376 i KPrP në paragrafin 1 përcakton rregullat procedurale për njoftimin dhe mbrojtjen e të pandehurit në rastin e akuzave të reja apo ndryshimit të cilësimit juridik në më të rëndë. Në paragrafin 2 dispozita përcakton rregullat procedurale për njoftimin dhe respektimin e të drejtës për t’u dëgjuar të viktimës. Ndërsa, në paragrafin 3 dispozita përcakton rregullat procedurale për njoftimin dhe mbrojtjen e të pandehurit në mungesë.
      1. Neni 376 i KPrP zbatohet vetëm në rastet e parashikuara nga nenet 372, 373, 374 dhe 375 përkatësisht ndryshimit të akuzës, akuzës për një vepër tjetër apo për një fakt të ri dhe ndryshimit të cilësimit juridik të veprës në më të rëndë.

       

      1. Neni 376 i K.Pr.P garanton të drejtën e mbrojtjes së të pandehurit dhe detyrimin e gjykatës për t’i bërë të ditur të pandehurit se mund të kërkojë afat për mbrojtjen. Për rrjedhim duke qënë se jemi përpara një të drejte dhe jo detyrimi, i pandehuri mund të heqë dorë nga kjo e drejtë. Edhe sipas GJEDNJ[1] as shkrimi dhe as fryma e nenit 6 të Konventës nuk e ndalon një person të heqë dorë me vullnetin e tij të lirë, shprehimisht ose në mënyrë të heshtur, nga e drejta për garancitë e një gjykimi të drejtë. Por, konsiderohet se ai ka hequr dorë nga e drejta vetëm në rast se i është bërë e ditur kjo e drejtë. Heqja dorë nga e drejta duhet të bëhet në mënyrë të qartë dhe e shoqëruar me një minimum garancish në përputhje me rëndësinë e saj. [2]

       

      1. Kur i pandehuri kërkon afat për mbrojtjen, trupi gjykues ndërpret shqyrtimin gjyqësor për një kohë të përshtatshme, në varësi të natyrës së çështjes dhe kërkesës së të pandehurit, por jo më shumë se dhjetë ditë. Afati maksimal 10 ditë i përcaktuar në nenin 376 paragrafi 1 të KPrP është konsideruar nga ligjvënësi si afat i arsyeshëm[3] për mbrojtjen dhe i detyrueshëm për zbatim nga gjykata. Por ky parashikim duhet të zbatohet në përputhje me standartet e përcaktuara nga GJEDNJ[4] sipas të cilave për përcaktimin nëse i pandehuri ka patur kohën e përshtatshme për përgatitjen e mbrojtjes, vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet natyrës së procedimit, kompleksitetit të çështjes si dhe fazës në të cilën ndodhet gjykimi. Po ashtu, duhet të merret parasysh edhe ngarkesa e zakonshme e punës së mbrojtësit të të pandehurit, në tërësi me urgjencën specifike të një çështje të caktuar.[5] Prandaj, afati i përcaktuar në nenin 376 të KPrP zbatohet si rregull dhe në rastet kur për shkak të elementëve të mësipërm të përcaktuar nga GJEDNJ, gjykata vlerëson se afati 10 ditë nuk është i mjaftueshëm për mbrojtjen vendos shtyrjen e seancës. GJEDNJ ka theksuar se në rrethana të caktuara gjykatës i duhet të shtyjë seancën gjyqësore në mënyrë që t’i japë të pandehurit kohën e mjaftueshme për mbrojtjen.[6] 

       

      1. Në seancën pasardhëse pas dhënies së afatit për mbrojtjen apo në të njëjtën seancë kur i pandehuri nuk kërkon afat për mbrojtjen, palët kanë të drejtë të kërkojnë marrjen e provave të reja. Për kërkesat e palëve për prova të reja, gjykata vendos në përputhje me kriteret e përcaktuara nga nenet 151 dhe 357 të KPrP, si ai i përjashtimit të provave të ndaluara nga ligji dhe që janë haptazi të panevojshme. Në rastin e pranimit të kërkesave për prova të reja, jemi para riçeljes së shqyrtimit gjyqësor referuar interpretimit të nenit 375 paragrafi 2 të KPrP, ndryshe nga rasti i akuzave të reja, të cilat parashtrohen gjatë shqyrtimit gjyqësor.

       

      1. Neni 376 paragrafi 2 e KPrP përcakton detyrimin e trupit gjykues për thirrjen e viktimës, në rastet e parashikuara nga nenet 372, 373, 374 dhe 375. Kjo dispozitë duhet parë ngushtë me nenin 58 të KPrP që përcakton të drejtat e viktimës dhe në veçanti shkronjat “dh”, “ë” dhe “i” që parashikojnë se viktima ka të drejtë të informohet dhe të dëgjohet, si dhe të parashtrojë kërkesa sipas kritereve të parashikuara në ligj. Ky ndryshim ligjor është në përputhje me standartet ndërkombëtare të përcaktuara nga Direktiva 2012/29,[7] disa nga Konventat e ratifikuara nga Shqipëria[8] dhe jurisprudenca e GJEDNJ.[9]

       

      1. Neni 376 paragrafi 2 i KPrP përcakton detyrimin për thirrjen e viktimës, duke respektuar një afat jo më të vogël se pesë ditë. Kështu, edhe në rastin kur i pandehuri nuk kërkon afat për mbrojtjen sipas paragrafit 1 të dispozitës, gjykata përsëri ndërpret shqyrtimin gjyqësor për thirrjen e viktimës. Dispozita ka përcaktuar detyrimin e gjykatës për njoftimin e viktimës dhe thirrjen për paraqitje në seancë të saj. Afati pesë ditë i përcaktuar në këtë dispozitë është afati minimal për dhënien e kohës viktimës që të njihet me akuzën e re apo ndryshimin e cilësimit juridik. Për rrjedhim, nga momenti i marrjes dijeni të viktimës duhet të garantohet respektimi i afatit minimal pesë ditë. Vetëm pas respektimit të këtij afati, gjykata vazhdon shqyrtimin gjyqësor. Viktima ka të drejtë të paraqitet në seancë por ky nuk përbën një detyrim për të.

       

      1. Neni 376 paragrafi 3 i KPrP fjalia e parë aplikohet vetëm për të pandehurin në mungesë për rastet e ndryshimit të akuzës[10], akuzës për një vepër tjetër[11] apo për një fakt të ri[12]. Në këto raste, akuza e re përfshihet në procesverbalin e shqyrtimit gjyqësor dhe ekstrakti i procesverbalit i njoftohet të pandehurit. Dispozita nuk e rregullon shprehimisht procedurën e njoftimit të ekstraktit të procesverbalit të pandehurit në mungesë. Nisur nga natyra e veprimit procedural që i njoftohet të pandehurit, do të gjejnë zbatim rregullat e parashikuara nga neni 375 paragrafi 3 i KPrP[13] për njoftimin e të pandehurit në mungesë për mundësinë e ndryshimit të cilësimit juridik të veprës në më të rëndë. Prandaj, kur gjykimi zhvillohet në mungesë të të pandehurit, sipas nenit 352 të KPrP[14], gjykata zbaton rregullat e përcaktuara në paragrafët 1 dhe 2 të tij. Këto rregulla aplikohen për aq sa janë të pajtueshme me qëllimin dhe kërkesat e nenit 376 paragrafi 3 të KPrP. Kështu, Gjykata nuk vendos përsëri pezullimin e gjykimit për një vit për vazhdimin e kërkimit të të pandehurit.

       

      1. Në rastet e akuzave të reja, kur i pandehuri gjykohet në mungesë sipas neneve 351 dhe 352 të këtij Kodi, prokurori i kërkon gjykatës që akuza e re të përfshihet në procesverbalin e shqyrtimit gjyqësor dhe që ekstrakti i procesverbalit t’i njoftohet të pandehurit. Nisur nga formulimi i nenit 376 paragrafi 3 e KPrP parë ngushtë me nenet 115 dhe 116 të KPrP, ekstrakti i procesverbalit është transkriptimi i regjistrimit për pjesën e shkëputur kur prokurori parashtron akuzën e re, ose kur procesverbali nuk mbahet me regjistrim audio, është procesverbali i mbajtur me shtypshkrim apo dorëshkrim në formë të përmbledhur.

       

      1. Në këtë rast, trupi gjykues ndërpret shqyrtimin gjyqësor dhe cakton një seancë të re për të kryer njoftimin. Ekstrakti i procesverbalit i njoftohet të pandehurit në mungesë duke zbatuar rregullat e përcaktuara në paragrafët 1 dhe 2 të nenit 352 të KPrP. Gjykata procedon me njoftimin e të pandehurit si për seancën e parë gjyqësore.[15] Gjykata fillimisht do të kryejë të gjitha veprimet për njoftimin e të pandehurit, sipas neneve 140, 141142 të KPrP. Kur edhe pas kërkimeve të kryera rishtazi i pandehuri nuk gjendet, apo provohet se i fshihet drejtësisë, gjykata i komunikon ekstraktin e procesverbalit mbrojtësit të tij. Neni 375 paragrafi 3 i KPrP nuk referon edhe në zbatimin e paragrafit 3 të nenit 352 të KPrP. Prandaj, kur deklarimi i mungesës në gjykim është bërë për shkak se provohet se i pandehuri ndodhet jashtë vendit dhe ekstradimi i tij nuk është i mundur, gjykata kryen verifikime vetëm lidhur me ndryshimin e këtyre kushteve. Kur edhe pas verifikimeve të kryera rezulton se i pandehuri ndodhet jashtë vendit dhe ekstradimi i tij nuk është i mundur, gjykata i komunikon ekstraktin e procesverbalit mbrojtësit të tij. Mosnjoftimi i akuzave të reja të pandehurit (ose mbrojtësit të tij) përbën shkelje proceduriale që çon në pavlefshmërinë e vendimit gjyqësor.[16]

       

      1. Në këtë rast, pas kryerjes së njoftimit, gjykata respekton afatet e treguara në paragrafin 1 të nenit 376 të KPrP, që është jo më shumë se 10 ditë për mbrojtjen, kur kërkohet. Afati për mbrojtjen e të pandehurit jo më shumë se 10 ditë, i përcaktuar në pikën 1 të nenit 376 aplikohet përveç se për akuzat e reja edhe për mundësinë e ndryshimit të cilësimit juridik në më të rëndë. Kjo sipas interpretimit literal të kësaj dispozite. Ky afat aplikohet për të pandehurin në mungesë në rastin kur ai merr dijeni personalisht dhe kërkon kohë për mbrojtjen ose kur nuk merr dijeni personalisht apo provohet se i fshihet drejtësisë dhe ky afat kërkohet nga mbrojtësi i tij.

       

      1. Respektimi i kërkesave të nenit 376 të KPrP paraqet rëndësi të veçantë për respektimin e të drejtës së individit për t’u vënë në dijeni menjëherë dhe në mënyrë të hollësishme mbi natyrën dhe shkakun e akuzës kundër tij, sanksionuar nga neni 31/a i Kushtetutës dhe nga neni 6 paragrafi 3/a i KEDNJ. Informimi i plotë dhe i saktë për akuzat e ngritura, si dhe për kualifikimin juridik të veprës penale është konsideruar nga Gjykata Kushtetuese[17] si kusht themelor për besueshmërinë e procesit dhe për përgatitjen e duhur të një mbrojtjeje efektive, dhe një nga garancitë themelore për realizimin e të drejtës për një proces të rregullt ligjor të sanksionuar në nenin 42 të Kushtetutës dhe në nenin 6 të KEDNJ-së.

       

      1. Neni 376 i KPrP dhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese është në përputhje të plotë me standartet e GJEDNJ për të drejtën e mbrojtjes në rastin e akuzave të reja apo ndryshimit të cilësimit juridik, të garantuar nga neni 6 paragrafi 3/a i KEDNJ. Ky nen sipas GJEDNJ, i njeh të pandehurit të drejtën që të informohet jo vetëm me motivin e akuzës, pra me faktet materiale që i atribuohen dhe mbi të cilat bazohet akuza, por edhe, dhe në mënyrë të detajuar, me kualifikimin juridik të dhënë këtyre fakteve.[18] Një informacion i saktë dhe i plotë i akuzave në ngarkim të një të pandehuri pra dhe i kualifikimit juridik të veprës penale që autoritetet mund të konsiderojnë në ngarkim të tij, sipas GJEDNJ[19] është një kusht i rëndësishëm për procesin e rregullt ligjor.

       

      [1] Sejdovic kundër Italisë, kërkesa 56581/00, datë 01 Mars 2006, §86.

      [2] Sejdovic kundër Italisë, kërkesa 56581/00, datë 01 Mars 2006, §86.

      [3] Për shkak të natyrës së veprimit procedural, akuzës së re apo ndryshimit të cilësimit juridik, që i komunikohet të pandehurit rishtazi, gjatë apo në përfundim të shqyrtimit gjyqësor.

      [4] Gregacevic kundër Kroacisë, kërkesa 58331/09, datë 10 Korrik 2012, §51,

      [5] Mattick kundër Gjermanisë, kërkesa 62116/00, datë 31 Mars 2005.

      [6] Sadak and Others v. Turkey (no. 1), kërkesat 29900/96, 29901/96, 29902/96, 29903/96, datë 30 Prill 2002, § 57, dhe Sakhnovskiy v. Russia [GC], kërkesa 21273/03 datë 02 Nëntor 2010, §§ 103 dhe 106.

      [7]Direktiva 2012/29 e Parlamentit Europian dhe Këshillit e datës 25.10.2012 e Bashkimit Europian, që vendosi standartet minimale të të drejtave, mbështetjes dhe mbrojtjes së viktimave të krimit, duke zëvëndësuar Vendimin Kuadër të Këshillit 2001/220/JHA, (publikuar në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Europian në datën 14.11.2012)

      [8]Konventa e Këshillit të Europës “Për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje” ratifikuar me ligjin nr. 104/2012, Konventa e Këshillit të Europës “Për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi dhe abuzimi seksual” ratifikuar me ligjin nr. 10071/2009, Konventa e Këshillit të Europës “Për masat kundër trafikimit të qënieve njerëzore” ratifikuar me ligjin nr. 9642/2006 dhe Konventa Europiane “Për kompensimin e viktimave të krimeve të dhunshme” ratifikuar me ligjin nr. 9265/2004.

      [9] Hugh Jordan kundër Mbretërisë së Bashkuar, kërkesa 24746/94, datë 4 Maj 2001, lidhur me mungesën e ofrimit të mundësisë së pjesëmarrjes efektive të të afërmve të viktimës në procesin hetimor, informimin e të afërmve në lidhje me hetimin. 

      [10] Neni 372 i K.Pr.P.

      [11] Neni 373 i K.Pr.P.

      [12] Neni 374 i K.Pr.P.

      [13] Dispozitë që referon në paragrafët 1 dhe 2 nenit 352 të K.Pr.P.  

      [14] Kur i pandehuri në gjendje të lirë nuk gjendet, provohet se i fshihet drejtësisë, apo i pandehuri ndodhet jashtë vendit dhe ekstradimi i tij nuk është i mundur.

      [15] Relacioni për projekt-ligjin “Për disa shtesa e ndryshime në Kodin e Procedurës Penale”, https://www.parlament.al/wp-content/uploads/2017/01/RELACION-SHTESA-E-NDRYSHIME-7905-KODI-I-PROCEDURES-PENALE-Resized.pdf, faqe 30, aksesuar për herë të fundit në datë 24.07.2017.

      [16] Vendim nr 606, datë 26.09.2007, Agron Dedej (KPGJL).

      [17]Vendimi nr.4 datë 10.02.2012, Leonard Luzi, Shfuqizimi, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, i vendimit nr.72, datë 4.12.2009 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda; vendimit nr.14, datë 15.2.2010 të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda; vendimit nr. 00-2010-1356 (971), datë 8.11.2010 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë (Dhomë Këshillimi) dhe Vendimi nr. 24 datë 30.04.2012, Bekim Murati, Shfuqizimi, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, i vendimit nr.1341, datë 20.11.2007, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë; i vendimit nr.174, datë 21.03.2008, të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe i vendimit nr.00-2010-321 (288), datë 18.03.2010, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë (Dhomë Këshillimi).

      [18] Pélissier dhe Sassi kundër Francës, kërkesa 25444/94, datë 25.03.1989.

      [19] Drassich kundër Italisë, kërkesa nr. 25575/04, datë 11.03.2008.

      1. Në relacionin për projekt-ligjin[1] për disa shtesa dhe ndryshime në KPrP dhe në Analizën e Sistemit të Drejtësisë,[2] të hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë është pasqyruar problematika që lidhet me nenin 376 të KPrP, që konsiston në mospërcaktimin e procedurës dhe llojin e vendimmarrjes së gjykatës në rastin e akuzave të reja dhe ndryshimit të cilësimit juridik të veprës, çka ka vënë në diskutim të drejtën e të pandehurit për t’u njohur me akuzën, për të pasur kohën dhe lehtësitë e përshtatshme për mbrojtje, sipas jurisprudencës së GJEDNJ[3].

       

      1. Problematika e konstatuar gjatë zbatimit të nenit 376 të KPrP dhe qëndrimet e ndryshme të mbajtura në praktikën gjyqësore, për shkak të mënyrës së formulimit të dispozitës, kanë sjellë nevojën e ndryshimit të nenit 376 të KPrP. Me qëllim zbatimin e standarteve ndërkombëtare për të drejtat e viktimës në proçesin penal, dhe standarteve të përcaktuara në jurisprudencën e GJEDNJ dhe nga legjislacioni i BE[4] lidhur me njoftimin e akuzës dhe ndryshimit të cilësimit juridik dhe të drejtën e mbrojtjes, edhe të të pandehurit në mungesë, me ligjin nr. 35/2017, në nenin 376 të KPrP, janë bërë shtesa. Këto shtesa kanë dhënë një përcaktim më të saktë dhe të qartë të rregullave procedurale.

       

      [1] Relacioni për projekt-ligjin “Për disa shtesa e ndryshime në Kodin e Procedurës Penale”, https://www.parlament.al/wp-content/uploads/2017/01/RELACION-SHTESA-E-NDRYSHIME-7905-KODI-I-PROCEDURES-PENALE-Resized.pdf, faqe 30, aksesuar për herë të fundit në datë 24.07.2017.

      [2] Shih Analizën e Sistemit të Drejtësisë, Qershor 2015, në

      http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf vizituar për herë të fundit më 28.08.2017, faqe 146, 171, 181.

      [3] Drassich kundër Italisë, kërkesa nr. 25575/04, datë 11.03.2008.

      [4] Direktiva 2012/13/UE e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit të Bashkimit Evropian, datë 22.5.2012, për të drejtën e informimit të të hetuarit në procesin penal, pika 28 dhe 29.

    • Konventa e Këshillit të Europës “Për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje” ratifikuar me ligjin nr. 104/2012, e cila garanton mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të viktimave, në të gjitha fazat e procedimeve gjyqësore, në veçanti të drejtën e informimit dhe për tu dëgjuar. Neni 376 në garantimin e njoftimit të viktimës për akuzën e re apo ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale në më të rëndë është në përputhje me Konventën; 

      Konventa e Këshillit të Europës “Për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi dhe abuzimi seksual” ratifikuar me ligjin nr. 10071/2009, e cila garanton që viktimat e mitur në rastin e shfrytëzimit apo abuzimit seksual të informohen për akuzat, ecurinë e përgjithshme të hetimit ose të procedimit dhe rolin e tyre në to, si dhe rezultatin e çështjes së tyre; 

      Konventa e Këshillit të Europës “Për masat kundër trafikimit të qënieve njerëzore” ratifikuar me ligjin nr. 9642/2006, e cila garanton mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të viktimave të trafikimit, në të gjitha fazat e procedimeve gjyqësore, në veçanti të drejtën e informimit dhe për tu dëgjuar; 

      Konventa Europiane “Për kompensimin e viktimave të krimeve të dhunshme” ratifikuar me ligjin nr. 9265/2004, e cila garanton mbrojtjen të drejtën e informimit të viktimave për procedimin gjyqësor; 

      Direktiva 2012/13/UE e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit të Bashkimit Evropian, datë 22.5.2012, për të drejtën e informimit të të hetuarit në procesin penal, pika 28 dhe 29, lidhur me garantimin e të drejtës së të pandehurit për t'u mbrojtur për akuzat e reja, ndryshimin e akuzës apo cilësimit juridik më të rëndë të veprës; 

      Direktiva 2012/29 e Parlamentit Europian dhe Këshillit e datës 25.10.2012 e Bashkimit Europian, që vendosi standartet minimale të të drejtave, mbështetjes dhe mbrojtjes së viktimave të krimit, duke zëvëndësuar Vendimin Kuadër të Këshillit 2001/220/JHA, (publikuar në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Europian në datën 14.11.2012), ka si qëllim të sigurojë që viktima e krimit të marrë informacionin e përshtatshëm, mbështetjen dhe mbrojtjen dhe të jetë në gjendje që të marrë pjesë në procedimin penal.

  • Vendime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut 

    Pélissier dhe Sassi kundër Francës, kërkesa 25444/94, datë 25.03.1989, lidhur me njoftimin e të pandehurit për kualifikimin e fakteve dhe dhënien e kohës së përshtatshme për mbrojtjen; 

    Drassich kundër Italisë, kërkesa nr. 25575/04, datë 11.03.2008, lidhur me njoftimin e të pandehurit për kualifikimin juridik të dhënë fakteve dhe dhënien e mundësisë për të ushtruar mbrojtjen; 

    Hugh Jordan kundër Mbretërisë së Bashkuar, kërkesa 24746/94, datë 4 Maj 2001, lidhur me mungesën e ofrimit të mundësisë së pjesëmarrjes efektive të të afërmve të viktimës në procesin hetimor, informimin e të afërmve në lidhje me hetimin; 

    Sejdovic kundër Italisë, nr. 56581/00, § 86, datë 01.03.2006, lidhur me heqjen dorë nga të drejtat; 

    Gregacevic kundër Kroacisë, kërkesa 58331/09, datë 10 Korrik 2012, § 51, lidhur me elementët që duhet të analizojë gjykata për të përcaktuar nëse i pandehuri ka patur kohën e përshtatshme për përgatitjen e mbrojtjes; 

    Mattick kundër Gjermanisë, kërkesa 62116/00, datë 31 Mars 2005, lidhur me përcaktimin e ngarkesës së mbrojtësit në tërësi me urgjencën e çështjes si elementë që duhet të analizojë gjykata për të përcaktuar nëse i pandehuri ka patur kohën e përshtatshme për përgatitjen e mbrojtjes; 

    Sadak and Others v. Turkey (no. 1), kërkesat 29900/96, 29901/96, 29902/96, 29903/96, datë 30 Prill 2002, § 57, dhe Sakhnovskiy v. Russia [GC], kërkesa 21273/03 datë 02 Nëntor 2010, §§ 103 dhe 106, lidhur me detyrimin e gjykatës që në rrethana të caktuara të shtyjë seancën gjyqësore në mënyrë që t’i japë të pandehurit kohën e mjaftueshme për mbrojtjen.

  • Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, Qershor 2015, faqe 146, 171, 181, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf, aksesuar për herë të fundit më 28.08.2017; 

    Strategjia për reformën në sistemin e drejtësisë https://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/draft_strategjia_versioni_shqip.pdf, aksesuar për herë të fundit në datën 26.08.2017; 

    Relacioni për projekt-ligjin “Për disa shtesa e ndryshime në Kodin e Procedurës Penale”, https://www.parlament.al/wp-content/uploads/2017/01/RELACION-SHTESA-E-NDRYSHIME-7905-KODI-I-PROCEDURES-PENALE-Resized.pdf, aksesuar për herë të fundit në datë 26.08.2017.

  • Nenet 58, 115, 116, 140-142, 151, 357, 351, 352, 372-374, 375 të ligj nr.35/2017 Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.7905, datë 21.03.1995 “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar me ligjin nr. 35/2017; 

    Kushtetuta: 

    Nenet 31, 42 të Kushtetutës, ndryshuar me ligjin nr. 76/2016; 

    Ligji: 

    Konventa e Këshillit të Europës “Për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje” ratifikuar me ligjin nr. 104/2012; 

    Konventa e Këshillit të Europës “Për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi dhe abuzimi seksual” ratifikuar me ligjin nr. 10071/2009; 

    Konventa e Këshillit të Europës “Për masat kundër trafikimit të qënieve njerëzore” ratifikuar me ligjin nr. 9642/2006; 

    Konventa Europiane “Për kompensimin e viktimave të krimeve të dhunshme” ratifikuar me ligjin nr. 9265/2004; 

    Ligji nr. 7905, datë 21.03.1995 “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar me ligjin nr. 35/2017. 

  • Asnjë koment
  • Vendime të Gjykatës Kushtetuese 

    Vendimi nr. 4 datë 10.02.2012, Leonard Luzi, Shfuqizimi, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, i vendimit nr.72, datë 4.12.2009 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda; vendimit nr. 14, datë 15.2.2010 të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda; vendimit nr. 00-2010-1356 (971), datë 8.11.2010 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë (Dhomë Këshillimi), lidhur me informimin e të pandehurit për ndryshimin e cilësimit juridik në gjykimin e shkurtuar; 

    Vendimi nr. 24 datë 30.04.2012, Bekim Murati, Shfuqizimi, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, i vendimit nr. 1341, datë 20.11.2007, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë; i vendimit nr. 174, datë 21.03.2008, të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe i vendimit nr. 00-2010-321 (288), datë 18.03.2010, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë (Dhomë Këshillimi), lidhur me informimin e të pandehurit për ndryshimin e cilësimit juridik në gjykimin e shkurtuar. 

    Vendime të Gjykatës së Lartë 

    Vendimi nr. 606 datë 26.09.2007 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë me kërkues Agron Dedej për garancitë e parashikuara për të pandehurin lidhur me mosrëndimin e pozitës së tij.

  • Marsida Frashëri, Akuzat e reja sipas legjislacionit tonë procedural në fuqi, Mbi disa çështje të së drejtës penale dhe procedurale penale, Shkolla e Magjistraturës, nr.1, viti 2010; 

    Ledi Bianku, Jurisprudenca e Gjykatës së Strasburgut, Tiranë, 2007; 

    Halim Islami, Artan Hoxha, Ilir Panda, Procedura penale Komentar, Tiranë 2003.

  • Neni 375, 376 i KPrP para ndryshimit me ligjin nr. 35/2017.

Ornela Naqellari
Idlir Peçi