CRIMINAL PROCEDURE CODE OF THE REPUBLIC OF ALBANIA   |   7905

Article 291: Decision not to initiate proceedings

1When the circumstances that do not allow the initiation of proceedings exist, the prosecutor issues a reasoned decision not to initiate the proceedings, within 15 days of the filing of the criminal report.

2Notice of the decision is served promptly to those who have lodged a criminal report or a complaint, to the victim or the victim’s heirs, who may file a complaint with the court, within 10 days of the notification of the decision.

3The judge who adjudicates on the requests of the parties during preliminary investigations, shall examine the complaint within 30 days of its submission. The complaint shall be examined in a trial hearing, however failure of the parties to appear, without reasonable cause, will result in the court deciding without their presence.

4When the complaint is found to be grounded, the court orders the obligation of the prosecutor to register the proceeding and to carry out the necessary investigations, indicating also their direction.

5The parties may lodge a complaint with the court of appeal against the decision within 10 days. The court of appeal shall decide within 30 days of the receipt of the acts.

Table of Content

      1. Neni 291 synon që të garantojë mbarëvajtjen e ndjekjes penale dhe të respektojë të drejtat procedurale të viktimave. Në veçanti, kontrolli gjyqësor ndaj vendimarrjes së prokurorit për mosfillimin e procedimit ndjek dy qëllime, së pari: për të garantuar qënien aktive të prokurorisë në ndjekjen penale dhe dënimin e autorëve të veprave penale dhe së dyti: respektimin e të drejtave dhe lirive të individëve ndaj të cilëve ngrihet akuza ose janë të dëmtuar si pasojë e veprës penale konkrete.[1]

       

      [1] Vendim nr.5, datë 06.03.2009, Gjykata e Apelit Vlorë, Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën i neneve 24/5, 327 paragrafi 2; 328 dhe 329 paragrafi 1, pjesa e fjalisë “përveçse kur me vendim është deklaruar se fakti nuk ekziston” të Kodit të Procedurës Penale.

      1. Neni 291 ka natyrë rregulluese dhe sanksionon në mënyrë kronologjike rregullat procedurale për marrjen e vendimit të mosfillimit të procedimit, njoftimin e vendimit palëve dhe ankimin, shqyrtimin gjyqësor të ankimit në shkallë të parë dhe gjykimin në apel si dhe është në përputhje me nenin 148 paragrafi 2 të Kushtetutës. Konkretisht, neni 291 përcakton organin që ka detyrë të vendosë mosfillimin e procedimit penal, rrethin e personave që kanë të drejtën e ankimit, afatet e vendimarrjes dhe paraqitjes së ankimit, si dhe rregullat e kontrollit gjyqësor.
      1. Në kuadrin e detyrimit që asnjë person të mos ndiqet penalisht padrejtësisht, neni 290 i K.Pr.P përcakton rastet e mosfillimit të procedimit penal. Vendimi për mosfillimin e procedimit penal merret nga prokurori. Kompetenca e prokurorit për mosfillimin e procedimit penal, në rastet e parashikuara në ligj, si aspekt i funksionit të tij kushtetues të ushtrimit të ndjekjes penale, është në pajtim me parimin e shtetit të së drejtës.[1]

       

      1. Rrethanat që nuk lejojnë fillimin e procedimit penal si rregull janë rrethana që nuk kanë nevojë për kryerjen e një sërë veprimesh hetimore që të provohen, pasi janë të verifikueshme nëpërmjet dokumentave apo ballafaqimit me dispozitat ligjore. Me ndryshimin e neneve 288, 292[2] të K.Pr.P dhe nenit 73 të Kushtetutës[3], nuk përbën më kusht për ndjekjen penale kërkimi i autorizimit për personat që gëzojnë imunitet. Për rrjedhim mungesa e një autorizimi të tillë nuk përbën më rrethanë për mosfillimin e procedimit penal. Rastet e parashikuara në nenin 290 për mosfillimin e procedimit dhe në nenin 329 të K.Pr.P për pushimin e çështjes janë pothuaj të përafërta. Prandaj, dallimi në vendimarrje qëndron të shkaku që pengon zhvillimin e procedimit. Nëse shkaku është i qartë dhe i dukshëm në momentin e njoftimit të veprës penale atëherë prokurori disponon me vendim për mosfillimin e procedimit. Në rast të kundërt, nëse nevojitet kryerja e veprimeve komplekse prokurori disponon me vendim për pushimin e çështjes.

       

      1. Sipas nenit 291, prokurori jep vendim të arsyetuar për mosfillimin e procedimit. Ashtu sikurse edhe për vendimin e pushimit të çështjes penale në Kod nuk parashikohen elementët që duhet të përmbajë vendimi. Ndryshe parashikohet për vendimin për dërgimin e çështjes në gjyq ku në nenin 332 shkronja “e” të K.Pr.P pasqyrohen elementët e këtij vendimi. Por, nisur nga shkaqet për të cilat merret vendimi i mosfillimit dhe faza fillestare e hetimit, elementët e këtij vendimi duhet të jenë rrethanat thelbësore të faktit penal dhe elementet e tjera që janë mbledhur deri atëherë, burimet e provës dhe veprimet e kryera, të gjitha aktet dhe provat e marra dhe arsyet e vërtetimit të njërës prej rrethanave të parashikuara në nenin 290 të K.Pr.P.

       

      1. Përpara ndryshimeve me ligjin nr.35/2017 neni 291 i K.Pr.P nuk parashikonte afat për vendimarrjen e prokurorit për mosfillimit e procedimit penal. Me shtimin e togfjalëshit në fund të nenit 291 paragrafi 1 të K.Pr.P, prokurori jep vendim për mosfillimin e procedimit penal brenda 15 ditëve nga regjistrimi i kallëzimit. Afati ligjor për dhënien e vendimit për mosfillimin është i shkurtër por kjo për shkak të natyrës së këtij vendimi. Në tre rastet, kur fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale, vepra penale është shuar, është dhënë amnisti, konstatimi i rrethanave është i lehtë dhe përgjithësisht bëhet para fillimit të procedimit penal. Mjafton që fakti i dhënë të ballafaqohet me Kodin Penal për të konkluduar nëse ai përbën vepër penale, si dhe të verifikohet nëse vepra penale është parashkruar ose amnistuar (nenet 66 dhe 71 të K.P). Më i vështirë është rasti kur duhet vlerësuar nëse fakti ekziston ose jo. Zakonisht ky përfundim nxirret vetëm pasi të jenë hetuar rrethanat konkrete. Prandaj, në këto raste, procedimi penal duhet të fillojë dhe më pas të pushohet nga prokurori në momentin kur del qartë që fakti nuk ekziston.[4]

       

      1. Vendimi për mosfillimin e procedimit i njoftohet personave që kanë të drejtën e ankimit në gjykatë. Ky vendim nuk i njoftohet personit ndaj të cilit është paraqitur kallëzim penal apo personit që i atribuohet vepra penale. Gjykata e Lartë[5] ka mbajtur qëndrimin se: “Vendimi i mosfillimit të procedimit penal nuk prek interesa të personit që i atribuohet vepra penale. Në këtë kuptim, nuk mund të ketë ndonjë arsye që ky person të bëjë ankim kundër vendimit të mosfillimit”.

       

      1. Përpara ndryshimeve me ligjin nr.35/2017 sipas nenit 291 paragrafi 2 të K.Pr.P, të drejtën e ankimit e kishin vetëm personat që kishin bërë kallëzim ose ankim. Për shkak të këtij formulimi, praktika gjyqësore ka mbajtur qëndrime të ndryshme lidhur me rrethin e personave që kishin të drejtën e ankimit kundër vendimit të mosfillimit. Gjykata e Lartë[6] unifikoi praktikat e ndryshme duke mbajtur qëndrimin se të drejtën e informimit dhe ankimit kundër vendimit të mosfillimit e kishte vetëm: a) i dëmtuari akuzues, b) i dëmtuari ankues për veprat penale të parashikuara nga neni 284 i K.Pr.P dhe c) i dëmtuari që është njëkohësisht kallëzues. Në këtë mënyrë, Gjykata e Lartë bëri një kategorizim të viktimave duke lënë jashtë të dëmtuarin që nuk kishte bërë kallëzim për veprat penale të ndryshme nga ato të neneve 59 dhe 284 të K.Pr.P. Gjithsesi edhe pas këtij unifikimi, në praktikën gjyqësore[7] në disa raste është mbajtur qëndrim i kundërt me atë unifikues duke legjitimuar edhe viktimat që nuk kishin bërë kallëzim apo ankim.

       

      1. Neni 291 i K.Pr.P dhe vendimi unifikues[8] nuk garantonin të drejtën e çdo viktime për t’u njoftuar për vendimin për mosfillimin e procedimit. Prandaj, neni 291 para ndryshimeve me ligjin nr.35/2017 dhe vendimi unifikues nuk ishin në përputhje me standartet ndërkombëtare. GJEDNJ ka kritikuar vazhdimisht mungesën e ofrimit të mundësisë së pjesëmarrjes efektive të të afërmve të viktimës në procesin hetimor.[9] Sipas Konventave[10], shtetet duhet të garantojnë informimin e viktimave për ecurinë e përgjithshme të hetimit ose të procedimit dhe rolin e tyre në to, si dhe rezultatin e çështjes së tyre. Edhe, sipas Direktivës[11] kur viktima legjitimohet si palë paditëse në procesin penal vetëm pas procedimit të të pandehurit, duhet të sigurohet nga shtetet që të paktën viktima e krimeve të rënda të ketë të drejtën e rishikimit/ankimit të vendimit për të mos proceduar.

       

      1. Me ndryshimet me ligjin nr.35/2017 në nenin 291, të drejtën e ankimit në gjykatë kundër vendimit për mosfillimin e procedimit e kanë viktima ose trashëgimtarët e saj. Kjo e drejtë sanksionohet edhe në nenin 58 shkronjat “ë” dhe “f” të K.Pr.P. Ky parashikim ligjor është në përputhje me standartet ndërkombëtare[12]. Në këtë kontekst, GJEDNJ[13] ka përcaktuar dy garanci procedurale: së pari, detyrimin e autoriteteve për informimin e të afërmve se përse u vlerësua se fakti nuk përbënte vepër penale duke i dhënë atyre “një vendim të argumentuar që të siguronte edhe një publik të interesuar që parimi i shtetit ligjor kishte qënë respektuar” dhe së dyti, garancinë që të afërmit dhe të interesuarit të kishin mundësi të informoheshin në lidhje me hetimin.[14] Ndërsa kuptimi i termit “viktimë” trajtohet më hollësisht në komentin e neneve 9 shkronja “a” dhe 58 të K.Pr.P.

       

      1. Procedura e informimit dhe ankimit kundër vendimit të mosfillimit, sipas standarteve ndërkombëtare të përcaktuara[15] duhet të jetë transparente dhe e qartë dhe duhet të sigurojë që viktima të kërkojë rishikimin pa përfaqësim ligjor dhe pa u penguar nga burimet financiare të kufizuara. Prandaj, e drejta e ankimit të viktimës kundër vendimit të mosfillimit sipas nenit 291 duhet interpretuar në përputhje me nenet 58 shkronja “ç“ të K.Pr.P dhe ligjin nr.10039, datë 22.12.2008 “Për ndihmën juridike”.

       

      1. Me ndryshimin e pikës 2 të nenit 291 afati i ankimit në gjykatë kundër vendimit të mosfillimit të procedimit penal është brenda 10 ditëve nga njoftimi i vendimit. Nga vështrimi krahasues në raport me afatin e ankimit ndaj vendimarrjeve të tjera të prokurorit apo gjykatës, afati 10 ditë është i arsyeshëm dhe e bën të drejtën e ankimit më efektive në raport me afatin 5 ditë të përcaktuar para ndryshimeve me ligjin nr.35/2017. Përcaktimi i afateve dhe respektimi i tyre ka rëndësi vecanërisht për shkak të qënies së hetimeve në një fazë fillestare, që kërkon kryerjen e veprimeve në një afat të shpejtë me qëllim mosdëmtimin e hetimeve.

       

      1. Sipas neneve 24 paragrafi 5 dhe 291 të K.Pr.P para ndryshimeve me ligjin nr.35/2017, ankimi kundër vendimit të mosfillimit të procedimit penal shqyrtohej nga gjykata dhe nga prokurori më i lartë. Në sajë të funksionimit të prokurorisë si organ hierarkik dhe i centralizuar, vendimmarrja e prokurorit të çështjes lidhur me aspekte të rëndësishme të procedurës, si mosfillimi i hetimeve, ishte më së shumti e varur nga vendimmarrja e prokurorit epror[16]. Kontrolli i vendimit të mosfillimit të procedimit penal nga dy organe njëkohësisht ka sjellë në praktikën gjyqësore problematikë. Problematika konsistonte në shfuqizimin e vendimit të mosfillimit të procedimit nga prokurori më i lartë gjatë kohës së shqyrtimit të ankimit nga gjykata apo pas vendimarrjes së gjykatës për mospranimin e ankimit. Problematikë ka shkaktuar edhe mungesa e përcaktimit në ligj të afatit për shfuqizimin e vendimit për mosfillimin e procedimit, nga prokurori më i lartë, në ndryshim nga paraqitja e ankimit në gjykatë, për të cilën parashikohej një afat i caktuar. Prokurori më i lartë në çdo kohë kishte të drejtë të vendoste ndryshimin ose shfuqizimin e vendimeve të marra nga prokurori më i ulët me ankim ose kryesisht, edhe kur nuk rezultonin të dhëna apo prova të reja.

       

      1. Me ndryshimet me ligjin 76/2016 në nenin 148 paragrafi 2 të Kushtetutës[17], Prokuroria nga një organ i centralizuar funksionon tashmë si një organ i pavarur që respekton pavarësinë e brendshme të prokurorëve. Në përputhje me këtë normë kushtetuese me ligjin nr.35/2017, janë bërë ndryshime në nenin 24 të K.Pr.P dhe është sanksionuar eskluziviteti i kontrollit gjyqësor të vendimit të prokurorit për mosfillimin e procedimit. Parashikimi i të drejtës së ankimit vetëm në gjykatë sipas nenit 291 të K.Pr.P, është në përputhje me standartet ndërkombëtare[18].

       

      1. Ankimi kundër vendimit për mosfillimin e procedimit shqyrtohet nga gjykata kompetente me trup gjykues të përbërë nga një gjyqtar, sipas neneve 291 dhe 13 paragrafi 2 shkronja “b” të K.Pr.P[19]. Ky rregullim mbështetet në faktin se në këtë fazë fillestare të hetimit nuk është regjistruar procedimi penal për një apo disa vepra penale konkrete. Në nenin 291 paragrafi 3 të K.Pr.P është specifikuar shprehimisht se gjyqtari që shqyrton ankimin kundër vendimit të mosfillimit është gjyqtari që gjykon kërkesat e palëve gjatë hetimeve paraprake. Ky ndryshim është në përputhje me vendimin unifikues të Gjykatës së Lartë[20]. Gjyqtari nuk mund të ushtrojë funksionet e gjyqtarit të seancës paraprake në të njëjtin procedim dhe as të gjykojë themelin e çështjes penale. Ky ndalim parashikohet në nenin 15 paragrafi 2 të K.Pr.P parë ngushtë me nenet 329 paragrafi 1, 329 shkronja b paragrafi 2 dhe 332 shkronja a të K.Pr.P. Por, ky gjyqtar është i njëjti që shqyrton kërkesat e tjera në fazën e hetimeve paraprake siç mund të jenë kërkesat për vleftësim arresti, caktim mase sigurimi personal etj., në mbështetje të nenit 278 paragrafi 2 të K.Pr.P.

       

      1. Neni 291 i K.Pr.P para ndryshimeve me ligjin nr.35/2017 nuk përcaktonte rregullat e shqyrtimit gjyqësor të ankimit kundër vendimit të mosfillimit të procedimit dhe për rrjedhim praktika gjyqësore ka aplikuar rregullat e përgjithshme që zbatohen për gjykimin e zakonshëm të çështjes penale, për aq sa ato ishin të zbatueshme. Gjykata e Lartë[21] ka përcaktuar disa nga rregullat e gjykimit të këtij ankimi: “Gjykimi i ankimit kundër vendimit të prokurorit për mosfillim nuk kërkon një shqyrtim gjyqësor të ndërlikuar dhe, për rrjedhojë, ai mund të bëhet edhe vetëm mbi bazë shqyrtimit të dokumenteve (de plano). Në gjykimin e ankimit kundër vendimit të prokurorit për mosfillim marrin pjesë ankuesi dhe prokurori që ka dhënë vendimin, të cilët njoftohen për këtë gjykim të posaçëm, megjithatë nuk kërkohet domosdoshmërisht marrja pjesë në gjykim e këtyre subjekteve.”

       

      1. Në përputhje me këtë përcaktim, me ndryshimet me ligjin nr.35/2017, në nenin 291 të K.Pr.P është shtuar pika 3 që rregullon shqyrtimin e ankimit në seancë gjyqësore. Gjyqtari njofton palët mbi zhvillimin e seancës gjyqësore për shqyrtimin e ankimit në përputhje me nenet 132-142 të K.Pr.P. Shqyrtimi gjyqësor i ankimit zhvillohet si rregull në bazë të akteve të hetimeve paraprake mbi bazën e të cilave është vendosur mosfillimi i procedimit penal. Gjykata kur e sheh të nevojshme mund të marrë edhe akte apo prova të paraqitura nga palët në seancë në mbështetje të pretendimeve të tyre. Nuk duhet të merren gjatë këtij shqyrtimi prova të tjera që merren nga prokurori pas rifillimit të hetimeve.

       

      1. Mungesa e rregullimit ligjor në nenin 291 para ndryshimeve me ligjin nr.35/2017, të vendimarrjes së gjykatës në rastet e mosparaqitjes pa arsye të ankuesit në seancë ka shkaktuar qëndrime të ndryshme në praktikën gjyqësore. Sipas qëndrimit të parë[22], në rast të mosparaqitjes pa shkaqe të arsyeshme të ankuesit, gjykata duhet të vendoste pushimin e gjykimit të ankimit, sipas qëndrimit të dytë[23] gjykata duhet të shtynte seancën dhe të vazhdonte gjykimin pa praninë e palës kërkuese, ndërsa sipas qëndrimit të tretë gjykata duhet të vazhdonte gjykimin duke caktuar avokat kryesisht për ankuesin. Ndërsa në kushtet e kërkesës për heqje dorë nga ankimi kundër vendimit për mosfillimin e procedimit penal, praktika gjyqësore ka qënë e unifikuar.[24] Me ndryshimet me ligjin nr.35/2017 në nenin 291 paragrafi 3 është zgjidhur kjo problematikë duke u parashikuar se në rast mosparaqitje të palëve pa shkaqe të arsyeshme, gjykata vendos mbi aktet e paraqitura.

       

      1. Gjyqtari i hetimeve paraprake vlerëson ligjshmërinë e vendimit të mosfillimit të procedimit, duke analizuar nëse prokurori e ka interpretuar dhe zbatuar drejt shkakun e përcaktuar në ligj dhe nëse i ka kryer të gjitha veprimet verifikuese të nevojshme. Gjyqtari vendos, sipas rastit, shfuqizimin e vendimit dhe rifillimin e hetimeve, ose rrëzon ankimin si të pambështetur. Kontrolli gjyqësor ndaj vendimit të mosfillimit të procedimit penal duhet të jetë një kontroll substancial dhe jo formal për arsye se ky kontroll nuk ka të bëjë vetëm me plotësinë e hetimit të kryer nga prokurori në lidhje me ezaurimin e çdo veprimi hetimor të mundshëm, por mbi të gjitha me ligjshmërinë e vendimarrjes. Në këtë aspekt, në praktikën gjyqësore ka qëndrime të ndryshme. Sipas njërit qëndrim[25] kontrolli kufizohet në verifikimin nëse janë kryer veprime të plota verifikuese nga ana e prokurorit ndërsa sipas qëndrimit tjetër[26] kontrolli mund të shtrihet edhe në analizën e rrethanave të faktit dhe shkakun për të cilin prokurori ka vendosur mosfillimin e procedimit penal.

       

      1. Gjykata kur shqyrton ankimin kundër vendimit të mosfillimit të procedimit penal, analizon vetëm nëse ekzistojnë apo jo kushtet për fillimin e një procedimi penal, pa e shqyrtuar çështjen në themel. Gjykata nuk mund dhe nuk duhet të shqyrtojë nëse fakti kriminal është kryer apo jo nga një person i caktuar, qoftë edhe kur ka një person ndaj të cilit është bërë kallëzim ose ankim. Prandaj, gjykata nuk mund të urdhërojë prokurorin që të nisë procedimin penal ndaj një personi konkret për arsye se ngritja e akuzës ndaj një personi të dyshuar si autor i një vepre penale është kompetencë eskluzive e prokurorisë.[27] Ky qëndrim është në përputhje me interpretimin literal të nenit 291 të K.Pr.P ndryshuar me ligjin nr.35/2017 që parashikon se gjykata kur pranon ankimin, urdhëron prokurorin të regjistrojë procedimin dhe të kryejë hetimet e nevojshme, dhe nenin 329 paragrafi 4 të K.Pr.P.

       

      1. Me shtimin e pikës 4 me ligjin nr.35/2017 në nenin 291 të K.Pr.P parashikohet vendimarrja e gjykatës. Kur e gjen të bazuar ankimin, gjykata urdhëron prokurorin të regjistrojë procedimin dhe të kryejë hetimet e nevojshme, duke përcaktuar edhe drejtimin e tyre. Në zbatim të kësaj dispozite, gjykata duhet të përcaktojë jo vetëm shkaqet e shfuqizimit të vendimit të mosfillimit të procedimit penal por duhet të urdhërojë prokurorin të regjistrojë procedimin penal dhe të kryejë hetime të tjera të nevojshme duke përcaktuar drejtimin e tyre. Përcaktimi i hetimeve të tjera të nevojshme është shumë i rëndësishëm si përsa i përket ecurisë së procedimit penal ashtu edhe për shqyrtimin e ankimit kundër vendimit për pushimin e akuzës apo çështjes penale në një fazë të mëvonshme të procedimit penal. Lista e veprimeve hetimore që përcakton gjykata është detyruese për prokurorin por jo shteruese. Prokurori mund të kryejë edhe veprime të tjera hetimore që rezultojnë të nevojshme nga provat e mara rishtazi, në funksion të përmbushjes së qëllimit për qënien aktiv në ndjekjen penale dhe dënimin e autorëve të veprave penale. Gjykata kur nuk e gjen të bazuar ankimin, pa u kufizuar vetëm në shkaqet e parashtruara në ankim, vendos mospranimin e ankimit duke lënë në fuqi vendimin për mosfillimin e procedimit penal.

       

      1. Neni 291 dhe dispozitat e tjera të K.Pr.P nuk e parashikojnë në mënyrë të shprehur nëse hetimet e urdhëruara nga gjyqtari me shfuqizimin e vendimit të mosfillimit duhet të kryhen brenda një afati të përcaktuar nga gjykata apo brenda afateve maksimale të hetimeve paraprake. Nisur nga natyra e vendimit të mosfillimit të procedimit penal dhe urdhërimi i regjistrimit të procedimit pas shfuqizimit të vendimit të mosfillimit, afati i hetimeve të mëtejshme që urdhërohet të kryhen, nuk përcaktohet nga gjykata në vendim por konsiderohet se fillon sipas parashikimit të neneve 323 dhe 324 të K.Pr.P. Ndryshe veprohet në vendimin e pushimit të çështjes penale, në të cilin gjykata në zbatim të nenit 329 shkronja “b” paragrafi 4 të K.Pr.P, i cakton prokurorit një afat për kryerjen e hetimeve, duke qënë se procedimi penal është regjistruar më parë dhe janë kryer një sërë veprimesh hetimore.

       

      1. Për shkak të kategorisë dhe numrit të subjekteve që kanë të drejtën e ankimit në gjykatë mund të paraqiten në kohë të ndryshme disa ankime kundër të njëjtit vendim për mosfillimin e procedimit. Sipas nenit 291 paragrafi 3 do të jetë i njëjti gjyqtar i hetimeve paraprake që do të shqyrtojë të gjitha ankimet kundër vendimit të mosfillimit. Kur është e mundur për shkak të fazës së gjykimit dhe kur nuk shkaktohen vështirësi në gjykimin e ankimit, gjyqtari vendos bashkimin e kërkesave penale në një gjykim të vetëm referuar nenit 92 të K.Pr.P edhe pse kjo dispozitë rregullon bashkimin e çështjeve të themelit. Vendimi gjyqësor nuk përbën gjë të gjykuar, në rast se kundër vendimit për mosfillimin paraqet ankim në gjykatë një i dëmtuar tjetër. Nëse shkaqet e ankimit kundër vendimit për mosfillimin janë të njëjta me ato të paraqitura nga një subjekt tjetër, për ankimin e të cilit gjyqtari është shprehur me vendim, jemi në rastin e heqjes dorë të gjyqtarit nga gjykimi i ankimit sipas nenit 17 të K.Pr.P për shkak se është shprehur me vlerësim për të njëjtën çështje. [28]

       

      1. Sipas nenit 291 paragrafi 3 dhe paragrafi 5 të K.Pr.P, gjyqtari duhet të japë vendimin brenda 30 ditëve nga paraqitja e ankimit. Edhe afati i gjykimit në apel është po ashtu brenda 30 ditëve nga marrja e akteve. Përderisa ligjvënësi ka vendosur afate kohore të caktuara për gjykimin e ankimit kundër vendimit për mosfillimin e procedimit dhe gjykimin në apel, do të thotë se ai i ka konsideruar ato jo vetëm si afate të arsyeshme[29], por edhe të detyrueshme për zbatim nga gjykata. Në këtë aspekt, duhet të ekzistojnë arsye objektive të cilat justifikojnë mosgjykimin brenda afateve ligjore.

       

      1. Në nenin 291 të K.Pr.P përpara ndryshimeve me ligjin nr.35/2017, ndryshe nga neni 329 i K.Pr.P nuk parashikohej e drejta e ankimit kundër vendimit gjyqësor të shkallës së parë në gjykatën e apelit. Ky vakum ligjor ka shkaktuar qëndrime të ndryshme në praktikë[30], bazuar në interpretimin e ndryshimeve ndërmjet mosfillimit të procedimit penal me pushimin e çështjes penale. Me ligjin nr.35/2017 është shtuar parashikimi i të drejtës së ankimit në gjykatën e apelit, parashikim që është në përputhje me nenin 43 të Kushtetutës.

       

      1. Gjykata e apelit e shqyrton ankimin kundër vendimit gjyqësor të shkallës së parë me trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë, sipas nenit 13 paragrafi 4 të K.Pr.P. Në gjykimin në apel, përsa kohë nuk parashikohet ndryshe në nenin 291, shqyrtimi i ankimit bëhet në seancë gjyqësore sipas rregullave të përgjithshme. Në të kundërt ligjvënësi do ta kishte parashikuar shprehimisht, ashtu sikurse ka përcaktuar në nenin 329 shkronja “ç“ të K.Pr.P, për shqyrtimin nga gjykata e apelit në dhomë këshillimi të ankimit kundër vendimit të mospranimit ose të rrëzimit të kërkesës për revokimin e vendimit të pushimit.

       

      1. Por, neni 291 ashtu sikurse neni 329 shkronja b paragrafi 6 i K.Pr.P rregullon vetëm ankimin në apel dhe nuk parashikon shprehimisht të drejtën e rekursit në Gjykatën e Lartë kundër vendimit të gjykatës së apelit. Sipas Gjykatës Kushtetuese[31], është ligji që përcakton rastet dhe në të cilat vendimet e gjykatës mund të ankimohen, si dhe mjetin e përshtatshëm ankimues, që mund të jetë apeli, rekursi, në Gjykatën e Lartë ose kërkesa për rishikim, duke parashikuar aspektet formale dhe afatet procedurale për ushtrimin e këtyre mjeteve ankimuese. Sipas këtij qëndrimi, përderisa neni 291 parashikon si mjet ankimi vetëm apelin, për rrjedhim nuk lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë. Ky qëndrim është në përputhje me afatin dhe mënyrën e shqyrtimit në apel si dhe nevojën për një vendimarrje në një afat të shpejtë me qëllim mosdëmtimin e hetimeve.

       

      1. Rifillimi i hetimeve parashikohet në nenin 292 të K.Pr.P dhe lidhet eskluzivisht me rastin kur vendimi i mosfillimit të procedimit është dhënë për shkak të mungesës së ankimit.[32] Rifillimi i hetimeve kur pas vendimit dalin ose zbulohen të dhëna apo prova të reja, të cilat tregojnë se vendimi nuk është i bazuar përcaktohet vetëm për vendimin e pushimit të procedimit penal në nenin 329 shkronja “c” të K.Pr.P. Në K.Pr.P nuk rregullohet rasti kur pas marrjes formë të prerë të vendimit për mosfillimin e procedimit penal dalin të dhëna apo prova të reja të cilat së bashku me aktet dhe provat e marra tregojnë se vendimi i mosfillimit nuk është i bazuar. Por, për shkak të natyrës së këtyre vendimeve, mund të disponohet rifillimi i hetimeve edhe pasi është marrë vendimi për mosfillimin e procedimit penal, kur dalin ose zbulohen të dhëna apo prova të reja. Ky interpretim është në përputhje me nenin 4 paragrafi 2 të Protokollit nr.7 të KEDNJ dhe qëndrimin e mbajtur GJEDNJ[33] se thjesht mundësia e rihapjes së një çështje penale është prima facie në përputhje me Konventën, duke përfshirë edhe garancitë e nenit 6. Por, sipas GJEDNJ, gjykatës i duhet të vlerësojë nëse, në një rast të caktuar, kompetenca për të kryer një rishikim ushtrohet nga autoritetet për të arritur; sa më maksimalisht të jetë e mundur, një balancë të drejtë ndërmjet interesave të individit dhe nevojës për të siguruar efektivitetin e sistemit të drejtësisë penale.[34]

       

      1. Për revokimin e vendimit të mosfillimit të procedimit nuk parashikohen në K.Pr.P rregulla procedurale ndryshe nga sa përcaktohet për revokimin e vendimit të pushimit, në nenin 329 shkronja c. Në asnjë dispozitë nuk parashikohet se revokimi i vendimit për mosfillimin e procedimit penal bëhet nga gjykata. Duke patur parasysh natyrën e vendimit të mosfillimit dhe përcaktimin e nenit 292 të K.Pr.P që rregullon rifillimin e hetimeve nga prokurori me paraqitjen më vonë të ankimit nga viktima rrjedhimisht edhe rifillimi i hetimeve për shkak të daljes së provave të reja bëhet po nga prokurori.

       

      1. Vendimi për mosfillimin e procedimit konsiderohet i formës së prerë në rast se kundër tij nuk paraqitet ankim brenda afatit të përcaktuar në ligj ose në rastin kur lihet në fuqi me vendim gjyqësor të formës së prerë. Në aspektin e parimit të sigurisë juridike, ky vendim edhe pse konsiderohet i formës së prerë, mund të revokohet në rast se disponohet për rifillimin e hetimeve kur dalin të dhëna apo prova të reja të cilat së bashku me aktet dhe provat e marra tregojnë se vendimi i mosfillimit nuk është i bazuar apo nëse më pas bëhet ankim nga viktima. Vendimi për mosfillimin e procedimit nuk përbën “gjë të gjykuar” për arsye se deri në marrjen e këtij vendimi nuk ka procedim penal të regjistruar dhe as emër të personit që i atribuohet vepra penale, megjithëse kallëzimi penal mund të jetë bërë kundër një personi konkret të kallëzuar. Për këto arsye revokimi i këtij vendimi më vonë nuk konsiderohet se cënon interesat e personit të kallëzuar.

       

      [1] Vendim nr.14, datë 21.07.2008, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda, shfuqizimi si i papajtueshëm me nenin 148/1 të Kushtetutës, i neneve 24§2 dhe 5, 323§1, 327§2 dhe 328 të Kodit të Procedurës Penale.

      [2] Ndryshuar me ligjin nr.35/2017.

      [3] Ndryshuar paragrafi 3, me ligjin nr.76/2016, datë 22.07.2016.

      [4] Halim Islami, Artan Hoxha, Ilir Panda, Procedura penale Komentar, Tiranë 2003, faqe 405-406.

      [5] Vendim nr.46, datë 16.03.2016 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Në këtë vendim Kolegji Penal ka prishur vendimin e Gjykatës së Apelit Vlorë sipas të cilit: “pjesëmarrja e personave të kallëzuar në hetim dhe gjykim, konkretisht prokurorit A.C., dëgjimi dhe mbrojtja e tij është një e drejtë kushtetuese dhe ligjore, ndërsa për gjykatën është një detyrim ligjor”.

      [6] Vendim nr.2, datë 20.06.2013, Gjergj Leka, (KBGJL).

      [7] Vendim nr.2 datë 21.02.2017 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë.

      [8] Vendim nr.2, datë 20.06.2013, Gjergj Leka, (KBGJL).

      [9] Ledi Bianku, Jurisprudenca e Gjykatës së Strasburgut, Tiranë, 2007, faqe 64.

      [10] Konventa e Këshillit të Europës “Për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje” ratifikuar me ligjin nr.104/2012, Konventa e Këshillit të Europës “Për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi dhe abuzimi seksual” ratifikuar me ligjin nr. 10071/2009, Konventa e Këshillit të Europës “Për masat kundër trafikimit të qënieve njerëzore” ratifikuar me ligjin nr.9642/2006 dhe Konventa Europiane “Për kompensimin e viktimave të krimeve të dhunshme” ratifikuar me ligjin nr.9265/2004.

      [11] Direktiva 2012/29 e Parlamentit Europian dhe Këshillit e datës 25.10.2012 e Bashkimit Europian, që vendosi standartet minimale të të drejtave, mbështetjes dhe mbrojtjes së viktimave të krimit, duke zëvëndësuar Vendimin Kuadër të Këshillit 2001/220/JHA, (publikuar në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Europian në datën 14.11.2012.

      [12] Rekomandimi (2000)19 “Për rolin e prokurorit në sistemin e drejtësisë penale” i miratuar nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës në datë 06 Tetor 2000, pika 34 dhe Direktiva 2012/29 e Parlamentit Europian dhe Këshillit e datës 25.10.2012 e Bashkimit Europian, që vendosi standartet minimale të të drejtave, mbështetjes dhe mbrojtjes së viktimave të krimit, duke zëvëndësuar Vendimin Kuadër të Këshillit 2001/220/JHA, (publikuar në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Europian në datën 14.11.2012), neni 11 dhe Konventa e Këshillit të Europës “Për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje” ratifikuar me ligjin nr.104/2012, Konventa e Këshillit të Europës “Për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi dhe abuzimi seksual” ratifikuar me ligjin nr. 10071/2009, Konventa e Këshillit të Europës “Për masat kundër trafikimit të qënieve njerëzore” ratifikuar me ligjin nr.9642/2006 dhe Konventa Europiane “Për kompensimin e viktimave të krimeve të dhunshme” ratifikuar me ligjin nr.9265/2004.

      [13] Ledi Bianku, Jurisprudenca e Gjykatës së Strasburgut, Tiranë, 2007, faqe 64.

      [14] Hugh Jordan kundër Mbretërisë së Bashkuar, kërkesa 24746/94, datë 4 Maj 2001.

      [15] Direktiva 2012/29 e Parlamentit Europian dhe Këshillit e datës 25.10.2012 e Bashkimit Europian, që vendosi standartet minimale të të drejtave, mbështetjes dhe mbrojtjes së viktimave të krimit, duke zëvëndësuar Vendimin Kuadër të Këshillit 2001/220/JHA, (publikuar në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Europian në datën 14.11.2012).

      [16] Dokumenti Analizë e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, Qershor 2015, faqe 177,

       http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf, aksesuar në datë 23.07.2017.

      [17] Shih nenin 148§2 të Kushtetutës, përpara dhe pas ndryshime të bëra me ligjin 76/2016.

      [18] Direktiva 2012/29 e Parlamentit Europian dhe Këshillit e datës 25.10.2012 e Bashkimit Europian, që vendosi standartet minimale të të drejtave, mbështetjes dhe mbrojtjes së viktimave të krimit, duke zëvëndësuar Vendimin Kuadër të Këshillit 2001/220/JHA, (publikuar në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Europian në datën 14.11.2012).

      [19]Gjykatat e rretheve gjyqësore dhe Gjykata e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar gjykojnë me një gjyqtar ankimin ndaj vendimit të prokurorit për mosfillimin e ndjekjes penale.”.

      [20] Vendim nr.2, datë 20.06.2013, Gjergj Leka, (KBGJL), pika 21.

      [21] Vendim nr.2, datë 20.06.2013, Gjergj Leka, (KBGJL), pikat 22 dhe 23.

      [22] Vendimi nr.17 Akti, datë 27.03.2013 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

      [23] Vendimi nr.879, datë 09.10.2013 i Gjykatës së Apelit Tiranë.

      [24] Në këtë rast gjyqtari vendos pushimin e gjykimit të ankimit, në mbështetje të nenit 291 në interpretim të ngushtë me nenet 59§3 dhe 471 të K.Pr.P duke patur parasysh vënien në lëvizje të gjykatës me kërkesë/ankim.

      [25] Vendimi nr.146, datë 23.05.2012 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

      [26] Vendimi nr.137, datë 26.10.2011 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

      [27] Flojera Davidhi, Elsa Ulliri, Armanda Xhaferri, Ankimi gjyqësor ndaj vendimit të mosfillimit/pushimit të çështjes dhe fillimi/rifillimi i hetimeve nga prokurori, Jeta Juridike, Revistë juridike shkencore nr.3, shtator 2013, Faqe 90-91.

      [28] Vendimi nr.54, datë 20.07.2015, Astrit Duraku, Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën i vendimit nr. 00-2014-3595, datë 12.12.2014 të Gjykatës së Lartë.

      [29] Për shkak të fazës fillestare të hetimeve dhe natyrës së vendimit për mosfillimin e procedimit penal.

      [30] Vendimi nr.158, datë 08.06.2012 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, në të cilin theksohet se vendimi për mosfillimin e procedimit penal mund të ankimohet vetëm në gjykatën e shkallës së parë.

      [31] Vendim nr.5, datë 02.03.2010, Kalosh Lamollari, Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën i vendimit nr.417, datë 18.04.2007 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

      [32] Në një rast të tillë nuk pengohet kryerja e hetimeve për të njëjtin fakt dhe ndaj të njëjtit person, në qoftë se më pas bëhet ankim.

      [33] Zolotukhin kundër Rusisë, nr.kërkese 14939/03, datë 10 Shkurt 2009, prg. 52 i vendimit.

      [34] Xheraj kundër Shqipërisë, nr.kërkese 37959/02, datë 29 Korrik 2009, prg. 53 i vendimit.

      1. Ndryshimi i legjislacionit të BE dhe ratifikimi nga Shqipëria i disa Konventave për të drejtat dhe kompensimin e viktimave, luftën kundër trafikimit të qënieve njerëzore, dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje kanë sjellë nevojën për ndryshimin e nenit 291 të K.Pr.P. Me qëllim garantimin e të drejtave procedurale të viktimës në proçesin penal në përputhje me standartet ndërkombëtare, në nenin 291 është shtuar rrethi i personave që kanë të drejtën e ankimit ndaj vendimit të mosfillimit. Po ashtu, problematika e hasur në praktikën gjyqësore gjatë zbatimit të nenit 291 para ndryshimeve, veçanërisht lidhur me kufijtë e shqyrtimit gjyqësor dhe rregullat e gjykimit ka sjellë si nevojë një përcaktim më të qartë dhe të saktë ligjor.

       

      1. Në relacionin për projekt-ligjin[1] për disa shtesa dhe ndryshime në K.Pr.P dhe në Analizën e Sistemit të Drejtësisë, të hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë është pasqyruar problematika që lidhet me mosfillimin e procedimit penal dhe parashikimin e nenit 291 të K.Pr.P[2]. Për të adresuar këtë problematikë, me ligjin nr.35/2017 është rregulluar më mirë informimi dhe ushtrimi i të drejtës së ankimit si dhe janë përcaktuar në mënyrë më të qartë rregullat për kontrollin e vendimit për mosfillimin e procedimit penal.

       

      [1] Relacioni për projekt-ligjin “Për disa shtesa e ndryshime në Kodin e Procedurës Penale”, https://www.parlament.al/wp-content/uploads/2017/01/RELACION-SHTESA-E-NDRYSHIME-7905-KODI-I-PROCEDURES-PENALE-Resized.pdf, aksesuar për herë të fundit në datë 24.07.2017.

      [2] Shih Analizën e Sistemit të Drejtësisë, Qershor 2015, në

      http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf vizituar për herë të fundit më 23.07.2017, faqe 177.

    • Rekomandimi (2000)19 “Për rolin e prokurorit në sistemin e drejtësisë penale” dhe Memorandumi shpjegues, miratuar në datë 06 Tetor 2000, nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës, pika 34, lidhur me kontrollin gjyqësor të vendimit për mosfillimin e procedimit penal; 

      Direktiva 2012/29 e Parlamentit Europian dhe Këshillit e datës 25.10.2012 e Bashkimit Europian, që vendosi standartet minimale të të drejtave, mbështetjes dhe mbrojtjes së viktimave të krimit, duke zëvëndësuar Vendimin Kuadër të Këshillit 2001/220/JHA, (publikuar në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Europian në datën 14.11.2012).

  • Vendime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut 

    Hugh Jordan kundër Mbretërisë së Bashkuar, kërkesa 24746/94, datë 4 Maj 2001, lidhur me garancinë e të afërmve të viktimës dhe të interesuarve për tu informuar në lidhje me hetimin; 

    Zolotukhin kundër Rusisë, nr.kërkese 14939/03, datë 10 Shkurt 2009, §52, lidhur me mundësinë e rihapjes së një çështje penale; 

    Xheraj kundër Shqipërisë, nr.kërkese 37959/02, datë 29 Korrik 2009, §53, lidhur me vlerësimin e ushtrimit të kompetencës për të kryer një rishikim dhe rihapur një çështje penale.

  • Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, Qershor 2015, faqe 177, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf, aksesuar për herë të fundit më 23.07.2017; 

    Strategjia për reformën në sistemin e drejtësisë https://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/draft_strategjia_versioni_shqip.pdf, aksesuar për here të fundit në datën 24.07.2017; 

    Relacioni për projekt-ligjin “Për disa shtesa e ndryshime në Kodin e Procedurës Penale”, https://www.parlament.al/wp-content/uploads/2017/01/RELACION-SHTESA-E-NDRYSHIME-7905-KODI-I-PROCEDURES-PENALE-Resized.pdf, aksesuar për herë të fundit në datë 24.07.2017.

  • Kushtetuta 

    Neni 43, 148§2 të Kushtetutës, ndryshuar me ligjin nr. 76/2016;

     

    Neni 4§2 i Protokollit nr.7 të KEDNJ;

    Konventa e Këshillit të Europës “Për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje” ratifikuar me ligjin nr.104/2012; 

    Konventa e Këshillit të Europës “Për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi dhe abuzimi seksual” ratifikuar me ligjin nr. 10071/2009; 

    Konventa e Këshillit të Europës “Për masat kundër trafikimit të qënieve njerëzore” ratifikuar me ligjin nr.9642/2006; 

    Konventa Europiane “Për kompensimin e viktimave të krimeve të dhunshme” ratifikuar me ligjin nr.9265/2004;

     

    Ligj 

    Nenet 13§2 shkronja b, 13/4, 15§2, 17, 58, 59§3, 58, 278§2, 288, 292, 323, 324, 329, 329 shkronja b, c, ç, 332, 478 të ligj nr.35/2017 Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.7905, datë 21.03.1995 “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar;   

    Nenet 66 dhe 71 të K.P;

  • No Comment
  • Vendime të Gjykatës Kushtetuese 

    Vendim nr.22, datë 20.03.2017, kërkues Shoqëria “Gener 2” sh.p.k., konstatimi i cenimit të së drejtës kushtetuese për një proces të rregullt ligjor si rezultat i mosgjykimit brenda një afati të arsyeshëm, lidhur me afatin e gjykimit; 

    Vendimi nr.54, datë 20.07.2015, Astrit Duraku, Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën i vendimit nr. 00-2014-3595, datë 12.12.2014 të Gjykatës së Lartë, lidhur me parimin e paanshmërisë; 

    Vendim nr.5, datë 02.03.2010, kërkues Kalosh Lamollari, Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën i vendimit nr.417, datë 18.04.2007 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, lidhur me të drejtën e ankimit kundër vendimit në gjykatën e apelit; 

    Vendim nr.5, datë 06.03.2009, kërkues Gjykata e Apelit Vlorë, Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën i neneve 24/5, 327 pika 2; 328 dhe 329 pika 1, pjesa e fjalisë “përveçse kur me vendim është deklaruar se fakti nuk ekziston” të Kodit të Procedurës Penale, lidhur me kontrollin gjyqësor ndaj vendimarrjes së prokurorit; 

    Vendim nr.14, datë 21.07.2008, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda, shfuqizimi si i papajtueshëm me nenin 148/1 të Kushtetutës, i neneve 24 pikat 2 dhe 5, 323 pika 1, 327 pika 2 dhe 328 të Kodit të Procedurës Penale, lidhur me kompetencën e prokurorit për mosfillimin e procedimit penal;

     

    Vendime të Gjykatës së Lartë 

    Vendim unifikues nr.2, datë 20.06.2013, i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, me kërkues Gjergj Leka për ankimin e vendimit të pushimit të çështjes penale, lidhur me subjektet që kanë të drejtën e ankimit kundër vendimit për mosfillimin e procedimit penal dhe rregullat e gjykimit;

    Vendimi nr.158, datë 08.06.2012 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, lidhur me ankimin kundër vendimit për mosfillimin e procedimit penal vetëm në gjykatën e shkallës së parë; 

    Vendim nr.46, datë 16.03.2016 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, lidhur me pjesëmarrjen e personit të kallëzuar në gjykimin për shqyrtimin e ankimit kundër vendimit për mosfillimin e procedimit penal; 

    Vendimi nr.146, datë 23.05.2012 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, lidhur me kontrollin gjyqësor ndaj vendimit për mosfillimin e procedimit penal; 

    Vendimi nr.137, datë 26.10.2011 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, lidhur me kontrollin gjyqësor ndaj vendimit për mosfillimin e procedimit penal.

  • Ledi Bianku, Jurisprudenca e Gjykatës së Strasburgut, Tiranë, 2007, faqe 64; 

    Flojera Davidhi, Elsa Ulliri, Armanda Xhaferri, Ankimi gjyqësor ndaj vendimit të mosfillimit/pushimit të çështjes dhe fillimi/rifillimi i hetimeve nga prokurori, Jeta Juridike, Revistë juridike shkencore nr.3, shtator 2013, Faqe 90-91; 

    Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Raport studimor për vendimet e prokurorisë për mosfillimin dhe pushimin e procedimeve penale dhe procedurat për ekzekutimin e vendimeve penale, Tiranë 2014; 

    Halim Islami, Artan Hoxha, Ilir Panda, Procedura penale Komentar, Tiranë 2003, faqe 405-406.

  • Neni 148 paragrafi 2 e Kushtetutës, para ndryshimit me ligjin nr. 76/2016; 

    Nenet 24, 58, 291 të K.Pr.P para ndryshimit me ligjin nr. 35/2017;

Ornela Naqellari
Idlir Peçi